KOSOVA DHE SHQIPTARIA DO TË KRENOHEN ME VEPREN E MADHE TË AZIZ ZHILIVODËS DHE AHMET KRASNIQIT
ME RASTIN E KATËRVJETORIT TË VRASJES SË AHMET KRASNIQIT
Të nderuar bashkëkombës,
Sot, jemi tubuar këtu për të përkujtuar dhe për ta nderuar figurën e ndritur të kombit tonë, atdhetarin nacionalist, ushtarakun madhor, ministrin e parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, komandantin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqin, që dora katile ia shkurtoi jetë në kohën kur Kosova kishte nevojë për dijen dhe përvojën e tij të madhe në lëmenjtë e artit ushtarak.
Vrasja e Ahmet Krasniqit në qendër të Tiranës, preku thellë shpirtin liridashës të njerëzve të ndershëm anë e kënd botës, dhe i bëri vrer zemrat e shqiptarëve në gjithë hapësirën tonë kombëtare e në diasporë, sepse ai përfaqësonte njërin ndër institucionet më të rëndësishmit të Republikës së Kosovës, për të cilin aq shumë kishte nevojë Kosova.
Të flasësh për jetën dhe veprën e një personaliteti të shquar të kombit, siç është kolonel Ahmet Krasniqi, dhe të përfshihet ajo në tërësi, është e pa mundur, në një kujtim përkujtimor siç është ky që po e mbajmë sot. Kjo do t’iu mbetet për detyrë historianëve dhe studiuesve të lëmenjve të ndryshme, por nuk bën të mos ceket se Ahmet Krasniqi vinte nga një familje patriotike, që tradita luftarake u përcjell brez pas brezi. Të flitet për Ahmet Krasniqin, e të mos vihet në dukje jeta dhe vepra e mixhës (xhaxhait) së tij, Aziz Zhilivodës, do të thotë të mohohet një periudhë e rëndësishme e luftës heroike të njërës ndër familjet më në zë të Kosovës, që kombit ia dha dy viganë, dy personalitete shumë të çmuara, për kontributin që dhanë për çështjen kombëtare dhe për shqiptarinë. Aziz Zhilivoda me luftën që bëri kundër robërisë serbo-jugosllave, u bë legjendë e gjallë dhe shpresë e fortë për shqiptarët e robëruar nga robëria e dyfishtë serbo-jugosllavo-komuniste, se prangat e robërisë një ditë do të këputen.
Edhe Ahmet Krasniqi e vazhdoi traditën luftarake të gjyshit, babait dhe mixhës së tij. Si nxënës i Shkollës Teknike në Prishtinë, mori pjesë në organizimin e demonstratave të vitit 1968. Ndryshimet që u bënë pas demonstratave, ku klani i Titos fitoi mbi klanin e Rankoviqit, shfrytëzoi rastin të regjistrohet në Akademinë Ushtarake, ku përpos familjes, pati ndikim të madh për të studiuar artin ushtarak edhe Metush Krasniqi dhe Hyrije Hana. Si oficer i APJ-së, bën pjesë në udhëheqjen e ngushtë të Organizatës patriotike të Metush Krasniqit dhe Jusuf Gërvallës (LNÇKVSHJ). Dhe, kur Lëvizja jonë kombëtare nga ilegaliteti i thellë kalon në legalitet të plotë, kur formohet LDK-ja dhe partitë tjera më të vogla, ai vihet në shërbim të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pati kontakte dhe biseda me Fehmi Aganin, Bujar Bukoshin dhe me përfaqësues të tjerë të Qeverisë, dhe shprehu gatishmërinë për krijimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Më në fund, FARK-u u krijua pas caktimit të tij ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës nga Qeveria e Kosovës, në mars të vitit 1988, dhe arritjes së Marrëveshjes në mes Tij dhe Demaçit në maj të vitit 1998, për bashkimin e Ministrisë dhe UÇK-së në një subjekt ushtarak – në FARK. Siç dihet, njësitë operative të UÇK-së që i krijoi Ahmet Krasniqi dhe Ministria e Mbrojtjes pas arritjes së Marrëveshjes së Oslos, arritën suksese të rëndësishme në luftën çlirimtare të Kosovës, por duhet veçuar Betejën e Loxhës, nën udhëheqjen e komandant Tahir Zemës dhe Beteja e Koshoarës, nën udhëheqjen e komandantëve Agim Ranadanit, Salih Çekut, Anton Çunit, Rrustem Berishës etj. Po të mos ishte thyer Marrëveshja e Osllos dhe po të mos ishin vrarë institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës nga spektri i majt i Kosovës, Kosova do të ishte krejtësisht në rrethana të tjera, shumëfish më të favorshme, apo do të ishte plotësisht e pavarur.
Fatkeqësisht, armiqtë tanë, si kurdo herë më parë që na i vranë burrat më të mirë të kombit edhe gjatë luftës, edhe pas luftës, na i vranë shumë veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare, në mesin e të cilëve është edhe Ahmet Krasniqi, të cilët me aftësitë e tyre organizative, me autoritetin dhe besimin që gëzonin tek bashkëkombësit, bëheshin pengesa të pakalueshme në realizimin e planeve të tyre antishqiptare. Këto forca të djallit nuk e patën vështirë të gjenin argatë nga llumi i kombit shqiptar për të ngrehur gishtin e krimit, duke iu premtuar pushtet, që do t’ua mundësonte të arrijnë ca interesa të vogla partiake, klanore dhe personale.
Sot, kur shqiptarët gjenden para një prove të rënd para faktorit ndërkombëtar, për të treguar aftësitë e tyre qeverisëse, është detyrë mbi të gjitha detyrat që një pjesë e klasës politike shqiptare t’i rishqyrtojë veprimet e deritashme, inteligjenca e lartë të mos rrijë e pa interesuar për situatën aktuale, por të inkuadrohen në jetën politike ku jetojnë dhe punojnë, për ta ndryshuar në të mirë të çështjes tonë kombëtare situatën politike dhe atë të sigurisë.
Populli ynë gjatë historisë së tij të gjatë, pati vështirësi të mëdha dhe situata tepër të rënda që i kanosej ekzistenca e tij si popull dhe si komb. Njëra ndër periudhat më të vështira të popullit tonë që i kaloi me pasoja shumë të mëdha, ishte periudha kur më tepër se gjysma e popullit shqiptar ra nën robërinë serbo-jugosllave, dhe pastaj vështirësitë dhe pasojat u rritën kur gjithë kombin tonë e përfshiu robëria bolsheviko-komuniste.Armiqtë tanë shekullor na përgatitën kurthe të rrezikshme për të na futur në rrugë të pakrye, apo për të na përplasur në humnerën e zhdukjes dhe asimilimit të plotë. Formimi i shteteve ballkanike me përkrahjen e Rusisë cariste dhe aleatëve të saj dhe zhagitja e zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare, pati dhe do të ketë edhe më tutje pasoja të rënda për kombin tonë. Edhe formimi i agjenturave serbo-sllavo-greke në gjithë hapësirën tonë etnike, është njëri ndër faktorët më të fuqishëm të çakajve të Ballkanit për të penguar realizimin e aspiratave madhore të popullit tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar, me punën e tyre destruktive dhepërçarëse, si dhe me mbledhjen e të dhënave të ndryshme për biografitë e personaliteteve publike në gjithë hapësirën tonë kombëtare. Këto të dhëna pastaj përpunohen në qendrat vendimdhënëse të armiqve tanë, ku edhe merrnin vendime dhe jepen detyra për likuidimin e personaliteteve të shquara të kombit tonë, që me veprimtarinë e tyre i rrezikonin interesat serbo-ruso-greke në Gadishullin Ilirik. Po thuajse të gjitha personalitetet e shquara të kombit tonë janë vrarë nga dora katile e shqiptarëve të ligë që i ka blerë serbi apo greku, siç ishin atdhetarët: Haxhi Zeka, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Shtjefen Gjeqovi, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Enver Hadri, Azem Hajdari, AhmetKrasniqi, Enver Maloku, Zahir Pajaziti, Ilir Konushefci, Xhemajl Mustafa etj.
Ndriçimi i vrasjes së Ahmet Krasniqit, i cili u vra në Tiranë, më 21 shtator 1988, është obligim ligjor, kombëtar dhe ndërkombëtar i Organeve të Drejtësisë së Shqipërisë. Zbulimi i kriminelëve që morën pjesë drejtpërdrejtë dhe tërthorazi në këtë krim, që është njëri ndër krimet më monstruoze që u kryen ndonjëherë gjatë historisë tonë kombëtare, ka rëndësi të dorës së parë, sepse do t’i prehen rrugët krimit të organizuar që sot po bëhet në Kosovë dhe Shqipëri.
Të nderuar bashkëkombës,
Propozoj që, në emër të Juaj, t’i dërgojmë një kërkesë Presidentit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Shqipërisë, që me rastin e hetimeve që po i zhvillojnë për zbulimin e krimeve të F. Klosit, kryetarit të SHIK-ut, të hetohet edhe vrasja e Ahmet Krasniqit dhe Ali Ukës, që ishin ndër vrasjet e para politike që u kryen në Shqipëri.
Shkruar më 16 shtator 2002 –I pa botuar.
P.S. Ky shkrim është përgatitur të lexohet në tubimin përkujtimor në Vushtrri, me rastin e 4-vjetorit të vrasjes së Ahmet Krasniqit. Për shkaqe objektive, nuk pata mundësi të marr pjesë.