MOS U DORËZO KOSOVË, SE E KE TË MADHIN ZOT QË DO TË MBROJË!

Po flitet, me të madhe po flitet, se Kosova u çlirua nga robëria serbo-jugosllave, por nuk po thuhet me plot gojën, edhe pse po dihet dhe po shihet prej së largu, se Kosova po vuan dhe po heq nga këlyshët e Serbisë dhe këlyshët e këlyshëve të Serbisë (nanoistët), më shumë sesa në kohën kur sundonte kryekasapi i Ballkanit!

Po flitet, me të madhe po flitet, se të gjitha subjektet politike ”shqiptare” janë për pavarësinë e Kosovës, edhe pse po shihet prej së largu se nuk është ashtu siç po flitet, kur kemi aq shumë fakte se kundër pavarësisë së saj po punojnë me të gjitha mjetet ”Apangat e Nanosit”, ”Rrogzinat e Miloshit” dhe ”Kukullat e Sorosit”.

Po flitet, shumë po flitet, se siguria e Kosovës është e mirë, edhe pse është e qartë se krimi i organizuar, i udhëhequr nga sigurimi i fshehtë i Beogradit dhe i Tiranës zyrtare, u forcua aq shumë në saje edhe të përkrahjes së pa rezervë të qarqeve të caktuara ndërkombëtare, që janë miq të Serbisë, dhe kështu në saje të asaj përkrahjeje, asnjë vrasje politike që u bë gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë nuk u zbulua nga policia e UNMIK-ut, nga forcat e KFOR-it dhe nga SHPK-ja, edhe pse po dihet se kryepehlivanët e Nanosit me SHIK – un e tyre po i bëjnë këto vrasje.

Po flitet, me të madhe po flitet, se mjetet e opinionit publik po kryejnë punë të madhe në informimin e drejtë të opinionit publik për ngjarjet e vendit dhe ato ndërkombëtare, edhe pse po shihet prej së largu se nuk është krejt ashtu, kur ka aq shumë fakte të pamohueshme se të gjitha gazetat ditore, përpos kombëtares ”Bota sot”, janë bërë zëdhënëse të kryepehlivanëve të Nanosit dhe të argatëve të Sorosit, për t’i shpifur kundërshtarët politikë të patronëve të tyre, për ta mbrojtur krimin e organizuar dhe kriminelët, që drejtohet prej bajraktarëve të farës ruse.

Po dihet, shumë mirë po dihet, nga miqtë dhe armiqtë e kombit tonë dhe nga populli ynë se kombëtarja ”Bota sot” është e vetmja gazetë në Kosovë, e cila me përkushtim e ka mbrojtur dhe po e mbron kombin shqiptar, Kosovën dhe popullin e saj, fjalën e lirë dhe drejtësinë. Gjithashtu dihet, shumë mirë dihet, se ”Bota sot” e ka luftuar dhe po e lufton qendrën e krimit të organizuar, kriminelët dhe përkrahësit e tyre. Po ashtu, shumë mirë po dihet (në bazë të fakteve të shumta) se miqtë e Serbisë, që kanë zënë pozita të rëndësishme në qendrat e vendosjes ndërkombëtare dhe në organet udhëheqëse të protektoratit ndërkombëtar të Kosovës, me të gjitha mënyrat dhe mjetet po i ndihmojnë plangprishësit e kombit shqiptar, duke i financuar gazetat e tyte lecka (pandla), që janë bërë zëdhënëse të qendrës së krimit të organizuar (SHIK-ut të PDK-së), por edhe përkrahës të politikës së tyre përçarëse dhe kundërshqiptare.

Po dihet, shumë mirë po dihet, se ”Bota sot” ka mbetur pa përkrahje institucionale, por, fatmirësisht, po e përkrahin lexuesit e saj të zgjuar, lexuesit e saj të rregullt, po e përkrah populli ynë liridashës dhe i urtë. Fatkeqësisht ”Bota sot” nuk gjeti përkrahje as prej atyre që është dashur të përkrahet, prej atyre që qendra e krimit pa të drejtë i rrëzoi për tokë, i shkeli, i shau dhe i shpifi me fjalët më të zeza. ”Bota sot” ”të dobëtit” i përkrahu me fakte, i ringjalli, iu dha forcë dhe moral, dhe kur u forcuan dhe u bënë faktorë të rëndësishëm politikë në Kosovë, në saje të punës vetëmohuese të stafit drejtues të ”Botës sot”, bashkëpunëtorëve, gazetarëve e në veçanti kryeredaktorit të saj, zotëri Skënder Buçpapaj, që e përcaktoi e mbajti dhe e drejtoi politikën e saj redaktuese, këto forca nuk ndërmorën asgjë për ta mbrojtur ”Botën sot”, stafin e saj dhe gazetarët, të cilët u shpifën, u kërcënuan u plagosën dhe u vranë.

Po flitet, me të madhe po flitet, se shoqëria Kosovare po demokratizohet, bile me mburrje është përdorur refreni i rrenës së kulluar se ”fushatat zgjedhore në Kosovë janë bërë shembull për gjithë rajonin’’.

Po çfarë fushate zgjedhore është bërë në Kosovë, kur ”forcat demokratike” edhe pse kishin fakte të mjaftueshme se Xh. Haliti, H. Thaçi. R. Selimi, J. Krasniqi, H. Hyseni, R. Qosja, B. Bukoshi, A. Demaçi e shumë të tjerë që u bënë vasalë dhe skllevër të F. Nanosit, jo vetëm që e penguan Luftën Çlirimtare të Kosovës, por e ndihmuan politiken e Miloshit për pastrimin etnik të Kosovës. Por, siç dihet, i Madhi Zot i bëri hi e pluhur planet e tyre, duke i detyruar fuqitë e mëdha të botës ta përdorin NATO-n për ta ndëshkuar lugatin e fundit të shekullit të 20 – të ashtu siç duhej.

Pra ”forcat djathtiste” me as një fjalë nuk iu treguan votuesve se cilët ishin ata që e penguan Luftën Çlirimtare të popullit tonë, edhe pse kishin fakte, nuk thanë në asnjë miting se kush vodhi dhe zuri pasuri të huaj dhe shoqërore, nuk treguan se kush rrahu, kush dhunoi e vrau njerëz të pafajshëm gjatë luftës dhe pas luftës, pra nuk e patën guximin qytetar ta thonë atë të vërtetë të hidhur, dhe kështu lejuan të trashet e të forcohet krimi i organizuar dhe kriminelët të zënë pozita udhëheqëse në subjekte politike dhe shtetërore të Kosovës.

Po flitet me të madhe se Kosova do ta fitojë pavarësinë, por nuk po mendohet thellë e mirë se çfarë dobie do të ketë populli i saj po që se në Kosovë edhe më tutje vepron qendra e krimit, po që se në Kosovë e marrin pushtetin apangat e Nanosit dhe rrogzinat e Sorosit. Kosova po përgjaket çdo ditë. Asaj po i vriten burrat e zgjedhur, të gjitha personalitetet e dalluara që nuk i përkisnin subjekteve të bajraktarëve të farës ruse. Po, u vranë dhe po vriten në pikë të ditës në ”Kosovën e çliruar”, veprimtarë të shquar (gazetarë, politikanë, ushtarakë, ushtarë) që nuk u bënë argatë të argatëve të Nanosit. Për çudi, krime kaq të rënda nuk u bënë as gjatë kohës së regjimit kriminel të Rankoviçit dhe as gjatë sundimit të kryekasapit të Ballkanit. Dhe, a nuk është për t’u habitur, që kjo gjendje pasigurie që e ka përfshirë Kosovën të vlerësohet si ”demokratizim i jetës politike” të vendit, apo ”siguria e vendit është stabile”, në vend se të thuhet troç e vërteta e hidhur, se Kosova po kalon periudhën më të vështirë që e ka pasur ndonjëherë më parë. Pse të mos thuhet e vërteta e plotë, çka na obligon Zoti i Madhëruar, se ish -”patriotët shqiptarë” që e patën bërë ”zot – njeri” Enverin dhe tash Nanosin, u bënë shumëfish më kriminelë dhe më zemërkatilë se ”Cërna ruka” serbe dhe paramilitarët e Sheshelit.

Sa çudi me këta politikanët e vendit dhe ata ndërkombëtarë, me ca përjashtime, që edhe pse krimi i organizuar po vepron haptas në Kosovë, edhe pse e kanë të qartë se kush po i bënë këto krime, i kanë mbyllur sytë, e nuk po e shohin, dhe është bërë zakon të thonë se ” e dënojmë dhunën”, ” e dënojmë krimin e organizuar”, se ”hetimet vazhdojnë”, por, në realitet, të gjitha ato që i thonë nuk janë të vërteta, por janë demagogji, janë gënjeshtra, se as nuk po e dënojnë krimin, as kriminelët, dhe nuk po bëjnë asgjë që t’i qesin para drejtësisë, edhe pse gazetari i ”Botës sot”, Bardhyl Ajeti, u ka dhënë aq shumë fakte dhe dëshmi organeve të ndjekjes dhe të drejtësisë të vendit dhe atyre ndërkombëtare, por ata nuk ndërmorën asgjë që t’i burgosin këta kriminelë katilë që e shëmtuan Kosovën dhe kombin shqiptar.

Përkundrazi, bajraktarët e farës së prishtë edhe me ndihmën e Serbisë, me të gjitha forcat u munduan t’ia japin ”nokdaun klasik” kombëtares ”Bota sot”. E filluan me shpifje shumë banale që vetëm koka e sëmurë skizofrene e kreut të ,,Kosovapres”-it, dhe e gazetarëve sahanlëpirës të gazetave ,,pandël” (leckë) të kryekuqaloshëve shqiptarë, kundër Skënder dhe Elida Buçpapaj, e vazhduan me kërcënime kundër stafit të ”Botës sot” dhe, në veçanti, kundër gazetarit dhe veprimtarit të shquar Bardhyl Ajetit, si ”vërejtje e parë” siç vepruan shumë herë më parë. Faza e dytë përfundoi me një ”gjobë dënimi”, por faktet tregojnë se ishte një ”gjobë” për ta shkatërruar përfundimisht kombëtaren ”Bota sot”. Sa çudi me disa prej ”kryedemokratëve ” që kanë ardhur në Kosovë të na ”mësojnë demokracinë”, por si nuk po skuqen dhe nuk po turpërohen, së paku prej ndërgjegjes së tyre, (a thua kanë një fije ndërgjegjeje) se ”vendimet e tyre” në as një mënyrë nuk mund të quhen demokratike, por vendime zhdanoviste.

Dhe, së fundi, si fazë të tretë, planprishësit e Kosovës, komplotistët e ”Botës sot”, ia marshin të ligat gazetës, i vraftë Zoti! I dhanë urdhër Qendrës së krimit ta vrasin Bardhyl Ajetin. E vranë kriminelët Bardhylin, por Fuqia e të Madhit Zot është mbi të gjitha fuqitë e kësaj bote. Zoti Fuqiplotë e shpëtoi nga vdekja Bardhylin. Ne si lexues të ”Botës sot” na takon ta falënderojmë dhe ta adhurojmë sinqerisht të Madhin Zot që na e shpëtoi Bardhylin, por edhe ta lusim që të na e shpëtojë Kosovën nga bajraktarët e farës ruse dhe aleatët e tyre, por ta lusim që të na e shkatërrojë bandën kriminele të Fatos Nanosit në Shqipëri dhe bandën kriminele të tij në Kosovë dhe në Maqedoni.

Kriminelët janë të humbur, përfundim i keq po i pret!

Botuar në ”Bota sot”, më 10 qershor 2005

Loading