MBETËM PA IDEOLOGUN E NACIONALIZMIT SHQIPTAR DHE MËSUESIN E ATDHEDASHURISË

Më 15 tetor bëhen plot dhjet vite që njëri ndër udhëheqësit më të dalluar të Lëvizjes sonë kombëtare për lirim dhe bashkim kombëtar, Bacë Metush Krasniqi, vdiq i shtrirë në spitalin e Prishtinës nga pasojat e torturave më barbare që iu bënë në burgun famëkeq të Prishtinës.

Me vdekjen e tij të parakohshme, Lëvizja jonë kombëtare mbeti pa veteranin e arsimit shqip, mësuesin e atdhedashurisë, ideologun e nacionalizmit shqiptar, demokratin e vërtetë dhe njërin ndër udhëheqësit më të dalluar të rezistencës sonë kombëtare kundër robërisë serbo-sllave. Ai kishte një përvojë të gjatë jetësore revolucionare, dijeni të përgjithshme dhe trimëri të pashoqe, një autoritet dhe besim të madh në të gjitha shtresat e popullsisë dhe në të gjitha viset shqiptare që ende gjenden nën kthetrat sllave. Ishte një demokrat i vërtetë, i cili kurrë s`ka qenë i mashtruar nga dogmat bolsheviko-komuniste. Pra, kishte të gjitha cilësitë dhe virtytet e një prijësi popullor për t’i prirë popullit në rrugën e lirisë.

Ai ishte dhe do të mbetet shembull për të gjithë ata bij e bija të popullit tonë, që duan ta vazhdojnë luftën për të përmbushur ëndrrën shekullore të shumë gjeneratave që vdiqën me sy qelë, për ta parë Shqipërinë etnike, me të gjitha viset e saj më të bukura dhe më të pasurat, që ende rënkojnë nën thundrën e hekurt të robërisë.

Populli ynë kurrë nuk u pajtua me robërinë. Për ta fituar lirinë, kurë s`ka kursyer as mundin, as pasurinë dhe as jetën. Sipas kushteve dhe rrethanave të krijuara brenda dhe jashtë vendit të tij, ai i ka përdorur format më të përshtatshme për ta dëmtuar sa më tepër armikun.

Me okupimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare përsëri nga Jugosllavia më 1945, atdhetarët kishin një detyrë tejet të rëndësishme, por tepër të vështirë. Duhej luftuar propaganda serbe, sipas së cilës vendi i rahatisë dhe i lumturisë për shqiptarët është Turqia. I riu me plot energji, Metush Krasniqi, i cili e kryente detyrën e mësuesit në vendlindjen e tij, i kryente dy detyra të rëndësishme. E luftonte atë propagandë serbe, tejet të rrezikshme, duke u shpjeguar fshatarëve se qëllimi i okupatorit është që ne t`i braktisim trojet tona, dhe ai t`i përvetësojë ato përgjithmonë. Detyra tjetër që ai e kreu me sukses, ishte edukimi i brezit të ri në frymë kombëtare, sepse popullit i duhen djemtë dhe vashat e dijshme, të zotë dhe trima për t`i dalë zot popullit dhe tokës nënë çdoherë kurë lypet nevoja.

Ishte i dashur dhe i respektuar prej nxënësve të tij, bashkëfshatarëve dhe të gjithë atyre që kishin pasur rastin të rrinin apo kishin dëgjuar për të. I afronte, i këshillonte dhe u ndihmonte shumë njerëzve. Ishte i afërt me ta. Nuk e nënçmonte askënd. Për të nuk kishte shqiptarë të lig, përpos këlyshëve të UDB-së, të cilët i urrente me gjithë shpirt. Ua thoshte haptas atë që duhej thënë në sy. Ideologjia e tij ishte shqiptaria. Ishte me botëkuptime demokratike dhe ishte për sistem shumëpartiak, si forma më e mirë për udhëheqjen e shtetit. Nuk bënte luftë ideologjike me atdhetarët komunistë shqiptarë, që në atë kohë ishin shumica dërmuese me atë ideologji, jo se ishin të edukuar nëpër shkolla në atë frymë, por vetëm se shteti amë e kishte atë ideologji. Ai bashkëpunonte me ta dhe i respektonte shumë.

Për punën e tij patriotike, pushteti kukull i Kosovës e largoi nga arsimi më 1951. Po në atë vit, me veprimtarë që kishin vepruar e që ishin të gatshëm të bëjnë rezistencë, e formuan ’’Organizatën Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë ’’.

Duke kuptuar rëndësinë e mësuesit për edukimin e brezit të ri, ai nuk mund të pajtohej me largimin e tij nga procesi mësimor. Shiti shtëpinë dhe një pjesë të pasurisë së tij dhe shkoi për të jetuar në Shkup, më 1956. Gjeti punë në rrethin e Shkupit, por këlyshët e UDB-së edhe këtu e zbuluan se përpos punës legale, që i edukonte nxënësit e tij që të bëhen luftëtarë të mirë të çështjes sonë kombëtare, ai edhe punonte me veprimtarë edhe punë të tjera ilegale, për t’ua forcuar shpresën për fitore një pjese të popullsisë, e cila ishte e demoralizuar që tokat tona mbetën nënë robëri, edhe pse gjatë Luftës së Dytë Botërore, aradhet shqiptare i kishin çliruar vetë pa ndihmën e askujt. Më 1958, ai burgoset në Shkup dhe dënohet me 18 vjet burg të rëndë. Para gjyqit ai e demaskoi politikën jugosllave për shkombëtarizimin e shqiptarëve, duke shprehur bindjen e tij të thellë se shqiptarët një ditë do ta fitojnë lirinë. U habitën të gjithë ata që e përcillnin procesin gjyqësor me trimërinë dhe besimin e tij për fitore.

Pasi fitoi klani i Titos mbi atë të Rankoviqit, më 1966, ai u lirua nga burgu i Nishit, si shumë veprimtarë të tjerë që ishin në burgjet jugosllave.

Ai para organeve hetuese të policisë ishte i pathyeshëm, kurrë nuk ka pranuar asgjë për punën e shokëve dhe të tijën. Ai ishte ,,memec” para policisë në vitin 1951, kur ra për herë të parë në burg dhe më 1958, kur edhe u dënua. As më 1968, pas demonstratave të para të organizuara nga studentët e SHLP-së dhe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, as pas demonstratave të mëdha të vitit 1981, kur u mbajt 8 muaj i mbyllur dhe për mungesë faktesh lëshohet nga burgu.

Pas daljes nga burgu, Metush Krasniqi një kohë punon në Shkollën e Mesme Teknike në Prishtinë, por edhe këtu nuk e lënë të qetë. E akuzojnë për nacionalizëm shqiptaromadh dhe e largojnë nga puna, sepse i frikoheshin këtij pedagogu dhe atdhetari, duke vlerësuar se kontakti i tij i përditshëm me brezin e ri, do të përgatisë luftëtarë të denjë të çështjes sonë kombëtare. Pasi që nuk e lejuan të punonte në profesionin e tij askund, ai regjistrohet në Fakultetin e Drejtësisë dhe e kryen me kohë, duke i lënë të habitur shumë studentë dhe profesorë të Universitetit për aftësitë e tij në studime, edhe pse i shtyrë në moshë.

Duke qenë i bindur se me vdekjen e Titos Jugosllavia do të shkatërrohet, vendos të konsultohet me veprimtarë, dhe në fillim të vitit 1977 formojnë «Lëvizjen Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi» (LNÇKVSHJ)që në momentin e duhur populli ynë të jetë i gatshëm për ta fituar lirinë.

Duke parë rrezikun nga ky atdhetar i vendosur, i cili do të shkojë deri në fund për realizimin e aspiratave të popullit të tij, dhe duke parë se ky ka një autoritet të jashtëzakonshëm në të gjitha trojet shqiptare, UDB-ja e burgos me 1986, me një grup njerëzish, shumicën e të cilëve as që i ka njohur. E torturuan tetë muaj rresht, duke pritur se mos po zbulon diçka, por ai si më parë qëndroi ,,memec” para tyre. Këtë radhë nuk e maltretuan si më parë çetnikët e Beogradit, por veglat serbe shqipfolëse, në krye me xhelatin Selim Brosha dhe Zymber Zymberi.

Gjyqi i pushtuesve serbë në Prishtinë e liron si të pafajshëm për «mungesë faktesh», por më tepër për arsye se mjekët tashmë e dinin se jeta e tij i kishte ditët e numëruara. Posa doli nga burgu, u shtrua në spitalin e Prishtinës, në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe mjekët nuk ia shpëtuan dot jetën veteranit të arsimit shqip, mësuesit të atdhedashurisë, këtij atdhetari të dalluar të historisë tonë më të re. Më 15 tetor 1986, pushon së rrahuri zemra e Metush Krasniqit, i cili tërë jetën e ia kushtoi çështjes sonë kombëtare, çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare me Nënën Shqipëri.

Le ta ruajmë kujtimin e freskët për Metushin, Fazliun, Jusufin, Bardhin, Kadriun, Rexhepin, Nuhiun, Hadrin, Ylfeten e shumë të tjerë, dhe vepra e tyre e madhe të na shërbejë që edhe ne të bëjmë atë që dimë dhe mundemi, pa u kursyer fare, për ta vazhduar dhe kryer punën e tyre të shenjtë.

Zoti na ndihmoftë, që sa më parë të zgjohemi nga kjo kllapi e keqe që na ka kapluar! Dalshim sa më parë nga kjo mjegull idesh dhe veprimesh! Zoti na i kthjelloftë mendjet dhe na i pastroftë zemrat, për ta vazhduar punën e tyre me mençuri dhe organizim të mirëfilltë, duke i bashkuar të gjitha forcat tona intelektuale, njerëzore dhe materiale, për ta kthyer nderin dhe krenarinë shqiptare, për t’i dalë zot asaj toke të shkrumbuar e të poshtëruar nga hordhitë e egra sllave.

Të gjithë do të jemi në këmbë për çlirimin e trojeve tona të robëruara nga sllavët dhe bashkimin e tyre me Nënën Shqipëri.

Dalshim faqebardhë para popullit dhe para historisë!

Botuar në ’’Zëri i Kosovës” nr. 35, më 17 tetor 1996

Loading