QEVERIA DHE PARLAMENTI I KOSOVËS, ME PUNËN E TYRE, PO DËSHMOJNË SE JANË TË UZURPUARA NGA PATRIOTËT E SERBISË

Me mos përfshirjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FARK-ut në Projektligjin e veteranëve të luftës nga Qeveria e Hashim Thaçit, patriotit të Serbisë, dhe miratimi i atij ligji nga Parlamenti i Kosovës, u dëshmua se këto dy institucione shtetërore të Republikës së Kosoves* (por edhe institucionet tjera) janë shndërruar në autoparlant të politikës së Beogradit, për t’i poshtëruar e rrëzuar me fytyrë për toke shqiptarët, që kurrë të mos ngrihen në këmbë për të ecur përpara siç ecën të gjithë popujt e lirë të rruzullit tokësor.

Mohimi i ekzistimit të FARK-ut nga Xhavit Haliti, po ashtu dëshmon se ai është ,,kallauzi” i të gjitha të ligave që e kanë gjetur Kosovën gjatë luftës dhe pas saj, se është dorë e zgjatur e Beogradit.

Është e ditur se Xhavit Haliti, me pionët e tij: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, SHIK-un e LPK-UÇK-PDK-së, i luftuan institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, pra edhe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FARK-ut. Lufta e tyre ia bëri të mundur Milosheviqit pa vështirësi ta realizoi projektin e pastrimit etnik të Kosovës. Por, lufta e Xhavitit me patriotët tjerë të Serbisë, siç po shihet e dhe nga ,,zogjtë e malit’’, ende nuk ka përfunduar. Tani është në përfundim e sipër projekti serb për ta gjunjëzuar popullin shqiptarë të Kosovës me skamje dhe mjerim, duke ia shkatërruar të gjitha të mirat materiale, arsimore, kulturore, shëndetësore etj, që i arriti me gjak, mund dhe sakrificë sa ishte në okupimin klasik të serbo-jugosllavëve.

Xhaviti & Compani, pasi e rrjepën Kosovën, kanë marrë për detyrë nga Daçiqi dhe Sigurimi Sekret serb, që nëpërmjet veprimtarisë së tyre kriminele, t’i bindin qendrat e vendosjes ndërkombëtare dhe miqtë e popullit tonë se kanë gabuar tepër rënd që intervenuan me NATO-n në dobi të shqiptarëve. Nuk ka dyshim se diplomacia serbe, krimet e pushtetarëve të Kosovës së pasluftës ia mveshën popullit shqiptar, duke ua përkujtuar atyre bindjet (shpifjet) e tyre të mëhershme për t’ua mbushur mendjen (me siguri edhe ua kanë mbushur mendjen) se ,,shqiptarët janë popull që nuk di të bëjë shtet ligjor’’. Pra, sipas tyre, janë popull ,,jo shtetformues’’, ,,destabilizues” të vendit të tyre dhe të Ballkanit.

Edhe pse e di Xhavit Haliti se është e pamundur të mohohet lufta e lavdishme e FARK-ut për çlirimin e Kosovës, ai e mohon edhe ekzistencën e tij, se ashtu e urdhëron Beogradi, që ka për qëllim të qitet benzinë në zjarrin e përçarjeve ndërshqiptare, të ndezur para lufte nga Qosje, Demaçi, Nano-Millo-Majko dhe Haliti & Compani, që faktori politik i Kosovës të mos merret me hallet e shumta të qytetarëve të tyre dhe as forcimin e shtetësisë së Kosovës, por të vazhdojë edhe më tutje për të punuar në realizimin e planeve dhe skenarëve të Beogradit në dëm të kombit shqiptar.

Me siguri, opinioni ynë i gjerë nuk është habitur nga shpifjet e Xhavit Halitit përkitazi me FARK-un, por është habitur me disa konstatime të Anton Çunit që i publikoi gjatë polemikes që e kishte pasur me Xhavit Halitin. Shih botimin e shkrimit me titull: ,,Lufta e antirugovistëve kundër FARK-ut’’, të botuar në ,,Bota sot’’ më 15.03.2014. Anton Çuni duke e kundërshtuar shpifjen e Xhavit Halitit për FARK-un, sipas autorit të shkrimit, paska thëne: ,,Njësitë e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, janë themeluar nga Ministri i Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, por ato janë kontrolluar dhe urdhëruar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së….’’ Konstatimi i Anton Çunit se FARK-u është themeluar nga Ahmet Krasniqi, është i vërtetë, por është shpifje e rëndë konstatimi se ,,Njësitë e FARK-ut janë kontrolluar dhe urdhëruar nga SHP i UÇK-së.’’ Jam i bindur se Anton Çuni gjatë polemikës, pa vetëdije, i ka dalë ,,llapsusi’’, me të cilin e ka përzier SHH të FARK-ut me SHP të UÇK-së, dhe kështu gabimisht i ka dalë konstatimi se njësitë e FARK-ut i ka kontrolluar dhe urdhëruar SHP i UÇK-së. Po të kishte qenë e vërtetë që njësitë e FARK-ut i ka kontrolluar dhe urdhëruar SHP i UÇK-së, atëherë nuk do të ishte vrarë nga SHIK-u i LPK-UÇK-së Ahmet Krasniqi, Salih Çekaj, Agim Ramadani, Komandant Drini, kolonel Tahir Zemaj, e shumë veprimtarë të LDK-së dhe gazetarë që e demaskuan veprimtarin kriminele të SHIK-ut të Xhavit Halitit.

Lexuesit e nderuar të ,,Bota sot’’, të pa informuar sa duhet për FARK-un, presin me padurim nga Anton Çuni të sqarohet si i rrodhi ai ,,llapsus’’, me të cilin u shpif (sigurisht pa qëllim) FARK-u dhe Ahmet Krasniqi.

Botuar në ,,Bota sot”, më 18.03.2014

Loading