LETËR E HAPUR

MINISTRISË SË ARSIMIT TË REPUPLIKËS SË KOSOVËS
KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, ZOTËRI BUJAR BUKOSHIT
KRYETARIT TË LASH-IT TË KOSOVËS, ZOTËRI REXHEP OSMANIT
KOORDINATORIT TË MINISTRISË SË ARSIMIT PËR DIASPORË, ZOTËRI MERIMAN BRAHËS
KRYETARES SË LASH-IT PËR ZVICËR, ZONJUSHËS SAIME ISUFI
LIDHJES SË PRINDËRVE SHQIPETARË TË ZVICRËS DHE KRYETARIT TË SAJ, ZOTËRI ALI KELMNDIT
KRYETARIT TE KËSHILLIT QENDROR PËR FINANCIMIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, ZOTËRI MEHMET HAJRIZIT

Ne, prindërit dhe mësuesit e nxënësve shqiptarë me mësim plotësues

të Kantonit të Neuchatelit, jemi thellësisht të brengosur për fatin e Atdheut tonë, për vështirësitë që po i përjeton kombi ynë, e ne veçanti për Kosovën dhe viset tjera shqiptare të okupuara.

Ka ardhur koha t’i shtrëngojmë radhët! O sot, o kurrë! Ta tregojmë mençurinë, durimin, solidaritetin, mjeshtërinë e organizimit, qëndresën, humanizmin dhe trimërinë. Ta tregojmë atdhedashurinë me punë e jo me fjalë.

Qëndresën që po e bëjnë tash e tri vjet kuadri arsimor, studentet dhe nxënësit e Kosovës, po e mahnitin botën.

Okupatori na i helmoi nxënësit, duke shpresuar se prindërit do t’i ndalin fëmijët e tyre nga shkolla, por populli që e di rëndësinë e shkollimit nuk e beri një gjë të tillë. Iu ndërprenë pagat mësimdhënësve, duke shpresuar okupatori se ata nuk do të punojnë pa pagesë. Ata e vazhduan punën me të njëjtin vrull. Pastaj okupatori i mbylli shkollat dhe fakultetet (Universitetin), filloi masakra mbi mësimdhënës, studentë e nxënës, duke shpresuar se arsimin tonë e dënoi me vdekje.

Po a e arriti atë vallë? Jo, kurrsesi. Populli ynë si gjithherë që ua hapi zemrën djemve të tij besnikë, edhe kësaj here i doli në ndihmë kuadrit arsimore dhe shkollës tonë. Me qindra e mijëra oda e shtëpia u bënë shkolla shqipe, kurse mësuesit që kishin nevojë për ndihmë u ndihmuan (me të holla). Nga rezistenca gjithë popullore lindi nevoja të formohet një qendër e organizimit të mësimit dhe të rezistencës dhe lindi LASH-i.

Si pasojë e rezistencës, një numër i madh i njerëzve, duke përfshirë edhe mësues, arsimtarë e profesorë u detyruan ta lëshojnë Kosovën për shkaqe ekonomike apo politike. Rritet edhe numri i fëmijëve në mërgim. Prandaj, me ndihmën e përgjegjësve (kompetenteve) të Kosovës, formohen në Zvicër LASH-i dhe LPSH-ja, që bënë punë të mirë në përfshirjen e nxënësve në procesin mësimor. Ne jemi të gëzuar për sukseset e arritura nga këto organe këtu në Zvicër në vitin e kaluar shkollor. Nuk do të ndalemi për t’i cekur sukseset, pasi që ato të gjithë i shohin dhe vetvetiu duken, por do të ndalemi më tepër për t’i cekur dobësitë dhe vështirësitë që e kanë kapluar arsimin tonë këtu në Zvicër, me qëllim që t’i largojmë ato sa më parë së bashku me kryesine e LASH-it dhe kryesine e LPSH-së edhe mësimdhënësve që janë të dhënë për përparimin e arsimit dhe shkollës shqipe.

Sipas mendimit tonë, lëshimi më i madh që është bërë nga kompetentët e arsimit shqiptar është se për vitin shkollor 1992/93, e as për këtë vit 1993/94, nuk është shpallur konkursi i rregullt për mësimdhënës të mësimit plotësues. Sipas mendimit tonë, me konkurs është dashur të kërkonin mësues:

l. Që kanë kualifikimin gjegjës për mësues apo arsimtar;

2. Ta kenë biografinë e pastër morale; kjo do të thotë të mos kenë qenë

Të njollosur si bashkëpunëtorë të UDB-së, dhe të mos kenë qenë sekretar

partie në shkolla, sepse, siç dihet shumica e ish-sekretarëve të LKJ-së, kane qenë

këmbë e kokë të lidhur me Komitete partie dhe me UDB-në. Ishin vegla

qorre të pushtuesit, dhe mu për atë kanë qenë gjithnjë aktivë në diferencimin dhe spiunimin e kolegëve të tyre;

3. Që honorari që rrjedh nga puna me nxënës t’ia falin shkollës shqipe të Kosovës.

Jemi të bindur se në bazë të këtij konkursi do të paraqiten një numër i madh i mësueseve dhe do të punonin me vullnet, duke ditur se edhe ata po bëjnë një punë të vlefshme shoqërore dhe në një mënyrë ndjenja e fajësisë që e kanë lëshuar Kosovën do të zbehet dhe do të ndjejnë një lehtësi shpirtërore, edhe pse ndoshta tërë ditën kanë kryer punë të rënda fizike. Të hollat e mbledhura nga Këshilli i Prindërve për çdo muaj, do të zbusin shumë mungesën e mjeteve materiale, nuk do të ndodhte qe mësuesit ta marrin pagën me vonesë prej tre muajsh, apo nuk do të mund të shkojnë në shkollë tek nxënësit e tyre se nuk kanë mundësi të paguajnë biletë për të udhëtuar. Vijimi i nxënësve do të jetë i plotë dhe pagesën prindërit nuk do të ngurronin ta bënin, pasi që do të jenë të kënaqur që edhe ata po bëjnë një punë të mirë, me financimin e shkollës shqipe të Kosovës. Edhe ca mësues që janë të mashtruar pas pasurimit me çdo kusht, ose do të punonin si shumica, ose nuk do të punonin fare, dhe kështu arsimi do të lirohet nga ata mësues që e kanë gabuar profesionin. E nuk do të ndodhte që nismën qe e morën nxënësit, prindërit dhe mësuesit e Kantonit të Nechatel-it, para një muaji, për t’u ndihmuar fëmijëve, nxënësve dhe mësueseve të Kosovës pa përkrahur jo vetëm në Zvicër, por në tërë diasporën, (sepse çdo aksion që ka sukses ne Zvicër, do të përcillej dhe në shtetet tjera ku gjenden shqiptarët). Nuk do të ndodhte që në mbledhjet e LASH-it më së tepërmi të diskutohet për honorarin e mësuesve, por do të diskutohej për arritjen e mësueseve ne procesin edukativo-arsimor, do të shkëmbehen tekstet, planet dhe përvoja mësimore.

Nuk do të ndodhte që në një regjion, një mësues të jepte mësim për çdo ditë, por do të punonin disa mësues vetëm të shtunave dhe të mërkurave pas dite, kur nxënësit tanë i kanë të lira, sepse mësimi plotësues në ditët kur zhvillohet mësimi i rregullte është ngarkesë për nxënës dhe paraqet lodhje dhe vështirësi dhe mund të ndodhë që mësimi ta arrije efektin e kundërt tek nxënësit. Nuk do të ndodhte që mësuesi t’u kërkojë të holla nxënësve të tij drejtpërdrejt, duke iu kërcënuar se do të ju largojë nga mësonjëtorja. Nuk do të na i edukonin fëmijët tanë mësuesit bashkëpunëtorë të UDB-së dhe sekretar partie te ish-Jugosllavisë të cilët kanë distancuar, spiunuar dhe përjashtuar nga shkolla mësues dhe nxënës.

Sikur të ishte bërë zgjedhja e mësimdhënësve në bazë të konkursit dhe kushteve të parashtruara, gjendja e arsimit kishte me qenë për lakmi. Pothuajse të gjithë nxënësit do të ishin ë përfshirë në mësim plotësues. Punën e edukatorit të brezit të ri do ta bënin ata mësues që e donë profesionin, që e kanë zgjedhur vet. E kryejnë punën me përkushtim, vullnet e dëshirë, sepse edhe interesi i tyre është të merren me profesionin e tyre, për të mos mbetur prapa nga ana profesionale. Kurse me plotësimin e pikës së tretë të konkursit, që honorari t’i dërgohet shkollës shqipe të Kosovës, ka rendësi të madhe, se do ta forconte solidaritetin mësues-mësues, por edhe do të mobilizonte të gjithë prindërit dhe shqiptarët këtu në Zvicër për ta ndihmuar shkollën tonë, e cila është në gjendje shumë të vështirë materiale.

Ju bëjmë me dije se në qoftë se edhe më tutje punohet në këtë formë, shkollës shqipe do t’i jepet një grusht vdekjeprurës, jo nga okupatori, por nga vet shqiptarët dhe ata qe vetën e quajnë të arsimuar dhe i thonë vetës se janë dikush. Dihet se shteti zviceran nuk lejon që askush të jetojë në varfëri. Ai i cili punon, i merr të ardhurat personale, me të cilat mund të jetojë mirë, kurse ata që kanë strehim politik apo ekonomik, marrin ndihma mujore, gjë që edhe ata arrijnë të jetojnë mirë. Athua, vallë, gjendet ndonjë mësues qe honorarin mujor apo vjetor e ka lajmëruar në organet Zvicerane? Atë ditë që të zbulohet se mësuesit shqiptarë punojnë në të zezë, e honorarin askund nuk e paraqesin, për mjetet e informimit Zviceran do te jetë një senzacion i vërtetë, ku njerëzit do të pyesin, a thua vallë çfarë populli qenka ky? Dihet se çdo popull në radhët e tij ka vjedhës dhe rrenacakë, por të dalin mësuesit vjedhës dhe rrenacakë, ata qe e edukojnë dhe e arsimojnë brezin e ri, do të jetë e pakuptueshme, e pakapshme nga logjika e shëndoshë e njeriut zviceran, e kështu edhe ata pak zviceranë që na e qajnë hallin do të binden se ky popull me të vërtetë po e meritoka robërinë.

Populli shqiptar i Kosovës me zgjedhjet e lira që i bëri pa kontrollin e Beogradit, e zgjodhi Kryetarin e Republikës, deputetët e Kuvendit, kurse Këshilli gjithëpartiak e formoi Qeverinë e përkohshme, kurse ajo i formoi ministritë. Dihet se kur një popull (shtet) është në gjendje të luftës, Qeveria vendos për çdo gjë; vendos për pasurinë e tundshme e të patundshme të saj, deri tek të hollat e xhepit, por edhe për jetën e njerëzve. Urdhrat e saj dhe organeve të saj, duhet të kryhen patjetër. Me sa dimë, Kosova është në gjendje lufte që nga viti l989. Ministria e Arsimit, siç po urdhëron në Kosovë dhe urdhrat e saj kryhen, ashtu duhet të veprojë edhe ne diasporë. Është mundësia të shpallet konkursi në Kosovë, e nuk mundet të shpallet në Zvicër, ku edhe del gazeta jonë e mirënjohur ,,Rilindja”. Këtu diçka nuk është në rregull. Pra, sikurse që në Kosovë dërgohen urdhrat e Qeverisë dhe organeve të saj, ashtu duhet që në diasporë të shihen dhe të dërgohen nga çdo shqiptar dhe të detyrohen t’i kryejnë detyrimet.

Dhe, se fundi, po ju njoftojmë se prindërit, mësuesit dhe bashkatdhetarët tanë të Kantonit të Neuchatelit, e kanë pranuar me kënaqësi aksionin humanitar të nxënësve dhe të fëmijëve tanë që na u drejtuan me një letër, më 5 shtator të këtij viti, dhe për çdo muaj do t’ia dërgojmë Këshillit Qendror për Financim të shkollës shqipe në Kosovë. Të hollat e honorarit të mësueseve, të hollat e nxënësve që i ndajnë nga të hollat e xhepit dhe ato që i japin bashkatdhetarët tanë. Presim që me ndihmën e juaj, ky aksion të jetësohet në të gjitha kantonet e Zvicrës dhe ne përgjithësi në diasporë. Shpresojmë se letra do të shqyrtohet dhe do të has në mirëkuptim.

Përshëndetje të përzemërta dhe vëllazërore!

Zvicër, La Chaux-de-Fonds, 09. 11. 1993

Loading