PËRPJEKJET E HASHIM THAÇIT PËR FALSIFIKIMIN E NGJARJEVE HISTORIKE DO TË DËSHTOJNË

Më në fund, pas dhjetëra vetëvrasjeve të ushtarëve të UÇK-së, për shkak të moskujdesit institucional të Qeverisë Thaçi 1 dhe 2, që i katandisi në varfëri të skajshme, pas shumë kërkesave, protestave, grevave të urisë, të kërcënimeve me vetëvrasje kolektive, të shoqatave të ushtarëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, i piku ,,rahmeti’’! Sigurisht që ishte në pyetje ,,rahmeti’’ i fushatës parazgjedhore, që e detyroi ta dërgojë Projektligjin për veteranët e Luftës në Parlamentin e Republikës së Kosovës për miratim.

Me reagimin e shoqatave të UÇK-së të dala nga lufta, si dhe reagimin e deputetëve të LDK-së, u vërtetua se Projektligji i propozuar nga Qeveria Thaçi 2, është një ligj ,,sakat’’, i cili nuk është gjithëpërfshirës, pasi që sipas shoqatave të UÇK-së, i ka lënë pas dore një pjesë të pjesëtarëve të TMK-së. Por Thaçi me mësuesit e tij kanë bërë një vepër të shëmtuar, me përjashtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK-ut) nga ai Projektligj. Ky ligj edhe pse ishte i papranueshëm dhe gjysmak, në parim u miratua nga deputetët e LDK-së, në seancën e Parlamentit para dhjet ditësh, duke qenë të bindur se në seancën e tjetër, kur të shqyrtohet përsëri Projektligji, do të përmirësohet, duke i përfshirë në at ligj edhe ushtarët dhe ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FARK-ut.

Në seancën e Parlamentit, të dt. 27 mars 2014, kërkesa e deputetëve të LDK-së që të plotësohet projektligji edhe me dy amandamente, nëpërmjet të cilave do të barazohet para ligjit Ministria e Mbrojtjes dhe FARK-u me UÇK-në e komanduar nga Shtabi i Xhavit Halitit dhe Drejtoria e Hashim Thaçit, nuk u morën parasysh nga grupet parlamentare të pozitës dhe të opozitës. Fatkeqësisht, kërkesa e deputetëve të LDK-së nuk u mur parasysh dhe u kundërshtua me plot demagogji nga Hashim Thaçi, me arsyetimin se ai ishte ,,pajtuar me Bujar Bukoshin që krejt ushtarët të luftojnë me emblemën e UÇK-së’’.

Me këtë deklaratë Thaçi e bëri një falsifikim flagrant, pasi që nuk është e vërtet se njësitë e FARK-ut dhe njësitë e UÇK-së të Xhavit Halitit, kanë pasur një komandë të përbashkët, edhe pse e kanë pasur të njëjtën uniformë dhe të njëjtën emblemë. Po ashtu Thaçi me atë deklaratë e ka lëshuar një rrenë për hava, pasi që nuk është e vërtetë se ai me Bukoshin janë marr vesh që të dy subjektet ushtarake, UÇK-ja dhe Ministria e Mbrojtjes dhe FARK-u, ta mbajnë të njëjtën emblemë, emblemën e UÇK-së.

Sa i përket komploteve sekrete të Bukoshit dhe Thaçit që i kanë bërë kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Presidentit Rugova, është çështje shumë e rëndësishme që, me siguri, një ditë do të japin përgjegjësi para organeve të drejtësisë, kur Republika e Kosovës të bëhet shtet ligjor. Por, për çështjen e përdorimit të emblemës së UÇK-së dhe të çështjeve tjera që kishin të bënin me bashkimin e të gjitha grupeve dhe subjekteve ushtarake në një subjekt të vetëm ushtarak, kanë diskutuar dhe janë marrë vesh delegacioni i UÇK-së, i kryesuar nga Adem Demaçi, me anëtarët: Xhavit Hliti, Fatmir Zymeraj dhe Shaban Muja, dhe delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes, në përbërje të Ahmet Krasniqit dhe Agim Mehmetit, në Oslo, më 21-23 maj të vitit 1998. Siç është e ditur, në ditën e fundit të atij takimi, dy delegacionet janë pajtuar dhe janë marr vesh për këto çështje:

1. Dy subjektet ushtarake, UÇK-ja dhe Ministria e Mbrojtjes, bashkohen në një subjekt të përbashkët ushtarak, i cili do të quhet: ,,Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK)”.

2. Marrëveshja i njeh formacionet ushtarake që vepronin në Kosovë, bashkë me komandantët e tyre, si dhe me emrin me të cilin qenë zyrtarizuar në opinionin publik.

3. Subjektin e përbashkët ushtarak ,,Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës’’, do ta përbëjnë këto njësi:

a. Njësitë operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK);

b. Njësitë e Mbrojtja Territoriale;

c. Njësitë e Aviacioni Luftarak;

ç. Njësitë e Ministrisë së Brendshme.

Ky subjekt ushtarak do të udhëhiqet nga Shtabi i Përgjithshëm, i përbë nga përfaqësuesit e subjekteve ushtarake që janë bashkuar në FARK. Një pjesë e këtij Shtabi do të vepronte në Shqipëri dhe pjesa tjetër në Kosovë.

5. Njësitë ekzistuese që vepronin në Kosovë do të riorganizohen dhe do të forcoheshin me kuadro ushtarake profesionale, me qëllim të funksionimit të komandës hierarkike dhe të disiplinës ushtarake moderne.

6. Kuadri i deritashëm udhëheqës i njësive të UÇK-së, do të gradohet me grada ushtarake sipas kritereve të përgjithshme ushtarake dhe propozimeve konkrete në çdo njësi ushtarake veç e veç.

7. Ndalohej politizimi i ushtrisë.

8. Komunikatat e UÇK-së nuk do të dalin në opinion pa u korrigjuar nga komandanti i SHP të FARK-ut, kolonel Ahmet Krasniqi.

9. Opinioni nuk do të njoftohet për bashkimin e dy subjekteve ushtarake, Ministrisë së Mbrojtjes dhe UÇK-së në FARK, për shkaqe strategjike dhe diplomatike, përderisa ushtria të forcohet në atë nivel që të ishte në gjendje të kryente aksione operative, që do ta ngrinin nivelin e luftimeve nga mbrojtja në mësymje, nga lufta guerile në luftë frontale.

10. Do të funksiononin dy fondet ekzistuese, Fondi i Qeverisë së Kosovës dhe Fondi Vendlindja Thërret.

11. Të gjitha mjetet e grumbulluara në dy fondet ekzistuese, do të përdoren për forcimin dhe modernizimin e njësive çlirimtare të FARK-ut.

12. Adem Demaçi mori për detyrë që të konsultohej dhe të ia afronte detyrën e komandantit të Njësive të Mbrojtjes Territoriale të Kosovës, ushtarakut madhor Ramadan Qehaja, dhe po që se ai e pranon detyrën, Demaçi do ta lajmëronte Ahmet Krasniqin.

Për sukseset dhe pengesat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FARK-ut në Shqipëri, është i njohur opinioni i gjerë. Meqë u njoftuan lexuesit e painformuar me përmbajtjen e Marrëveshjes së Oslos, na lejohet ta bëjmë këtë pyetje: Kush do të humbte dhe kush do të fitonte po të ishte realizuar ajo Marrëveshje? Ishte forcuar apo ishte dobësuar lufta jonë çlirimtare?! Përgjigjja dihet, por fatkeqësisht karrieristët e sëmurë për pushtet të LBDK-së dhe të pararojës staliniste të LPK-së, në krye me Xhavit Halitin, Azem Sylen, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Ibrahim Kelmendin & Compani, së bashku me SHIK-un e Xhavit Halitit, SHIK-un e Shqipërisë dhe miqtë e Milosheviqit, Fatos Nano & Compani, nuk lejuan bashkimin e faktorit ushtarak dhe politik të Republikës së Kosovës, sepse dëmtoheshin interesat serbo-sllavo-greke në Gadishullin Ilirik. Por, në këtë të ligë që i përgatitej popullit të Kosovës dhe kombit shqiptarë, agjenturat serbo-sllavo greke iu garantuan pozita udhëheqëse po sa ta eliminonin nga skena politike Ibrahim Rugovën, keqbërësve të LBDK-së dhe stalinistëve të LPK-së, dhe për atë shkak tehu i lufta së tyre ishte i drejtuar kundër LDK-së dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës në krye me Presidentin Ibrahim Rugova, e kurrsesi kundër Serbisë.

Rrjedhat e ngjarjeve që pasuan pas arritjes së Marrëveshjes së Oslos, qitën në shesh se nuk ishte Adem Demaçi ,,shefi” i UÇK-së, siç mendonte dhe besonte Ahmet Krasniqi, por ishte Xhavit Haliti, ai që manipulonte me te, të cilit ia kishte vënë kumonat në qafë! A thua me shantazhe apo me vetëdëshirë?! Por, Xhavit Haliti dhe argatët e tij me takimin e Oslos, edhe pse luajtën rolin e luftëtarëve të bashkimit të forcave ushtarake në një subjekt të vetëm ushtarak, nuk e kishin aty hallin, por kishin tjera qëllime; në radhë të parë, përvetësimin e Fondit të Qeverisë së Kosovës, së dyti, duke i angazhuar ushtarakët e Republikës së Kosovës nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës në Tiranë, ata e kishin më lehtë për t’i pasur në mbikëqyrje të vazhdueshme, për të mos lejuar hyrjen e tyre në Kosovë. Me siguri, atyre u kishte rënë në vesh plani rezervë i Ahmet Krasniqit, nga kolegët e tij, i cili planifikonte që në rast të mos arritjes së bashkimit të faktorit ushtarak, ai do të hynte në Kosovë me të gjithë ushtarakët që i përkisnin Ministrisë së Mbrojtjes, në mënyrë legale apo ilegale. Për atë qëllim ai kishte bërë marrëveshje me një shtet ballkanik, që ta furnizonte Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës me dokumente udhëtimi përushtarakët e saj që nuk kishin pasaporta.

SHIK-U KISHTE DËRGUAR OFICERË USHTARAKË TË BOJKOTONIN MINISTRINË E MBROJTJES DHE FARK-UN

Pra, Marrëveshja e Oslos nuk ishte asgjë tjetër, përpos një kurth i Xh. Halitit dhe mësuesve të tij sekretë, qëllimi i të cilëve ishte që Ahmet Krasniqin dhe oficerët e karrierës, të mos e realizojnë planin rezervë të shkuarjes së tyre në Kosovë në mënyrë të organizuar për t’i formuar njësitë e tyre në vendbanimet e eprorëve ushtarakë, ku ata kishin autoritet dhe besimin nga bashkëvendësit e tyre.

Është e vërtetë se Marrëveshja e Oslos ia mundësoi Ahmet Krasniqit të krijonte pjesën e SHP të FARK-ut në Tiranë dhe krijimin e qendrave për stërvitjes dhe aftësimit e kuadrit komandues dhe ushtarëve për të hyrë në frontin e luftës në Kosovë, por për këtë nuk mërzitej fare Xhavit Haliti dhe as Azem Syla & Compani, pasi që ai dhe bashkëpunëtorët e tij ishin në mbikëqyrjen e SHIK-ut dhe të njerëzve të tij me grada ushtarake që ishin dërguar te Ahmet Krasniqi nga Xh. Haliti, I. Kelmendi dhe H. Hyseni, me detyra speciale për ta vëzhguar dhe për ta penguar me të gjitha mënyrat Ahmet Krasniqin dhe SHP të FARK-ut. Por, Ahmet Krasniqi dhe bërthama e shëndoshë rreth tij, që nuk pranuan të hanë me shumë lugë, dhe të kenë shumë fytyra, që punuan me përkushtim për bashkimin e subjekteve politike dhe ushtarake të Kosovës, që nuk i mohonin institucionet shtetërore dhe as punën e tyre, që punonin pa hile për ta forcuar faktorin ushtarak, që punuan me përkushtim për Kosovë dhe për shqiptari, edhe në ato kushte dhe rrethana shumë të vështira që vepronin në Shqipëri, para syve të spiunëve serbo-jugosllav, dhe para spiunëve të SHIK-ut të Xhavit Halitit dhe SHIK-ut të Tiranës, që ishin filial i Sigurimit serbo-jugosllav, në saje të aftësive dhe vullnetit të tyre të pathyeshëm, kryen shumë punë të rëndësishme, që më vonë do të sillnin sukseset e para të UÇK-së në frontin e luftës, në disa beteja që patën rëndësi të madhe ushtarake dhe kombëtare për shqiptarët.

Formimi i pikës për grumbullimin e armatimit në Tropojë dhe i qendrave stërvitore në Viçidol dhe në Papaj nga Salih Çeku dhe Zenun Idrizi, që e përfaqësonin Grupin ushtarak të Deçanit në FARK, ishte një fitore e rëndësishme e Pjesës së SHP të FARK-ut në Tiranë, pasi që në ato qendra u aftësuan ushtarakët dhe ushtarët e parë të brigadave operative të UÇK-së, Brigadat 134, 131, 133 që hynë në Kosovë për kryerjen e aksioneve operative në mënyrë të organizuar. Hynë në Kosovë si Ushtri e rregullt e Republikës së Kosovës, qysh parashihte Marrëveshja e Oslos. Po në ato qendra stërvitore u përgatitën ushtarakët dhe ushtarët e FARK-ut, për ta thyer kufirin që i ndau në dysh shqiptarët. Ushtarakët dhe ushtarët trima të FARK-ut, në komandën e Agim Ramadanit, Salih Çekut, Anton Çunit, Rrustem Berishës e të tjerëve, me thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, që ia vunë shqiptarëve padrejtësisht dhe me dhunë çakejtë e Ballkanit me ndihmën e Rusisë dhe aleatëve të saj, e pasuruan historinë tonë kombëtare edhe me një betejë të rëndësishme, me një epope, me një fitore të shkëlqyer, që do ta njohë historia si Beteja e Koshares.

Beteja e Koshares do të ketë rëndësi historike për shqiptarët, ashtu sikur që pati rëndësi historike rrëzimi i Murit të Berlinit për gjermanët. Ushtarakët që i zgjodhi Ahmet Krasniqi për kryerjen e aksioneve të para operative në Kosovë, arritën shumë suksese, por do t’i veçoja vetëm dy prej tyre. Beteja e Loxhës, e udhëhequr nga komandant Tahir Zemaj dhe Beteja e Koshares, në udhëheqjen e Agim Ramadanit, Salih Çekut, Anton Çunit, Rrustem Berishës etj., dëshmojnë se po të mos ishte shkelur Marrëveshja e Oslos nga Xh. Haliti dhe argatët e tij, Kosova do të çlirohej nga FARK-u, në saje të dijës së ushtarakëve tanë për ta udhëhequr luftën, dhe punës së pakursyer të bashkëkombësve, ashtu siç e parashihte kolonel Ahmet Krasniqi në një shkrim-analizë të situatës ushtarake në Republikën e Kosovës, që ua pati dërguar Bujar Bukoshit, Ibrahim Rugovës dhe Sali Berishës në janar të vitit 1997. Nëpërmjet atij shkrimi, Ahmet Krasniqi ua bëri me dije këtyre personaliteteve, në veçanti Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshit, që ishte e domosdoshme të formoheshin Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, për të arritur synimet e larta kombëtare që i parashihte Kushtetuta e Kaçanikut.

Opinioni ynë ka mësuar për sukseset e këtyre brigadave në Betejën e Logjës, Betejën e Llukës, betejën për shpëtimin e popullsisë civile nga masakrat serbe dhe për beteja të tjera. Por, suksesi më i madh i kryekomandantit të këtyre brigadave, Tahir Zemës, komandant Ramush Haradinajt, Komandës së Rrafshit të Dukagjinit, ushtarakëve, komandantëve të brigadave dhe kuadrit komandues të 72 shtabeve lokale-fshatrash, ishte formimi i Shtabit të Zonës së Tretë Operative të Rrafshit të Dukagjinit, i cili pati një rëndësi të madhe politike dhe ushtarake, pasi që edhe praktikisht u vu në veprim Marrëveshja e Oslos. Shtabi i Zonës së Tretë Operative të Rrafshit të Dukagjinit ishte organi i vetëm komandues i të gjitha njësive operative të UÇK-së dhe i njësive të Mbrojtjes Territoriale në atë zonë, ashtu siç e parashihte ideatori i Marrëveshjes së Oslos, kolonel Ahmet Krasniqi. Ai Shtab u formua nga oficerët e njësive operative të UÇK-së, brigadave 134, 131, 133, dhe të njësive Territoriale të UÇK-së që i komandonte Ramush Haradinaj.

Siç dihet, nga komandanti i SHP të FARK-ut, kolonel Ahmet Krasniqi, u caktua komandant shtabi ushtaraku madhor Tahir Zemaj, ndërsa Ramush Hajradinaj u caktua zëvendëskomandant i Shtabit, kryeshef i Shtabit Operativ u caktua Nazif Ramabaja, ndihmës i Komandantit për Zbulim dhe Kundërzbulim u caktua Ismet Ibishi, ndihmës i komandantit për siguri Idriz Elezaj, ndihmës i Komandantit për logjistikë Rrustem Tetaj, ndihmës i komandantit për mbrojtjen territoriale Shemsedin Çeku, ndihmës i komandantit për moral Faton Mehmetaj etj.

Fatkeqësisht, Shtabi i Zonës së Tretë Operative të Rrafshit të Dukagjinit, i krijuar më 20/21 gusht 1998, nuk pati jetë të gjatë, pasi në fillim të shtatorit e shkatërruan argatët e Xhavit Halitit, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Bislim Zyrapi etj. Edhe Ramush Haradinaj ndihmoi në shkatërrimin e atij Shtabi, pasi i përkrahu ndryshimet e propozuara nga anëtarë të SHP të UÇK-së që, sipas tyre, Ramush Haradinaj duhej të ishte komandant i Zonës së Tretë Operative të Rrafshit të Dukagjinit në vend të Tahir Zemës, dhe ndryshimet tjera ku ndërroheshin ushtarakët e karrierës me persona që nuk kishin njohuri elementare nga arti ushtarak. Po sikur ta kishte mbajtur fjalën Ramush Haradinaj, se edhe ,,si ushtar i thjesht do të pranoj të jem në komandën e Tahir Zemës”, që e pati dhënë kur u formua Shtabi i ZO të Rrafshit të Dukagjinit, Xhavit Haliti me argatët e tij nuk do të kishin mundësi ta shkatërronin Shtabin, dhe atëherë Zona e Tretë Operative e Rrafshit të Dukagjinit do të luante një rol me rëndësi në institucionalizimin e UÇK-së, dhe në bashkimin e faktorit ushtarak dhe politik të Republikës së Kosovës, siç e parashihte Marrëveshja e Oslos.

Hashim Thaçi në vend se të reflektojë për dëmet e mëdha që ia solli Kosovës dhe kombit shqiptarë me veprimtarinë e tij dhe mësuesve të tij, më përçarëse që bënë para luftës dhe gjatë luftës, duke mos lejuar bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Republikës së Kosovës, me çka tërthorazi e ndihmuan realizimin e synimeve të Miloshoviqit për pastrimin etnik të Kosovës. Së paku tani, është dashur të mbledh mend për të ligat e panumërta që ia solli Kosovës dhe qytetarëve të saj edhe pas lufte, duke bërë përpjekja me shembuj konkret, për t’i bindur qytetarët e Kosovës se është penduar për të kaluarën e tij të errtë. Përpjekja e tij për falsifikimin e ngjarjeve dhe fakteve historike, duke bërë diferencime edhe me veteranët e luftës, për ta mohuar kontributin e ushtarëve dhe kuadrit komandues të njësive operative të UÇK-së, që i njihnin institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, në krye me Komandantin Suprem të FARK-ut , Presidentin Ibrahim Rugova, është një vepër e dënueshme, e shëmtuar dhe e parealizuar.

Më në fund, po që se Thaçi arrin të realizojë dënimin e veteranëve të luftës që i përkisnin FARK-ut, (se falsifikimi është i parealizueshëm) duke e shfrytëzuar votën e shumicës së deputetëve të Parlamentit të Kosovës, është një shenjë e keqe se shqiptarët dhe lidershipi i tij nuk kanë mbledhur fare mend nga dështimet e njëpasnjëshme, nga zullumet dhe krimet e shumta të keqbërësve shqipfolës të Kosovës.

Kriminelët janë të humbur! Përfundim i keq po i pret!

Botuar në ,,Bota sot’’, më 1-2 prill 2014

Loading