POPULLI YNË GJITHNJË KA ËNDËRRUAR TA KETË USHTRINË E VET

ROLI I UÇK-SË NË PËRSHPEJTIMIN E INTERVENIMIT TË NATO-SË NË KOSOVË

Para se të flitet për rolin e UÇK-së në përshpejtimin e intervenimit të NATO-së në Kosovë, duhet folur për rrethanat dhe faktorët që ndikuan në krijimin e saj, pa i lënë anash edhe faktorët që e penguan atë, për t’u bërë një forcë e fuqishme ushtarake, që do të kishte dije aftësi dhe forcë për ta çliruar vet Kosovën pa intervenimin e drejtpërdrejtë të NATO-së.
Të shkruhet historiku i plotë i UÇK-së në këto rrethana që jemi, ku dokumentacioni i veprimtarisë së saj ende gjendet nëpër shtëpi, në vend se të ishte në arkivi, nuk është punë e lehtë. Unë do të jap një vështrim të shkurtër të historikut të saj, në bazë të dokumentacionit që më ka rënë në dorë dhe dëshmive të veprimtarëve që ishin pjesëmarrës në shumë ngjarje që kishin të bënin me veprimtarinë e saj.
Krijimi i UÇK-së është bërë domosdoshmëri menjëherë pas krijimit të subjekteve politike dhe shtetërore të Kosovës. Ajo lindi në bazë të punës vetëmohuese të veprimtarëve të dalluar, që ishin të bindur se Kosovës i duhej një subjekt ushtarak, i cili do të vepronte varësisht prej kushteve dhe rrethanave që do të zhvilloheshin në vend dhe jashtë tij. Por, në momentin e duhur, kur më nuk do të ecën politika, atëherë ajo do ta ketë fjalën përfundimtare në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Historianët, analistët dhe studiuesit e lëmenjve të ndryshëm për të dhënë vlerësim të drejtë dhe objektiv për UÇK-në, duhet të përgjigjen në këto pyetje:
1. Cilët faktorë dhe rrethana ndihmuan themelimin e UÇK-së?
2. Kur u themelua dhe kush ndihmoi në themelimin e UÇK-së?
3. Kush e ndihmoi dhe kush e pengoi zhvillimin dhe forcimin normal të

UÇK-së, për t’u bërë një ushtri e institucionalizuar e Republikës së Kosovës?
4. Cili ishte roli i UÇK-së në përshpejtimin e intervenimit të NATO-së në Kosovë?

Sa i përket pyetjes së parë, përgjigjja është e ditur dhe e qartë. Rrethanat ndërkombëtare ndryshuan shumë në të mirën tonë, me rrëzimin e Murit të Berlinit dhe dështimin e socializmit si sistem. Po ashtu, edhe rrethanat e vendit ishin të favorshme kur u bë e qartë se zhbërja e Jugosllavisë nuk ka kthim mbrapa.

Në këto rrethana, Kosova dhe qytetarët e saj arritën suksese të rëndësishme, siç ishin: pajtimi i gjaqeve dhe krijimi i subjekteve politike dhe shtetërore të Republikës së Kosovës, ndërsa Shqipëria e rrëzoi diktaturën sllavo-komuniste. Pra, në këto rrethana veprimtarë dhe aktivistë të dalluar i bënë përgatitjet paraprake për krijimin e subjektit ushtarak të Republikës së Kosovës.
Me kërkesën e udhëheqjes së Republikës së Kosovës, organet shtetërore të Shqipërisë lejuan territorin e saj të shfrytëzohet për përgatitjen e një numri të caktuar të burrave të Kosovës, për të marrë mësime teorike dhe praktike nga arti ushtarak.

Gjatë muajit tetor dhe nëntor të vitit 1991, u dërguan në Shqipëri dy grupe me nga 52 të rinj, ku në mesin e tyre ishin Zahir Pajaziti e Salih Çeku (në grupin e parë) dhe Adem Jashari në grupin e dytë. Duhet theksuar se pas përfundimit me sukses të stërvitjeve ushtarake, Salih Çekut iu lejua të formonte Njësinë ushtarake prej 35 komandosëve, që do t’i fusin në Kosovë 72 kallashnikovë me municion të domosdoshëm për nevoja të njësive guerile që do të formoheshin në Kosovë. Pra, data e formimit të UÇK-së duhet të konsiderohet dita e formimit të kësaj njësie ushtarake, që ishte njësia e parë ushtarake e Republikës së Kosovës. Me armatimin që e dërgoi ajo njësi ushtarake në Dukagjin, u formuan shumë njësi guerile në Kosovë, prandaj roli i saj në krijimin e bërthamave të para të UÇK-së ka qenë shumë i madh.
Sa i përket përgjigjes në pyetjen e tretë, mund të thuhet se populli ynë gjithnjë ka ëndërruar ta ketë ushtrinë e tij, mu për atë e ndihmoi UÇK-në me të gjitha mjetet që i kishte. Por, siç dihet, kundër Kosovës dhe kombit tonë u përgatitën skenarë dhe kurthe nga fqinjët tanë grabitqarë, që edhe këtë radhë të dështojmë në realizimin e synimeve tona kombëtare.
Ishte Marrëveshja e Cyrihut, që u lidh në mes PSSH-së dhe LPK-së, në mars të vitit 1993, ajo që ua përgatiti terrenin grekëve dhe serbëve për realizimin e skenarëve antishqiptarë. Dihet se në bazë të asaj marrëveshjeje u kall Shqipëria më 1997, për ta rikthyer pushtetin stalinistët e Shqipërisë. Në bazë të asaj marrëveshjeje, Hydajet Hyseni, Rexhep Qosja dhe Adem Demaçi tentuan shkatërrimin e LDK-së dhe bënë përçarje të thella ndërshqiptare. Në bazë të asaj marrëveshjeje, u shkel Marrëveshja e Oslos, që parashihte bashkimin e subjekteve ushtarake në një subjekt të vetëm, në Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK). Në bazë të asaj marrëveshjeje, stalinistët e Shqipërisë dhe enveristët e Kosovës nuk i njohën institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Në bazë të asaj marrëveshjeje edhe Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj, Bujar Bukoshi, kaluan në anën e komplotistëve. Në bazë të asaj marrëveshjeje u përvetësuan njësitë guerile të Republikës së Kosovës nga LPK-ja me mjetet e marrjes së kalasë nga brenda. Në bazë të asaj marrëveshjeje u pengua UÇK-ja për t’u bërë një ushtri e vërtetë, e institucionalizuar, e fortë dhe e aftë për ta çliruar vet Kosovën dhe viset tjera shqiptare.

Pra, ja shkaku pse UÇK-ja në vend se ta kryejë detyrën e shenjtë, për të cilën ka qenë e krijuar, çlirimin dhe bashkimin kombëtar, u bë faktor i rëndësishëm i Serbisë për masakrimin e popullsisë së paarmatosur, me pretekst se po e luftojnë UÇK-në. Duhet theksuar se skenarët serbo – grekë për ta defaktorizuar Shqipërinë dhe për ta bërë tokë serbe Kosovën, i kryen, me vetëdije dhe pa vetëdije, stalinistët e Shqipërisë dhe enveristët e Kosovës.

Siç dihet, pas revolucionit të llumproletarëve shqiptarë më 1997, Shqipëria u bë shumë shpejt koloni greke, dhe qendër e krimit të organizuar për gjithë hapësirën tonë kombëtare. Kosova u pastrua etnikisht, por ishte një forcë mbi të gjitha forcat e globit tokësor, që armiqtë e kombit tonë nuk e kanë llogaritur. Ishte pra fuqia e të Madhit Zot, ajo që i urdhëroi shtetet e mëdha të botës, në krye me SHBA-të, që këta djaj të përkëdhelur të Evropës, t’i rrëzojë për tokë. NATO-ja u bë çlirimtare e Kosovës, në vend se të jemi ne vetë çlirimtarët e saj, kur rrethanat ndërkombëtare ishin shumë të favorshme për ne, ndërsa populli ynë ishte në gjendje të bënte çudira, po të mos e përçanin atë argatët dhe rrogëtarët e Nanosit.
Duhet theksuar se UÇK-ja luajti rol me rëndësi në përshpejtimin e intervenimit të NATO-së në Kosovë, pasi që Serbia, duke e masakruar popullsinë e pambrojtur, me pretekst se po e lufton UÇK-në, e ktheu kundër vetvetes opinionin ndërkombëtarë, dhe kështu ua lehtësoi qeverive të Grupit të Kontaktit dhe qeverive të Bashkësisë Evropiane, t’i japin dritën e gjelbër NATO-s për intervenimin e saj në Jugosllavi dhe në Kosovë, për shpëtimin e popullsisë së pambrojtur nga ushtria dhe policia serbe.

Pra, UÇK-ja aq sa ishte faktor i rëndësishëm për Serbinë për ta arsyetuar intervenimin e saj në Kosovë, po aq u bë e rëndësishme edhe për intervenimin e NATO-s në Jugosllavi dhe Kosovë.
Të jemi të qartë, duhet të bëhet dallimi në mes luftëtarëve të UÇK-së, që luftuan në emër të Zotit për çlirimin e Kosovës, dhe të atyre që luftuan në emër të partisë dhe të rrogëtarëve të Nanosit për interesat e tyre personale, grupore dhe partiake.

Duhet theksuar se forcat e shëndosha kombëtare, të rreshtuara në njësitë operative të UÇK-së, që përbënin FARK-un, luajtën rol të rëndësishëm në shumë beteja që u zhvilluan me ushtrinë e Serbisë, duke treguar epërsi dhe zotësi ndaj ushtrisë serbe në përdorimin e taktikës dhe strategjisë ushtarake. Beteja e Loxhës dhe ajo e Koshares, treguan se UÇK-ja do të bëhej ushtria më e fuqishme e Gadishullit Ilirik, po të mos ishte shkelur Marrëveshja e Oslos. Dhe, me siguri, po të kishte qenë i bashkuar faktori politik dhe ushtarak i Kosovës, dhe po të mos ishte bërë defaktorizimi i Shqipërisë, aspiratat shekullore të popullit tonë do të realizoheshin. Sot kombi ynë nuk do të ishte në këtë gjendje të mjerë, por do të ishte faktori më i rëndësishëm në Gadishullin Ilirik.

Duke e përfunduar këtë shkrim, dua të theksoj se opinionit tonë duhet t’ia bëjmë të qartë shkaqet e përçarjes së faktorit politik dhe ushtarak të Republikës së Kosovës. Opinioni ynë duhet ta ketë të qartë pse u pengua dhe kush e pengoi UÇK-në, që të mos bëhet ushtri e institucionalizuar e Republikës së Kosovës. Opinioni ynë duhet ta ketë të qartë se kush janë ata që e keqpërdorën dhe po e keqpërdorin gjakun e derdhur të luftëtarëve trima të UÇK-së. Opinioni ynë duhet të njihet me të vërtetat e hidhura të degjenerimit të UÇK-së, që nga ajo ditë kur e përvetësuan argatët e Nanosit, me mjetet e marrjes së kalasë nga brenda. Opinioni ynë duhet ta ketë të qartë se Drejtoria Politike dhe SHP i UÇK-së, ishin instrumente dhe vegla të argatëve të Fatos Nanosit, Xhavit Halitit dhe Hashim Thaçit. Vrasjet politike që u bënë gjatë kohës së luftës dhe pas luftës, nuk duhet shikuar si keqpërdorim i pushtetit të individëve, që kishin rol komandues në strukturat udhëheqëse të UÇK-së, por duhet kuptuar drejt dhe realisht, se të gjitha vrasjet e veprimtarëve të shquar dhe aktivistëve të dalluar të Kosovës, u bënë me urdhrin e një qendre komanduese, që është krijuar në bazë të vendimeve të Drejtorisë Politike dhe SHP të UÇK-së, që drejtohej nga Xhavit Haliti dhe Hashim Thaçi.

Opinioni ynë duhet ta ketë të qartë se TMK-ja, me këtë udhëheqje që e ka, nuk është ushtri dhe as që mund të bëhet ushtri e shtetit të Kosovës. Opinioni ynë duhet ta ketë të qartë, se përkrahja e të ashtuquajturave parti të dala nga lufta, çon ujë në mulli të shkaut. Qytetarët e Kosovës duhet të binden se vota e tij e lirë është faktori më i rëndësishëm për realizimin e synimeve tona kombëtare. Po ashtu, duhet t’ua bëjmë me dije sorosëve dhe kuqaloshëve shqiptarë, se puna e tyre prej skllavit në dobi të armiqve tanë, që po ua ,,begaton’’ sofrën me ca eshtra, apo ua siguron ndonjë kolltuk, do t’u hakmerret një ditë, mos atyre, atëherë me siguri pasardhësve të tyre, që do të turpërohen se janë fëmijët e atyre që punuan për të huajt.
Dhe, në fund, duke i marrë për bazë të gjithë këto fakte që u përmendën në këtë shkrim, duhet vlerësuar edhe aktivitetin ushtarak të UÇK-së. Ajo kur u krijua nga Salih Çeku, Adem e Hamzë Jashari dhe Zahir Pajaziti, kishte synim çlirimin dhe bashkimin kombëtar, por me ndërrimin e rrethanave, kur ata u tradhtuan nga Bujar Bukoshi, LPK-ja dhe LBDK-ja, dhe u qitën në pritat e armikut, apo ua përgatitën terrenin të vriten nga policia dhe ushtria e shkaut, njësitë e tyre i përvetësuan argatët e Nanosit, që e quanin veten anëtarë të Drejtorisë Politike dhe anëtarë të SHP të UÇK-së. Kjo Drejtori dhe ky Shtab, tani kishin tjera halle dhe tjera synime. Synohej karrigia, pushteti, lavdia.

Armiku i tyre më nuk ishte Serbia po LDK-ja!

Botuar në ’’Bota sot’’, më 14 qershor 2004.

Loading