PSE PO PENGOHET FORMIMI I QEVERISË SË KOSOVËS

Një popull i lashtë e fisnik, siç është ky yni, trim, krenar e zemërgjërë, që i Madhi Zot ia dhuroi Viset më të bukura dhe më të pasura të kontinentit të Evropës, nuk e pati lehtë t’iu përballonte sulmeve të njëpasnjëshme të armiqve të shumtë, të afërt e të largët, fqinjve tinzarë dhe ardhacakëve barbarë. Vetëm luftërat e vazhdueshme për jetë a vdekje me serbo-sllavo-grekët në mënyra të ndryshme dhe rrethanat lehtësuese që u krijuan në Siujdhesen Ballkanike nga faktorët e huaj jashtëballkanikë, në periudha historike kur populli ynë gjendej në situata tejet të vështira, e shpëtuan nga zhdukja e sigurt. Thuhet se historia është “mësuesja e jetës” dhe se ajo nuk përsëritet. Këto thënie i kanë hudhur poshtë prijësit dhe udhëheqsit shqiptarë me veprimet e tyre, në të gjitha ngjarrjet e rëndësishme të vendit të tyre, pasi që të njëjtat gabime dhe faje janë përsëritur gjeneratë pas gjenerate. Të gjitha luftërat që i ka bërë populli ynë, që nga Teuta e deri në ditët e sotit janë bërë të pa përgatitura mirë sa duhet (përpos të periudhës së Skënderbeut) dhe pothuajse të gjitha kanë filluar jo në momentet më të përshtatshme, por gjithnjë, parakohe apo pas kohe, kur më së miri iu shkonin për shtati interesave të armiqve tanë. Çka është më e keqja, prijësit dhe udhëheqësit e popullit tonë, në të gjitha ngjarjet e rëndësishme që vendosej për fatet e atdheut janë ndarë dhe përçarë për interesa personale apo për kapriçio, xhelozi dhe inate që kishin ndaj njëri tjetrit. Në mënyrën më të zezë dhe më të vrazhdë po përsëriten të njëjtat dukuri edhe në ditët e sotit, kur qenia jonë kombëtare është e rrezikuar më tepër se kurrë më parë, ndërsa Kosovës po i kanoset rreziku i coptimit nga kasapët serbë me përkrahjen e drejtpërdrejt apo tërthorazi të klasës politike të Kosovës. Dihet se roli i individit, i personaliteteve që kanë bërë emër kanë luajtur rol me rëndësi në rrjedhat e ngjarjeve shoqërore, kulturore dhe politike të popullit tonë. Armiqtë tanë gjithmonë kanë ditur të na godasin aty ku më së shumti na sjellnin dëme dhe pasoja. Ata me mjete perfide ditën të na i zhdukin moralisht dhe pastaj fizikisht prijësit dhe udhëheqësit tanë më të zotë, që patën zotësi, autoritet, guxim, dije organizative dhe trimëri për t`ua shkatërruar planet antishqiptare atyre që kishin pikësynim gllabërimin e trojeve tona. Mjafton t`i përmendim personalitetet historike të shekullit 20-të, pa i përmendur edhe personalitetet e mesjetës e të shekullit 19-të, që u zhdukën nga armiqtë tanë duke paguar injorantë dhe tradhtarë nga radhët tona, për ta ngrehur gishtin e krimit për hesapet dhe interesat e tyre. I vranë, i mbytën nëpër burgje, apo vdiqën menjëherë pasi u liruan nga burgjet, si pasojë e torturave të bëra nga shkijet xhelatë. Bënë atentate politike ndaj Isa Bolitinit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Enver Hadrit, Azem Hajdarit, Ahmet Krasniqit etj. Ndërsa i mbytën nëpër burgje, apo vdiqën po sa dualën nga burgu, vdiqën nga pasojat e torturave: Shaban Shala, Fazli Grajqefci, Zija Shemsiu, Metush Krasniqi, etj. Armiqët tanë serbo-grekët po i venë në jetë planet e tyre antishqiptare sipas skenareve të përgatitura mirë. Goditjen për vdekje ia bënë kombit tonë vitin që shkoi nëpërmjet të ashtuquajturit “revolucion të vonuar demokratik”. Skenarët e tyre po i realizojnë shkallë-shkallë me mjete sadiste. Kolona e pestë po vepron në të gjitha trojet shqiptare. Ushtria greke në Tiranë ruan pushtetarë të cilët i marrin urdhërat dhe planet nga Athina dhe Beogradi për ta goditur Shqipërinë tinëz nga mbrenda, për të mos e lënë t`i çelë sytë, që të mos bëhet e zonja as për vetveten e lere më të jetë në gjendje të kujdesej për bashkëkombasit e saj në Çamëri, Kosovë dhe Vise tjera shqiptare. Toplicën dhe Çamërinë i pastruan etnikisht qysh moti, dhe në ato vise me shqiptarë më nuk kanë probleme. Tani po bashkëveprojnë serbo-grekët për ta pastruar etnikisht Kosovën, ndërsa Shqipërinë e Jugut për ta shkombëtarizuar me anë të helenizimit, dhe pastaj me krijimin e kushteve dhe rrethanave të përshtatshme të kalojë nën okupimin e drejtpërdrejt të Greqisë. Fatkeqësisht, serbo-grekëve sot po iu ndihmojnë, me vetëdije apo pa vetëdije, në planete tyre djallëzore, pushtetarët dhe subjektet politike të Shqipërisë dhe të Kosovës. Edhe partiakët e shtirë, që veprojnë nëpër degët e partive shqiptare të formuara në diasporë, dhe pararoja komuniste e LPK-së, i kanë përçarë dhe po i përçajnë gurbetqarët tanë, duke i vënë interesat e tyre partiake, personale dhe klanore mbi ato kombëtare. Ata janë bërë pengesë e madhe për ta organizuar diasporën në baza të shëndosha kombëtare, dhe kështu, po e bëjnë punën e armiqve tanë shekullorë duke i ndarë dhe përçarë shqiptarët në baza partiake, klanore dhe regjionale. Me daljën në skenën politike të Unionit të Pavarur Studentor, dhe të UÇK-së, shqiptarët e “mundën frigën”, prishën edhe status-quonë ” shtreje qafën e mos baj zâ ” në Kosovë. Rezistenca burrërore e prijësit të UÇK-së Adem Jasharit me familjen e tij dhe masakrat e fëmijëve e grave nga serbët e ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës dhe ngritën në këmbë rininë tonë heroike për t`i rrokur armët e për t`i dhënë UÇK-së forcë dhe krah, për t’u rritur e forcuar më një shpejtësi të rrufeshme. Subjektet tona politike dhe shtetërore, e në veçanti Qeveria e Bukoshit, në vend se t`i bashkojnë veprimet dhe qëndrimet për ta forcuar me kuadro dhe armatime të rënda UÇK-në e për ta institucializuar atë, vazhduan me politikën e tyre “dikush thumbit dikush patkonit” thuajse asgjë nuk po ndodh, edhepse Drenica dhe Dukagjini po digjeshin flakë. Presidenti i Kosovës më në funt e formoi Parlamentin e Kosovës me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar. Në vend se të përkrahet themelimi i Parlamentit si një institut me rëndësi të madhe shtetërore, nga të gjitha forcat politke të Kosovës, formimi i këtij instituti nuk u përkrah, dhe u shpall jo legjitim nga Qosja, Demaçi, Hyseni, UÇK-ja dhe Beogradi. Një anomali e tillë mund të ndodhë vetëm tek shqiptarët. Qosja me kompani bashkë me Demaçin, në vend se ta përgëzojnë Rugovën për këtë fitore të shtetësisë së Kosovës, duke punuar pa hile në formimin e Qeverisë së përbashkët, me të gjitha forcat politike që përfshiheshin apo nuk përfshiheshin në Parlament, për të cilën çështje ishin dakort Presidenti dhe Parlamenti i Kosovës, ata donin ta formonin një Qeveri të dalë nga një forum partiak, i ashtuquajtur ” Këshilli Kombëtarë ” me të cilin do të injiroheshin institucionet shtetërore. Diplomacia amerikane, më në fund, arriti t`i detyrojë udhëheqësit e përçarë të Kosovës për të filluar bisedimet për formimin e Qeverisë. Në vend se të formohet Qeveria nga i gjithë spekri politik dhe ai ushtarak, pasi që amerikanët njohën faktorin e UÇK-së si forcë serioze, pa të cilën nuk mund të bisedohet për çështje të Kosovës, bisedimet edhe pse zgjatën më tepër se një muaj përfunduan pa sukses. Fatëkeqësisht subjektet politike dhe shtetërore të Kosovës, ende po e luajnë lojën e djallit të mallkuar “dikush thumbit dikush patkonit” duke bërë luftë për pushtet dhe pozita udhëheqëse, pa e krijuar shtetin. Ata po e fajësojnë njëri-tjetrin për fajet e bëra ndaj çështjes së Kosovës, dhe po i thellojnë përqarjet në ekstremitet. Opinioni ynë, miqtë dhe dashamirët e kombit tonë, kanë pritur që sëpaku, pas fushatës së Ushtrisë serbe kundër

UÇK-së dhe masakrave të bëra ndaj popullsisë së Drenicës dhe Dukagjinit, udhëheqja shtetërore dhe partiake e Kosovës do të vetëdijësohet për dëmet që ajo ia solli popullsisë së Kosovës, UÇK-së dhe çështjes sonë kombëtare, që s`i dëgjuan kërkesat e miqve, dashamirëve, diplomatëve të SHBA-ve, dhe opinionit tonë për të dalë me një zë para faktorit ndërkombëtar dhe atij serb për çështjen e Kosovës. Ata duhet ta dijnë se ndajnë bashkëfajësinë me çetnikët e Beogradit, sepse sjellja e tyre me papërgjegjësi ndaj kërkesave të faktorit ndërkombëtarë për ta institunacionalizuar jetën politike të Kosovës, ua mundësuan çetnikve të Beogradit të marrin dritën e gjelbërt nga faktori ndërkombëtar për fushatën e fundit kundër UÇK-së dhe popullsisë së paarmatosur. Duhet ta kenë të qartë udhëheqja e Kosovës se lufta e tyre për pushtet nuk do t’u sjellë atyre kolltuqet e dëshëruara të pushtetit, as Kosovës çlirimin nga kthetrat serbe, dhe as lirinë shqiptarëve të Kosovës. Veprimet e tilla me siguri do t`i sjellin kob, mjerim, vaj dhe varre Kosovës, ndërsa atyre vetëm turpin dhe mallkimin. Si nuk muar mësim klasa politike e Kosovës se në çfarë gjendjeje e prunë dhe si e katandisën Shqipërinë karrieristët e sëmurë për pushtet dhe stalinistët e përbetuar që e muarën pushtetin me rebelim e dhunë. A thua i duhet Kosovës një “revolucion” i tillë? Kush ia dha për detyrë Qosjes të bëjë një përçarje kaq të shëmtuar të subjekteve politike të Kosovës? Eshtë vallë në pyetje karrierizmi i tij për privilegje dhe pushtet, apo është në pyetje kryerja e detyrës që ia ka caktuar Fatos Nano? Si po shihet zotëri Qosja ka vendosur t`ia sjellë Kosovës një “revolucion”- variant të ngjashëm me atë të “revolucionit të vonuar demokratik të Shqipërisë”. Ngjashmëria e kacafytjeve për pushtet, që u zhvillua në Shqipëri në pranverën e vitit të shkuar në mes forcave që e kishin pushtetin dhe forcave opozitare, dhe luftës për pushtet që po bëhet sot në Kosovë në mes subjekteve politike të përfshira në Parlamentin e Kosovës, dhe bllokut opozitar të Rexhep Qosjes, japin të kuptohet se të njëjtin skenar që e përdorën social-komunistët e Shqipërisë, të njëjtin skenar po e përdorin enveristët e Kosovës me në krye Qosjen. Për fat të mirë UÇK-ja është deklaruar se nuk përkrah këto përçarje dhe ka kërkuar nga subjektet politik që të mos krijojnë aleanca dhe grupime partish, por sëbashku t`i krijojnë institucionet shtetërore. Fatkeqësisht, Qosja e Hyseni me kompani, e kanë bër veshin shurdhër ndaj këtyre kërkesave shumë me vend. A thua nuk e ka të qartë Qosja me piunët e tij se pavarësia e Kosovës nuk mund të arrihet pa formimin e subjekteve shtetërore, pa pasur përkrahjen e një fuqie të madhe botërore, dhe pa bashkimin e të gjitha forcave njerëzore, intelektuale dhe financiare të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe ndihmës së pakursyer të çdo shqiptari kudo që gjendet në globin tokësor, në të mirë të çështjes sonë kombëtare, sepse kemi të bëjmë me një armik të pashpirt dhe barbar, që ka një perkrahje të fuqishme nga “majka Rusia” dhe aleatë e miq të shumtë e të fuqishëm. Kemi të bëjmë me një armik, që në përpikëri po i realizon qëllimet e tij në këto dhjetë vitet e fundit, duke e bërë spastrimin etnik të Kosovës me mjete dhe mënyra të llojllojshme. Po qe se udhëheqja e Kosovës vazhdon edhe më tutje të veprojë në këtë mënyrë, duke i ndarë forcat politike të Kosovës në dy taborre kundërshtare, zgjidhja e çështjes së Kosovës do të zhagitet tamam siç i pëlqen Serbisë dhe aleatëve të saj. Lumi i shpërnguljeve për në Evropë dhe kontinente tjera nuk do të ndalet. Kosova do të mbetet pa rininë e saj vitale. UÇK-ja nuk do të ketë mundësi të forcohet dhe të modernizohet po qe se ajo nuk institucionalizohet dhe depolitizohet për t’u bërë ushtri e rregullt e shtetit të Kosovës, e jo siç po kërkojnë disa të mbetet edhe më tutje krah politik i partive apo klaneve të ndryshme. Duhet ta ketë të qartë Qosja me kompani se, me mosnjohjen e institucioneve të Republikës së Kosovës të dala nga zgjedhjet e vitit të kaluar, si dhe me blokimin e përpjekjeve për ta formuar Qeverinë e Kosovës, po i bëjnë përçarjet më të mëdha ndërshqiptare dhe ndërnjerëzore dhe po i sjellin dëme të mdha çështjes sonë kombëtare. Po ashtu kërkesa e Qosjes, Demaçit, Hysenit e ca forcave tjera për formimin e një Asambleje me metoda komuniste, duke injoruar institucionet e formuara shtetërore, nuk do ta kishte krebilitetin më të fortë se organet shtetërore të formuara nga zgjedhjet e marsit të vitit të kaluar në asnjë mënyrë, por do t`i zhvlersonte të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë këtu edhe Referendumin dhe shpalljen e Kosovës Republikë. Mosformimi i një Qeverie të përbashkët në afatin sa më të shkurtër nga spektri i gjerë politik i Kosovës, do të ketë pasoja tepër të rënda për çështjet madhore kombëtare, kurse përgjegjësinë për to do ta mbajnë ata që po pengojnë formimin e saj me kryepërçarësin dhe kryekallauzin e të gjitha mosmarrëveshjeve, ndarjeve, ngatërresave dhe përçarjeve ndërshqiptare dhe ndërnjerëzore të klasës politike të Kosovës në krye, pra Rexhep Qosjen.

Botuar në”Bota sot”më 24 nëntor 1998 dhe në “Rimëkëmbja “dhjetor 1998

Loading