PUSHTETARË, MOS LUANI ME FATET E KOMBIT DHE TË ATDHEUT

Kush nuk e ka ende të qartë se klasa politike e Kosovës, Qeveria dhe Presidenti i saj kanë rënë në provimin e jetës më shumë se një herë. Veçmas, çoroditja e tyre në këto momente tragjike që po përjeton populli ynë, vërteton më së miri papërgjegjësinë, joseriozitetin dhe mjerimin e tyre shpirtëror. Kur opinioni ynë, personalitete e politikanë të qendrave të vendosjes dhe miq e dashamirë të popullit tonë u bënin thirrje kryepartiakëve dhe pushtetarëve të Kosovës t`i bashkojnë forcat, veprimet dhe qëndrimet për të dalë me një zë para faktorit ndërkombëtar dhe atij serb për çështjen e Kosovës, ata na i zgjatën veshët, duke pritur se kur do të dalin me ” Qeverinë e Shpëtimit Kombëtar “. Kur njëra palë donte të formohej Qeveria, tjetra palë donte të formohej ” Këshilli Kombëtar “. Kur të Rugovës donin formimin e një Qeverie të përbashkët ata të Qosjes nuk pranonin. Kur ata të Qosjes u pajtuan të vazhdojnë bisedimet (në pakufi) për të marrë pjesë në Qeveri, ata të Rugovës formuan Grupin Negociues, që do të bisedonte me palën serbe dhe kështu, po vazhdohet politika dështuese tetëvjeçare “dikush thumbit, dikush patkoit”. Derisa çetnikët e Beogradit në fushatën e fundit kundër Kosovës, masakrojnë gra, fëmijë pleq e njerëz të pa armatosur dhe me topat dhe aviacionin e tyre po hedhin hekur e zjarr mbi vendbanimet shqiptare të Drenicës dhe të Dukagjinit, duke i kthyer në gërmadha fshatra dhe qytete të tëra, duke na sjellë vaj, lot, vuajtje, mjerim dhe varre, klasa politike dhe shtetarët e Kosovës ende nuk po vetëdijësohen për përgjegjësinë e madhe kombëtare dhe historike që kanë në këto momente dramatike dhe vendimtare për kombin tonë. ” Subjektet ” dhe ” pushtetarët ” tanë e kanë humbur busullën e jetës. Zemrat e tyre guri, nuk ndiejnë për vajin e fëmijëve dhe nënave të strukur nëpër gërmadha të shtëpive e në male, pa ushqim, pa veshmbathje, pa kujdesin e askujt e të trishtuar nga thika e çetnikve gjakatarë. Ata nuk dëgjojnë as gjamën e të plagosurëve dhe të sëmurëve për ilaçe dhe për kujdesin mjekësor. Zemra e tyre hekur është e pandishme ndaj lotëve dhe mallkimit të nënës për fëmijën e masakruar, për djalin e rrëmbyer. ” Subjekte ” e ” pushtetarë ” shqiptarë të Kosovës ejani në veti sa më parë! Lerini anash ngatërresat e përçarjet e vjetra dhe mos na krijoni përçarje, ngatërresa dhe pengesa të reja! Dëgjoni zërin e arsyes, zërin e popullit! Mos shkelni gjakun e derdhur rrëke të dëshmorëve dhe heronjve tanë! Mos luani me fatet e kombit dhe të atdheut! Lerini inatet, xhelozitë dhe marrëzitë e tjera që i bëni për interesa personale dhe partiake! Mos punoni për hesape të armiqve tanë se turpi i botës do të bjerë mbi ju, e do t`u varrosë për së gjalli me faqe të zezë.

Botuar: në ” Rimëkëmbja “më 1 shtator 1998 dhe në ” Bota sot ” në shtator 1998

Loading