PSE NDODHËN NGJARJET TRAGJIKE NË KOSOVË

’’O ju që besuat, vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë për hir të Allahut edhe në se është kundër (interesit) vetvetes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve, le të jetë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfanjak, sepse Allahu di më së miri për ta. Mos ndiqni, pra, emocionin e t’i shmangeni drejtësisë…’’ cituar nga KUR’AN-i, Surja, en Nisaë, ajeti 135.

Nuk është e vështirë për ta kuptuar se Kosova dhe populli ynë ka shumë armiq të shpallur e të pashpallur, të haptë e tinëzarë, të kuq e të zinj, të vegjël e të mëdhenj, të dijshëm dhe të padijshëm, me shkollë e pa shkollë, por ndër ta më të ligjtë dhe më të rrezikshmit ishin dhe janë ata që i përkasin pjellës së keqe, që u lindën dhe u rritën në truallin tonë. Janë ata shqipfolës që i përkasin ’’farës ruse’’- farë e keqe, e mbjellë nga bolshevikët rusë dhe nga çetnikët e kuq serbo-malazez, që populli ynë i njeh me emra të posaçëm, varësisht se për cilin kryekriminel punuan. Ishin titisto-rankoviqisto-enveristët e paraluftës dhe pasluftës, (Luftës së Dytë Botërore) ata që punuan për interesa të huaja në dëm të interesave tona kombëtare. Mjerisht, shumica e shqiptarëve tek në vitet e para të ‘90-ës, e kuptuan tradhtinë e shumëfishtë të lidershipit shqiptar që punuan për interesa të Beogradit, Moskës dhe të Athinës e në dëm të interesave tona kombëtare.

DJATHTIZMI SHQIPTAR LUFTOHET SË BASHKU NGA BEOGRADI DHE TIRANA PËR NJË GJYSMË SHEKULLI

Fatkeqësisht, me rrëzimin e statujave të Enverit, Stalinit dhe Leninit në Shqipëri dhe fillimit të procesit të zhbërjes së Jugosllavisë së Versajit-Avnojit, nuk u bënë ndryshime të thella në shoqërinë shqiptare. Djathtizmi shqiptar i luftuar së bashku nga Beogradi dhe Tirana për një gjysmë shekulli, ishte i pamundur të ringjallej për një kohë të shkurtër. Në pushtetin demokratik të Shqipërisë u futën edhe ato forca që nuk e kishin vendin aty, ku për rrjedhim pati që demokracia e brishtë e Shqipërisë të sulmohej nga jashtë dhe nga brenda me mjet perfide. Siç dihet, Shqipëria u kall nga stalinistët shqiptarë, bandat kriminele greke, hajna dhe rrugaçë shqiptarë dhe enveristë kosovarë të mbledhur rreth LPK-së së Xhavit Halitit dhe Ibrahim Kelmendit .

Fatmirësisht, populli ynë i shumëvuajtur nga robëria serbo-jugosllavo-komuniste, procesin e zhbërjes së Jugosllavisë e shfrytëzoi si është më së miri. Formimi i LDK-së, Pajtimi i gjaqeve, Deklarata Kushtetuese, miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut, përfundimi me sukses i Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, formimi i institicioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, formimi i njësive të para guerile nga LDK-ja, të komanduara nga komandantët Adem e Hamzë Jashari, Salih Çeku dhe Zahir Pajaziti, ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe mospranimi i konfrontimit me ushtrinë serbo-jugosllave në vitet e para të ‘90-ës, ishin fitore të çmuara të popullit tonë dhe udhëheqjes së tij në krye me presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Dihet se Kosova u çlirua nga NATO-ja, kur qendrat e vendosjes ndërkombëtare i detyroi i Madhi Zotë për të ndërmarrë aksione luftarake kundër Serbisë, këtij shtetit kolonialist, që i përgjaku sllovenët e kroatët dhe i masakroi dhe bëri përpjekje të mëdha për shfarosjen e boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Procesi i zhbërjes së Jugosllavisë, edhe pse ende nuk ka përfunduar, ndryshime të mëdha u bënë në Gadishullin Ilirik. Sllovenët, kroatët dhe boshnjakët po i ndërtojnë shtetet e tyre të pavarura. Serbia është futur në krizë të thellë politike dhe ekonomike, ndërsa sllavët e Maqedonisë kanë filluar ta kuptojnë se pa shqiptarë nuk mund të ketë kurrfarë shteti të pavarur në Maqedoni. Të vetmit ne shqiptarët po i biem daulles së vjetër me ,,nakamin” e muzikës sllave dhe greke, dhe nuk po vetëdijesohemi se ku po na shpie kjo lojë, që po bëhet për t’i kënaqur orekset shovene të Beogradit dhe Athinës. Fatmirësisht, rrethanat ndërkombëtare edhe më tutje do të mbeten në favorin tonë, po që se forcat demokratike të vendit forcohen deri në atë shkallë, saqë forcat antishqiptare, në krye me Nanosin, Thaçin, Hajradinajn dhe argatët e tyre sorosët, i marrin ,,gugjumat kresë” në zgjedhjet e këtij viti, siç i mori Qosja më herët, dhe kështu votuesit me votën e tyre të lirë, ua caktojnë vendin pas dere, se aty u takon, e jo në ballë të oxhakut, ku ia kanë vënë syrin.

Këto ndryshime cilësore që u bënë në Gadishullin Ilirik në fillimin e mileniumit të tretë, nuk po njihen dhe me të gjitha forcat dhe mjetet po luftohen nga mbeturinat e komunizmit serbo-shqiptaro-rus dhe aleatëve të tyre. Kosova është bërë arenë e luftës në mes të së mirës dhe të së keqes, në mes të së bukurës dhe të së shëmtuarës, në mes të dritës dhe territ. Dhe, mu për këtë ndodhën edhe ngjarjet tragjike më 17-18 mars në Kosovë.

Nuk ka dyshim se plagosja e një të riu serb, bllokimi i rrugës kryesore Prishtinë–Shkup nga serbët dhe mbytja e tre fëmijëve shqiptarë si pasojë e ndjekjeve me qen nga kriminelët serb, nuk ishin shkaqet e ngjarjeve tragjike që u zhvilluan për dy ditë me radhë në Kosovë, por ishin vetëm shkas (të planifikuara dhe të realizuara nga qendra antishqiptare me seli në Beograd dhe filialet e saj në Tiranë dhe Prishtinë) që kishin për qëllim destabilizimin e Kosovës, ku si pasojë do të kishte dështimin që në start të përpjekjeve të faktorit ndërkombëtar dhe atij demokratik të vendit, për plotësimin e kushteve (tetë standardeve), që do të bënin të dështuara përpjekjet e Beogradit dhe miqve të tij për ndarjen (coptimin) e Kosovës, e do të bënte të domosdoshme njohjen e pavarësisë së Kosovës nga faktori ndërkombëtar.

Siç dihet, Beogradi dhe forcat e Nanosit në Kosovë (dy bishtat e PSSH-së: PDK-ja dhe AAK-ja), me të gjitha forcat po luftojnë kundër përpjekjeve të faktorit ndërkombëtarë dhe forcave demokratike të vendit, që Kosova t’i plotësojë kushtet për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj. Dihet se vetëm presioni i madh i faktorit ndërkombëtar bëri që të ,,pajtohen ’’të ashtuquajtuarat’’ partitë e dala nga lufta”, Kryeministri i Kosovës, dhe qeveria e Beogradit për të marrë pjesë në bisedimet teknike-ekipet profesionale të dy vendeve fqinje, Serbisë dhe Kosovës, për zgjidhjen e disa çështjeve me rëndësi për të dy vendet, njëra ndër të cilat është çështja e të zhdukurve, çështje kjo ndër më të ndjeshmet për kriminelët e Beogradit dhe për krerët e dy bishtave të PSSH-së: PDK-së dhe AAK-së.

Marrja në mënyrë serioze me këtë çështje, do të bënte të domosdoshme të jepen sqarime dhe fakte të pamohueshme nga burime të ndryshme, (siç është Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe shërbimet sekrete të shteteve të Evropës Perëndimore dhe të SHBA-së), për të gjithë të zhdukurit e luftës. Ndërsa kriminelët e luftës (urdhëruesit dhe dorasit e civilëve shqiptarë dhe jo shqiptarë), do të merrnin dënimin e merituar nga organet e drejtësisë së vendit apo atij ndërkombëtar (Hagës). Pra, këtu duhet lypur (në këtë çështje) njërin ndër dy shkaqet kryesore të ngjarjeve tragjike që ndodhën në Kosovë. Shkaku i dytë është i natyrës strategjike, që ka të bëjë me planet dhe skenarët serb për dështimin e faktorit ndërkombëtar në Kosovë dhe plotësimin e kushteve dhe rrethanave për ndarjen dhe copëtimin e saj.

Por, politika e gabuar e qendrave të vendosjes ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me shumë çështje jetike të popullit të Kosovës, siç janë: a) Mosangazhimi i faktorit ndërkombëtar për shkatërrimin e qendrës së krimit të organizuar politiko- ekonomik (që drejtohet nga SHIK-u i PDK-së dhe i AAK-së), edhe pse kanë njohuri dhe fakte të shumta për veprimtarinë e tij kriminale, ndërsa Serbia botërisht ka pranuar se spiunët e saj janë të kyçur në të gjitha subjektet politike dhe shtetërore të Kosovës (e pse të mos jenë spiunët e saj edhe në subjektet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë?!). b) Përkëdhelja e qeverisë serbe, në vend të presioneve të fuqishme për ta detyruar të bashkëpunojë me Gjyqin e Hagës, që të mos përzihet në punët e brendshme të Kosovës, të mos krijojë sistem paralel në Kosovë dhe të mos i përkrahë paramilitarët e Sheshelit dhe çetnikët e kryekasapit të Ballkanit, që po e tollovitin Kosovën së bashku me nanoistët mendjeshkurtër dhe kokëkrisur. c) Çështja e privatizimit dhe politika zhvillimore dhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me shumë afera të pista, ku në to morën pjesë së bashku vendas dhe ndërkombëtarë dhe kështu autoriteti i UNMIK-ut u njollos tepër rëndë. Pra, edhe këto dështime të faktorit ndërkombëtarë, ishin faktorë të rëndësishëm që ndikuan në realizimin e këtij skenari kundër-shqiptar, kundër-demokratik dhe kundër-perëndimor të sigurimit të fshehtë serb me filialet e tij në Tiranë (SHISH-in) dhe në Prishtinë(SHIK-un).

FORCAT DEMOKRATIKE TË KOSOVËS, NË TË ARDHSHMEN, TË MOS BIEN NË KURTHET E KRYEKUQALOSHËVE SHQIPTARË

Për njerëzit e mendjes, edhe ngjarjet që u paraprinë ngjarjeve të fundit tragjike të Kosovës, siç është ardhja e papritur e Nanosit në Prishtinë, protestat e ,,shoqatave të dala nga lufta’’ për lirimin e ,,çlirimtarëve’’ dhe ,,komandantëve’’ të UÇK-së që janë dënuar për krime të luftës, shpikja e problemeve ,,për karrige’’ nga kryepehlivanët e Nanosit në Parlamentiin e Koasovës, kishin të bënin me parapërgatitjet për këto ngjarje, që sipas llogarisë së mendjeshkurtërve të Kosovës do të sillnin ngadhënjimin e një varianti të ,,revolucionit’’ të llumproletariatit të Shqipërisë të vitit 1997 edhe në Kosovë.

Forcat demokratike të Kosovës dhe opinioni i gjerë, duhet të jenë syqelë, që në të ardhshmen të mos bien në kurthet e kryekuqaloshëve shqiptarë, që po i përgatisin me mjeshtri të përkryer. Fatkeqësisht, ca personalitete që kanë pasur autoritet dhe ndikim në LDK-në, kanë rënë në kurthet që ua përgatitën argatët e Nanosit. Kjo duhet të jetë mësim dhe përvojë e hidhur për ta dhe për të tjerët, që në të ardhshmen të konsultohen me të Zotin e Shtëpisë për çështjet e rëndësishme politike, para se të dalin në opinion.

Protestat e përgjakshme i sollën dëme të rënda Kosovës dhe çështjes shqiptare, e suksese politikes së Beogradit, prandaj bie barrë e rënd mbi veprimtarët dhe atdhetarët që gjenden në të gjitha subjektet politike dhe shtetërore të Kosovës, të ndërmarrin hapa të përbashkët në tejkalimin e vështirësive në të cilën është hedhur Kosova nga spiunët serbo-greko-rusë, që veprojnë pa pengesa në të gjitha subjektet politike dhe shtetërore të Kosovës, në dëm të popullit shqiptarë e në dobi të Beogradit, Athinës, Moskës dhe aleatëve të tyre tradicionalë.

Forcat demokratike të Kosovës dhe njerëzit që dinë të mendojnë dhe të logjikojnë, janë në hall të madh si të tejkalohet kjo gjendje e mjerë në të cilën gjendemi. Në këto kushte dhe rrethana ekzistuese, nuk është edhe lehtë të luftohet në të njëjtën kohë me shumë armiq të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Është detyrë parësore e LDK-së, t’i pastrojë radhët e veta, veçmas organet udhëheqëse nga karrieristë të sëmurë për pushtet, të korruptuarit, dhe argatët e fshehtë të pehlivanëve të Nanaosit. Çdo anëtar i LDK-së ka për detyrë që të veprojë në terren për synimet tona madhore, duke demaskuar politikën përçarëse dhe antikombëtare të pehlivanëve të Nanosit, që i kanë përvetësuar dy parti që veprojnë në Kosovë dhe diasporë, duke i kthyer anëtarësinë e tyre në robër të thjeshtë të politikës antikombëtare të Nanosit dhe PSSH-së – motrës së vogël të Partisë Socialiste të Serbisë. Në të ardhshmen, anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së, si dhe anëtarët dhe simpatizantët e partive tjera institucionale të Kosovës, nuk guxojnë të vazhdojnë me politikën e deritashme, që liderët e tyre politikë ta bëjnë fushatën zgjedhore, ndërsa ata vetëm të marrin pjesë në disa mitingje, ku liderët e tyre i shpallin objektivat partiake dhe kombëtare.

Dihet se edhe në PDK-në dhe AAK-në gjenden veprimtarë që kanë punuar në dobi të çështjes madhore kombëtare. Por, fatkeqësisht, zëri i tyre është shterur. Është momenti i fundit për t’u zgjuar nga gjumi i egjrës komuniste, që i ka trullosur dhe i ka bërë të pandjenja. Diferencimi në radhët e këtyre partive është më se i domosdoshëm. Po që se në këto dy parti nuk ka forca të shëndosha, që do të jenë të afta të organizohen për t’i larguar nga udhëheqja e tyre qendrore dhe lokale kryeperhlivanët dhe argatët e Nanosit dhe të Metës, individët që ia kanë bërë nga një argat çështjes së Kosovës, patjetër duhet të largohen nga ato parti, dhe botërisht të tregojnë shkakun e largimit të tyre. Përndryshe, edhe ata janë pjesëmarrës në veprimtarinë antikombëtare që po i bëjnë pehlivanët e Nanaosit dhe argatët e tyre.

Qendrat e vendosjes ndërkombëtare e kanë për detyrë ta ndërrojnë politikën e tyre të deritashme. Në radhë të parë, duhet bërë ndryshime në disa struktura të UNMIK-ut, ashtu siç duhet bërë ndryshime të mëdha në SHPK dhe TMK, e sidomos duhet të largohen ata persona që e keqpërdorën pushtetin në dobi interesave personale, duke punuar në dëm të forcave demokratike të Kosovës dhe në dëm të KFOR-it dhe UNMIK-ut, e në dobi të forcave destabilizuese të Ballkanit – çetnikëve të Beogradit dhe kuqaloshëve të Kosovës, që përms Nanosit janë të lidhura me Beogradin, Athinën dhe Moskën. Duhet ta kenë të qartë këto qendra se populli shqiptar nuk qëndron prapa forcave majtiste dhe prapa grupeve kriminele që i kanë krijuar ato forca në krye me Nanosin, në gjithë hapësirën tonë etnike. Prapa tyre është një grusht njerëzish të pa shpirt, se shpirtin ua falën djallit dhe kriminelëve, pasi që interesat momentale i bashkojnë me ta.

Opinioni ynë e ka të qartë se ishte Dan Everts ai që i favorizoi forcat staliniste në Shqipëri, si shpërblim që e kallën Shqipërinë, me paranë e Beogradit e të LPK-së dhe me bandat greke e rrugaçët shqiptarë e enveristë kosovarë në krye me Xh. Halitin dhe I. Kelmendin. I njëjti shtrigan i favorizoi edhe argatët e Nanosit në Kosovë pas lufte, duke e falsifikuar rezultatin e zgjedhjeve nacionale. Pra këto forca nuk e kanë përkrahjen e popullit shqiptarë, por ato erdhën në pushtet në Shqipëri me përkrahjen e Beogradit, Athinës, Moskës dhe enveristëve të ,,pa kokë’’ të Kosovës. Ndërsa argatët dhe robët e Nanosit dhe të Metës na u bënë udhëheqës të subjekte politike dhe shtetërore të Kosovës, me përkrahjen e Nanosit & Compani dhe UDB-së së Beogradit e të Tiranës, dhe mafisë së kuqe ndërkombëtare. qendrat e vendosjes ndërkombëtare po që se kanë vendosur ta ndihmojnë Kosovën pa hile dhe popullin e saj të shumëvuajtur, po që se sinqerisht duan ta ndihmojnë Gadishullin Ilirik dhe popujt e tij, duhet ta shikojnë të kaluarën e këtij Gadishulli. Nuk guxojnë t’i mbyllin sytë para një të vërtete të hidhur, se populli shqiptarë gjendet në këto kushte dhe rrethana të pa favorshme, mu nga shkaku se qendrat e vendosjes ndërkombëtare në të kaluarën, nuk e përkrahën luftën e drejtë të popullit tonë për liri dhe pavarësi, por e përkrahën politikën gllabëruese të Rusisë dhe fqinjëve tanë, për copëtimin e territoreve tona etnike. Pra, qendrat e vendosjes ndërkombëtare duhet t’i përmirësojnë gabimet e tyre, duke mos rënë në ndikimin e Beogradit, Athinës dhe Moskës, sepse vetëm në këtë mënyrë do të kenë sukses në evropianizimin e Gadishullit Ilirik.

Lufta kundër krimit të organizuar që po e shkreton Gadishullin Ilirik, duhet të jetë detyrë parësore e qendrave të vendosjes ndërkombëtare. Por, beteja e parë kundër kësaj të keqeje të shëmtuar njerëzore, duhet të fitohet në Kosovë nga forcat ndërkombëtare, e përkrahur pa rezerva nga subjektet politike, institucionet shtetërore dhe qytetarët e saj. Përndryshe, ,,Fuqia e barotit’’ do të jetë edhe më tutje bombë e kurdisur, jo vetëm kundër popujve të gadishullit Ilirik, por edhe kundër rendit demokratik të Evropës dhe, njëherësh, do të jetë njollë e zezë dhe plagë kanceri për tërë Evropën. Dështimi i luftës kundër krimit të organizuar në Kosovë do të ketë pasoja të rënda jo vetëm për Kosovën, Ballkanin dhe Evropën, por edhe për tërë njerëzimin, sepse do të trimërohen forcat destabilizuese evropiane dhe botërore për fillimin e aventurave të tjera antinjerëzore, dhe antidemokratike në gjithë botën, ku edhe Evropa nuk do të jetë e kursyer nga këto forca të llumit të shoqërisë njerëzore, nga këta djaj të pashpirt e të pazemër. Fitorja kundër krimit të organizuar në Kosovë do të sjellë fitore të tjera të njëpasnjëshme edhe në gjithë hapësirën e Evropës Juglindore. Pra, nuk ka dhe nuk duhet të ketë tolerancë dhe mëshirë ndaj kriminelëve qofshin ata serbë, shqiptarë, sllavë të Maqedonisë, grekë-grekofilë ose edhe të tjerë, pa marrë parasysh se çfarë pozite të rëndësishme partiake apo shtetërore kanë zënë, sepse të gjithë janë armiq të njerëzimit, në radhë të parë janë armiq të vetvetes, familjes dhe kombit të tyre.

Botuar në ,,Bota sot”, më 17.04 – 18.04 2004

Loading