VETËM BASHKIMI YNË E SHPËTON KOSOVËN

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërsit! Të punojmë për ta shpëtuar Kosovën martire! Të punojmë për ta quar në vend amanetin e dëshmorëve dhe të martirëve tanë që fëmijët dhe rininë tonë të mos e lëmë pa atdhe, pa dinjitet njerëzor dhe pa krenari kombëtare nëpër rrugët e botës! Të punojmë për bashkimin e të gjitha forcave shqiptare pa dallim bindjesh politike a ideologjike, regjionale a besimit fetar.! Eshtë koha e fundit të shuhet jeta partiake në diasporë, që do ta lehtësonte riorganizimin e diasporës shqiptare në bazë të shëndoshë kombëtare, që do t`i forconte Bashkësitë shqiptare ku janë formuar dhe do të lehtësonte të formohen aty ku ende nuk janë formuar. Eshtë koha e fundit që shqiptarët të organizohën si komb e të sillen si komb. Është koha e fundit që të mbyllen të gjitha polemikat! Të mos fajësojmë askend deri sa ta çlirojmë Kosovën nga shkijet! Vetëm atëherë kur Kosova të jetë e lirë, do të kërkohen fajtorët që na prunë në këtë tragjedi kombëtare! Tani nuk është koha për t`i emruar fajtorët! Tani është koha e fundit për mobilizim gjithëkombëtar! Mobilizim të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha moshave dhe të të gjitha viseve shqiptare! Kosova është në rrezik! Kombit shqiptar po i kanoset zhdukja fizike! Vetëm formimi i një Fronti të përbashkët gjithëkombëtar do të na shpëtojë si popull e si komb. Vetëm mobilizimi ynë për luftë kundër barbarëve serbë, me të gjitha forcat tona njerëzore, intelektuale dhe financiare, duke i përdorë të gjitha format dhe mënyrat e luftës, do ta shpëtonte Kosovën nga kthetrat e shkaut, e kombin tonë nga turpi dhe mallkimi! Për arritjen e këtyre objektivave është detyrë parësore e njerëzve që sot gjenden në krye të subjekteve shqiptare: ushtarake, politike e shtetërore, t`i lënë anash interesat e ngushta, duke iu përkushtruar me mish e me shpirt bashkimit të të gjitha forcave që ata i përfaqësojnë në një Front të përbashkët organizimi dhe mobilizimi, me një Udhëheqje që do të përfaqësonte të gjitha forcat në Kosovë dhe diasporë, ku do të krijohej një udhëheqje politike dhe ushtarake kompakte dhe autoritative para faktorit tonë të brendshëm dhe atij të jashtëm. Detyrë mbi të gjitha detyrat e udhëheqjes që do të krijohej do të jetë që aleatët tanë: SHBA, NATO-ja, Bashkësia Evropiane etj., të kenë besim të plotë në atë Udhëheqje, kur dihet se pa ndihmën e tyre ne do ta humbnim Kosovën për gjithmonë, mu nga papërgjegjësia dhe veprimet e papërgjegjshme dhe synimet karrieriste të shumicës së udhëheqësve që janë vënë në ballë të strukturave udhëheqëse shtetërore, partiake dhe ushtarake të Kosovës. Për arritjen e objektivave kombëtare është më se e nevojshme që- në afatin sa më të shpejtë (prej dy-tri ditësh)- të tubohën përfaqësuesit e të gjitha subjekteve shqiptare të Kosovës e të diasporës shqiptare në Tiranë apo në Zvicër. Mendoj se në atë takim që do të quhet ” Kuvendi i bashkimit dhe mobilizimit tonë për ta shpëtuar Kosovën dhe nderin e kombit. ” Duhet të marrin pjesë këto subjekte të Kosovës dhe diasporës me nga një apo tre përfaqësues:1).UÇK-ja 2).LKÇK-ja.3).Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës.4). Bashkësitë Shqiptare në Zvicër, në Gjermani, në Austri dhe në Belgjikë.5).LDK-ja, LBDK-ja, LPK-ja, 6. Partitë politike nga Maqedonia dhe Kosova Lindore që i kanë degët e tyre në diasporën tonë.7) Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Bujar Bukoshi apo përfaqësuesit e tyre që ata i autorizojnë.8). Përfaqësuesit e Fondit ” Vendlindja thërret ” dhe ata të ” Trepërqindshit “. Nga ky Kuvend do të dilej me një udhëheqje të përbashkët politike dhe ushtarake, që mund të quhej me një emërtim simbolik, që do t`i afronte dhe mobilizonte të gjitha forcat dhe shtresat e popullit tonë rreth udhëheqjes së zgjedhur. Me siguri me këtë “organizim” që e kemi sot, ku interesat partiake dhe klanore janë vënë mbi interesat kombëtare, është e pamundur ti arrijmë objektivat madhore kombëtare. I Madhi Zot na ndihmoftë! Dalshim faqebardhë para kombit dhe historisë!

Botuar në “Bota sot ” 8 prill 1999

Loading