LUTJE-KËRKESË ORGANEVE SHTETËRORE TË FEDERATËS ZVICERANE DHE ORGANEVE SHTETËRORE TË KANTONIT TË NEUCHÂTELIT
Ne që u ndamë nga vendlindja jonë, që nga hapat e parë të jetës, nga shokët, shoqet e shkollës, mësuesit dhe të afërmit tanë, nga vendlindja jonë e dashur e cila sot rënkon nga thundrat e hekurta të okupatorit dhe robërisë. Nga ajo Kosova jonë martire, e cila edhe pse gjendet në truallin e Evropës, në te po lulëzon Aparteidi në format edhe më të egra se që ishin në Afrikën e Jugut.
Ne që u larguam nga vendi ynë, me vajin në buzë e me zemër të thyer, shpresuam se kjo e keqe që e kaploi popullin tonë, do të jetë e përkohshme, por tragjedia po vazhdon, kurse ne që patëm fat të strehohemi përkohësisht në Zvicër, na u bë atdheu ynë i dytë. Populli i saj i vyer e human na priti si është më mirë. Na veshi dhe na ushqeu, e na aftësoi për t’i vijuar mësimet nëpër shkolla së bashku me fëmijët e tij. Nga kjo pritje vëllazërore që na u bë, zemrat tona të lënduara filluan të na shërohen. Gëzimin që e paraqesin moshatarët tanë zviceranë në shkollë, në biseda dhe në lojë, na japin shpresë se edhe ne një ditë do ta kemi vendin tonë të lirë dhe do të qeshim dhe gëzohem me plotë zemër. Dijen që po e marrim në shkollat zvicerane, do të na shërbejnë që vendin tonë të shkretuar nga robëria dhe okupimi, ta ndërtojmë dhe ta forcojmë siç e keni bërë ju Zvicrën të njohur në botë, shembull të mirëqenies, mirëkuptimit dhe humanizmit.
Për ne Zvicra është atdheu ynë i dytë, për të cilin sa të jemi gjallë do të jemi mirënjohës popullit dhe Organeve shtetërore zvicerane, shokëve dhe shoqeve zvicerane që me kujdesin që treguan ndaj nesh, për të mos e ndjerë vetën të huaj, por ta ndjejmë vetën të lirë. Ne nuk e ndjejmë veten të gëzuar plotësisht, sepse çdo ditë na parafytyrohen shokët, shoqet dhe moshatarët tanë në vendlindjen tonë, të cilët janë të detyruar t’i ndjekin mësimet nëpër shtëpi private e bodrume të papërshtatshme për zhvillimin e mësimit, pa mjete dhe tekste shkollore, pa ushqim dhe veshmbathje të përshtatshme (të domosdoshme) për zhvillimin e tyre fizik dhe psikik. Para syve të tyre policët dhe çetnikët serbë ua rrahin mësuesit dhe prindërit. Para syve të tyre i burgosin, maltretojnë dhe i vrasin ata që i bëjnë rezistencë okupatorit serb. Na parafytyrohen çetnikët që i kanë prehur thikat dhe presin urdhrin të bëjnë edhe më zi se që bënë në Bosnje.
Kosova është kthyer e tëra në burg dhe në çdo moment mund të bëhet kasaphania më e madhe ballkanike dhe tragjedi e jona kombëtare.
Në këto kushte që mbretërojnë në Kosovë, dëgjohen zëra se duhet kthyer sa më parë shqiptarët, kërkuesit e strehimit të përkohshëm, në Kosovë.
Ne kërkojmë nga Qeveria Zvicerane dhe Organet shtetërore të Kantonit të Neuchâtelit, që të ndërmerrni çka është e mundur, që gjendja në Kosovë të ndryshojë. Të ndërpritet Aparteidi, të ndërpritet dhuna dhe terrori dhe t’i mundësohet popullit tonë ta realizojë ëndrrën e tij shekullore për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Në këto kushte, ne nuk dëshirojmë të kthehemi në vendin tonë. Ne dëshirojmë t’i vijojmë mësimet së bashku me moshatarët tanë zviceranë.
Përshëndetjet tona të sinqerta.
Nxënësit shqiptarë të Kosovës që jetojmë në Kantonin e Neuchatelit dhe mësimdhënësit që japin mësim plotësues nga gjuha shqipe.
Neuchatel, më 18. 06. 1994