PSE FYHET DHE SHPIFET MIKU I NDERUAR I SHQIPTARËVE, ZOTËRI ERDOGAN, NGA DODË GJERGJI ?

Duke marr parasysh pozitën që e mban në Ipeshkvinë e Kosovës zotëri Dodë Gjergji, është dashur të ketë kujdes si shprehet dhe çfarë mesazhi i jep opinionit të gjerë për rrjedhat e ngjarjeve në Kosovë dhe më gjerë. Mënyra dhe përmbajtja e reagimit të zotëri Gjergjit ndaj fjalimit të Kryeministrit të Turqisë, zotërisë Erdogan, në Prizren, para disa ditësh, është një gabim i pafalshëm për një udhëheqës fetar, kur dihet se nuk i takon të merret me politikën e shtetit, aq më tepër t’i fryjë zjarrit të përçarjes dhe mos tolerancës fetare në mes shqiptarëve të besimit Islam dhe atij katolik. Zotëri Gjergji dhe përkrahësit e tij në vend se t’ia bënin së paku një argat Kosovës dhe popullit të saj, duke lobuar te Papa dhe qeveria e tij për ta njoh pavarësinë e Kosovës, ai së bashku me individë të caktuar, po punojnë për të krijuar përçarje në mes popullit shqiptar dhe atij turk. Po bëjnë përpjekje t’i dëmtojnë marrëdhëniet ndërshtetërore në mes Kosovës dhe Turqisë. Po mundohen t’i dobësojnë dhe shkatërrojnë të gjitha lidhjet vëllazërore në mes popullit shqiptar dhe popullit turk.

Akuzat e zotëri Gjergjit ndaj Kryeministrit të Turqisë, zotëri Erdogan, se ai në fjalimin e tij në Prizren i ka shprehur ,,ambiciet neootomane” dhe se ka shprehur dëshirën ,,që të jetë padroni i shqiptarëve”, është një shpifje dhe një fyerje e rënd ndaj mysafirit të shquar dhe mikut të madh të popullit shqiptar. Në vend se zotëri Gjergji dhe gjergjat e tjerë të gëzohen për përkrahjen pa rezervë që Kryeministri i një superfuqie ushtarake i dha Kosovës, duke ua bërë të ditur qendrave të vendosjes ndërkombëtare, veçmas Serbisë, se integriteti territorial dhe interesat e Kosovës janë të paprekshme, ashtu siç është integriteti dhe interesat e Turqisë të paprekshme, kur në Prizren deklaroi: ,,Lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë janë të forta. Jemi njerëz me një kulturë dhe histori të përbashkët. Mos e harroni këtë. Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi, sipas të cilës Turqia dëshiron paqe në Ballkan.”

Shtrohet pyetja se pse zotëri Gjergji dhe përkrahësit e tij deri më tash nuk reaguan me asnjë fjalë kundër lidershipit të Serbisë, të cilët çdo ditë shprehin synimet e tyre për okupimin apo ndarjen e Kosovës, kur deklarojnë se ,,Kosova është Serbi”. A thua nuk e kupton zotëri Gjergji dhe gjergjat e tjerë se deklarata e zotëri Erdoganit se ,,Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi” nuk nënkupton ,,ambicie neootomane” dhe as nuk shpreh dëshirën ,,që të jetë padron i shqiptarëve”, por paraqet aleancën e pathyeshme ndërmjet popullit turk dhe popullit shqiptar. Paraqet kundërshtim të fuqishëm të Turqisë kundër synimeve të Serbisë për okupimin apo ndarjen e Kosovës.

Kjo deklaratë e mikut të madh të shqiptarëve zotëri Erdogan, e ka vlerën e njëjtë me deklaratën e ish-kryetarit të SHBA-së, zotëri Bushit (plaku), kur Jugosllavisë ia pati vënë vijën e kuqe mbi Kosovën. Zotëri Erdogan po ashtu në kryeqendrën e Shqipërisë Etnike, në Prizrenin historik, e shpalli vijën e kuqe mbi Kosovën, duke ua bërë të ditur faktorit ndërkombëtar dhe atij serb, se cenimi i integritetit territorial të Kosovës do të konsiderohet cenim i integritetit të Turqisë. Kjo deklaratë e zotëri Erdoganit mirë është kuptuar nga faktori ndërkombëtar dhe nga Serbia, por pse nuk u ,,kuptua’’, apo pse nuk do të kuptohet nga i pari i Kishës Katolike të Kosovës dhe përkrahësve të tij është një anomali që arsyeja e shëndoshë nuk mund ta kuptojë.

A nuk e ka të qartë zotëri Gjergji dhe përkrahësit e tij se, me të vërtetë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë janë të forta. Ia kujtojmë zotëri Gjergjit se Turqia është njëra ndër shtetet e para që menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, njohu pavarësinë e saj. A nuk e din i pari i Kishës Katolike, zotëri Gjergji dhe gjergjat e tjerë, se në saje të Turqisë, Pavarësia e Kosovës është njohur nga shumë vende myslimane ku ajo ka ndikim. A nuk e ka të qartë zotëri Gjergji dhe injorantët tjerë, se Turqia ka bërë investime kapitale në Kosovë, me çka po ndihmon mëkëmbjen e ekonomisë së shkatërruar të Kosovës.

A thua nuk e din zotëri Gjergji dhe përkrahësit e tij, se gjatë intervenimit të NATO-s në Serbi, komanda ushtarake e Aleancës Veri-Atlantike, duke parë se shumë shtete të Bashkimit Evropian po i bëjnë hile urdhrave për t’i goditur sa më ashpër pikat strategjike të Serbisë, i angazhuan për ato qëllime pilotët turq dhe amerikanë, aksione këto që e detyruan Serbinë për t’i larguar forcat okupuese nga Kosova.

A thua i pari i Kishës Katolike të Kosovës nuk ditka faktin se në saje të përkrahjes së parezervë të Turqisë ndaj Shqipërisë më 1997, nuk u realizua plani dhe skenari serbo-ruso-grek për ndarjen e Shqipërisë në mes Greqisë dhe Serbisë. Ndoshta nuk e ka harruar zotëri Gjergji se kur Shqipëria dhe institucionet e saj kalleshin nga komunistët shqiptarë, rrugaçët e LPK-së dhe kriminelët e burgjeve të Greqisë, ushtria greke u bë gati ta okupojë Shqipërinë. Por vetëm Turqia e ngriti zërin e përkrahjes pa rezervë për Shqipërinë dhe popullin e saj, duke deklaruar se ,,Turqia e njeh integritetin territorial të Shqipërisë dhe po që se ndodh që një këmbë e ushtarit grek të futet në territorin e Shqipërisë, Turqia do të sulmojë me të gjitha forcat e saj Greqinë”. Kjo deklaratë e Kryeministreshës së Turqisë, i vuri në lëvizje diplomacinë e Francës, SHBA-ve, Anglisë dhe të Gjermanisë, të cilat po ashtu u detyruan ta njohin integritetin e Shqipërisë. Pra Turqia me përkrahjen e saj bëri që planet e armiqve shekullorë të popullit tonë për zhbërjen e Shqipërisë dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare siç ua donte interesi i tyre të dështojë.

Edhe tash deklarata e Kryeministrit të Turqisë, mikut të madhe të kombit shqiptar, zotëri Erdogan, do t’i bëj të parealizueshme synimet serbe për ndarjen e Kosovës apo defaktorizimin e shtetit të Kosovës. Se zotëri Gjergji dhe gjergjat e tjerë nuk ekanë kuptuar ,apo nuk kanë dashur ta kuptojnë deklaratën e Kryeministrit të Turqisë, mbetet në ndërgjegjen e tyre, por duhet ta kuptojnë se fushata e tyre e egër kundër Turqisë, aleatit strategjiktë kombit shqiptar, nuk shkon në interes të Kosovës dhe as të popullit shqiptar, por shkon në interes të armiqve tanë shekullorë.

Botuar në ,,Bota sot’’më 29. 10. 2013

Loading