PARATHËNIE

Ne shqiptarët, e filluam mijëvjeçarin e tretë me të njejtat halle dhe probleme që patëm në mijëvjeçarin e mëparshëm. Të ndarë në shumë shtete, me shumë udhëheqje vasale. Prap kemi hyrë në një rrugë pa krye, në një rrugë që do të krijojë kushte dhe rrethana që shqiptarët për gjithmonë të mbesin material ndërtimi për popujt e plakur të Evropës dhe fuqi punëtore për çakajtë e Ballkanit. Na erdhi ’’vera kah dera’’ shumë herë gjatë historisë tonë të gjatë, por fatkeqësisht kurrë nuk ditëm t’i shfrytëzojmë rrethanat e përshtatshme për realizimin e synimeve tona madhore.

Dhjetëvjeçari i fundit i shekullit 20-të njerëzimit i solli një fitore të rëndësishme, kur sistemi politiko-ekonomik i djajve komunistë dështoi plotësisht, në saje të politikës së mençur të presidentëve amerikanë Regan, Bush, Klinton, si dhe diplomatëve të shquar të SHBA-ve, si Kisinger dhe Olbrajt, strategut të shquar ushtarak të NATO-s gjeneralit Klark, kryeministrit të Britanisë së Madhe, Toni Bler, etj. Kjo fitore e shkëlqyer e SHBA-ve dhe aleatëve të saj mbi kryedjallin komunist BRSS-në, gjermanëve u solli bashkimin kombëtarë, Evropës Lindore çlirimin nga robëria ruse, popujve të thirrur ’’jugosllav’’, çlirimin nga robëria serbe. Edhe ne shqiptarët në të dy anët e kufirit arritëm suksese të rëndësishme. Në Shqipëri u rrëzua diktatura staliniste. Në Kosovë u vunë themelet e shtetësisë të Republikës së Kosovës dhe u krijuan parakushtet për çlirimin e saj. Pra faktori ndërkombëtar, miqtë dhe aleatët e kombit tonë na i plotësuan kushtet dhe rrethanat, për realizimin e synimeve tona kombëtare.

Si shumëherë më parë, edhe këtë radhë, klasa politike e popullit tonë, forcat e shëndosha kombëtare dështuan plotësishtë. Në Shqipëri më 1997 u rrëzua demokracia e brishtë në rend të parë me fajin e ’’demokratëve’’ që mundoheshin të tregoheshin ’’më katolik se Papa’’ në demokraci. Stalinistët, hajnat dhe kriminelët pasi e kallën dhe e veshën në të zeza Shqipërinë, me bekimin e Dan Evertsit formuan ’’Parlamentin e Kallashnikovëve’’ dhe ’’Qeverinë e Nanosit’’. Miratuan Kushtetutën që i shkonte për shtati Greqisë, dhe Shqipërinë e kthyen në koloni greke. Por, armiqët tanë realizuan vetëm një pjesë të skenarit që e kishin përgatitur për zhdukjen e kombit tonë. Pjesa e dytë e skenarit kishte të bënte me Kosovën. Siç dihet, Nanosi dhe Qosja, që konsideroheshin prindër shpirtëror nga stalinistët e LPK-së dhe ’’Pionerët e Enverit’’, të futur edhe brenda rradhëve të LDK-së, nuk e patën vështirë t’i fusin në shamakun e tradhtisë kombëtare të gjitha mbeturinat e shoqërisë shqiptare, me çmimin e realizimit të ca interesave banale të tyre dhe të kopesë stalinisto-enveriste. Këta djaj komunistë nuk lejuan kurrëfarë organizimi të mbarë, që do të çonte në forcimin e faktorit shqiptarë në Gadishullin Ilirik, dhe çlirimin e Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare nga vetë shqiptarët. Pasojat dihen: Kosova u masakrua nga serbët. Shqiptarët u përzun jashtë Kosovës. Atëherë kur serbët po bënin plane për kolonizimin e plotë dhe përfundimtarë të Kosovës me serbët e Kroacisë dhe të Bosnjes, i Madhi Zot i bëri hi dhe pluhur planet serbo-ruso-greke nepërmjet aksioneve ndëshkuese të NATO-s. Qysh kur forcat e armatosura të Paktit të Atlantikut- NATO-s, na e çliruan Kosovën, Serbia dhe aleatët e vet po bëjnë çmos për ta destabilizuar hapsirën tonë kombëtare nëpërmjet spiujve dhe vasalëve të vet, kryekuqaloshëve shqiptarë që kanë zënë pozita udhëheqëse në subjektet politike dhe shtetërore të Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë. Synimi i tyre tashmë është dështimi i faktorit ndërkombëtar në Kosovë, por mbi të gjitha kanë për qëllim t’ia mbushin mendjen aleatëve tanë, në përrallat e tyre, se ne nuk e meritojmë ndihmën dhe përkrahjen e tyre, pasi që sipas tyre jemi ’’destabilizues të Ballkanit’’ dhe ’’popull jo shtetformues’’. Po qe se merren parasyshë rrethanat dhe kushtet në të cilat u krijua klasa jonë politike, është plotësisht e logjikshme, që shpesh po na godasin të papritura jo të këndshme dhe shumë të rrezikshme. Kush mund të dyshojë përpos kokëkrisurëve dhe të paditurve se i ashtuquajturi ’’revolucioni i vonuar demokratik’’ i Qosjes, nuk është vepër e armiqëve tanë shekullor, që u realizua nepërmjet kryekuqaloshëve, hajnave dhe rrugaçëve shqiptarë? Kush do ta arsyetonte përçarjen e LDK-së, në Kuvendin e Tretë të saj, dhe formimin e LBD-së, kur Kosova kallej flakë nga serbët gjakatar, përpos të marrëve dhe tradhtarëve? Moskrijimi i Qeverisë së Kosovës nga të gjitha subjektet politike dhe ushtarake të Republikës së Kosovës më 1998, kur kërkonin diplomatët e shquar të SHBA-ve, dhe mosnjohja e institucioneve shtetërore të dala nga zgjedhjet e dyta kombëtare, nuk mund të shpjegohet ndryshe përpos si një vepër e rëndë antikombëtare. Vetëm të marrët dhe tradhtarët nuk e pranojnë se mosinstiticionalizimi i UÇK-së dhe thyerja e marrëveshtjes së Osllos, që ishte lidhur në mes Ahmet Krasniqit dhe Adem Demaçit për bashkimin e UÇK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes në FARK, ishte kulmi i tradhëtisë së kryekuqaloshëve shqiptarë, sepse pamundësoi krijimin e një ushtrie të institucionalizuar dhe të fortë kombëtare, të një ushtrie që do të realizonte me suksesë çlirimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nga vet shqiptarët.Vetëm kokëboshët nuk e pranojnë se mosnënshkrimi i marrëveshjes së Rambujes me kohë, ishte një vepër antishqiptare. Koha, vendi dhe mënyra se si u formua ’’Qeveria e Thaçit’’, dhe pastaj veprimtaria e saj kriminale dhe mafioze, duke e krijuar Qendrën e krimit politik dhe ekonomik në Kosovën e çliruar nga NATO-ja, krijuan rrethanat dhe kushtet që Kosova të bëhej një farë Afganistani në Evropën Juglindore, por fatmirësisht, një tragjedi kaq e rëndë, e planifikuar nga Beogradi, Moska dhe Athina nuk u lejua nga forcat e KFOR-i dhe policia ndërkombëtare. Krijimi i enklavave serbe dhe ndarja e Mitrovicës është frytë i një marrëveshje të fshehtë në mes kasapit të Ballkanit dhe kryekuqaloshve shqiptarë dhe spiujve serbo-grek: F. Nano, R. Mejdani, F.Klosi, R. Qosja, H.Hyseni, Xh.Haliti, I.Kelmendi, B.Bukoshi, H.Thaçit, A.Çekut, R.Selimit etj, për ndarjen e Kosovës. Kosova, Shqipëria dhe viset tjera shqiptare janë në rrezik të vazhdueshëm për deri sa forcat e shëndosha kombëtare të mos e bëjnë të vdekur marrëveshtjen e Zyrihit të lidhur në mes kreut të LPK-së dhe kreut të PSSH-së, dhe kryedjajtë bolshevikë të mos e marrin dënimin e merituar nga popullit, siç e mori Rexhep Qosja, i cili u detyrua të struket diku në rradhët e ’’Shoqatës së të Vdekurëve për së Gjalli’’.

Në librin ’’Pse jemi kështu siç jemi- polemika-analiza-dëshmi’’ i kam prekur disa nga shkaqet që na kanë sjellë në këtë gjendje të mjerë, në këtë gjendje në të cilën nuk është e qartë se kah po shkojmë si popull dhe si komb. A do ta marrin rrugën e përparimit, sukseseve dhe realizimit të synimeve tona kombëtare, apo do të vazhdojmë rrugën e deritashme të mossukseseve dhe dështimeve mëvaret nga shumë faktorë. Por, një gjë që do të na ndihmonte për ta marrë rrugën e sukseseve, rrugën e përparimit dhe shpëtimit, e jo rrugën që na shpie në humnerën që na e kanë përgaditur armiqët tanë nepërmjet bajraktarëve të ’’farës ruse’’, do të ishte gjetja e përgjigjeve të sakta për këto dy pyetje: Pse jemi kështu siç jemi, dhe ç’ka mund të bëjmë që të mos jemi kështu siç jemi? Vetëm atëherë kur shkenca jonë do të arrijë t’i gjejë shkaqet se pse jemi kështu siç jemi, dhe të shtrojë detyra të qarta se çka duhet të bëjmë si individë dhe shoqëri që të mos jemi kështu siç jemi, do të plotësohen parakushtet për gjetjen e mënyrës për bashkimin e të gjitha forcave tona intelektuale, njerëzore dhe politike të pa infektuara nga ’’egjra komuniste’’, për t’i luftuar shkaqet dhe pasojat që kombin tonë e vunë në shtratin e të sëmurit kronik, do të plotësohën kushtet dhe rrethanat që çojnë në realizimin e synimeve tona madhore kombëtare.

Sa i përket librit kisha për t’i bërë disa sqarime. Idenë për përmbledhjen e shkrimeve të mia në një libër ma kanë dhënë disa prej shokëve dhe miqëve të mi të çmuar. Pas një hezitimi të gjatë, vendosa të kërkojë ndihmën e katër shokëve dhe miqëve të mi të dashur dhe shumë të nderuar, zotërinjëve : Skënder Buçpapaj, Arbër Ahmetaj, Vehbi Skënderi, dhe Avdyl Gërvalla për të bërë zgjedhjen dhe redaktimin e një numri të konsiderueshëm të shkrimeve të mia. Pas shqyrtimit të kësaj çështjeje, për shkaqe teknike u pa e udhës që shkrimet e zgjedhura të botohen në dy libra. Librin ’’Pse jemi kështu siç jemi- polemika-analiza-dëshmi’’, e redaktoi zotëri Arbër Ahmetaj, për çka i jam mirënjohës dhe e falenderoi shumë. Libri i dytë është në redaktim e sipër nga zotëri Vehbi Skënderi. Me siguri që lexuesit nuk do t’i binin në dorë këto dy libra dhe disa libra tjerë të botuara më heret nga ’’Bota sot’’, po të mos vinte në ballë të gazetës zotëri Skënder Buçpapaj, i cili i dha asaj formë moderne dhe përmbajtje kombëtare. Vetëm puna e tij me përkushtim si kryeredaktor, gazetar dhe analist, si dhe puna e pakursyer e redaksisë për ta mbajtur politikën redaktuese në përcaktimin e saj kombëtar, të përvijuar nga kryeredaktori i saj Skënder Buçpapaj, por dhe vendosmëria e botuesit për ta përkrahur stafin drejtues të gazetës, që opinioni të njihet me të vërtetat e plota që po ndodhnin në gjithë hapsirën tonë etnike, bënë që ’’Bota sot’’ të bëhet gazeta më e madhe shqiptare, dhe gazeta më e rëndësishme kombëtare, e cila me sukses e luajti dhe po e luan rolin e ’’Albanisë’’ së Faik Konicës. Vetëm një gazetë siç është ’’Bota sot’’ mund të botonte shkrime kritike ndaj dukurive të shëmtuara që filluan të paraqiteshin në shoqërinë shqiptare. Në këtë gazetë botuan gazetarë, analistë dhe veprimtarë nga të gjitha pjesët e Shqipërisë etnike. Aty, edhe mua mu dha mundësia që me mundësitë dhe aftësitë e mia të vogla t’ia bëj një argat çështjes sonë kombëtare, duke ia tërhjekur vërejtjen opinionit tonë, për komplotet dhe kurthat që po ia përgatisin Atdheut dhe Shqiptarisë armiqtë e kombit tonë nëpërmjet pararojes staliniste të LPK-së, ’’Pionerëve të Enverit’’ dhe spiujve dhe vasalëve të tyre, që e krijuan krijesën më të shëmtuar, të ashtuquajturën LBDK-në, shërbëtoren më besnike të Beogradit, Athinës dhe Moskës. Prandaj për botimin e shkrimeve në ’’Bota sot’’, që tani po përmblidhen në dy libra, në veçanti e falenderoj dhe shprehu adhurim ndaj të Madhit Zot që më dha ide, energji dhe forcë për t’i rrafur dhe trajtuar dokuritë e shëmtuara që kanë zënë rrënjë në shoqërinë shqiptare. E falenderoi shumë kryeredaktorin e kombëtarës ’’Bota sot’’ zotëri Skënder Buçpapaj që ua hapi rrugën shkrimeve të mia të botohën pa pengesë dhe pa kurrfar ndryshimesh. I jam mirënjohës dhe e falenderoi dhe redaktorin teknik të gazetës zotëri Fahredin Spahiun, për përgaditjet teknike që ua bëri shumicës së shkrimeve të mia. E falenderoj po ashtu edhe botuesin Xhevdet Mazrekaj, dhe redaksinë e kombëtares ’’Bota sot’’, lexuesit e saj që më përkrahën moralisht por edhe më ndihmuan konkretisht duke m’i besuar shumë të dhëna që kishin të bënin me veprimtarinë antikombëtare të kryedjajve komunistë dhe shërbëtorëve të tyre. Po ashtu me kënaqësi i falenderoj zotërinjtë : Gani Geci, Tahir Zemaj, Zenun Idrizi, Hilmi Nebihu, Ismet Ibrahimi, Rifat Haxhijaj, Arbër Ahmetaj, Imer Berisha, Zymer Berisha, Halil Geci, Fadil Geci, Nazif Alija, Sefedin Krasniqi, Saim Tahiri, Osman Ferizi, Zymer Lulaj, Ismet Avdullahu, Agim Selimi, Brahim Ukëhaxhaj, Agim Pajaziti, Nazmi Ajeti, Smajl Çeku, Demë Tolaj, Fadil Tolaj, Jahir Zeneli, Milazim Miftari, Ramiz Muriqi, Linda Muriqi etj, të cilët më dhanë informata të rëndësishme për demaskimin e pehlivanave të Nanosit dhe shërbëtorëve të tyre për veprimtarinë e tyre antikombëtare.

Të gjitha shkrimet që janë përfshi në librin : ’’Pse jemi kështu siç jemi -polemika-analiza-dëshmi’’, nuk kanë pësuar kurrfarë ndryshimesh, edhe pse tani e kam të qartë se kur shkrimet janë botuar në gazetë, ka pasur ca lëshime dhe gabime në disa data. Në këtë libër asgjë nuk është shtuar, përkundrazi, redaktori ka hequr vetëm ato fragmente apo fjali në të cilat vëreheshin përsëritje të padobishme, apo ka bërë ndryshimin e titujve të disa shkrimeve, kuptohet me pëlqimin tim.

Në fund të fundit, lexuesi është ai që do të japë vlerësimin më të drejtë për këtë libër. Do t’i prisja me gëzim vërejtjet, këshilla, por edhe kritikat e argumentuara lidhur me ndonjë lëshim apo gabim në vlerësimet e mia përkitazi me proceset dhe ngjarjet që u zhvilluan dhe po zhvillohen në hapsirën tonë kombëtare, për çka do t’u jem shumë mirënjohës dhe u falenderohem që tani.

Autori

Loading