LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË, DR. SALI BERISHA

I nderuari Kryeministër i Shqipërisë,

Shumë i respektuari dr. Sali Berisha,

Ardhja në pushtet e forcave demokratike të Shqipërisë, në krye me Ju, popullit të Shqipërisë i hapi rrugët e zhvillimit dhe përparimit, Shqipërisë integrimin në strukturat euroatlantike, ndërsa kombi shqiptar, me ndihmën e Zotit Fuqiplotë, do të bëhet faktor i rëndësishëm i sigurisë, stabilitetit, përparimit dhe paqes në Gadishullin Ilirik.

Siç dihet, populli shqiptar i Kosovës që kur e përlau robëria serbo-jugosllave, është mbështetur dhe ka kërkuar ndihmën e Shqipërisë për realizimin e synimeve të tij madhore. Kosova edhe pse pati peripeci të shumta dhe rreziqe të mëdha, arriti të hyjë në fazën e proceseve që do të sjellin njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj, kuptohet me përkrahjen dhe ndihmën tuaj të fuqishme dhe të diplomacisë së shtetit shqiptar. Por, Kosova ka edhe shumë kërkesa dhe nevoja të tjera për t’u ndihmuar nga ana e shtetit shqiptar. Njëra nga më kryesoret sigurisht se është që të ndihmohet për ta luftuar krimin e organizuar, e keqe kjo që Kosovën e ka bërë pikë të zezë në globin e rruzullit tokësor.

Është e ditur se Kosovës iu vranë veprimtarë të dalluar dhe burra të fortë të shqiptarisë (gjatë luftës dhe pas luftës), ndërsa kriminelët e të gjitha niveleve (urdhërues dhe ekzekutues), nuk u ndëshkuan nga drejtësia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare. Përkundrazi, ata po forcohen, duke u bërë pasanikë dhe duke zënë pozita udhëheqëse në subjektet e ndryshme të Kosovës.

Fatmirësisht, shumë kriminelë që bën krime të llojllojshme në Shqipëri, me luftën tuaj të pa kompromis, janë burgosur. Shumë të tjerë po e presin radhën të burgosen dhe, me siguri do ta fitoni këtë betejë sa të vështirë, aq edhe të rrezikshme, kundër krimit të organizuar, me një kusht, që ajo betejë të zgjerohet në gjithë hapësirën tonë kombëtare, kur dihet se ajo e ka një qendër të përbashkët dhe disa nënqendra që e ndihmojnë në krime njëra-tjetrën.

Fatkeqësisht, Policia e Kosovës ende nuk është e përgatitur profesionalisht dhe nuk ka përkrahje të mjaftueshme politike dhe materiale për ta filluar dhe për ta fituar luftën kundër krimit të organizuar.

Ndihma e Juaj dhe ndihma e organeve kompetente të Shqipërisë, me siguri se do t’i ndihmonte organet kompetente të Kosovës për t’i zbuluar bartësit e krimit të organizuar, po që se organet kompetente të Shqipërisë do të merren seriozisht me dy raste të vrasjeve politike që u bënë në Tiranë. Rishqyrtimi i dokumentacionit hetimor dhe gjyqësor me rastin e vrasjes së Ali Ukajt, zëdhënësit të parë të UÇK-së, dhe fillimi i hetimeve të plota për vrasjen e Ahmet Krasniqit, ish -ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, do të jetë një ndihmë shumë e madhe për zbulimin e bartësve të krimit të organizuar në Kosovë.

Opinioni ynë është i njoftuar me deklaratat tuaja se do të bëni ” atë që është e mundur ”, që kriminelët që e vranë Ahmet Krasniqin të ”përballen me drejtësinë” . Kosova pret me padurim të realizohen zotimet e Juaja zotëri Kryeministër!

Opinioni ynë është i njoftuar edhe me deklaratën e magjistër Jonuz Tërstenës, ish- ministrit të Brendshëm të Republikës së Kosovës, i cili në qershorin e vitit 1999 pati deklaruar, në një tubim me bashkatdhetarë të qytetit të Vjenës: ”Ne e dimë saktësisht se kush e ka vrarë kolonel Ahmet Krasniqin. Ne i kemi ofruar Prokurorisë së Tiranës të gjitha të dhënat e sakta për personat që kanë gisht në këtë vrasje, por kjo Prokurori i ka pezulluar hetimet rreth kësaj vrasje. Dhe ne e dimë pse janë pezulluar hetimet, sepse prapa këtij akti terrorist fshihet një klan i madh politik shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë”.

Kjo dëshmi e zotëri Tërstenës tregon se sa i rëndësishëm është fillimi i hetimeve, zbulimi dhe dënimi i atij klani të madh politik shqiptar, që përbën qendrën e krimit të organizuar të gjithë hapësirës tonë kombëtare.

Kjo dëshmi e njeriut kompetent të ish – Qeverisë së Republikës së Kosovës, është një argument i fortë se dosja për zbulimin e qendrës së krimit të organizuar është e kompletuar dhe gjendet e mbyllur (po që se nukështë zhdukur) në sirtarët eProkurorisë së Tiranës. Ky fakt dëshmon se krimi i organizuar shqiptar mund të zhduket shumë lehtë, nëse Ju dhe faktori ndërkombëtar në Kosovë tregoni vullnet dhe gatishmëri për ta luftuar pa hile krimin e organizuar në gjithë hapësirën tonë kombëtare.

Po që se drejtësia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare i amnistojnë urdhëruesit e krimit të organizuar në Kosovë ”për hir të situatës politike”, duke u kënaqur vetëm me dënimin e kriminelëve të rangut të dytë dhe të tretë, pra ekzekutuesve, lufta kundër krimit të organizuar do të jetë e pjesshme, jo e plotë. Pasojat do të jenë tepër të rënda për Kosovën dhe popullin e saj. Mafia politiko dhe ekonomike, që veç është krijuar, do të forcohet në atë shkallë sa që do të bëhet shtet mbi shtet.

Kriminelët e luftës dhe të pasluftës, me kravata kuq e zi, siç u treguan deri më sot, do të jenë shumëfish më kriminelë, dhe shumëfish më të pashpirt sesa kriminelët e kuq të periudhës së sundimit të Enverit – Nanosit dhe të Rankoviqit -Titos. Gjaku i dëshmorëve dhe martirëve dhe mundi i shumë gjeneratave që luftuan për synime madhore kombëtare, do të shkojë huq.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe kriminelëve është luftë e shenjtë. Kush ka zemër të dëlirë dhe shpirt të bardhë, e ka për detyrë, me mundësitë, aftësitë dhe kompetencat që i ka, të mos kursehet në luftë kundër kësaj të keqeje të shëmtuar. Qytetarët e Shqipërisë, të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare, duhet të jenë bindur se krimi i organizuar dhe kriminelët e të gjitha rangjeve janë turpi i kombit, është priftim, kancer dhe verem i shoqërisë shqiptare, prandaj lypset që të mos manipulohen prej tyre.

Botuar në “Bota sot”, më 19 qershor 2006

Loading