LDK-JA DUHET TË BËJË ALEANCË ME PAKICAT KOMBËTARE PËR T’I KRIJUAR INSTITUCIONET SHTETËRORE TË KOSOVËS

Më në fund, kur edhe ’’zogjtë e malit’’ e kuptuan se LDK-ja edhe pse e ka fituar besimin e shumicës së elektoratit shqiptar të Kosovës, nuk pati sukses t’i krijonte institucionet shtetërore-demokratike të Kosovës, pasi që krerët e dy bishtave të Partisë Socialiste të Shqipërisë, PDK-së dhe AAK-së, bllokuan me të gjitha mënyrat këtë proces, është më se e domosdoshme që udhëheqja e LDK-së të pranojnë ofertën e pakicave kombëtare për të krijuar me to institucionet shtetërore të Kosovës, kur dihet se faktori ndërkombëtar, nëpërmjet Kornizës Kushtetuese, i ka detyruar forcat politike shqiptare për të bërë aleancë qeverisëse me pakicat kombëtare, kur atyre nëpërmjet Kornizës, ju ka garantuar dy ministri në Qeverinë e ardhshme të Kosovës (nga nëntë ministri sa do t’i ketë ajo).

Forcat demokratike të Kosovës në krye me LDK-në, duhet ta kuptojnë se kanë përgjegjësi të madhe morale dhe kombëtare, jo vetëm në krijimin e institucioneve shtetërore të Kosovës, por edhe në krijimin e kushteve, që të gjitha pakicat kombëtare, në veçanti ajo serbe, të integrohen në të gjitha strukturat udhëheqëse të Kosovës, duke filluar nga ato lokale e deri në ato qendrore. Kjo politikë e bashkëpunimit dhe e mirëkuptimit reciprok, me siguri do të sjellë integrimin e Veriut të Mitrovicës me pjesën tjetër të qytetit, dhe zhbërjen e enklavave tjera serbe në Kosovë. Forcat demokratike nuk kanë pse të ngurojnë për krijimin e aleancës qeverisëse me pakicat kombëtare, kur dihet se pa tejkalimin e situatës aktuale të ngrirjes së komunikimit dhe bashkëpunimit, dhe të krijimit të besimit reciprok në mes popullit tonë dhe pakicave, faktori ndërkombëtar nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Populli ynë fisnik është zemërbardhë dhe zemërmadh. Ai i tregoi gjithë botës, më shumë se një herë, se është i zoti ta luftojë të keqen dhe të shëmtuarën. Ka ardhur koha që edhe një herë t’i tregojë aftësitë e tij shtetformuese. Ka ardhur koha të tregojë edhe njëherë zemërgjerësinë e tij të madhe, siç e tregoi në fillim të viteve ‘90-ta, kur për hir të Zotit dhe pastaj të Kosovës, i fali më tepër se 1000 gjaqe. Ai atëherë e kuptoi se ishte koha për bashkimin e të gjitha forcave shqiptare, ishte koha për bashkëpunimin vëllazëror në mes shqiptarëve të të gjitha shtresave të popullsisë, sepse e dinte se ka ardhur koha për krijimin e një fronti të përbashkët të veprimit politik, organizativ dhe punues, që do të sillte çlirimin dhe bashkimin tonë kombëtar.

Siç dihet, forcat e djallit, stalinistët, nanoistë, së bashku me sigurimet e huaja, shkatërruan atë bashkim të shqiptarëve në momentet vendimtare, kur Serbia, Greqia dhe Rusia i vënë në veprim skenarët për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare ashtu siç e donte interesi i tyre kombëtar. Miqtë e kombit tonë, anglo-amerikanët, me aleatët e tyre, i djegën planet serbo-ruso-greke, që i kishin thurur në dëm të interesave tona kombëtaret, dhe me intervenimin e forcës së tyre të përbashkët, NATO-s, i detyruan forcat e krimit dhe të gjenocidit serb, të tërhiqen andej nga kanë ardhur, dhe kështu na e çliruan Kosovën. Të njëjtat forca të djallit të mallkuar, stalinistët e shitur, nanoistët kokëkrisur dhe ,,pionierët e Enverit’’, që po tregojnë se janë të padijshëm dhe të palogjikshëm, kur për realizimin e disa interesave të tyre të ngushta, janë bërë argatë dhe vasalë të çakajve të Ballkanit, kur, me vetëdije apo pa te, ranë në ndikimin e spiunëve të tyre, siç është Nanosi & kompani, i cili i ka futur në rrugë të sherreve të mëdha, në rrugë që do të na sillte vetëm dështime, që do të na komprometonin para botës si komb i paaftë për të krijuar institucione shtetërore dhe për të qeverisur me mjetet demokratike të shtetit ligjor. Këto forca të djallit edhe tash po e kryejnë punën e armiqve tanë shekullorë, me krijimin e strukturave të krimit politik dhe ekonomik, me bllokimin e procesit të krijimit të institucioneve shtetërore-demokratike të Kosovës, dhe me përpjekjet shumë qyqare, për të krijuar kaos politik, me protestat që po i organizojnë nëpër disa qendra të Kosovës, për të penguar burgosjen dhe dënimin e kriminelëve me kravata dhe të kriminelëve me maska, që forcat policore të UNMIK-ut e kanë gjetur fijen e Qendrës së krimeve që po bëhen në Kosovë.

Populli ynë më shumë se njëherë, i ka treguar botës se nuk është popull barbar, që ka synim hakmarrjen, që nuk i njeh vlerat demokratike të njerëzimit, por është popull zemërbardhë dhe zemërmadh. Këtë e ka treguar gjatë sundimit të Perandorisë Osmane në Ballkan. Këtë e ka treguar edhe gjatë periudhës sa zgjati Lufta e Dytë Botërore. Shqiptarët edhe pse i kishin kushtet për ta bërë pastrimin etnik të trojeve të tija, ata një gjë të tillë nuk e bënë, edhe pse serbët dhe grekët ua morën më tepër se gjysmën e territoreve të tij etnike me anë të pastrimit etnik, që u bë me dhunë, terror dhe gjenocid shtetëror. Ka ardhur koha që shqiptarët t’i tregojnë Evropës dhe tërë botës, se ata janë popull shtetformues, se ata kishin krijuar ligje shumë të drejta edhe para tyre. Le t’u jepet Kanuni i Lek Dukagjinit si dhuratë, gjithë politikanëve dhe gazetarëve që e vizitojnë Kosovën dhe tokën shqiptare, për të kuptuar se ne kemi krijuar jo vetëm vlera kombëtare, por edhe vlera të çmueshme njerëzore (ndërkombëtare.) Le t’i bindim të huajt se të gjitha përçarjet që kanë lindur në mes shqiptarëve, janë fryt i punës së shërbimeve sekrete serbo-greko- ruse, që i krijuan agjenturat e tyre në të gjitha trojet tona. Le t’i bindim me fakte të huajt se çakajtë e Ballkanit i krijuan shtetet e tyre para nesh, jo se ishin popuj shtetformues, jo se treguan heroizëm dhe trimëri kundër okupatorëve të tyre, por se e kishin pas veti Rusinë dhe aleatët e saj, ndërsa ne edhe pse me luftë dhe sakrifica, treguam se e meritojmë lirinë dhe përkrahjen e Evropës, së paku aq sa ne i ndihmuam asaj, kur Perandoria Osmane ju kishte afruar Vjenës. Përkundrazi, me përkrahjen edhe të Evropës, kombi ynë u sakatua, duke ua falur ujqve të uritur të Ballkanit territore të pastra etnike të shqiptarëve. Duhet t’ua bëjmë me dije miqve të Serbisë dhe të Rusisë, se koha e kolonive ka marr fund. Prandaj, është jo e logjikshme, është e dëmshme për paqen në Ballkan dhe sigurinë e Evropës, që të përkrahet Serbia për të mbajtur nën sundimin e saj koloni, kur ajo nuk ka qen dhe as që është ndonjë faktor i rëndësishëm ballkanik e lere më evropian.

LDK-ja dhe forcat tjera demokratike të Kosovës, së bashku me forcat demokratike të Shqipërisë dhe të Viseve tjera shqiptare, duhet të punojnë me përkushtim dhe zgjuarsi, por jo siç punuan deri tash, që të fitojnë përkrahjen edhe të mëtutjeshme të SHBA-ve dhe të Evropës demokratike në procesin e rimëkëmbjes së faktorit shqiptar në Ballkan. Ato duhet t’i demaskojnë forcat e djallit, stalinistët e gjorë, neokomunistët, nanoistët dhe ,,pionierët e Enverit’’, që janë vënë në shërbim të interesave të çakajve të Ballkanit dhe aleatëve të tyre. Le t’i bindim me fakte të huajt se mbjellja e farës ruse në gjithë trojet tona nga popoviqët, mugoshët dhe axhamitë shqiptarë, krijuan rrethanat që ne për një gjysmë shekulli të përballemi me dy robëri, me atë serbo-jugosllave dhe bolsheviko-staliniste. Fatkeqësisht, këto forca të djallit, e qitën në ujë gjithë atë energji pozitive të popullit tonë, që u krijua me pajtimin e gjaqeve, dhe me krijimin e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kur përçanë dhe penguan bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Republikës së Kosovës, dhe në fund edhe i shkatërruan institucionet e krijuar shtetërore, që u krijuan me mund dhe sakrifica të mëdha.

Forcat e shëndosha kombëtare duhet ta kenë të qartë, se realizimi i synimeve tona kombëtare kërkon punë të madhe, me përkushtim, dije politike dhe aftësi diplomatike, bashkëpunim konstruktiv me faktorin ndërkombëtarë, në veçanti me atë amerikan dhe britanik, komunikim dhe besim reciprok me pakicat kombëtare, dhe bashkëpunim vëllazëror në mes subjekteve politike shqiptare. Për t’i arritur të gjitha këto, në rend të parë duhet zbuluar Qendrën e krimit në Kosovë dhe në Shqipëri, që vranë dhe po vrasin intelektualë dhe veprimtarë të dalluar të çështjes madhore kombëtare, dhe veprimtarë të LDK-së dhe të forcave demokratike në përgjithësi. Më në fund, duhet të kuptojmë se bashkëpunimi ynë me forcat policore të UNMIK-ut, me faktorin ndërkombëtar dhe me pakicat kombëtare, është një domosdoshmëri, po që se dëshirojmë ta mundim krimin e organizuar politik dhe ekonomik, po që se dëshirojmë që kriminelët ta marrin dënimin e merituar dhe drejtësia të fitojë mbi padrejtësinë, paqja të fitojë mbi dhunën, prosperiteti të fitojë mbi varfërinë. Ky bashkëpunim duhet të jetë i sinqertë dhe miqësor, po që se dëshirojmë që Kosova të fitojë pavarësinë, dhe shqiptarët t’i realizojnë synimet madhore që i kanë, jo brenda tri vjetësh, që disa kanë premtuar, por shkallë-shkallë, me zgjuarsi dhe me mjete demokratike, duke i treguar vlerat tona kombëtare, që nuk janë të pakta, por që me fajin tonë i ka mbuluar harresa dhe pluhuri komunist.

Shkruar, më 9 shkurt 2002- I pa botuar.

Loading