KRIJIMI I NJË GJYKATE NDËRKOMBËTARE PËR T’I DËNUAR KRIMINELËT E LUFTËS, NUK E PRISH, POR DO TA ZBARDHË IMAZHIN E KOSOVËS DHE TË UÇK-SË.

,,…Dhe sikur Allahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej disave të tjerëve, do të shkatërrohej toka, po Allahu është Bamirës i madh ndaj njerëzimt.’’(Kur’an; surja: 2, ajeti : 251).

Para një kohe e mori dhenë një lajm i mirë që i gëzoi shumicën absolute të qytetarëve të Kosovës, kur morën vesh se BE-ja dhe SHBA-ja kanë vendosur të themelojnë një Tribunal ndërkombëtar, që do të merret me krimet e luftës që u bënë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, por edhe më vonë. Ky lajm i gëzuar u bë shpresëdhënës për të gjithë qytetarët që u dëmtuan gjatë luftës nga policia dhe ushtria serbe dhe nga kriminelët e SHIK-ut, të veshur me uniformat e UÇK-së, duke qenë të bindur se kriminelët e Kosovës do ta marrin dënimin e merituar nga ai Tribunal ndërkombëtar, i cili është në formim e sipër nga miqtë e kombit tonë. Por, ky lajm i bëri ,,pelim’’! I bëri për të folur me vetveten! I hallakati mendësisht të gjithë ata zemërzi që e kanë ,,mizën pas veshit’’. Veçmas u zunë ngushtë kriminelët e mëdhenj, urdhëruesit e krimit të organizuar, të cilët nuk u mjaftuan me krimet e shumta që i bënë gjatë luftës, por vazhduan të njëjtën vepër të ndytë edhe pas luftës. Veçmas u treguan të untë ndaj pasurisë shoqërore dhe private, duke e përvetësuar atë për veti dhe argatët e tyre sikur t’ua kishin lënë trashëgim prindërit.

Fatmirësisht, faktori ndërkombëtarë që popullin e shumëvuajtur të Kosovës e shpëtoi nga gjenocidi serb, nuk ua la në dorë gjithë pushtetin stalinistëve të çartur për pushtet dhe enveristëve naivë të Kosovës, të cilët gjatë luftës, të verbuar nga lakmia për pushtet dhe pasuri, e të manipuluar nga Sigurimi serb, jo vetëm që e penguan luftën çlirimtare të popullit tonë, por edhe e shëmtuan Kosovën, duke ia vrarë veprimtarët e devotshëm të saj. Me siguri, po ta kishte lënë faktori ndërkombëtar Kosovën në dorën a Xhavit Halitit dhe argatëve të tij, pa mbikëqyrjen e tyre, Kosovën do ta shndërronin në një Kamboxhia të dytë në miniaturë. ,,Pol-Potat’’ shqiptarë të LPK-së dhe LBDK-së, nëpërmjet kriminelëve ordinerë të instaluar në SHIK-un e tyre, nuk do të lënin pa ia dhënë dënimin e ,,merituar’’ të gjithë qytetarëve tëKosovës që i njihnin institucionetshtetërore të Republikës së Kosovës në krye me president Rugovën. Shumë do t’i dënonin me burgje të gjata, ndërsa për ata burra që ishin të bindur se do t’u nxjerrin probleme, do t’ua ,,falnin’’ nga disa plumba në ballë, apo nga një rafal plumbash pas shpine dhe në kokë, siç i pushkatuan gjatë luftës dhe pas luftës shumë veprimtarë të shquar të Kosovës, ushtarakë dhe veprimtarë të LDK-së. Por, të zezat e tyre nuk u ndaluan për asnjë ditë deri më sot.

Fatmirësisht, faktori ndërkombëtarë i vëzhgoi dhe i regjistroi krimet e tyre që ia bënë Kosovës dhe popullit të saj. Dhe, tani po ua ,,mbledhin betë ’’ se Kosovën do ta bëjnë shtet ligjor, për të sunduar ligji i shtetit ligjorë e jo që të sundojë ligji i xhunglës, ligji i mafisë dhe ligji i krimit të organizuar, që ata e instaluan gjatë qeverisjes së tyre në Kosovë.

Kriminelët e gjorë ende po shpresojnë se do të iu shitet demagogjia bajate e pështjellur me ,,romantizëm’’ dhe ,,patriotizëm’’, duke kundërshtuar krijimin e një Gjykate Special për trajtimin e krimeve të luftës që u bënë në Kosovë. Arsyetimi i tyre i shkretë sa është i paarsyeshëm, aq është edhe i pa logjikshëm dhe qesharak, kur thonë se themelimi i atij Tribunali ndërkombëtar do të prishte imazhin e Kosovës dhe të UÇK-së. Shtrohet pyetja: A thua aq imazh të mirë i dhanë Kosovës dhe UÇK-së, Qeveria 1dhe 2 e Thaçit dhe qeveritë e mëhershme?! A thua janë të verbëruar nga luksi dhe pasuria marramendëse që e krijuan me punë të pista, dhe janë matufosur, duke menduar se edhe qytetarët e Kosovës e kanë standardin e tyre të jetesës?! A thua nuk e kanë të qartë se Kosovën me punën e tyre kriminele e kanë radhitur në mesin e vendeve më të korruptuara dhe më të kriminalizuara të botës. Edhe ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës e kanë kthyer në vitet e ’50-ta, në epokën e sundimit të Rankoviqit.

Sa i përket imazhit të UÇK-së, qytetarët e Kosovës e kanë të qartë se kush ia dëmtoi dhe shëmtoi imazhin e saj. Dihet se LPK-ja, SHIK-u i ,,Zekës”, SHIK-u i Klosit, dhe Sigurimi serb, nuk lejuan institucionalizimin e UÇK-së, duke e shkelur Marrëveshjen e Oslos, sepse kishin frikë se do të bëhet e zonja për ta bërë çlirimin dhe bashkimin kombëtarë të popullit shqiptar. Populli i gjorë e di mirë se ,,partitë e dala nga lufta’’ (që i polli LPK-ja dhe i edukoi PPSH-ja), e çarmatosën UÇK-në, për ta fituar besimin e UNMIK-ut për t’ua dhënë ca vende udhëheqëse në qeverisjen e Kosovës. Dhe, demagogjia e tyre perfide i mashtroi ushtarët e UÇK-së dhe shumicën e popullsisë, se UÇK-ja po shndërrohet në Trupa të Mbrojtjes të Kosovës (TMK). Pra një emër me një kuptim shumë të përshtatshëm për manipulim. Manipulimi tjetër ishte edhe më perfidë dhe shumë i marrë, pasi që pjesëtarët e TMK-së i veshën me uniformë ushtarake dhe i graduan po ashtu me grada ushtarake prej rreshterit e deri në grada gjeneralësh, pa pasur kurrfarë dije nga artit ushtarak. Veprim ky që ushtarët e UÇK-së dhe lidershipi i partive të dala nga lufta, u bënë objekt talljeje nga faktori ndërkombëtar që vepronte në Kosovë. Siç dihet, TMK-ja nuk kishte armë për ta mbrojtur integritetin e tyre personal, e lëre më për ta mbrojtur integritetin territorial të Republikës së Kosovës, por mbushua mendjen njerëzve që ua kishin pastruar trurin kriminelët e SHIK-ut të ,,Zekës’’ dhe lidershipi i partive të dala nga lufta.

Siç dihet, UÇK-ja, me bekimin e Thaçit, u shndërrua në TMK, për ta pastruar borën dhe llaçin nëpër rrugët e Kosovës, por edhe në rast të fatkeqësive natyrore për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës nga vërshimet e ujit dhe dëmet e zjarrit.

Është e pa mundur të regjistrohen të gjitha ,,të mirat’’ që ia ngarkuan në shpinë UÇK-së, Kosovës dhe qytetarëve të saj profiterët e luftës.

Ja, ky është imazhi ,,i mirë’’ i Kosovës, që po bëjnë përpjekje t’ia ruan Thaçi me qeverinë e tij dhe profiterët e shumtë të luftës, duke kundërshtuar krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar, që do të merret me krimet e SHIK-ut të LPK-UÇK-PDK-së.

Është e ditur se arsyet e Thaçit, Kuqit, Rexhepit e përkrahësve të tyre se krijimi i Tribunalit ndërkombëtarë që do të merret me krimet e luftës që u bënë në Kosovë, do ta dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe të UÇK-së, sa janë të pa arsyeshme, janë edhe aq qesharake, kur dihet se janë bërë shumë krime të rënda nga SHIK-u i LPK-UÇK-PDK-së ndaj veprimtarëve të dalluar të Kosovës, që ishin kundërshtar politikë të Xhvit Halitit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Fatmir Limajt & Compani.

Populli ynë liridashës e dinë mirë se vetëm atëherë kur të dënohen të gjithë kriminelët që e shëmtuan Kosovën, pa marrë parasysh se çfarë pozite kanë pasur në uzurpimin e UÇK-në, apo çfarë pozite kanë në organet shtetërore të Kosovës, pa marr parasysh se të cilit nacionalitet apo subjekt politik i përkasin, do të përmirësohet imazhi i UÇK-së, i Kosovës dhe popullit shqiptarë para faktorit ndërkombëtarë. Pra, dënimi i kriminelëve që e nxin Kosovën, UÇK-në dhe populli shqiptarë para faktorit ndërkombëtar, është parakushti kryesor pa të cilin nuk mund të bëhet Kosova shtet ligjor.

Po që se mbeten edhe më tutje kriminelët për ta qeverisur Kosovën, pasojat e qeverisjes së tyre do të jenë edhe më katostrofale për qytetarët e saj, por do të jetë edhe një dështim shumë i rënd për faktorin ndërkombëtar, pasi që edhe pse aq shumë investuan për Kosovën dhe qytetarët e saj, nuk arritën ta bëjnë atë shtet ligjor, por e bënë një vend që lulëzon krimi i organizuar, me mos reagimin e duhur të tyre. Siç po shihet, ,,Zeka’’ dhe argatët e tij e kthyen Kosovën 70 vjet mbrapa, në epokën e bashkim-vëllazërimit të Enverit me Titos. A nuk është plotësisht identike kjo epokë e sundimit të Xhavit Halitit dhe argatëve të tij, me epokën e sundimit të garniturës udhëheqëse të vasalëve serbo-jugosllavë në krye me Fadil Hoxhën dhe Ali Shukriun?!

Sa çudi që neve shqiptarëve të gjorë po na përsëritet historia pa ndërprerë.

Shqiptarët e kanë të qartë, me siguri edhe faktori ndërkombëtar, se organet e drejtësisë të Kosovës nuk kanë kurrfarë mundësie ta luftojnë krimin e organizuar të pasluftës, dhe as krimin e luftës, pasi që në ato organe, si dhe në organet tjera shtetërore janë instaluar kriminelët e SHIK-ut, të ,,Zekës’’- LPK-UÇK-PDK-së. Prandaj, vetëm themelimi i Tribunalit ndërkombëtarë dhe puna e tij me përkushtim në një vend jashtë Kosovës, dhe me prokurorë dhe gjykatës të aftë që kanë autoritet ndërkombëtar, mund ta kryejnë detyrën me sukses, duke ua dhënë dënimin e merituar të gjithë kriminelëve të Kosovës, me çka do të krijohen kushtet paraprake që Kosova të bëhet shtet ligjor. Dhe, vetëm atëherë mund të flitet për përmirësimin e imazhit të UÇK-së, të Kosovës dhe qytetarëve të saj, që aq shumë e nxinë keqbërësit dhe kriminelët e Kosovës.

Kriminelët janë të humbur! Përfundim i keq po i pret!

Botuar në ,,Bota sot’’, më 8 prill 2014

Loading