PEHLIVANËT E NANOSIT, ARGATËT E TYRE DHE KRIMINELËT, LARG PARLAMENTIT TË KOSOVË

Fushata e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës së shpejti do të përfundojë. Qytetarët e saj pas një “ditë qetësie” do të votojnë për përfaqësuesit e tyre që do të zënë vend në Parlamentin e ardhshëm të shtetit të Kosovës. Faktori ndërkombëtar me njohjen e institicioneve shtetrore, që do të dalin nga këto zgjedhje, do të krijojnë kushte dhe rrethana për njohjen e pavarësisë së Kosovës, po qe se faktori shqiptarë dhe klasa politike e Kosovës i kryejnë detyrimet që i kanë ndaj votuesve dhe qendrave të vendosjes ndërkombëtare. Pra, Kosova është futur në procesin e pavarësimit të saj, por si çdo proces shoqërorë edhe ky proces, mund të përshpejtohet, të ngadalësohet apo edhe të marrë kahje të kundërt, varësisht si do të përfundojnë zgjedhjet nacionale të 17 nëntorit të këtij viti dhe kush nga subjektet politike do t’i fitojë ato. Suksesi i klasës politike të çdo vendi, pra në këtë rastë edhe i Kosovës, varet nga forcat politike që do të luajnë rolin e pozitës dhe të opozitës në Parlamentin e Kosovës. Fatmirësisht, sipas të gjitha parashikimeve LDK-ja do t’i fitojë edhe zgjedhjet nacionale ashtu siç i fitoi zgjedhjet vendore, me një dallim, se fitorja do të jetë edhe më bindëse dhe më e madhe. Pra, qysh tash dihet se fituesi i këtyre zgjedhjeve do të jetë LDK-ja e cila do t’i fitojë afër 70 vende në Parlamentin e Kosovës. Për 30 vendet tjera (që janë caktuar për subjektin politik shqiptar) do të luftojnë partitë e spektrit djathtist dhe partitë majtiste e disa subjekte tjera në formim e sipër, që nuk treguan sukses në zgjedhjet vendore të mbajtura para një viti. Ndërsa pakicat kombëtare do t’i fitojnë vendet e tyre në Parlamentin e Kosovës (“paushall”) në bazë të numrit të votuesve të mundshëm, apo në bazë të votave që do t’i fitojnë nga zgjedhësit. Tash për tash ende nuk është e qartë sa vende do t’i fitojnë në Parlamentin e Kosovës partitë djathtiste dhe sa vende do t’i fitojnë partitë majtiste. Me siguri do të ishte një fitore e madhe për Kosovën dhe për kombin shqiptar, po qe se forcat majtiste të Kosovës, PDK-ja, dhe AAK, që janë bisht i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të pësojnë humbje të thellë në këto zgjedhje, që kurrë më të mos vijnë në vete, kur dihet se kryepehlivanët e Nanosit Xh. Haliti dhe I. Kelmendi janë patronët e tyre, ndërsa bajraktarët e farës ruse dhe argatët e tyre i përbëjnë kryesitë e këtyre partive. Analfabetët politikë, kokëboshët dhe pshtjellakët dyftyrsha do të mundohen të m’i hedhin poshtë argumentet e mia, duke u mbështetur në faktin se majtistët e kanë pushtetin në shumë shtete të Evropës Perendimore. Argumenti i tyre do të merrej parasysh sikur populli ynë të mos e kishte fituar një përvojë tepër e hidhur gjatë sundimit të majtistëve dhe komunistëve shqiptarë. Nuk është e nevojshme të përmenden të gjitha të ligat që ia bënë popullit tonë bajraktarët e farës ruse, kur dihet se, që kur është mbjellë fara ruse në truallin shqiptar, populli ynë pati shumë vështërësi, kaloi periudha të rrezikshme, prej të cilave i kanosej qenia e tij kombëtare, por fatmirësisht Burrat e Dheut iu shmangën me mençuri, dije dhe trimëri shumë humnerave që ia përgatitën çakajtë e Ballkanit dhe aleatët e tyre, nëpërmjet majtistëve, komunistëve, rankoviqistëve, enveristëve, nanoistëve dhe “pionerëve të Enverit”. Është e mjaftueshme të përmendën vetëm ca fakte që dëshmojnë se në të gjitha periudhat e rëndësishme që kaloi kombi ynë, që nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore e deri në ditët e sodit, bajraktarët e farës ruse luajtën rol tejet destruktiv dhe antishqiptar në të gjitha periudhat e rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Vlen të përmendet shkelja e Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët e Shqipërisë pas urdhërit të M. Popoviqit dhe D. Mugoshës, që ajo marrëveshje të shpallet e pavlefshme, ku si pasojë pati fillimin e luftës civile në Shqipëri në mes komunistëve shqiptarë, që përkraheshin nga komunisto-çetnikët serbo-jugosllavë, dhe nacionalistëve dhe ballistëve shqiptarë që nuk arrijtën të organizohen si duhet. Shkelja e Rezolutës së Bujanit, që parashihte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pati për pasojë masakrimin e Drenicës dhe të Ana Moravës me Gjilanin, si dhe përgjakjen e të gjitha territoreve shqiptare që mbetën nën robërinë serbo-jugosllave. Veçmas duhet cekur masakren e Tivarit, që ishte kryevepër e përbashkët e komunistëve shqiptarë (të Shqipërisë dhe të Kosovës) dhe atyre serbo-jugosllavë. Po ashtu duhet të ceket edhe “Aksioni i armëve” që e organizoi Beogradi gjatë dimrit të vitit 1956, me pëlqimin e kukullave dhe këlyshëve të tyre, që i kishin vënë në pozita “udhëheqëse” në Kosovë, etj. Edhe komunistët e Shqipërisë i sollën shumë të liga popullit dhe kombit shqiptar. Një kohë u bënë këlyshë dhe vasalë serbo-jugosllavë dhe pranuan t’ua japin edhe Kosovën me vise tjera shqiptare që t’iu ndihmojnë për ta marrë pushtetin në Shqipëri. Edhe për ta ruajtur pushtetin u bënë rrogëtarë dhe papagaj ruso-sovjetikë. Dhe së fundi, kur rusët donin t’i ndërronin stalinistët e kompromituar me komunistë të moderuar, banda kriminele e Enver Hoxhës pranoi të bëhet zagare kineze, vetëm për ta ruajtur lëkurën dhe pushtetin mbi shqiptarët e gjorë, që i kishin trulluar me egjren komuniste duke i “bindur” se Shqipëria është “kopsht i socializmit” dhe “fener ndriçues i Evropës”, se qytetarët e Shqipërisë janë njerëzit më të “lumtur” të botës e kopalla tjera të ngjashme. E zhvilluan luftën e klasave, vranë nacionalistë, ballistë, shpianikë, atdhetarë dhe i favorizuan llumpenploretarët, pakicat kombëtare dhe llumin e shoqërisë shqiptare për të zënë vende udhëhqëse në shtetin e vetëm ateist në botë. Skenari për zhdukjen e kombit shqiptar që u vu në veprim me firmën “Revolucioni i vonuar demokratik” i Shqipërisë- Qosjes, që filloi më 1977 e po vazhdon nga një fazë në tjetrën deri në ditët e sodit, i tregoi gjithë botës se komunistët e Shqipërisë, edhe në ditët e sotit, kur komunizmi pësoi humbje në gjithë botën, po e venë në veprim teorinë e marksizëm-leninizmit se komunistët nuk kanë atdhe dhe nuk kanë komb, se komunistët janë kundër vlerave të shoqërisë kapitaliste, se ata për të arritur qëllimin i përdorin të gjitha mjetet dhe mënyrat, duke u mbështetur në parimin e Makiavelit se “qëllimi i arsyeton mjetet”. Të njëjtën gjë e treguan para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës majtistët, lëpëkistët, enveristët dhe nanoistët e Kosovës, që janë skllevër dhe rrogtarë të Nanosit, Mejdanit dhe Klosit, kur mohuan punën dhe sukseset e gjeneratave të tëra, dhe i vranë institucionet shtetrore të Republikës së Kosovës, që u krijuan dhe u mbrojtën me sakrifica të mëdha nga populli ynë dhe veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare. Siç dihet, këta kokëkrisur penguan çdo organizim të mbarë, penguan bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Republikës së Kosovës, që do të sillte çlirimin e Kosovës nga vetë shqiptarët. Sabotuan Luftën çlirimtare të Kosovës, vranë veprimtarë të dalluar të çështjes madhore kombëtare, vetëm pse nuk pranuan të bëhen argatë dhe rrogtarë të tyre. Këto forca të territ, këta djaj bolshevikë, edhe pse gjatë luftës e dëmtuan shumë rëndë Kosovës dhe popullsinë e saj, me çlirimin e Kosovës nga NATO-ja, në vend se të pendohen për të ligat që ia bënë Kosovës, ata i shumëfishuan krimet pas krijimit të Qeverisë së Thaçit në Tiranë. Nga Kosova ikën forcat e krimit serb, por nga Tirana në Kosovë erdhën kryepehlivanat e Nanosit, argatët e tyre dhe pionerët e Enverit, për të marrë pushtetin e shumpritur mbi shqiptarët. Krijuan frikë, dhunë, pasiguri, padrejtësi dhe korrupsion. Përvetësuan pasuri të huaj dhe pasuri shoqërore. Kërcënuan, shpifën dhe vranë veprimtarë të dalluar të çështjes madhore kombëtare. Krijuan sigurimin e fshehtë në gjithë territorin e Kosovës në bazë të shkollës ruse të KGB-së dhe asaj jugosllave UDB-së, që e drejtonin udbashë (të dyfishtë) të Tiranës dhe të Beogradit. Udbashët e Tiranës i zëvendësuan udbashët e Beogradit, që udhëhiqeshin nga kryepehlivanat e Nanosit. Sabit Geci që njihej në Drenicë dhe më gjerë për mjeshtër të thyerjes së kotecëve të pulave dhe ahrijeve të bagtive, na u bë i pari i Sigurimit të fshehtë të Qeverisë së Hashim Thaçit, i cili me stafin e tij krijoi rrjetin e spiunimit, të shpifjes dhe të krimit të organizuar në gjithë territorin e Kosovës. Në anën tjetër SHP i UÇK-së që udhëheqej nga argatët e Xh. Halitit, i ndihmuan kriminelët serbë të bëjnë enklavizimin e disa teritoreve të Kosovës. Një ditë do të japin llogari “Gjeneralat e Hashimit”, të cilët, në vend se ta vendosin selinë e Shtabit të UÇK-së në veri të Mitrovicës, (përtej Urës së Ibrit) ata e vendosën në Tamnik dhe kështu ua mundësuan kriminelëve serbë të enklavizojnë një pjesë të Mitrovicës dhe disa territore tjera të Kosovës. Dhe sot, kur gjatë fushatës zgjedhore dëgjon bajraktarët e farës ruse dhe rrogëtarët e H. Thaçit dhe I. Kelmendit me tituj dhe pa tituj shkencorë që rrahin gjoks se do ta “bashkojnë Mitrovicën”, se partitë e tyre “do të kujdesën” për “mirëqenien e të gjithë shqiptarëve pa marë parasysh bindjet e tyre politike” dhe premtime tjera të parealizuara, të detyrojnë t’ua bësh këto pyetje: Gjatë luftës i diferencuat shqiptarët në baza partiake dhe nuk lejuat të bëhet bashkimi i shqiptarëve në baza kombëtare për t’i luftuar okupatorët. E krijuat SHIK-un, për të mbjellë frikë dhe pasiguri duke vrarë burrat më të mirë të kombit, ndërsa pas luftës u bëtë pasanikë të njohur të Kosovës edhe pse sa ishin në Evropën Perëndimore mbaheshin gjallë me ndihma sociale të Kryqit të Kuq të shteteve ku jetonit. Çka ndikoi që tash në kohën e fushatës së zgjedhjeve na u bëtë aq “zemërbardhë”, që i urdhëruar argatët e juaj aq shumë të “ndryshojnë”. Nuk e di se kush është ai kokëkrisur që do t’i besojë “Gjarpërit”-Hashimit dhe shërbëtorëve të tij kur “premtojnë” se do të sigurojë “mirëqenie, begati dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”, kur më shumë se një herë kanë dëshmuar se kanë punuar dhe po punojnë për të pasur mirëqenie begati dhe siguri, familjet dhe klani i tyre. A nuk ishte vetë ai Gjarpëri- Hashimi që i diferencoi edhe dëshmorët, kur në fjalimin e tij me rastin e “festimit” të zhbërjës së UÇK-së, (“Marrshin e Prishtinës”) nuk i përmendi heronjtë e kombit Agim Ramadanin, Salih Çekun, Adem Ukëhaxhën dhe as njësitë operative të UÇK-së që ata i komanduan. Apo rasti tjetër para tri javësh kur me rastin e varrimit të Bekim Kastratit dhe të Besim Dujakut, nuk i dërguan të marrin pjesë pjesëtarët e TMK-së. Po si nuk turpërohet Hashimi dhe “gjeneralat” e tij, të cilët aq shumë përbehen se e kanë “dashur” dhe “i kanë kryer urdhërat e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jasharit”, kur- edhe pas tri vjetësh nga ramja e familjes së Shaban Murat Jasharit në fushën e nderit-, nuk u kujtuan së paku t’ua rregullojnë varrezat. Nuk e kam të qartë pse lejohet Hashimi dhe “gjeneralët” e tij ta turpërojnë Drenicën, Kosovën dhe Shqiptarinë, kur para Kullës Heroike të Shaban Murat Jasharit qëndron një “bust” që më shumë e shëmton se sa e nderon dhe lartëson figurën e ndritur të heroit tonë kombëter, komandantit legjitim të UÇK-së Adem Jasharit. Ai “bust” duhet të hiqet sa më parë nga burrat e fortë të Drenicës, që mos ta zerë aty edhe një herë 28 Nëntori, që është ditëlindja e Heroit dhe Dita e Flamurit tonë kombëtar! Po si nuk turpërohet Hashimi, “gjeneralat” dhe argatët e tij kur premtojnë se partia e tyre për të gjithë shqiptarët do të jetë “nënë”, kur premtimet e tyre i demantojnë 300 familjet e Drenicës, që edhe pas tri vjetësh të përfundimit të luftës jetojnë në tenda. Familja Thaçi dhe “gjeneralët” e tij kanë para të ndërtojnë pallate mbretrore, kanë para për të blerë vetura, çka ua kanë lakmi pasanikët zviceranë. Po besa kanë para për të blerë “intelektualë” siç i blejnë tregtarët në treg bagtinë, por nuk kanë para të japin për jetimët e luftës dhe për fëmijët e dëshmorëve, që aq shumë e keqpërdorën dhe e shfrytëzuan gjakun e derdhut të prindërve të tyre për të fituar pozita udhëheqëse, për të përvetësuar pasuri të huaj, për t’u luluar me grada ushtarake që nuk i kanë merituar. Ata kanë kohë të merren me lloj-lloj aventurash por nuk kanë kohë të kontaktojnë me organizata humanitare për gjetjen e mundësisë për t’ua siguruar nga një shtëpizë bashkëfshatarëve të tyre që ende banojnë në tenda. A nuk ishte vetë “Gjarpëri” ai i cili pasi u bë argat i Xh. Halitit shkatërroi çdo organizim të mbarë të shqiptarëve dhe, sot e kësaj dite, nuk dha kurrfar përgjigjeje për akuzat e bazuara se është i përzier në vrasjen e Ali Ukajt, Ahmet Krasniqit, Haki Imerit, Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut. Drenica ia ka borxh Kosovës dhe Shqiptarisë t’ua uli bishtin argatëve të Xh. Halitit në krye me H.Thaçin dhe t’u tregojë se nuk e kanë vendin në krye të vendit por pas dere, kur kanë pranuar të bëhën bajraktarë të farës ruse, kur kanë pranuar të bëhën dorë e huaj dhe rrogëtarë të spiunëve të serbit, rusit dhe grekut, të cilët kanë zënë pozita udhëheqëse në institicionet shtetërore të Shqipërisë. Drenica dhe Kosova nuk e kanë për nder t’iu dalin në krye komunistët, nanoistët, enveristët dhe bajraktarët e farës ruse, që baballarët e tyre shpirtërorë e përgjakën dhe e masakruan Drenicën dhe Kosovën, që nga 1944 e deri në ditët e sotit. Atentati i Skenderajt i organizuar para tri javësh nga bajraktarët e farës ruse dhe nga “gjeneralët e Hashimit” e përgjaku Drenicën dhe Kosovën, kur me tradhti dhe pas shpine ia vranë dy burra të fortë Kosovës, Bekim Kastratin dhe Besim Dajakun dhe e plagosën komandantin më të suksesshëm të UÇK-së pas Adem dhe Hamz Jasharit, Zahir Pajazitit dhe Salih Çekut, njërin ndër Shtatë Vëllazërit Geci, (që me të gjtha forcat luftuan për çlirimin e Kosovës) bashkëluftëtarin e Adem Jasharit, Gani Gecin, tregon se janë të pashpirt, janë të marrë, janë kriminelë kokëtrashë, janë tradhtarë të kombit. Ata i dëmtuan tri familjet që (kanë bërë emër) kanë zë të madh në Kosovë, Shqipëri dhe në Viset shqiptare për burrëri, trimëri dhe atdhetarizëm. Sa iu përket premtimeve të R. Haradinajt M. Bakallit M. Kelmendit etj, duhet ta kenë të qartë se, për t’iu zënë besë se e kanë përnime, duhet të përgjigjën në këto pyetje: R. Haradini duhet opinionit të gjërë t’i tregojë se kush është komandant “Togeri” i cili në Dukagjin ka bërë krime kundër shqiptarëve. Të japë shpjegime se me urdhërin e kujt dhe kush e bëri zhdukjen e katër ushtarëve të UÇK-së që i përkisnin Brigadës “Mërgimi” të cilën e komandonte kolonel Tahir Zemaj. Ndërsa M. Bakalli duhet të tregojë se gjatë dhjetë viteve të robërisë më të egër serbo-jugosllave të përjetuar Kosova, ç’bëri ai që askund nuk iu dëgjua zëri? I pat njohur apo nuk i pat njohur institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, kur siç dihet ishte dhe është këshilltarë i ca kompllotistëve që punuan me mish e me shpirt për shkatërrimin e institucioneve shtetrore të Republikës së Kosovës. Dhe sot kur dëgjon premtimet e bajraktarëve të farës ruse e të rrogtarëve të tyre, habitesh që toka nuk hapet për t’i përbi në brendësinë e saj, për t’ua mbuluar turpin dhe për t’ua dhënë hakun, për shumë të liga që ia bënë dhe po ia bëjnë Kosovës. Po qe se votuesit shqiptarë janë të vetëdijshëm se me çfarë rreziqesh ka qenë i detyruar të përballet kombi ynë gjatë periudhës së robërisë komunisto-bolshevike, në Shqipëri, Kosovë dhe Viset tjera shqiptare, me siguri vota e tij nuk do të shkonte në dobi të forcimit të bishtave të Partisë Socialiste të Shqipërisë, që patronët e tyre Xh. Haliti dhe I. Kelmendi për qëllime taktike dhe strategjike i pagëzuan me PDK dhe AAK. Me siguri vota e tyre do të shkojë në dobi të forcave institicionale të Republikës së Kosovës: LDK-së, PNDSH-së, PSHDK-së, PLK-së dhe PSDK-së. Atëherë me siguri ardhmëria e popullit tonë do të jetë e ndritur. Kosova do të fitojë pavarësinë e shumëpritur. Qytetarët e saj do të gëzojnë lirinë e zhuritur. Të drejtat e njeriut, dhe të drejtat e pakicave kombëtare do të respektohen. Do të ketë siguri, përparim, mirëqenie dhe begati për të gjitha shtresa e popullsisë. Kriminelët do të ulën në bankën e zezë për të dhënë llogarinë përfundimtare për krimet e bëra. Kosova dhe shqiptarët si komb do ta fitojnë të drejtën që u ka takuar qysh moti, për të jetuar të lirë, të pavarur dhe të barabartë me popujtë e lirë të Evropes së bashkuar demokratike.

Shkruar më 11 nëntor 2001 Ky shkrim i është dërguar redaksisë së “Bota sot” në Prishtinë, por mbeti pa u botuar për shkaqe të paditura.

Loading