ZGJEDHJET NACIONALE DO TË VENDOSIN PËR FATIN E KOSOVËS DHE TË SHQIPTARISË

Pas zgjedhjeve të suksesshme lokale që u mbajtën në Kosovë më 28 tetorin e vitit të kaluar, qendrat e vendosjes ndërkombëtare kanë vendosur t’i mbajnë edhe zgjedhjet nacionale. Ashtu sikurse për zgjedhjet lokale që faktori ndërkombëtarë ishte i ndarë në dysh, ku miqtë e Serbisë dhe pehlivanët e Nanosit donin që zgjedhjet të shtyhen sa më vonë, apo për një kohë të pacaktuar, ashtu edhe për zgjedhjet nacionale miqtë e Serbisë dhe pehlivanët e Nanosit do të shpikin lloj-lloj pengesash dhe arsyesh që këto zgjedhje të shtyhen për “më vonë”, në një kohë të pacaktuar. Përpjekjet e tyre do të jenë të kota se miqtë e shqiptarëve janë shumë herë më të fortë sesa miqtë e Serbisë, ndërsa populli shqiptar i Kosovës i tregoi tërë botës se ka vetëdije të lartë politike, ka aftësi të mëdha organizative dhe shtetformuese, ka kulturë të gjërë qytetare, se di t’i dallojë miqtë e tij të vërtetë nga miqtë e pa besë, di t’i dallojë se kush janë aleatët e tij të natyrshëm dhe kush janë armiqtë e tij të përbetuar. Ai me sukses e dha provimin e pjekurisë në zgjedhjet lokale. Pa fije dyshimi, në zgjedhjet nacionale do të dijë t’i zgjedhi bijtë e tij më të mirë, ata bij dhe bija të tij që për këto dhjetë vitet e fundit treguan me vepra se për ta çështje kombëtare ishte gjithmonë mbi interesat partiake, grupore dhe personale. Sa i përket intelegjencës sonë të lartë, një pjesë e vogël e saj ra në provimin e jetës. Një pjesë prej tyre u manipulua nga pehlivanët e Nanosit me demogagjinë perfide të tyre se gjoja ata përfaqësojnë UÇK-në dhe kështu pa vetëdije u shndërruan në argatë të tyre. Ca të tjerë nga lakmia për pushtet, pozita udhëheqëse dhe të mira materiale me vetëdije të plotë u bënë argatë të argatëve të Nanosit. Fatmirësisht shumica dërrmuese e intelegjencës sonë të lartë nuk ra në provimin e jetës, pasi që nuk u bënë argatë të argatëve të Nanosit, dhe as nuk u bënë argatë të partiakëve të shtirë, të atyre partiakëve që formuan klanet e tyre në partitë që ata u kyçën, me qëllim që të dominojnë mbi të tjerët dhe pastaj partia të punojë për interesat e tyre personale dhe klanore. Një pjesë e intelegjencës u kyçën në jeten politike të Kosovës dhe me punën e tyre të pakursyer ndikuan shumë në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës por edhe në çlirimin e saj. Pjesa tjetër nuk u kyç në jetën politike të Kosovës duke e parë të arsyeshme dhe të nevojshme të mirren me veprimtari kulturore, arsimore dhe shkencore duke qenë të bindur se edhe kështu ndihmohet rezistenca jonë kombëtare. Rinia jonë heroike si çdo herë më parë e kreu detyrën si është më së miri. Ajo ndërroi status-quonë e Kosovës kur u pa se është e nevojshme dhe u kyç në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës duke treguar heroizëm të pashoq dhe moral të lartë luftarak, edhe pse i mungonte kuadri ushtarak dhe armatimi i nevojshëm për t’i bërë ballë një armiku të lig siç është shkau, që ishte i armatosur deri në dhëmbë. Sa i përketë ish të burgosurve politik të Kosovës, mund të themi pa pasur frikë se mos po gabojmë, ishte kategoria e cila luajti rol me rëndësi në ngritjen e vetëdijes kombëtare, dhe mbajti barrën kryesore të rrezistencës sonë kombëtare. Por, në vitet e fundit të shekullit që e lamë pas, edhe kjo kategori u shpërbë. Një pjesë e saj u manipulua nga pehlivanat e Nanosit dhe pa vetëdije u bënë argatë të tyre, një pjesë me vetëdije u bënë argatë të argatëve të Nanosit për realizimin e interesave të tyre personale dhe klanore, një pjesë luajti rol me rëndësi në jetën politike të Kosovës duke punuar me mish e me shpirt për ndërkombëtarizimin dhe çlirimin e Kosovës. Ndërsa pjesa tjetër ishte e paangazhuar në jeten politike të Kosovës pasi që nuk kishte informata të nevojshme se në cilën anë mbrohet drejtësia dhe në cilën anë mbrohet dredhia, në cilën anë ishte shpëtimi dhe rimkëmbja kombëtare dhe në cilën anë ishte humnera dhe katastrofa për shqiptarët. Sa i përketë klases politike të Kosovës, marrë në përgjithësi, ajo ra në provimin e jetës më shumë se një herë. Katër vitet e para të “90-tës ishte produktive dhe e suksesshme, por pastaj filluan ngecjet. Vetëkënaqësia dhe lufta ndërklanore u bën smundje kronike e të gjitha partive politike shqiptare të Kosovës. Kjo ndikoi që shqiptarët të merren më tepër me vetveten se sa me shkaun. Fatkeqësisht udhëheqjet e ngushta të partive nuk ishin në gjendje t’i izolojnë dhe t’i përjashtojnë elementët destruktivë, karrieristët dhe partiakët e shtirë, në mesin e të cilëve kishte njerëz të UDB-së së Jugosllavisë dhe njerëz të Sigurimit të Shqipërisë, të cilët krijuan klanet e tyre dhe- në momentet e përshtatshme- edhe bënë thyerje të thella në subjektet politike, ku ata ishin të kyçur. Me thyerjet dhe ndarjet në dysh (krah) të partive të vogla nuk pati edhe aq pasoja të rënda për Kosovën. Pasoja të rënda pati me përçarjet dhe luftën për pushtet në mes klaneve që ishin krijuar në LDK. Tentimi për shkatërrimin e LDK-së apo ndarjen e saj në dysh nga ana e individëve që ishin të lidhur këmbë e krye me Nanosin apo me Millosheviqin i solli dëme të rënda çështjes madhore kombëtare. Pasojat ishin dhe ende janë të mëdha dhe duhet të harxhohet kohë, mund dhe energji nga politikanë të zgjuar, atdhetarë dhe veprimtarë të drejtë dhe nga intelegjencia jonë e pa parti, që nuk janë të kompremetuar me asgjë, për tejkalimin e këtyre pasojave, për krijimin e një klase politike të re, me njerëz të rinj dhe ide të reja, që e njohin lojen politike, dhe si pozita ashtu edhe opozita bashkëpunojnë dhe e korigjojnë punën e njëra- tjetrës në dobi të interesave kombëtare, siç veprohet në shtetet e zhvilluara të Evropes Perendimore dhe SHBA. Siç dihet LDK-ja në shumicën dërmuese të komunave të Kosovës e fitoi besimin e popullit. Në opozitë mbetën dy parti të dala nga LPK-ja: PDK-ja dhe AAK-ja. Shtrohet pyetja: Kjo klasë politike që e kemi sot, a do të jetë në gjendje t’i realizojë synimet tona kombëtare? A do të jetë e aftë t’i zgjidhë problemeve sociale? A do të jetë e zonja t’u sjellë qytetarëve siguri, liri qytetare dhe të drejta njerëzore? A do të jetë e aftë ta luftojë dhe të fitojë mbi mafinë politike dhe ekonomike e cila pas luftës përvetësoi pasuri shoqërore duke keqpërdorur uniformën dhe gradat ushtarake të UÇK-së? LDK-ja, partia më e madhe dhe më e organizuar e Kosovës, kreu detyra më rëndësi në ndërkombëtarozimin e çështjes së Kosovës, në ngritjen e themeleve të shtetësisë së Kosovës, ndërsa UÇK-ja pati më së shumti ushtarë nga anëtarësia e gjërë e saj. Me fitoren që arriti në zgjedhjet lokale u bë parti e pozitës. Shtrohet pyetja a do të jetë në gjendje kjo parti t’i realizojë synimet tona kombëtare po qe se nga radhët e saj nuk largohen apo nuk përjashtohen individët dhe klanet e tyre që e dëmtuan dhe po e dëmtojnë në vazhdimësi këtë parti dhe çështjen shqiptare? Përgjigja është negative. PDK-ja me AAK tash me votat që i fituan në zgjedhjet lokale po llogariten parti të opozitës. Shtrohet pyetja se a do të jenë opozitë konstruktive këto dy parti, kur udhëheqësit e vërtetë të tyre rrinë prapa skenës, por edhe ata që përbëjnë udhëheqjen e ngushtë të tyre, shumica dërmuese janë argatë apo pehlivana të Nanosit, të cilët me komplote, tradhti, ndërskamsa dhe kurtha e muarën udhëheqjen e njësive guerile të Kosovës dhe nuk lejuan institucionalizimin, aftësimin dhe forcimin e saj me kuadro të afta ushtarake dhe armatosjen e ushtarëve me armatime moderne, pasi që ashtu kishte urdhëruar Nanosi. Është e tepërt të flitet për veprimtarinë kriminele të pehlivanave dhe argatëve të Nanos gjatë luftës, dhe pas luftës, pasi që për to dinë të flasin shumë qytetarët e Kosovës. Dhe tani kur është më se e qartë se Nanosi është i lidhur këmbë e kokë me Athinën e Beogradin, shtrohet pyetja se çka do ta presë Kosovën po qe se Pehlivanat e Nanosit luajnë rolin e opozitës në jetën politike dhe institucionale të Kosovës kur dihet se ata i marrin urdhërat për veprimtarinë e tyre nga Nanosi dhe Klosi. Fatmirësisht në të gjitha subjektet politike gjenden njerëz konstruktivë dhe atdhetarë. Dikund ju shkohet fjala, dikund nuk hjekin fare në kandar, prandaj është koha e fundit që të rebelohen aty ku nuk u shkon fjala! Të tregojnë guximin e tyre qytetar, duke kërkuar me zë të lartë që kriminelët, Pehlivanat e Nanosit, spiunët e Beogradit dhe Athinës, karrieristët e sëmurë për pushtet, partiakët e shtirë dhe individët e kompremetuar me vjedhje, plaçkitje dhe uzurpime të pasurisë shoqërore, të largohen nga udhëheqjet e subjekteve politike shqiptare, apo t’i përjashtojnë në mënyrën institucionale duke kërkuar ndihmën e opinionit demokratik të Kosovës, duke ua qitur në shesh të ligat që ua bënë individëve, familjeve dhe Kosovës. Vetëm po qe se veprimtarët e atdhetarët e mirëfilltë dominojnë në subjektet tona politike dhe përjashtohën të ligjtë, ata që e dëmtuan shumë çështjen madhore kombëtare, Kosova do të ketë një klasë të zonjën politike e cila do të dijë ta çojë përpara zgjidhjen e çështjes së Kosovës, dhe në përgjithësi zgjidhjen e çështjes madhore kombëtare. Me sigur LDK-ja do të gjejë forcë t’i largojë shtriganat e saj para se të dilet në zgjedhjet nacionale dhe do të forcohet me kuadro të reja. Po a do të arrijnë vallë ta bëjnë një gjë të tillë forcat e shëndosha në partitë e opozites? Duke ditur se sa krime kanë bërë Pehlivanat dhe argatët e Nanosit gjatë luftës dhe pas saj për ta marrë pushtetin e Kosovës, nuk diskutohet fare që ata me vetëdëshirë t’i lëshojnë pozitat dhe privilegjet, të cilat i kanë zënë në parti edhe pse e kanë të qartë se kanë dështuar në qëllimet e tyre të marra, edhe pse e kanë të qartë se populli do t’i rrahë edhe më tepër se sa në zgjedhjet lokale. Atëherë i patë rrahur me flakaresha fytyrës e turijve, dhe tani në zgjedhjet kombëtare do t’i hanë gugjumat kresë, dhe pastaj nuk mbetet tjetër pos që drejtësia shqiptare t’ua vejë në kandar gjynahet, dhe sipas peshës së tyre ta marrin dënimin e merituar. Për të ecur përpara në synimet tona, intelegjenca jonë e pakompremetuare cila nuk është e kyçur në jetën politike të vendit, dhe në përgjithësi njerëzit pa parti, duhet të bëhen faktor i stabilitetit dhe përparimit. Ajo duhet të bëhet faktor i vendosjes në jetën politike dhe kulturore të vendit, jo duke u bërë argatë të klaneve të ndryshme të subjekteve politike të Kosovës, por duke e krijuar subjektivitetin e tyre politik, që do të neutralizonte në masë të madhe veprimtarinë e njerëzve pa përgjegjësi morale, politike dhe kombëtare. Ky subjekt politik që duhet të formohet sa më parë do të bënte ndryshime rrënjësore në jetën politike dhe kulturore të Kosovës, pasi që nuk do të udhëheqej nga synimet e ulta karrieriste dhe as të përfitimeve personale por do të udhëhiqej nga synimet e larta njerëzore dhe kombëtare, që qytetarët e Kosovës ta gëzojnë lirinë e fituar, të kenë kushtet e jetesës për të jetuar si i ka hije njeriut. Kjo forcë e re që do të krijohej, me besimin që do ta gëzonte tek qytetarët e Kosovës, do të fitonte besimin edhe te qendrat e vendosjes ndërkombëtare se është e aftë ta udhëheqi Shtetin e Kosovës dhe kështu do të njihet Pavarësia e Kosovës.

Botuar: “Bota sot” 2-3 mars 2001

Loading