Shtyp Shpërndaj
METUSH KRASNIQI BURRË I FORTË I SHQIPTARISË

ME RASTIN E 12 VJETORIT TË PAVDEKËSISË SË METUSH KRASNIQIT

Organizuar nga Shoqata Atdhetare ,,Metush Krasniqi” në Dortmund të Gjermanisë

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Të nderuar bashkëkombas, pjesëmarrës Ttë këtij tubimi përkujtimor,

Sot jemi tubuar këtu për ta përkujtuar dymbëdhjetë vjetorin e pavdekësisë së njërit ndër udhëheqësit më të dalluar të lëvizjes sonë kombëtare, ideologut të nacionalizmit shqiptarë dhe mësuesit të atdhedashurisë Bacë Metush Krasniqit.

« Veprimtaria dhe qëndrueshmëria e tij për çështje kombëtare ka qenë dhe do të mbetet shembull i rrallë për gjeneratat e ardhshme. Puna dhe qëndrimi i tij mbeten përmendore e krenarisë sonë kombëtare ».*1

Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi përkujtimor, nuk do të flas për veprimtarinë e Metush Krasniqit, si mësues dhe edukues i brezit të ri në baza kombëtare, as për veprimtarinë patriotike të tij, pasi që për këtë rast është një temë e pa përthekueshme. Sonte do të ndalem në ca pikëpamje, botëkuptime dhe virtyte të Metush Krasniqit, që do të na ndihmonin për ta kuptuar mjerimin tonë shpirtërorë, pa aftësitë tona organizative dhe politike, përçarjet e thella ndërshqiptare dhe ndërnjerëzore që e kanë përfshirë shoqërinë shqiptare.

Ata që e kanë njohur Metush Krasniqin, e dinë se sa i afërt ishte me njerëzit. I dëgjonte me vëmendje dhe nuk ndodhte t’ia ndërpritnin bisedën bashkëbiseduesit, edhe në se biseda e tij ishte kontradiktore dhe jo konstruktive. Vetëm pasi mbaronte bisedën, i radhiste fjalët pa nervozë, duke përdorur argumente për ta bindur bashkëbiseduesin se nuk e ka mirë. Kjo mënyrë e komunikimit krijonte miq të shumtë, sepse askënd në bisedë nuk e nënçmonte. Edhe nëse ndodhte që në ndeja të ndryshme ku bënte pjesë ndonjë përkrahës i okupatorit, nuk e ,,rrihte’’ drejtpërdrejt, sepse do të prishej muhabeti, dhe do të keqpërdoret oda, por e kritikonte shumë lehtë tërthorazi, me ,,meseletë’’ e gjeniut popullor, që ai ta kuptonte se bëhej fjalë për te, po që se ishte i zgjuar, dhe jo për ta nënçmuar, por për ta ndihmuar që të vetëdijesohet që të kthehej kah e mbara. Shpeshherë thoshte se çdo njëri është botë në veti, dhe çdo njeri ka diçka të vlefshme që duhet respektuar. Ai thoshte se nuk kemi njerëz për të humbur. Çdonjëri në momentin e duhur kur të na vie shteku për çlirim dhe bashkim kombëtar, do ta luaj një rol që ai ka mundësi dhe aftësi për ta kryer me sukses, po që se ne dimë të punojmë dhe veprojmë me njerëz, duke e respektuar e jo nënçmuar personalitetin e tij. Këtë e konkretizonte me gardhin e oborrit të shtëpisë. Thoshte: Hunjtë e drejtë e bajnë barrën kryesore të gardhit që ngulën thellë në tokë. Pastaj ata lidhen me thupra të drejta të gjatësive dhe trashësive të ndryshme. Në përfundim të gardhit, mbi të vihen therrat, ndërsa në dy anët e gardhit nguliten shtyllat për të qenë më stabil dhe më i qëndrueshëm gardhi. Nuk i paragjykonte njerëzit. Edhe të manipuluarit nga sistemi i Titos, do të bëhen të vlefshëm dhe të mirë në momentin e duhur, thoshte, po që se ua japim mundësinë të kontribuojnë për çështje kombëtare në momentin e duhur. Vetëm tradhtarët që punonin me vetëdije për të huajt dhe armiqtë e kombit, do ta meritojnë dënimin e shtetit ligjor, e jo siç kanë vepruar komunistët në kohen e Luftës së Dytë botërore, duke i vrarë nacionalistët me tradhti pas shpine apo me ,,gjyqin’’ e Partisë, duke e keqpërdorë emrin e popullit. Pra, ishte shpirtmadh dhe zemërgjerë. Secili që kishte rastin të zhvillonte një bisedë me te, do ta bënte për veti, sepse i kuptonte thellësisht hallet dhe brengat e tyre. Por çka është më e rëndësishme, ai merrej me përkushtim për ta ndihmuar çdonjërin që drejtpërdrejt apo tërthorazi, kërkonte prej tij t’i ndihmonte në zgjidhjen e ndonjë problemi që sjell jeta. Ishte pa komplekse, njeri pa komplekse, i respektuar dhe i dashur nga qytetarë të shumtë të të gjitha shtresave të popullsisë së Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare. Ai i afronte, i këshillonte dhe u ndihmonte shumë njerëzve. Ishte i afërt me ta. Nuk e nënçmonte askënd. Për të nuk kishte shqiptarë të lig, përpos këlyshëve të UDB-së, të cilët i urrente me shpirt dhe ndaj tyre ishte i pamëshirshëm. Ua thoshte haptas, apo tërthorazi atë që duhej thënë në sy. Ideologjia e tij ishte vetëm shqiptaria. Ishte demokrat i vërtetë dhe sistemin shumë partiakë e njihte si formën më të mirë për udhëheqjen e shtetit. Nuk bënte luftë ideologjike me atdhetarë që kishin bindje komuniste, po që se interesat kombëtare i venin para interesave ideologjike.

Sot kur atdheu dhe kombi ynë po përjeton tragjedinë më të madhe gjatë gjithë historisë së tij, shtrohet detyrë mbi të gjithë detyrat, për të gjithë shqiptarët kudo që gjenden në rruzullin tokësor të vetëdijesohen, se çdonjëri në bazë të mundësisë dhe aftësisë së tij të punojë për të dalë nga kjo gjendje, ku qenia jonë kombëtare është e rrezikuar më tepër se kurrë më parë nga armiqtë tanë shekullorë, por edhe nga veprimet tona.

Nuk e kemi të vështirë të kuptojmë si mund të dalim nga kjo gjendje e mjerë. Po që se ia vejmë gishtin kokës dhe mendohemi mirë e mirë, se ku gjenden shkaqet e kësaj gjendjeje në të cilën jemi, nuk do ta kemi vështirë të kuptojmë një të vërtetë të hidhur, se armiqtë tanë çdoherë popullit tonë ia kanë zhdukur fizikisht apo edhe moralisht prijësit e tij më të zottë. Na i kanë zhdukur edhe po na i zhdukin të gjithë ata që kanë pasur aftësi organizative, që kanë pasur zotësi t’i bashkojnë masat e gjera popullore, të gjithë ata që kanë gëzuar besimin dhe respektin nga populli ynë. Ishin fillimet e viteve të tetëdhjeta, kur lëvizja jonë kombëtare në Kosovë kishte marrë hovë të madh. Edhe diaspora jonë ishte ngjallur me ardhjen e Jusuf Gërvallës në Gjermani, njërit ndër udhëheqësit kryesor të LNÇKVSHJ-së, ku Metush Krasniqi ishte kryetar i saj. Jusufi me shokë ishin ata që për një kohë të shkurtër bënë punë të madhe për vetëdijesimin e kurbetçinjve tanë, se ata munden dhe duhet të jenë krah i fortë për çështjen tonë kombëtare. Përpjekjet e Jusufit me shokë për bashkimin e shqiptarëve në një organizatë me baza kombëtare, duke i bashkuar shqiptarët pa marrë parasysh bindjet e tyre ideologjike apo fetare, i kushtoi me jetë. Armiqtë tanë vepruan si më parë. Bënë atentat në Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, siç patën bërë atentate ndaj Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit dhe Isa Boletinit.

Atëherë kur rezistenca jonë kombëtare në Kosovë ishte ngritur në një shkallë më të lartë të veprimit, ku në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në Jugosllavi, vepronin shumë organizata dhe grupe për ta përgatitur popullin, që në momentin e duhur t’i presin prangat e robërisë, Metush Krasniqi u vu në ballë të përpjekjeve për bashkimin e tyre në baza kombëtare. UDB-ja jugosllave në vitin 1985, e burgosi atë për të pestën herë me radhë, për ta dërmuar trupin i tij për tetë muaj rresht me metodat më barbare. Këtë radhë nuk e maltretuan çetnikët e Beogradit, por veglat serbe në krye me Selim Broshën dhe Zymber Zymberin. Gjyqi i pushtuesve serbë në Prishtinë e liroi si të ,,pa fajshëm”, jo për mungesë faktesh siç thoshte gjykatësi serb, por për arsye se mjekët kishin konstatuar se Metush Krasniqit po i numëronte ditët e fundit të jetës, si pasojë e torturave më çnjerëzore që u ushtruan ndaj tij. Nuk vonoi shumë dhe Bacë Metush Krasniqi shkoi në botën e amshueshme.

Me eliminimin fizik të dy udhëheqësve kryesorë të Lëvizjes sonë Kombëtare, Jusuf Gërvalles dhe Metush Krasniqit, populli ynë përjetoj goditjet më të rënda, dhe pasojat e atyre goditjeve po i shohim sot të gjithë ne. Armiqtë tanë shekullorë serbo-sllavo-grekët, kanë bërë plane dhe skenarë për të na goditur haptas dhe fshehtas. Po na sulmojnë në të gjitha mënyrat, duke e masakruar popullsinë e paarmatosur të Kosovës. Fatkeqësisht, klasa politike e Kosovës dhe pushtetarët e saj, nuk po vetëdijesohen për përgjegjësinë e madhe kombëtare dhe historike që kanë. Partiakët e shtirë, karrieristët e sëmurë për pushtet dhe kolltuqe, e përçanë popullin në baza ideologjike, partiake, klanore dhe rajonale. Ata po bëjnë përpjeke maksimale për ta përçarë edhe faktorin ushtarakë të Republikës së Kosovës, UÇK-në, duke shpresuar që nëpërmjet saj të fitojnë poste dhe kolltuqe në strukturat udhëheqëse të Kosovës dhe kështu, me vetëdije apo pa vetëdije, po kryejnë punën e të huave, po iu shërbejnë armiqve tanë shekullorë..

Shqipëria u godit dhe u plagos rënd për vdekje në vitin që shkoi, dhe po goditet edhe sot me mjete perfide. Po likuidohen atdhetarë në mes të Tiranës. Me urdhrin e një qendre antishqiptare, një dorë e zgjatur e Serbisë e zhduki Azem Hajdarin, simbolin e demokracisë shqiptare, dhe pas një jave edhe kolonel Ahmet Krasniqin, ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, i cili ishte shok dhe bashkëveprimtar i ngushtë i Metush Krasniqit, i cili me kërkesën e tij, pati filluar studimet në Akademinë ushtarake, dhe më vonë u bë anëtar dhe udhëheqës me përgjegjësi ushtarake të LNÇKVSHJ-së. Në këtë gjendje të vështirë që sot gjendet kombi ynë, bie një barrë e rëndë në udhëheqësinë e Kosovës, që sa më parë të rishikojnë veprimet e tyre. Ata sa më parë duhet ta ndërpresin luftën për pushtet, pa pasur shtet, të japin urdhër që të shuhet veprimtaria e partive politike në diasporë, për ta formuar Bashkësinë Shqiptare, që do t’i bashkonte të gjithë shqiptarët e diasporës në baza kombëtare.

Me organizimin e mirëfilltë kombëtar të diasporës, me formimin e Qeverisë së re të Kosovës nga partitë parlamentare dhe ato të opozitës, me institucionalizimin e UÇK-së, duhet t’ia bëjmë me dije okupatorëve dhe qendrave ndërkombëtare se nuk duam lëmoshë, por vetëm drejtësi, dhe po që se ato nuk janë në gjendje t’i shlyejnë krimet dhe padrejtësitë ndaj popullit tonë, ne do të t’i përdorim të gjitha mjetet dhe mënyrat për realizimin e aspiratave të popullit tonë për liri, çlirim dhe bashkim kombëtarë.

Le ta ruajmë kujtimin e freskët për Metushin, Fazliun, Jusufin, Bardhin, Kadriun, Rxhepin, Nuhiun, Hadrin, Ilfeten e shumë dëshmorë dhe heronj tanë, dhe vepra e tyre e madhe të na frymëzojë që edhe ne të bëjmë atë që dimë dhe mundemi për ta vazhduar dhe kryer punën e tyre të shenjët. T’i largojmë nga zemrat tona helmet e përçarjeve ndërshqiptare dhe ndërnjerëzore! Dalshim sa më parë nga kjo mjegulli idesh dhe veprimesh! Zoti fuqiplitë na i kthjelloftë mendjet dhe na i pastroftë zemrat për ta vazhduar punën e Metush Krasniqit e dëshmorëve të tjerë me mençuri dhe organizim të mirëfilltë, duke i bashkuar të gjitha forcat tona intelektuale, njerëzore dhe materiale, për ta kthyer nderin dhe krenarinë kombëtare, për t’i dalë zot asaj toke të shkrumbuar e të poshtëruar aq tepër nga hordhitë e egra të karpateve të Rusisë. Nuk do t’i lejojmë që trojet tona, arat dhe livadhet tona më të buta, malet tona më të pasura, fshatrat dhe qytetet tona të na i marrë shkau i shkinës. Ato janë tonat, se Zoti i Madhërueshëm na i ka dhuruar për t’i punuar, zbukuruar, gëzuar dhe trashëguar me fëmijët, nipërit dhe mbesat tona. Nuk do të lejojmë që fëmijët tanë të mbesin rrugëve të botës, pa atdhe, pa dinjitet dhe pa krenari kombëtare. Nuk do të përçahemi në baza partiake dhe rajonale, se atë synojnë armiqtë tanë. Tani ka ardhur koha që t’i tejkalojmë të gjitha mosmarrëveshjet që kanë lindur në mes nesh, për ta bërë një bashkim të fortë këtu në diasporë. Do të jetë një bashkim i mirëfilltë kombëtar, se jemi shqiptarë të një Shqipërie, se kufijtë që na i caktuan të huajt nuk i njohim.

Dalshim faqebardhë para Zotit dhe, pastaj para popullit dhe historisë!

I Madhi Zot i mëshiroftë dëshmorët që ranë në fushën e nderit për lirinë e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare.

Shkruar dhe lexuar më, 14 tetor 1998.

Loading