MARRËVESHJA E TIRANËS, E NËNTORIT TË VITIT 1998, NË MES SHTABIT TË HALIL BICES DHE SHTABIT TË XHAVIT HALITIT, KOMPLOT KUNDËR FARK-UT

Vrasja e Ahmet Krasniqit më 21 shtator të 1998 në Tiranë, shtyu hyrjen e brigadës së Sylejman Kollçakut dhe të brigadave tjera në Kosovë. Ndërsa me caktimin e Halil Bicajt, Ministër i Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe komandant i SHP të FARK-ut nga Bukoshi, ky institucion shtetëror kaloi në duart e Ibrahim Kelmendit dhe njerëzve të Qosjes siç ishin: Halil Bicaj, Xhafer Jashari, Fadil Demiri, Agim Haziri, e shumë të tjerë që ishin dërguar në SHP të FARK-ut me detyra speciale për të vëzhguar veprimtarinë e Ahmet Krasniqit dhe bashkëpunëtorëve të tij si dhe për të penguar SHP të FARK-ut.

Halil Bicaj me ,,reformat” që bëri në FARK e dëmtoi luftën çlirimtare të Kosovës, pasi jo vetëm se nuk i formoi brigadat të cilat i planifikonte Ahmet Krasniqi, por i dëmtoi rëndë edhe brigadat të cilat i kishte formuar ai gjatë muajit korrik të 1998. Ai e dëmtoi rëndë Brigadën 141, pasi që komandantin e saj Fuad Ramiçin e tërhoqi afër vetes si këshilltarë në Tiranë, ndërsa Brigada mbeti pa komandantin e saj. Të njejtin fat e pat më vonë edhe Brigada ,,Skënderbeu. Edhe pse Sylejman Kollçaku i kishte bërë përgaditjet e duhura për të hyrë në Zonën Operative të Pashtrikut gjatë muajit shtator, Halil Bicaj e pat shtyrë hyrjen e asaj brigade dhe brigadave tjera deri në fund të nëntorit të 1998. Vetëm në fund të nëntorit të 1998 ushtaraku madhor Sylejman Kollçaku urdhërohet të hyjë në Kosovë. Ai i bashkon ushtarët dhe ushtarakët e brigadave 141, 132 ,,Istogu” dhe të Brigadës ,,Skënderbeu” që mbetën pa komandantët e tyre me brigadën e tij që e mbante numrin 142, dhe më 27 nëntor në kushte shumë të vështira atmosferike, e kaloi kufirin shqiptaro-shqiptarë, dhe më 28 nëntor të 1998 mbërriti në komunën e Therandës, (Suharekës) në vendin e caktuar më parë në fshatrat Nishor, Kosterc dhe Breshanc. Fshatarët bënë ç’ishte e mundur që Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës të çlodheshin dhe të ndiheshin sa më mirë. Duhet cekur se Fevzi Bytyçi, Salih Bytyçi dhe Islam Bytyçi i bënë shtëpitë e tyre kazerma për ushtarët dhe oficerët tanë. Më 26 janar të 1999 i bashkohet Brigadës së Sylejman Kollçakut njësia ushtarake nën komandën e ushtarakut Avdullah Shashivarit dhe eprorëve Nehat Ibrahimi e Sami Elshani, e cila me luftë e theu kufirin dhe kreu detyrën që ia kishte caktuar komandanti i Brigadës 142 Sylejman Kollçaku, duke sjellë mjete të domosdoshme luftarake për njësitë operative të zonës ushtarake të Pashtrikut.

Komandant Sylejman Kollçaku luajti rol me rëndësi në riorganizimin e njësive të UÇK-së, që ishin formuar më parë dhe në formimin e njësive të reja operative të UÇK-së. Po ashtu në saje të komandant Kollçakut dhe oficerëve të tjerë të karrierës, bashkëpunimi në mes njësive ushtarake të kësaj zone dhe zonave tjera ushtarake ishte shumë i mirë. Kjo zonë ushtarake i shkoi në ndihmë dy herë zonës Ushtarake të Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa në Drenicë e pat dërguar ekspertin Kurtish Fondaj për trajnimin e ushtarëve për përdorimin e raketave kundërajrore. Në këtë zonë ushtarake qe formuar Spitali ushtarak në Pagarushë, ndërsa në fshatrat Kosterc dhe Nishor qe hapur Shkolla për Aftësimin e Kuadrit Ushtarak. Rol të rëndësishëm luajti edhe aktivisti i dalluar dhe luftëtari trim Ukë Bytyçi, i cili e pat formuar njësinë e parë çlirimtare në këto anë.

Zona Operative e Pashtrikut ishte njëra ndër zonat më të suksesshme në luftë me okupatorin, pasi që udhëheqjen dhe komandimin e njësive operative të UÇK-së e bënin oficerët e karrierës. Zona Operative e Pashtrikut është e vetmja zonë operative në gjithë Kosovën, që aksionet luftarake, betejat dhe veprimet ushtarake që kryheshin nga ushtari e deri te brigada, i bëri në bazë të vendimeve dhe urdhrave paraprake nga ushtarakët apo komandat dhe shënoheshin në librin e urdhëresave, siç i bëjnë ushtritë e rregullta të gjitha shteteve të botës.

Për Xhavit Halitin ndryshimi i ndodhur në kreun e SHP të FARK-ut në Tiranë pas pushkatimit të Ahmet Krasniqit kishte dy anë të medaljes: Ishte një fitore e rëndësishme e LPK-së dhe LBDK-së, por mund të kishte pasoja të rënda për klanin e tij po qe se ai vetë dhe klani i tij nuk ruheshin prej ndërskamsave dhe kurthave të Ibrahim Kelmendit, Bukoshit dhe Qosjes. Por Xhavit Haliti ishte një ujk i vjetër, ishte vet mjeshtër i ndërskamsave dhe i kurthave, prandaj çdo hap që merrte, çdo potez që luante, e studionte mirë e mirë. Tentimi i Ibrahim Kelmendit dhe i Bujar Bukoshit për ta eliminuar klanin e Xhavit Halitit me anën e një ,,marrëveshjeje” që duhej të lidhej në mes Shtabit të Halil Bices dhe Shtabit të Xhavit Halitit & Azem Sylës, gjoja për ,,bashkimin e subjekteve ushtarake”, kishte për qëllim të bënte grusht ushtarak në SHP të UÇK-së, për ta marrë udhëheqjen politike dhe ushtarake të UÇK-së. Kjo ishte një përpjekje jo serioze dhe qesharake e tyre, pasi që Xh. Haliti, me kohë ishte kujdesur që në Shtabin e tij dhe të A. Sylës të mos i fuste kush hundët përpos njerëzve të besueshëm të tyre.

Të shikojmë çka na thotë Xhavit Haliti për ç’montimin e kurrthes që iu përgatit nga Bujar Bukoshi, Halil Bicaj dhe Ibrahi Kelmendi. Ai në intervistën e tij të botuar në ,,Zëri” 5-16 shkurt të 2001shpjegon: ,,Bislimi ka qenë koleg me Halil Bicen, kanë zhvilluar bisedime dhe një ditë më kanë ftuar që edhe unë të shkoj në ato bisedime. U kam thënë: ,,Unë nuk marr pjesë në bisedime dhe nuk marr pjesë në asnjë marrëveshje, sepse dyshoj se do t’i keqpërdorni. Megjithatë, nëse arrini marrëveshje, ajo për mua do të jetë valide. Unë do ta kryej detyrën time’’. Bislim Zyrapi dhe Halil Bicaj pas shpalimit të kujtimeve të jetës ushtarake, dhe përpilimit të planeve dhe skenarëve për komplote, duke bërë ahengje nëpër hotelet dhe restoranet e Tiranës iu morën ,,myzhde” bashkëpunëtorëve të tyre se,,arritën marrëveshje xhentëlmenësh”, e cila nuk ishte asgjë tjetër vetëm një kopje e keqe e Marrëveshjes së Oslos, por tash me ,,ustallarë” tjerë, dhe me qëllime tjera.

Marrëveshja e Tiranës synonte dëmtimin e mëtejshëm të institucioneve të Kosovës

Me marrëveshjen e Tiranës, as njëra palë nuk kishte për qëllim bashkimin e faktorit ushtarak të Kosovës, por kishin për qëllim shkatërrimin e institucionit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe SHP të FARK-ut. Pra, në këtë çështje, në shkatërrimin e FARK-ut ishin të bashkuar të dy palët, që e nënshkruan marrëveshjen e Tiranës. Por ishte një çështje tjetër që i ndante ata. Deri sa Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Bislim Zyrapi etj, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Tiranës kishin për qëllim përvetësimin e Fondit të Qeverisë së Bukoshit, në anën tjetër, Halil Bicaj, Xhafer Jashari, Fadil Demiri, etj. që ishin argat të Ibrahim Kelmendi dhe të Bujar Bukoshit kishin për qëllim forcimin e pozitave në UÇK të Ibrahim Kelmendit dhe të Bujar Bukoshit. Ideatorët e Marrëveshjes së Tiranës, Bujar Bukoshi dhe Ibrahim Kelmendi planifikonin se do ta marrin SHP të UÇK-së po qe se nga Shtabi i Xhavit Halitit dhe nga Shtabi i Halil Bices, do të formonin një shtab të përbashkët, ku pastaj me vënien në veprim të mjeteve të marrjes së kalas nga brenda dhe përdorimit të parimit se ,,qëllimi i arsyeton mjetet’’ do ta merrnin SHP të UÇK-së. Nuk vonoi shumë dhe Xhavit Haliti e zbuloi planin dhe skenarin që kishte përgatitur Ibrahim Kelmendi dhe Bujar Bukoshi për t’ia marrë udhëheqjen e UÇK-së, prandaj e urdhëroi argatin e tij më të besueshëm Hashim Thaçin ta shpalli të pa vlefshme marrëveshjen e Tiranës. Ai publikisht e shpalli të pavlefshme atë marrëveshje në Zurih në prezencën e teklefecave të Bukoshit dhe në prezencën e rrogëtarëve të Xhavitit, duke thëne se ,,Marrëveshja është e pa vlefshme pasi që Halil Bicaj është njeri i besueshëm i Ibrahim Kelmendit”.

Megjithatë në bazë të Marrëveshjes së Tiranës, u vendos që në Zonën Operative të Pashtrikut të hynin brigadat e FARK-ut, që i pat formuar sa ishte gjallë Ahmet Krasniqi: Brigada 142, Brigada ,,Skënderbeu”, Brigada 141 dhe Brigada 132 ,,Istogu” nën komandën e ushtarakut madhor Sylejman Kollçakut, i cili do të ishte edhe Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut. Disa javë pasi që Sylejman Kollçaku hyri në Kosovë, u zyrtarizua ç’vlersimi i Marrëveshjes së Tiranës. Si rezultat e pëson Brigada 142, së cilës iu ndërrua emri, me arsyetimin se gjendej diku në Kosovë një brigadë me të njëjtin numër. Kuadri komandues dhe ushtarët e Brigadës ndahen nëpër brigada tjera. Ndërsa komandant ,,Drini” caktohet Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut në vend të Sylejman Kollçakut. Sylejman Kollçaku, edhe pse e kishte vendimin e firmosur nga përfaqësuesit e Shtabit të Xhavitit dhe përfaqësuesit e Shtabit të Halil Bicës, se caktohej Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, pranoi të ishte Zv.Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut me qëllimin e vetëm, që të kontribonte në bashkimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, të kontribonte në forcimin e ushtrisë së Kosovës, por ai nuk i dinte hilet dhe komplotet që luheshin në dëm të UÇK-së dhe në dëm të Kosovës. Ai me veprimin e një ushtaraku të mençur, të urtë dhe largpamës, lëshoi pe për të mos qenë shkaktar i ngatërresave në mes Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Kështu dha shembullin më të mirë se interesi kombëtar kurdoherë duhet të vihet mbi interesin personal, grupor dhe partiak.

Halil Bicaj duke qenë i bindur se komplotet e tij kundër FARK-ut, nuk do t’i arsyetonin ushtarakët e Brigadës 134, 131 dhe të batalionit Diversanto-Vëzhgues ,,Delta’’, u detyrua të mbajë të fshehur marrëveshjen e Tiranës prej tyre. Por ata edhe pse nuk ishin në dijeni të tradhtisë së tij, ishin të bindur se diçka nuk ishte në rregull me Halil Bicën, i cili e pat mbushur kabinetin e tij me ,,këshilltarë” të dërguar nga Ibrahim Kelmendi, Rexhep Qosja dhe Xhavit Haliti. Kuadri ushtarak i brigadave 134, 131 dhe Batalionit Diversanto-Vëzhgues, që nuk pranuan të bëheshin argatë të askujt, ishin kundër gjendjes së krijuar në Pjesën e SHP të FARK-ut, por nuk kishin mundësi të ndryshonin asgjë. E vetmja gjë që u mbeti ishte që t’i vazhdonin përgatitjet për beteja të reja me okupatorin serb. Pasi përkrahje të nevojshme nuk kishin nga Halil Bicaj dhe argatët e tij, vendosën t’i dërgonin në Zvicër dhe Gjermani Salih Çekun dhe Agim Ramadanin për të propoganduar domosdoshmërinë e kyçjes së burrave të fortë në UÇK. Ata kudo që shkuan, dhe në të gjitha tubimet e mërgimtarëve ku morën pjesë, kërkuan vullnetarë për t’i dalë zot atdheut, duke u zotuar se nuk do t’i fusin në luftë me serbin pa qenë të përgatitur fizikisht, psiqikisht dhe ushtarakisht, në nivelin më të lartë që është e mundur, dhe se nuk do t’u thuhej kurrë ,,përpara”, po qe se vetë nuk do të jenë në ballë të tyre. Ata, pra, nuk e përdornin parullën bajate të demagogëve se ,,duhet” bërë kështu e ashtu, por u thonin bashkëkombasëve: ,,Kush ka mundësi dhe kushte për t’i dalë zot Atdheut, ejani me ne”. Fatkeqësisht propoganda shumë e ulët e kreut të LPK-së dhe LBDK-së kundër institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, shpifjet që i bënin kundër personaliteteve të shquara kombëtare dhe veprimtarëve që nuk u bënë argatë dhe rrogëtarë të tyre, bëri që në shpirtin e shqiptarëve të mbillej paknaqësia, pesimizmi, dhe demoralizimi, bash në kohën kur duhej të ishim të bashkuar si një trup i vetëm, të gjithë shqiptarët, kudo që gjendeshin në botë. Me kthimin e Agim Ramadanit dhe Salih Çekut në Qendrën Stërvitore në Papaj afër Tropojes, kuadri komandues i brigadës 134, 131 dhe Batalionit Diversanto-Vëzhgues me në krye Agim Ramadanin, Salih Çekun, Anton Çunin, Rrustem Berishën, Hysen Berishën e të tjerë, filluan përgatitjet për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, pa dijen e Halil Bicës dhe pa dijen e këshilltarëve dhe argatëve të tij. Edhe Tahir Zemaj nuk ishte i pajtimit me veprimet e Halil Bicës dhe të Agim Mehmetit, pasi nuk e lejuan të shkonte në Papaj tek brigada e tij. Për ta asnjanësuar mllefin e kolonel Tahir Zemes, ata i japin për detyrë të formojë Brigadën ,,Mërgimi’’në Mamurras. Opinioni ynë ka mësuar nepërmjet intervistave dhe librit të Tahir Zemës për pengesat e papritura të kësaj brigade dhe tradhtinë që ia bëri Halil Bicaj kolonel Zemes duke e penguar të shkonte për Kosovë së bashku me brigadën e tij, duke e urdhëruar me dekret për një detyrë tjetër. Ishte fjala për një ,,takim” që do të bëhej në mes Shtabit të Halil Bicës dhe të një delegacioni të NATO-s, por më vonë u kuptua se ishte në pyetje mashtrimi dhe tradhtia që ia bënë kolonel Tahir Zemes, që t’ia pamundësojnë hyrjen e tij në Kosovë së bashku me Brigadën e tij ,,Mërgimi’’ e jo takimi me ushtarakë të NATO-s! Një ditë jo të largët do të zbulohen të gjitha komplotet e Halil Bicës, patronëve dhe argatëve të tij kundër FARK-ut, Ahmet Krasniqit, Ibrahim Rugovës, Agim Ramadanit, Salih Çekut, Anton Çunit, Rrustem Berishës, Tahir Zemës dhe brigadave 134, 131, 133, 141, 142, 132 ,,Istogu”, Brigadës ,,Skënderbeu”,,Mërgimi” dhe Batalionit Diverzanto-Vëzhgues ,,Delta’’. Drejtësia shqiptare një ditë do ta thotë fjalën e vetë në bazë të ligjit të Shtetit të Kosovës.

Botuar në ,,Bota sot’’ më 14-15 qershor 2001

Loading