DRENICA PA NDIHMËN E KOSOVËS, NUK MUND T’I LARGOJË NGA SHPINA BAJRAKTARËT E FARËS RUSE

Me falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nacionale të 17 nëntorit nga përfaqësues të qendrave të vendosjes ndërkombëtare, që janë miq të Serbisë dhe të Rusisë, Kosova edhe më tutje do të mbetet në kaosin politik, që e futën pehlivanët e Nanosit dhe argatët e tyre. Populli ynë edhe pse tregoi vetëdije të lartë politike dhe kombëtare, prapë se prapë do të shpifet nga armiqtë tanë shekullorë se ,,nuk ka aftësi shtetformuese’’, për shkakun e veprimtarisë destruktive dhe antikombëtare të bajraktarëve të farës ruse. Ndërsa mafia e kuqe ndërkombëtare, e udhëhequr nga sigurimet e fshehta ruse dhe serbe, që është futur në qendrat e vendosjes ndërkombëtare, do të pengojë procesin e pavarësisë së Kosovës me të gjitha mënyrat dhe forcimin e faktorit shqiptarë në Gadishullin Ilirik; këta mjeranë në vend se të pendohen për dëmet e mëdha që ia shkaktuan Republikës së Kosovës dhe çështjes madhore kombëtare, para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës, përkundrazi, ata po tregohen edhe më të egër dhe të pashpirt, pas falsifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nacionale të 17 nëntorit të këtij viti, kur kanë siguruar përkrahje në veprimtarinë e tyre antikombëtare nga qarqe të caktuara evropiane, që janë të dirigjuara nga aleatët e armiqve tanë shekullorë.

Manipulimi me rezultatet e zgjedhjeve nacionale nga ana e ,,kranes së xhehenemit’’, do t’i sjellë pengesa të mëdha forcave të shëndosha kombëtare, ndërsa bajraktarëve të farës ruse do t’ua mundësojë vazhdimin e veprimtarisë së deritashme destruktive dhe antishqiptare. Sigurisht, organet shtetërore që do të dalin nga këto zgjedhje, do të pengohen nga bajraktarët e farës ruse dhe argatët e tyre me të gjitha mënyrat, me qëllim që LDK-ja të mos ketë mundësi t’i realizojë zotimet që i ka marrë para elektoratit të saj dhe para popullit të Kosovës.

Se manipulimi i zgjedhjeve nga ,,kranja e xhehnemit’’ është bërë me qëllim që të pengohet procesi i pavarësisë së Kosovës, tregojnë shumë fakte, që janë të njohura nga opinioni ynë, por duhet cekur një fakt që dëshmon se me falsifikimin e zgjedhjeve nacionale të Kosovës, qarqet e caktuara antishqiptare kanë krijuar një anomali që po i diskrediton para opinionit tonë dhe atij ndërkombëtar, kur me mjete alkimiste po mundohen të krijojnë një sistem qeverisës, unik në botë, ku do të qeverisin së bashku forcat kolonialiste serbe, forcat demokratike shqiptare dhe forcat staliniste, të ndihmuar nga spiunët serbo–sllavo-grekë. Pra, alkimistët evropian do të krijojnë në Kosovë ,,institucione demokratike’’ nga forca kundërshtare, që kanë qëllime dhe interesa të kundërta me njëra-tjetrën, për të qeverisur së bashku, pa pasur kurrfarë opozite për ta kontrolluar qeverisjen e tyre. Shtrohet pyetja se pse atëherë faktori ndërkombëtar organizoi zgjedhjet nacionale në Kosovë, kur dihet se funksioni i zgjedhjeve demokratike, në rend të parë, është për të caktuar pozitën dhe opozitën e një shoqërie, që i njeh rregullat demokratike të sistemit të qeverisjes shtetërore.

Nuk ka dyshim se Kosova edhe për një kohë të gjatë do të përmeqatet në agoninë politike që e futën pehlivanët e Nanosit dhe bajraktarët e farës ruse, dhe se nga këto zgjedhje ,,të lira’’ dhe ,,demokratike’’, Kosova nuk do të krijojë institucione demokratike, dhe as nuk do të arrijë pavarësinë e saj, por është e sigurt se pehlivanët e Nanosit, bajraktarët e farës ruse dhe argatët e tyre, edhe më tutje do të futen në shamakun e tradhtisë kombëtare. Si rrjedhojë e gjithë kësaj, forcat e shëndosha kombëtare do të vetëdijesohen se për të arritur synimet madhore kombëtare, duhet punuar edhe më tepër, duhet ndërruar shumëçka në veprimtarinë e tyre të deritashme.

Forcat e shëndosha kombëtare janë vënë në një pozitë të vështirë nga presioni i vazhdueshëm i disa qendrave të vendosjes ndërkombëtare, të cilat po kërkojnë nga LDK-ja që, ,,me vetëdëshirë’’, t’ua falin bajraktarëve të farës ruse udhëheqjen e katër ministrive dhe postin e kryeministrit dhe të kryetarit të Parlamentit të Kosovës. LDK-ja nuk do ta ketë lehtë për t’i neutralizuar të gjitha rëniet e papastra dhe pas shpine të bajraktarëve të farës ruse, që janë vënë në krye të PDK-së dhe të AAK-së, të këtyre dy bishtave të Partisë Socialiste të Shqipërisë, po që se në krye të organeve shtetërore nuk do t’i vejë veprimtarët e saj më të shquar, që kanë dije, guxim, trimëri, energji, vullnet dhe kredibilitet për t’i demaskuar dhe për t’i luftuar deri në fitore bartësit e dukurive negative që po e shëmtojnë Kosovën. Rezultatet e zgjedhjeve nacionale të 17 nëntorit të 2001 (edhe pse të falsifikuara, në dobi të bajraktarëve të farës ruse), ia siguruan LDK-së tri vende udhëheqëse të organeve shtetërore që do të krijohen pas themelimit të Parlamentit të Kosovës, siç janë: Kryetari i Kosovës, Kryeministri i Qeverisë së Kosovës dhe Kryetari i Parlamentit të Kosovës. Zgjedhja e Ibrahim Rugovës për kryetar të Kosovës, do të jetë një fitore e rëndësishme për Kosovën dhe një fitore e madhe për forcat demokratike shqiptare. Të njëjtën rëndësi do të ketë edhe zgjedhja e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës dhe të Kryetarit të Parlamentit të Kosovës.

Këto ditë opinioni ynë po merret me çështjen e konstituimit të Parlamentit, të Qeverisë dhe të Presidencës së Kosovës. Po bëhen analiza të ndryshme dhe po jepen propozime të llojllojshme, por në opinionin tonë të gjerë ka bërë përshtypje të mirë propozimi i qëlluar dhe me vend i Bajrush Morinës, që për Kryeministër të Qeverisë së Kosovës të zgjidhet Fadil Geci. Bajrush Morina i numëron disa nga arsyet kryesore që e shtynë të bëjë këtë propozim, në mesin e të cilave janë : trashëgimia e pasur familjare për mbrojtjen e interesave kombëtare, që u përcoll brez pas brezi deri në ditët e sotme, kur, siç dihet, shtatë vëllezërit Geci me përkushtim luftuan në të gjitha frontet e luftës gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit të 20-të (paqësore dhe luftarake), periudhë që sollën çlirimin e Kosovës. Ndoshta nuk do të bëhet e tepërt nëse do t’i përmendja edhe disa faktorë që shkojnë në të mirë të zgjedhjes së Fadil Gecit për Kryeministër të Qeverisë së Kosovës.

Siç dihet, pehlivanët e Nanosit janë duke manipuluar në Drenicë dhe gjetiu me faktin se Drenica, edhe pse ka qenë në ballë të kryengritjeve shqiptare për realizimin e synimeve tona kombëtare, ’’në pushtet nuk kanë ardhur njerëzit e saj’’. Ky fakt po shfrytëzohet për qëllime karrieriste dhe destruktive, edhe pse dihet se strukturën udhëheqëse të Kosovës, sa ishte në robërinë e sero-jugosllavëve, e ka caktuar Beogradi dhe jo forcat kryengritëse shqiptare. Prandaj, zgjedhja e Fadil Gecit për Kryeministër të Qeverisë së Kosovës do t’ua digjte ,,kartën” më të rëndësishme argatëve të pehlivanëve të Nanosit, që po i manipulojnë drenicasit dhe një pjesë të vogël të popullsisë së Kosovës me të pavërteta dhe gjysmë të vërteta.

Po që se argatët e pehlivanëve të Nanosit kundërshtojnë kandidaturën e Fadil Gecit për Kryeministër të Qeverisë së Kosovës, ata do të vetë demaskohen para drenicasve dhe elektoratit të tyre, se nuk luftojnë për interesin e Drenicës, të Kosovës dhe të çështjeve madhore kombëtare, siç po përbehen në çdo takim dhe bisedë që kanë, por po luftojnë për interesa klanore dhe individuale, siç treguan deri tash.

Po që se argatët e pehlivanëve të Nanosit detyrohen ta përkrahin kandidaturën e Fadil Gecit për Kryeministër, atëherë Drenica dhe Kosova do të fitojnë së bashku, pasi që në krye të një institucioni të rëndësishëm shtetëror do të vijë një personalitet, që ka dije, aftësi dhe kredibilitet për ta kryer si duhet, me nder dhe përgjegjësi atë detyrë, që do të shkonte vetëm në dobi të interesave tona kombëtare.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se Kosovës po i përgatitet një skenar i rrezikshëm nga Serbia dhe qarqe të caktuara evropiane, që janë aleatë të Beogradit, Moskës dhe Athinës, për ta anashkaluar faktorin shqiptarë të Kosovës, qëllimi i të cilëve është mbetja e shqiptarëve për një kohë të gjatë nën dominimin e çakajve të Ballkanit.

Tash për tash, shqiptarët, me këtë organizim që kanë dhe me këtë klasë politike (një pjesë e saj) që është vetëzgjedhur në krye të subjekteve politike shqiptare, nuk janë në gjendje t’i luftojnë dhe t’i bëjnë të pavlefshëm skenarët dhe planet serbo–ruso-greke, të përkrahur nga aleatët e tyre të shumtë, që janë vënë kundër interesave tona kombëtare.

Duhet shpresuar se në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe nacionale të Kosovës, forcat e shëndosha kombëtare do të jenë më të organizuara, ndërsa forcat e errëta antikombërtare do të marrin dënimin e merituar për dëmet që ia sollën Kosovës dhe çështjes madhore kombëtare, dhe kështu do të krijohen kushtet dhe rrethanat për pavarësimin e Kosovës dhe realizimin e synimeve tona kombëtare.

Botuar në ,,Bota sot”, më 11 dhjetor 2001

Loading