FAJIN KOSOVËS IA KANË PARTIAKËT E ”SHTIRË” TË DEHUR NGA EGJRA PARTIAKO-RAJONALE
Kosova e pasluftës edhe pse e çliruar nga robëria serbo – jugosllave, po përballet me halle dhe probleme të mëdha jetësore. Varfëria e skajshme po rritet çdo ditë e më tepër, ndërsa pasuria marramendëse po grumbullohet në xhepat e një grupi njerëzish, të cilët Kosova i njeh si tregtarë dhe politikanë të kohës së sundimit të kryekasapit të Ballkanit, apo tregtarë dhe politikanë të periudhës së pasluftës, që i qiti në dritë QPK e H. Thaçit dhe pasueset e saj.
Edhe sistemi i arsimit dhe i shëndetësisë janë plagosur rënd nga të korruptuarit, që ishin të zgjedhurit e partisë e të mbrojtur nga partiakët e ,,shtirë”, ,,xhahila” e të ,,sertë”. Për ekonominë as që duhet të flasim. E mjaftueshme është të përmendet vetëm Elektroekonomia. A nuk është krim mbi çdo krim se në çfarë gjendje e sollën partiakët e ”shtirë” dhe ”sugarët” e tyre, së bashku me ndërkombëtarët naivë, këtë degë të rëndësishme dhe të fuqishme të ekonomisë së Kosovës?!
Por, problemi më i rëndë i qytetarëve të Kosovës sot është stresi, frika dhe pasiguria shpirtërore. Solidariteti dhe ndihma vëllazërore që ishte dikur (kur ishim të robëruar nga serbo-jugosllavët), virtyt yni fetar dhe kombëtar, po zëvendësohet me tëhujsim. Raportet familjare dhe fqinjësore po ftohen dhe po prishën.
Me një fjalë, tëhujsimi i shqiptarëve po e shkreton shpirtin dhe zemrën e tij, çka dikur, me plot të drejtë, konsiderohej edhe nga të huajt se shqiptarët janë solidarë, zemërgjerë dhe shpirtmirë.
Pse na gjeti kjo e zezë dhe a mund të shpëtojmë nga këto telashe të mëdha që e kanë kapluar Kosovën (dhe të gjitha trojet shqiptare), është pyetje me vend, por përgjigja dhe ilaçi për tejkalimin e kësaj gjendjeje të mjeruar nuk është edhe aq i lehtë dhe i shpejtë.
Për të gjitha këto të liga që e gjetën Kosovën, fajtorë janë partiakët e ”shtirë”. Është e ditur se suksesi i një shteti varet nga politika dhe puna konkrete e qeveritarëve dhe subjekteve politike të atij shteti. Shtrohen pyetjet konkrete: Sa të mira u sollën qeveritarët e Kosovës së pasluftës qytetarëve të saj dhe sa të mira u sollën njerëzve të tyre? Kush u shkel dhe kush u favorizua gjatë sundimit të këtyre qeveritarëve? Sa u sollën siguri, paqe dhe të mira materiale qytetarëve të Kosovës partiakët dhe kryepartiakët e subjekteve politike të Kosovës? Sa premtuan dhe sa i realizuan premtimet e tyre?! Sa të holla të donatorëve të ndryshëm (të huaj) i shfrytëzuan qytetarët e Kosovës dhe sa të holla hynë në xhepat e politikanëve tanë ?! Nga iu erdhi gjithë kjo pasuri politikanëve tanë, kur dihet se para luftës ishin me duar në xhepa ?! Po, Parlamenti i Kosovës dhe sistemi i drejtësisë, së bashku me policinë e vendit dhe atë ndërkombëtare, çka bënë për ndryshimin e kësaj gjendjeje të mjerë?! Ku janë ligjet e miratuara dhe sa funksionojnë ato ligje për ta luftuar krimin e organizuar. Kush e rropi dhe kush po e rrjep Kosovën e pasluftës?!
Këto janë vetëm ca pyetje që presin përgjigje. Qytetarët e Kosovës, me pak përjashtime, dinë t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, por janë të pafuqishëm për të ndryshuar diçka nga kjo gjendje. Janë të pafuqishëm për ta luftuar dhe ndërruar këtë gjendje, sepse politika dhe partiakët e ”shtirë” të vendit dhe përkrahësit e tyre (faktori ndërkombëtar), nuk po duan ndryshimin e kësaj gjendjeje.
Dorën në zemër, të huajt nuk mund ta ndërrojnë këtë gjendje, sepse frikohen (dhe kanë arsye për këtë) se nuk do ta kenë përkrahjen e popullsisë së Kosovës, kur në shumë raste partiakët e ”shtirë” e kanë treguar ”forcën” e tyre, duke gjetur apo shpikur një shkak për manipulimin e popullsisë, duke i bllokuar rrugët e qyteteve të Kosovës me ,,simpatizuesit” e tyre të dehur nga egjra partiako – rajonale, që ende ka shumë të sëmurë nga kjo egjër, veçmas naivët dhe kokëboshët.
Pra, ndërkombëtarët në Kosovë kanë arsye që nuk duan ta ”fusin therën në këmbë të shëndoshë”, sepse atëherë do ta humbin rahatinë dhe sigurinë e tyre personale! Ndërsa, të kërkosh ndërrimin e kësaj gjendjeje prej atyre (partiakëve të shtirë) që vetë e kanë krijuar këtë gjendje për ta bërë Kosovën ”utrinë katundi”, për ta dhe njerëzit e tyre, është joserioze dhe qesharake.
Shtrohet pyetja se çka është bërë në Kosovën e pasluftës për familjet e dëshmorëve dhe të martirëve (të masakruarve dhe të pushkatuarve me atentate), që së paku fëmijët e tyre të mos ndihen jetimë. A thua do t’i kenë kushtet e shkollimit të njëjta me fëmijët e partiakëve të ”shtirë”, apo së paku me fëmijët e partiakëve ”papagaj”?!
Botuar në ” Bota sot”, më 23 gusht 2007