PA DËSHMITË E XHAVIT HALITIT, AZEM SYLËS DHE HASHIM THAÇIT GJYQI I HAGËS NUK MUND TË BËJË GJYKIM TË DRJTË LIDHUR ME PËRGJEGJËSINË E FATMIR LIMAJT DHE VARTËSVE TË TIJ

Gjyqi i Hagës me strategjinë largpamëse, politikën e mençur dhe punën e tij konkrete të deritashme, arriti suksese të lakmueshme për përgatitjen e aktpadive, burgosjen dhe dënimin e një numri të caktuar të kriminelëve të luftës që i polli shovinizmi serb, nacionalizmi kroat dhe mbeturinat e ideologjisë së dështuar staliniste. Burgosja e kryekasapit të Ballkanit dhe fillimi i procedurës për t’ia dhënë dënimin e merituar këtij krimineli – djall, dëshmon se ky gjyq do ta kryejë me nder dhe me përgjegjësi punën që ia ka besuar OKB – ja. Krimet e luftësdhe krimet ndaj njerëzimit nuk vjetrohen, prandaj nuk do të vonojë dhe në burgun e Hagës do të gjenden tok, përpos kriminelëve dorasë, edhe kriminelët e mëdhenj – udhëheqja politike dhe ushtarake e formacioneve ushtarake që bënë krime lufte ndaj civilëve dhe robërve të luftës.

Mjetet e opinionit publik e kanë për detyrë ta përkrahin Gjyqin e Hagës në luftë kundër kriminelëve të luftës, sepse kjo është e vetmja rrugë që kjo pjesë e Evropës (Gadishulli Ilirik) të bëhet vend i paqes, i përparimit dhe i stabilitetit (politik, ekonomik, social etj.) . Është e qartë se nacionalshovenizmi serb bëri krime të luftës dhe krime ndaj njerëzimit, për të krijuar ”Serbinë e Madhe”. Janë të qarta edhe synimet e nacionalizmit kroat. Ata bënë krime të luftës për të arritur zgjerimin e territoreve të tyre në dëm të viseve boshnjake. Përderisa nacionalizmi maqedonas, me ndihmën edhe të argatëve të Nanosit, bëri skenarë perfidë, bëri edhe aventura ushtarake, që shqiptarët t’i heqin qafe, duke ua dhënë të drejtën e shkëputjes nga Maqedonia, me një kusht, që viset shqiptare që janë më pjellore dhe me të bukura, t’u mbesin trashëgim sllavëve të Maqedonisë.

Por, shtrohet pyetja: Është reale që edhe shqiptarët e Kosovës të kenë bërë krime të luftës, kur dihet se UÇK – ja kishte synime çlirimtare? Të akuzohen shqiptarët për krime të luftës nga Gjyqi i Hagës, nuk mund të konsiderohet jo reale, kur dihet se çfarë pasojash pati populli ynë në Kosovë nga hordhitë serbe. Edhe shkenca vërteton dhe arsyeton se dhuna sjell dhunën, prandaj në kushte që u zhvillua lufta në Kosovë, nuk përjashtohet mundësia që individë, apo grupe individësh, të kenë bërë krime të luftës, por në përmasa shumë të vogla ndaj bartësve të dhunës serbe. Por, si të arsyetohen individët dhe grupe individësh të UÇK-së që bënë krime të luftës kundër bashkëkombësve të tyre, duke i burgosur, keqtrajtuar dhe pasi i etiketuan si ”bashkëpunëtorë të okupatorit”, i vranë, jo se me të vërtetë ishin të tillë, por vetëm pse ishin kundërshtarë të tyre politikë. Fatkeqësisht, kjo ka ndodhur në shumë vise të Kosovës.

Shtrohet pyetja: Pse u bënë këto vëllavrasje, ku janë shkaqet dhe motivet e këtyre vrasjeve?

Dihet se me rrëzimin e diktaturës së Enver Hoxhës në Shqipëri, forcat staliniste të Shqipërisë dhe enveristët e Kosovës nuk e pranuan dështimin e komunizmit dhe krijimin e realitetit të ri. Krerët e PSSH – së dhe krerët e LPK – së (organizatë kjo gjysmë ilegale e krijuar nga Sigurimi i Shqipërisë në Perëndim), të kryesuar nga Fatos Nano dhe Xhavit Haliti gjatë bisedave që i zhvilluan në Shqipëri dhe në Zvicër gjatë viteve 1992-1993, arritën marrëveshjen për bashkëpunim dhe ndihmë reciproke, që parashihte rrëzimin nga pushteti të Sali Berishës dhe partisë së tij, dhe largimin nga skena politike të Ibrahim Rugovës dhe shkatërrimin e LDK – së, për të ardhur ata në pushtet. Siç dihet, LPK – ja e ndihmoi me të holla, por edhe me banda, Nanosin për ta rimarrë pushtetin me mjete komuniste gjatë vitit 1997, ndërsa LPK – ja me ndihmën e Sigurimit të Shqipërisë (i cili i la të lirë të veprojnë në Shqipëri) dhe të B. Bukoshit (i cili nuk i ndihmoi me mjet financiare Adem e Hamzë Jasharin, Zahir Pajazitin dhe Salih Çekun), arritën t’i përvetësojnë njësitë guerile të Republikës së Kosovës, me mjetet e marrjes së kalasë nga brenda. Ndërsa komplotistët e LDK – së në krye me Hidajet Hysenin, në bazë të bisedave që i patën në Zvicër me krerët e LPK – së (Xhavit Halitin, Ibrahim Kelmendin dhe Azem Sylën e të tjerë) dhe në Tiranë me Mejdanin, Nanosin dhe Klosin (R. Qosja dhe Hidajet Hyseni) gjatë viteve 1997/ 98 e pranuan Marrëveshjen e Zürihut, e cila ishte lidhur në mesë krerëve të LPK – së dhe krerëve të PSSH – së, (viti 1992/93) dhe pranuan se do të punojnë në realizimin e asaj marrëveshjeje, me kusht që ta ndajnë pushtetin së bashku me LPK – në. Ja pra ku e kanë burimin burgosjet, keqtrajtimet dhe vrasjet e shqiptarëve nga ana e pjesëtarëve të një pjese të UÇK – së që udhëhiqej dhe komandohej nga Fatos Nanosi – Xhavit Haliti & Compani.

Nanoistët e dinin mirë se me mjet demokratike nuk do të mund të realizonin Marrëveshjen e Zürihut, prandaj për ta marrë pushtetin, u detyruan ta kopjonin në tërësi teorinë dhe praktikën e komunistëve të Shqipërisë, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore, i vranë kundërshtarët e tyre politikë, shpianikët dhe nacionalistët e Shqipërisë, vetëm për të ardhur në pushtet. Pra, të njëjtën gjë e bënë dhe po e bëjnë nanoistët e Kosovës, (duke filluar nga fillimi i vitit 1998 dhe po vazhdojnë me mjete perfide edhe në ditët e sotme). Pra, tehu i luftës së tyre nuk ishte i drejtuar kundër okupatorit serb, por ishte i drejtuar kundër LDK – së dhe forcave tjera demokratike. Pas këtyre akuzave është e natyrshme të shtrohet pyetja: Ku janë argumentet dhe dëshmitë, në bazë të cilave vërtetohet se me të vërtetë nanoistët e Kosovës nuk e kishin qëllim kryesor çlirimin e Kosovës, siç përbehen çdo ditë, por qëllimi i tyre kryesor ishte realizimi i Marrëveshjes së Zürihit?

Njeriu që ka arsye të shëndoshë dhe di të mendojë mirë, po të analizojë veprimtarinë e bajraktarëve të farës ruse dhe të pehlivanëve të Nanosit gjatë kohës së luftës dhe pas luftës, nuk e ka vështirë për të gjetur fakte dhe argumente të pamohueshme që dëshmojnë se ata më tepër e luftuan LDK-në sesa okupatorin, se ata ishin instrument i politikës antishqiptare të F. Nanosit, ishin (me vetëdije apo pa vetëdije) rrogëtarë të sigurimit të fshehtë serb, që vepronte në kuadër të Sigurimit të Shqipërisë.

Të shikojmë disa prej fakteve që do të jenë të mjaftueshme edhe për naivët, për t’u binden se me të vërtetë nanoistët e Kosovës e kanë dëmtuar shumë rënd kombin shqiptarë, e kanë keqpërdorur dhe e kanë penguar tepër shumë luftën çlirimtare të popullit tonë dhe e kanë shëmtuar Kosovën. Ishte në dobi të Kosovës dhe të kombit shqiptarë, apo në dobi të Beogradit: përçarjet ndërshqiptare, mosnjohja e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, tentimi për shkatërrimin e LDK – së dhe krijimi i LBDK – së, mos institucionalizimi i UÇK – së, mosnjohja e zgjedhjeve të dyta parlamentare dhe mosnjohja e organeve shtetërore të dala nga ato zgjedhje, mospranimi për krijimin e Qeverisë së Kosovës prej spektrit të gjerë politik dhe ushtarak të Kosovës, shkelja e Marrëveshjes së Oslos, mosnënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë (variantit të parë), e cila parashihte që pas tri vitesh të zgjidhet statusi i saj në bazë të vullnetit të popullit të saj – në bazë të referendumit, krijimi i QPK – së në Tiranë nga argatët e Fatos Nanosit, krijimi i enklavave serbe në bazë të marrëveshjeve të fshehta të QPK – së dhe të Beogradit, plaçkitja dhe uzurpimi i pasurisë shoqërore dhe private të Kosovës nga pararoja staliniste e LPK-së, krerët e LBDK-së dhe argatët e tyre, vrasjet politike të njëpasnjëshme, krimet ekonomike, shkatërrimi i Elektroekonomisë së Kosovës, shkatërrimi i shëndetësisë (spitaleve) dhe shkollimit të lartë (Universitetit) të Kosovës etj. etj. që u bënë prej bajraktarëve të farës ruse, pehlivanëve të Nanosit dhe argatëve të tyre.

Nuk është objekt i këtij shkrimi të pasqyrohet e tërë veprimtaria antikombëtare e pehlivanëve të Nanosit dhe bajraktarëve të farës ruse. Do të kufizohem vetëm në një temë, kanë bërë apo nuk kanë bërë krime të luftës pehlivanët e Nanosit kundër bashkëkombasve të tyre.

Me burgosjen dhe dënimin e komandantëve të vetëshpallur të UÇK-së, të të ashtuquajturit ”Grupi i Dukagjinit” dhe ”Grupi i Llapit”, opinioni ynë dhe ai ndërkombëtarë e kanë të qartë se në radhët e krahut ushtarak të UÇK-së që udhëhiqej nga F. Nanosi – Xh. Haliti & kompani, ka pasur individë dhe grupe individësh që e kanë keqpërdorur Luftën Çlirimtare të popullit tonë. Ata për qëllime karrieriste, kanë burgosur, keqtrajtuar dhe kanë vrarë pjesëtarë të UÇK – së, që i përkisnin krahut institucional të UÇK – së dhe kanë burgosur, keqtrajtuar dhe kanë vrarë civilë shqiptarë, me arsyetimi se ishin ”bashkëpunëtorë të okupatorit”, edhe pse për këto akuza nuk kanë pasur dhe nuk kanë fakte dhe argumente.

Edhe procedura gjyqësore kundër F. Limajt dhe dy ish – ushtarëve të tij në Gjyqin e Hagës, po i qet në dritë burgosjet, keqtrajtimet dhe ekzekutimet e civilëve shqiptarë, prandaj Gjyqi i Hagës e ka për detyrë të gjejë përgjigjen e plotë se kush dha urdhër për krijimin e burgjeve, kush dha urdhër për burgosjen e qytetarëve civilë, kush dha urdhër për vrasjen e veprimtarëve të shquar (politikë dhe ushtarakë) dhe aktivistëve të dalluar të LDK – së, (që i njihnin institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe i përkrahshin forcat demokratike në krye me LDK – në.) Temë në veti është vrasja e Ali Ukajt, Ahmet Krasniqit dhe Azem Hajdarit në Tiranë.

Gjyqi i Hagës shumë gjëra të paqarta do t’i ketë të qarta, po që se e analizon shtypin e kuqaloshëve shqiptarë dhe ”agjencinë e lajmeve” në faqen e internetit ”Kosovapres” – in, që janë vënë nën kontrollin e pehlivanëve të Nanosit. Gjyqi i Hagës do të vijë në përfundim se redaktorët dhe gazetarët e tyre janë të lidhur ngushtë me Qendrën e krimit.

Nuk mund të jetë rastësi se të gjithë veprimtarët e dalluar (politikë dhe ushtarakë) të Kosovës, para se të vriteshin apo të bëhet tentim vrasje mbi ta, u shpifën nga këto gazeta. Po të merren parasysh edhe ”listat e zeza” që u përpiluan nga anëtarë të SHP të UÇK – së, dhe pastaj vrasjet dhe tentim vrasjet që u bënë në bazë të atyre listave, shihet se Qendra e krimit i ka futur nën kontrollin e saj, përpos të ashtuquajturat ” shoqatat e dala nga lufta ”, edhe mjetet e opinionit publik që kontrollohen nga majtistët e Kosovës.

Sa për sqarim, do t’i qesim në pah disa fakte që tregojnë lidhshmërinë dhe bashkëpunimin në mes Qendrës së krimit (SHIK – ut, ZKZ – së, PU të UÇK – së) dhe gazetarëve që i drejtojnë gazetat ,,pandla” të majtistëve shqiptarë.

Ahmet Krasniqi ishte i përkushtuar për bashkimin e subjekteve politike dhe ushtarake të Republikës së Kosovë, andaj bajraktarët e farës ruse nuk arritën kurrë ta kthejnë atë kundër Ibrahim Rugovës dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, dhe më pas e shpifën në gazetën e tyre ”Zëri i Kosovës”.

Të shohim se çfarë shpifjesh bënte gazetari i ”Zërit të Kosovës” Gëzim Mataj për Ahmet Krasniqin dhe Tahir Zemajn: ”Shkurt e shqip: Tahiri, me gjasë, me dije dhe përgatitje të Ahmet Krasniqit dhe padronëve të tyre, ka hyrë si diversionist, që ta godasë UÇK – në në Dukagjin nga brenda, me armë të blera me të hollat e kurbetçinjve, të paguara në ”fondin e Qeverisë”, deri sa forcat pushtuese serbe e bombardonin nga jashtë. Sinkronizim i dy fronteve: i forcave pushtuese nga jashtë dhe kolaboracionistit të saj nga brenda”.

Të shikojmë tani se kjo shpifje e gazetarit të ”Zërit të Kosovës” nga e ka burimin. Në librin ”Kështu foli Tahir Zemaj”, Tahir Zemaj shpjegon se në takimin që e kishte pasur me anëtarët e SHP të UÇK – së, H. Thaçin, Rexhep Selimin dhe Bislim Zyrapin, në gusht të vitit 1998, Hashim Thaçi e kishte kërcënuar Tahir Zemajn me këto fjalë: ” Do të luftoj me ty Tahir Zemaj si me shka, me ty dhe me njësitë e tua ” (Shiko faqen 96 të librit ” Kështu foli Tahir Zemaj”). Gjatë atij takimi që ka pasur me Tahir Zemajn, Hashim Thaçi, nëpërmjet telefonit e kishte kërcënuar edhe Ahmet Krasniqin me këto fjalë: ” Me ty shpejt do ta kryej misionin” (i njëjti libër dhe e njëjta faqe). Siç dihet, një muaj pas kërcënimeve të H. Thaçit, Ahmet Krasniqi vritet në Tiranë, ndërsa Tahir Zemajt gjatë atij viti i përgatiten dy atentate, por të dyjave iu shpëton.

Nuk duhet harruar rastin e ish-deputetëve të Parlamentit të Kosovës, të cilët, me rastin e vizitës që ia bënë Drenicës pas masakrave të para serbe gjatë vitit 1998, u rrëmbyen nga PU e UÇK – së, u keqtrajtuan, u rrahën, i etiketuan ”bashkëpunëtorë të Jugosllavisë” dhe vetëm me intervenimin e bashkësisë ndërkombëtare shpëtuan pa u pushkatuar. Në rrahje ka marrë pjesë edhe vet Hashim Thaçi.

Duhet cekur se para se të vriten, apo të bëhet tentim vrasje, në gazetat ,,pandla” të majtistëve shqiptarë u shpifën, u shanë dhe u kërcënuan edhe Gani Geci, Ukë Bytyqi, Smajl Hajdaraj, Ekrem Rexha – komandant ”Drini”, Tahir Zemaj, Rrok Berisha, Zekeria Cana, Haki Imeri, Bekim Kastrati, Besim Dajaku, Fetah Rudi e shumë veprimtarë të shquar dhe aktivistë të dalluar të LDK – së. Prandaj, këto fakte (dhe shumë fakte që për shkaqe objektive nuk u cekën) dëshmojnë se burgosjet, keqtrajtimet dhe ekzekutimet e ushtarëve (që i përkisnin krahut institucional të UÇK – së), civilëve, veprimtarëve të shquar dhe aktivistëve të dalluar të LDK – së, janë bërë në bazë të një politike të përpunuar mirë nga krerët e pjesës së UÇK-së që komandohej nga F. Nanosi & Xh. Haliti me kompani, që mbështetej në strategjinë e shkatërrimit të forcave demokratike të Kosovës, duke krijuar psikozën e frikës dhe të pasigurisë tek veprimtarët dhe qytetarët e Kosovës që e përkrahnin LDK – në dhe forcat tjera demokratike.

Për njerëzit që kanë arsye dhe dinë të mendojnë, janë të mjaftueshme këto fakte se pehlivanët e Nanosit dhe bajraktarët e farës ruse, nuk e kanë pasur për qëllim çlirimin e Kosovës dhe, aq më pak bashkimin kombëtar, por e kanë pasur për qëllim marrjen e pushtetit në Kosovë, që ua ka garantuar Fatos Nanosi, po që se i kryejnë urdhrat e tij. Por, ata nuk e dinin se tani rrethanat në botë dhe në Evropë nuk ishin ashtu siç ishin gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur llumproletariati shqiptar, në bazë të përkrahjes serbo – jugosllave, u armatos për të bërë masakra mbi nacionalistë, intelektualë dhe shpianikë në dy anët e kufirit.

Nanoistët e Kosovës si duket i kishte mashtruar F. Nanosi me pallavra se pas intervenimit të faktorit ndërkombëtarë, bajraktarët e farës ruse do ta marrin pushtetin në Kosovë. Prandaj, edhe ky duhet të jetë njëri ndër shkaqet që këta argatë të Nanosit nuk e ndalën dorën e krimit mbi bashkëvendësit e tyre, duke shpresuar se ishin aq të fuqishëm, sa që askush nuk do të guxonte t’ua shpalosë të zezat që po i bënin kudo në Kosovë.

Sa çudi, prindërit e pa shkollë të bajraktarëve të farës ruse për t’i kryer punët e bujqësisë, i bashkonin forcat fizike(bënin argatshti), ndërsa bijtë e tyre, që as ushtrinë nuk e kishin të kryer, u luluan me grada kolonelësh dhe gjeneralësh për ta ”luftuar” Jugosllavinë, me djelmosha që nuk i kishin ra brisk fytyrës, ndërsa ushtarakët dhe burrat e pjekur për luftë nuk i donin dhe i bllokonin në Durrës, Kukës dhe në Tropojë, vetëm pse e njihnin Ibrahim Rugovën për Kryetar të Republikës së Kosovës.

Sa çudi, populli i pashkollë, në emër të Zotit, për ta shpëtuar Kosovën nga kthetrat serbe i fali më tepër se 1000 gjaqe dhe shumë e shumë ngatërresa, për t’u bërë një trup i vetëm në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar, ndërsa, Hidajet Hyseni me kompani mbjellën përçarje kur tentuan për ta shkatërruar LDK – në.

Sa çudi, kur Serbia bëhej gati për ta bërë Kosovën ”djep të serbizmit”, bajraktarët e farës ruse, në krye me Adem Demaçin, nuk donin as të bisedonin për çështje të Kosovës (”çështje politike”) me Rugovën, edhe pse e dinin se LDK – ja që ai e udhëhiqte ishte forca politike më e madhe në Kosovë.

Sa çudi, kur Juniku ishte i rrethuar nga forcat serbo-jugosllave, gjeneralët e UÇK – së së Fatos Nanosit & Xhavit Halitit nuk lejuan të futet në Kosovë njësia e FARK – ut, Brigada 141 e UÇK – së, që e komandonte Fuad Ramiqi, për t’i ndihmuar ushtarët dhe popullsinë e Junikut.

Sa çudi me këta bajraktarë të farës ruse që nuk po mbushën mend për të kuptuar premtimin e Zotit: ” Përkundrazi, Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën, dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të, ndërsa ajo(gënjeshtra) zhduket.” (Kur’an – El – Enbija, 18)

Tash më është e ditur, në bazë të shumë fakteve, se krahu ushtarak i UÇK-së që udhëhiqej nga F. Nanosi – Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Hidajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Rexhep Qosja, Adem Demaçi etj. me vetëdije dhe pa vetëdije, (disa) ndihmuan realizimin e skenarëve antishqiptarë të qendrave antishqiptare: Beograd – Moskë – Athinë, (të cilat pas realizimit të kalljes së Shqipërisë dhe shndërrimit të saj në koloni greke) për pastrimin etnik të Kosovës, realizimin e ëndrrës serbe që Kosova të bëhet tokë serbe, siç u bënë Sanxhaku i Nishit, Toplica, Peshteri dhe Tregu i Ri tokë serbe. Këta bajraktarë të farës ruse dhe argatët e tyre që po i udhëheqin të ashtuquajturat ”shoqatat e dala nga lufta”, e dëmtuan dhe po e dëmtojnë rënd Kosovën, duke i kryer drejtpërdrejt apo tërthorazi, urdhrat e Beogradit nëpërmjet ish – ,,udhëheqësve” të UÇK-së, të cilët ishin dhe janë të lidhur me sigurimin serb, drejtpërdrejt apo nëpërmjet Sigurimit të Shqipërisë – klanit të Oznës jugosllave që e pati formuar Sigurimin e Shqipërisë.

Prandaj, lufta kundër krimit të organizuar nuk është punë e lehtë dhe aq e thjeshtë. Kosova duhet të marrë mësim nga Shqipëria e Fatos Nanosit. Kosova do të futet në një krizë edhe më të thellë politike dhe ekonomike po që se pehlivanët e Nanosit, që i kanë përgjakur duart me gjakun e shqiptarëve, i ruajnë edhe më tutje pozitat udhëheqëse që i kanë zënë në organet shtetërore dhe partiake të Kosovës. Ata pa tjetër duhet të përgjigjen para organeve të drejtësisë së Kosovës dhe para Gjyqit të Hagës për dëmet që ia sollën Kosovës dhe popullit të saj me përçarjet ndërshqiptare që i bënë, me dëmet që ia sollën UÇK – së, që e përvetësuan me mjetet e marrjes së kalasë nga brenda, që nuk lejuan institucionalizimin e saj, dhe me luftën e hapur dhe të fshehtë që bënë kundër LDK – së dhe forcave tjera demokratike, dhe me krimet politike dhe ekonomike që i bënë. Shqiptarët e Kosovës nuk do të kenë paqe, liri, qetësi dhe perspektivë zhvillimi e përparimi pa shkatërrimin e Qendrës së krimit të organizuar, ndërsa pavarësia e saj vetëm mund të ëndërrohet deri sa ata nuk e marrin dënimin e merituar.

Sa i përket çështjes së Gjyqit të Hagës dhe UÇK – së, nuk duhet futur në një thes këto dy çështje, siç i përziejnë lypësi në një codillë drithin e miellin bashkë. Ky Gjyq e ka autorizimin ndërkombëtar të bëjë hetime në gjithë territorin e ish – Jugosllavisë për zbulimin e krimeve të luftës, për burgosjen dhe dënimin e kriminelëve të të gjitha niveleve, urdhëruesve të krimit dhe dorasëve.

Është e ditur se edhe në Kosovë pati krime të luftës shumë të mëdha nga hordhitë serbe, por, fatkeqësisht, krime të luftës (jo me përmasa aq sa të serbëve), bënë edhe pehlivanët e Nanosit dhe bajraktarët e farës ruse, por më tepër kundër shqiptarëve sesa kundër serbëve.

Gjyqi i Hagës si duket nuk do të ngutet për ta përfunduar procesin gjyqësor ”Fatmir Limaj” duke i kryer punët ”shkel e shko”. Me siguri dëshmia e Jakup Krasniqit do t’ia lehtësonte punët këtij Gjyqi për të kuptuar përgjegjësinë e Fatmir Limajt dhe vartësve të tij, por ky Gjyq nuk do të ketë mundësi të bëjë gjykim të drejtë pa dëshmitë e trojkës ”Xhavit Haliti & Azem Syla & Hashim Thaçi”, të cilët e përbënin kokën komanduese të UÇK – së, (së pa institucionalizuar). Kur e them këtë, mbështetem në deklaratat publike që u botuan në libra, revista dhe gazeta të atyre që janë jo vetëm dëshmitarë, por edhe disa prej tyre ishin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të proceseve degjeneruese që e përfshinë një pjesë të UÇK – së.

T’i shohim disa prej atyre deklaratave: Xhavit Haliti në intervistën e tij të botuar në gazetën ”Zëri”, më 8 shkurt 2001, për formimin e UÇK – së (kuptohet në procesverbalet e LPK – së) thotë: ”Vendimet konkrete për ngritjen e saj janë marrë nga Kryesia. Kjo edhe ngarkoi Azem Sylën dhe Hashim Thaçin që të merren me organizimin e UÇK – së në Kosovë dhe Xhavit Halitin dhe Ali Ahmeti janë emëruar të veprojnë në Perëndim dhe në Shqipëri për organizimin e UÇK – së dhe për ndihmën që duhet t’i bëhet”.

Muhamet Kelmendi, ish-nënkryetar i LPK-së, në librin e tij ”Pse nuk u ndërtua Fronti për Çlirimin e Kosovës” (Botuar në Tiranë më 1999) tregon për veprimtarinë destruktive të Xhavit Halitit, kur thotë: ”Në vitin 1996 shqyrtuam kërkesën e Fehmi Lladrofcit, të cilën e paraqiti Ali Ahmeti (Ditari i MK) . Ai kishte kërkuar lejen nga Kryesia për të shkuar brenda vendit për vete, për bashkëshorten e vet dhe më se 10 shokë. Ne si Kryesi e kemi shqyrtuar këtë kërkesë disa herë, por kundër shkuarjes së grupit të Fehmi Lladrofcit brenda vendit ishte kryesisht Xhavit Haliti dhe Azem Syla, me arsyetimin se, ky njeri dhe shokët e tij janë karrieristë, njerëz që shkojnë atje për të udhëhequr luftën e jo për të luftuar. Ky bllokim kuptohet se bëhej në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Deri në maj të vitit 1997 e bllokuan vendimin e dërgimit të Fehmi Lladrofcit me shokë”. (Shiko në faqen 37 të librit të cekur më lart). Muhamet Kelmendi pastaj vazhdon: ”Por, e përbashkët është se, përkundër dobësimit të radhëve të ushtrisë, me bllokimin e vullnetarëve e kuadrove, u veprua edhe kundër kërkesave të shokëve të tjerë të Kryesisë a të KP të Degës j.v. të cilët e shprehën gatishmërinë për të shkuar brenda vendit. Çdo kërkesë që bëhej në Kryesi nga dy anëtarët e sektorit (Xhavit Halitit dhe Azem Syles), u refuzua kategorikisht, në emër të UÇK-së, gjoja se nuk kishin nevojë, ndërsa dërgonin persona të tjerë, anëtarë që i kishin nën kontrollin e tyre. Këtë e refuzonte Ali Ahmeti, duke treguar se ato nuk ishin vendime të UÇK – së(Ditari i MK)” . Se qysh dhe kush e ngriti Hashim Thaçin në krye të UÇK – së na e shpjegon qartë dhe me fakte Muhamet Kelmendi në librin e tij të lartpërmendur. Ai thotë: ”Në ndërkohë nga këta dy anëtarë të Sektorit, paraqitet kërkesa për gjetjen e ndërlidhjeve midis Kryesisë së Degës dhe UÇK – së. Nga Xhavit Haliti dhe Azem Syla u paraqitën Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, si kuadro të vyeshëm e të sakrificës për detyrën e tillë. Ne nuk i njihnim, por me propozimin e Sektorit, Kryesia i pranoi dhe ata nga Sektori u dërguan si ndërlidhës nga Cyrihu i Zvicrës, ku ishin vendosur brenda vendit. Kjo, natyrisht, ishte e drejtë, por e keqja është se kështu nga këta paraqiteshin dy kute krejtësisht të kundërta: ai i refuzimit të shokëve që nuk i kishin nën kontroll Xhavit Haliti e Azem Syla, si dhe të pranimit nga ata të dy për të dërguar të tjerë brenda vendit, kuptohet sipas raporteve që kishin ata”. Muhamet Kelmendi në librin e tij na tregon edhe mënyrën se si e përvetësuan UÇK – në Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Ai thotë: ”…Gjatë kësaj kohe në Shoqatën e Shkrimtarëve të Shqipërisë, ku ishim duke mbajtur mbledhjen e Kryesisë, u futën në mbledhje Azem Syla e Xhavit Haliti, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, si përfaqësues të SHP të UÇK – së. Ne këta i njihnim si ndërlidhës midis LPK – së dhe UÇK – së, ndërsa tani na dilnin si anëtarë të atij organi(…) Dhe për më tepër vinin për të thënë se UÇK – ja e ka bazën e vet politike, prandaj asaj nuk i duhej asnjë organizim tjetër politik, aq më pak Fronti”. (Shënim nga puna e Kryesisë). Kelmendi dëshmon se Xhavit Haliti dhe Azem Syla i kishin marr të gjitha kompetencat në Shqipëri. ”Zeka” (Xhavit Haliti) nuk linte asnjë kontakt me asnjë nga zyrtarët, pavarësisht nivelin”. Kelmendi shpjegon se ” Edhe për mjetet që vinin nga bota e jashtme u bë një luftë e ashpër. Ato kalonin vetëm nëpërmjet dorës së Xhavitit dhe Azemit. Xhaviti kishte leje për të marrë në dorëzim mjetet në kufi. Të tjerët nuk lejoheshin nga organet e shtetit për t’u futur brenda dhe për t’i pranuar mjetet e mallin, sepse nuk lëshohej leje tjetër.”. Kelmendi e akuzon Tiranën zyrtare që e ndihmoi Xhavit Halitin për ta përvetësuar UÇK – në. ”Përkundrazi, ajo ndihmoi Xhavitin dhe ai e kapi UÇK – në dhe LPK – në për fyti me urdhrin e saj. Me këtë veprim, ky grup fitoi dhe u devijua lufta në Kosovë, ndërsa korrën sukses anët tjera, ato që kombi ynë të mos arrinte të bashkohej në Front dhe të çlironte Kosovën. Ajo e humbi karakterin e vet popullor – çlirimtar”.

Dihet se Xhavit Haliti, me përkrahjen e Fatos Nanosit, u bë patroni i UÇK – së, së painstitucionalizuar (ndërsa tash është patron i PDK – së). Ai i zhvoshi paratë e Fondit ”Vendlindja thërret”. I shkuan si ”hutit në zgur” afër 8 milion DM nga Bukoshi, dhe me dhjetëra milionë dollarë e valuta tjera nga diaspora. Dhe, shumicën prej tyre i bëri Xhaviti ,,rrush e kumbulla” me Fatosin e me Klosin dhe rrogëtarët e tij. A thua për çfarë arsye deri tash nuk e falënderoi asnjë shoqatë dhe asnjë person për paratë që ia dorëzuan atij apo Azem Sylës! Çka është më e keqja, po i lamë falënderimet, ai nuk e foli një gjysmë fjale se kush ishin ata persona që tubuan ndihma për UÇK – në, se kush ishin ata burra që dhanë para pa kursim për UÇK – në. Ai nuk foli dhe as që do të flas vetë, por po shpresojmë se një ditë do të japë llogari para drejtësisë së shtetit të Kosovës.

Siç dihet, Xhavit Haliti dhe Azem Syla e shfrytëzuan logjistikën për ta futur UÇK – në nën sqetullat e tyre. Ramush Haradinaj në intervistën e tij, të botuar në librin e Bardh Hamzaj ”Rrëfimi për luftën dhe lirinë” (Dialog me komandantin Ramush Haradinaj), thotë: ”Xhavit Haliti dhe Azem Syla kanë kushtëzuar furnizimin me armë me dëgjueshmërinë tonë ndaj tyre”. Pastaj Haradinaj shpjegon se ata kërkonin prej nesh që ”veprimet dhe deklarimet të bëhen vetëm në formën që ata e konsiderojnë të arsyeshme, të mos u nxirrnim telashe në organizimin e Shtabit të Përgjithshëm, por t’i lëmë aty satelitët e tyre.

Domethënë, është kërkuar të ishim të dëgjueshëm ndaj argatëve që i kishin Azemi dhe Xhaviti në terren. (…) Kërkohej të vepronim në bazë të urdhrave të ”shokëve” që nuk dihej se kush janë. Na thoshin: ”Kanë thënë shokët, kanë thënë shokët!” Cilët shokë? Aludohej në Shtab të Përgjithshëm. Në fakt, kjo ishte një mënyrë për mbajtjen e mekanizmit ushtarak nën kontroll me diçka të ”hijes” të ”nëntokës” , me diçka misterioze. Ramush Haradinaj vazhdon: ”Asnjë komandant zone nuk ishte anëtar i SHP të UÇK – së. Edhe kur mblidhej Shtabi, aty mblidheshin Drejtoria Politike, zëdhënësit, shërbimet, dhe ata diskutonin dhe merrnin vendime”.

Njerëzit nga kureshtja duan të dinë se kush ishte ideologu i UÇK – së së pa institucionalizuar, pra kush ishte babai i saj. Po që se mbështetemi në deklaratat e Xhavit Halitit, të Ramush Haradinajt dhe njeriut që më së miri i din të gjitha rrjedhat e ngjarjeve në LPK dhe në UÇK, zotëri Muhamet Kelmendit, i cili bëri përpjekja të mëdha për formimin e ”Frontit për Çlirimin e Kosovës”, Front ky që do të krijohej prej të gjitha subjekteve politike të Kosovës, nën udhëheqjen e LPK – së. Për dallim nga rryma tjetër e LPK – së që udhëhiqej nga Xhavit Haliti me kompani, të cilët nuk donin kurrfarë bashkimi dhe as kurrfarë fronti me LDK – në, ishte shumë herë më i mirë, sepse zotëri Kelmendi donte bashkimin e të gjitha subjekteve politike dhe ushtarake në atë Front. Por, tjetër çështje ishte puna se a ishte e aftë LPK – ja për ta udhëhequr atë Front. Faktet po dëshmojnë se jo.

Po që se merren parasysh deklaratat e Ramush Haradinajt dhe Muhamed Kelmendit, mund të thuhet me plot të drejt se Xhavit Haliti ishte ideologu dhe babai i UÇK – së së pa institucionalizuar. Këtë e ka pohuar edhe vet Xhavit Haliti në intervistën që ia ka dhënë Blerim Shalës, e cila është botuar në ,,Zëri” prej 5 deri më 16 shkurt 2001. Në pyetjen e Blerim Shalës shtruar Xhavit Halitit se gjatë gjithë kohës autoritet suprem i UÇK – së në Shqipëri keni qenë ju personalisht, Xhavit Haliti i përgjigjet: ”Po, unë dhe Azem Syla”. Pra, ai që ishte ”autoritet” suprem i UÇK – së në Shqipëri, ishte po ashtu edhe në Kosovë, kur dihet roli i Shqipërisë dhe i Fatos Nanosit në përçarjet ndërshqiptare në Kosovë dhe viset tjera shqiptare.

Po të merret parasysh edhe roli antishqiptarë i Nanosit dhe klikës së tij që nga viti 1992/93, kur u lidh marrëveshja për bashkëpunim dhe ndihmë reciproke në mes PSSSH – së dhe LPK – së, mund të thuhet, me plotë të drejtë, se autoriteti suprem i UÇK – së (së pa institucionalizuar) nuk ishte ”dvojka” Xhaviti – Azemi, por ishte trojka ” Fatos Nanosi – Xhavit Haliti – Azem Syla”. Por, në rangun e dytë të udhëheqjes së UÇK – së (së pa institucionalizuar) vijnë pastaj: ”petica” : Jakup Krasniqi, (në cilësinë e zëdhënësit të SHP të UÇK – së), Hashim Thaçi, (në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë Politike të UÇK – së), Adem Demaçi, në cilësinë e përfaqësuesit të përgjithshëm të UÇK – së, kurse si pjesë rezervë të stafit politik të UÇK – së ishin Azem Syla dhe Ramë Buja. Siç dihet, UÇK-në në Rambuje e përfaqësoi ”petica” (rangu i dytë udhëheqës i UÇK – së), përpos A. Demaçit, i cili nuk deshi të merrte pjesë.

Atëherë, Gjyqi i Hagës po që se donë të gjykojë me drejtësi Fatmir Limajn dhe dy ish – ushtarët e tij, duhet ta marrë në pyetje ”Peticën” e UÇK – së: Xhavit Halitin, Azem Sylën, Hashim Thaçin, Adem Demaçin dhe Ramë Bujën. Numri 3 i ”peticës” Jakup Krasniqi, si ”dëshmitar i detyruar”, e tha e nuk tha çka është dashur të thotë. Do të jetë shumë e rëndësishme për historinë dhe për të vërtetën të merren në pyetje edhe katër numrat tjerë të ”peticës” së UÇK – së (së pa institucionalizuar), sepse do të dalë në shesh e vërteta e hidhur. Do të dalë në shesh e vërteta se pse jemi sot në këtë gjendje kaq të ndërlikuar, se pse jemi sot në buzë të greminës dhe kush na qoj te ajo humnerë. Dhe, së fundi, do të kuptojnë edhe naivët, edhe mendjeshkurtrit, edhe ahmakët, edhe të marrët, edhe tradhtarët që pa vetëdije u bënë tradhtarë, se pehlivanët e Nanosit dhe bajraktarët e farës ruse ishin ata që punuan dhe po punojnë për interesa të huaja, për interesa të Beogradit, Moskës, Athinës e të koftlargtit – djallit.

Fatkeqësisht, edhe pse Fatmir Limaj pat deklaruar (me rastin e burgosjes) se ”do ta mbrojë UÇK – në” dhe Kosovën në Hagë, nuk doli ashtu. Procesi gjyqësor që po zhvillohet kundër tij dhe dy ish – ushtarëve të tij (gardianëve të burgut), dëshmoi se ai nuk e mbrojti vetveten, nuk e mbrojti UÇK – në dhe nuk e mbrojti as Kosovën. Fatmir Limaj do ta mbronte vetveten, UÇK – në dhe Kosovën vetëm po që se do të sqaronte se me urdhrat e kujt është krijuar burgu dhe me urdhrat apo udhëzimet e kujt janë burgosur dhe keqtrajtuar të burgosurit. Kjo është e vetmja mënyrë për t’i ndriçuar shkaqet e deformimeve që ndodhën në UÇK – në, (e Xhavit Halitit & Co.) e vetmja mënyrë për t’i zbuluar përgjegjësit kryesor të krimeve të luftës që u bënë gjatë luftës në Kosovë nga persona dhe grupe individësh të UÇK – së. Po që se Fatmir Limaj edhe më tutje vazhdon me këtë ”mbrojtje”, duke e mbyllur gojën, ai po e ngarkon në shpinë fajin e individëve që ishin dhe janë të lidhur me sigurime të huaja, dhe kështu, në vend se t’i demaskojë armiqtë e UÇK – së dhe të kombit shqiptarë, që janë vënë nën komandën e spiunëve të Beogradit dhe të Athinës, ai fajin e tyre po e merr vet, dhe atyre po ua bënë një shërbim të mirë, duke i lënë të lirë për të bërë komplote edhe më tutje kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj.

Fatmir Limaj duhet të kuptojë njëherë e përgjithmonë se çdo njeri është i gabueshëm, ndonjëherë edhe shumë rënd, por mospranimi i fajit e dyfishon fajin. E vetmja rrugë që do ta nxirrte Fatmir Limajn nga kjo humnerë, që e futën të tjerët në bazë të hierarkisë ushtarake(armiqtë e UÇK – së dhe të popullit shqiptar), e që po sorollaten duke rrahur gjoks se janë ,,krijuesit e UÇK –së”, se janë ,,krijuesit e SHP të UÇK – së, dhe të Drejtorisë Politike të UÇK – së”, se ishin ”përfaqësues politikë të UÇK – së”, se ”nuk kanë dijeni për keqpërdorimet që janë bërë nga pjesëtarë të UÇK – së” etj. edhe pse dihet se përfaqësuesit politikë janë ata që i kanë krijuar organet udhëheqëse të UÇK – së, dhe sa ata e kanë përcaktuar dhe e kanë udhëhequr politikën e UÇK – së. Pra, nuk mund të jenë fajtorë komandantët e njësive ushtarake për krimet e luftës para udhëheqësve politikë.

Fatmir Limaj nuk do të duhej bërë kurban i spiunëve serbo – grekë, që u futën në udhëheqjen e UÇK – së (së pa institucionalizuar). Po që se donë ta mbrojë të vetveten, Kosovën dhe UÇK – në, Fatmir Limaj duhet ta thotë të vërtetën e plotë për çka akuzohet. Mos ta kursejë askënd nga ”shokët” e tij, sepse i Madhi Zot na detyron ta themi të vërteten ”edhe nëse ajo shkon në dëmin tonë, edhe në se ajo shkon në dëmin e familjes dhe të afërmve tanë”. E vërteta e plotë për keqpërdorimet që u bënë gjatë luftës, për të ligat që iu bënë UÇK – së, Kosovës dhe shqiptarisë, do të dalin në shesh një ditë, edhe në se e mbyll gojën Fatmir Limaj, por atëherë Fatmir Limajn nuk do të mund askush ta pastrojë nga fajësia (gjynahet), sepse do të konsiderohet fajtor i dyfishtë, pasi që u mundua ta fshehë të vërtetën dhe e mori mbi supe barrën e huaj që nuk i takonte. Duhet ta dijë Fatmir Limaj se në të gjitha luftërat që u zhvilluan në rruzullin tokësor, të drejta qofshin ato apo të padrejta, janë bërë keqpërdorime të luftës nga individë dhe grupe individësh, për shkaqe karrieriste. Por, puna e ushtrisë, puna e atyre burrave dhe djelmoshave që luftuan për ideale çlirimtare, nuk mund të mohohet nga askush, edhe po që se një grup mjeranësh e keqpërdori luftën për qëllime karrieriste.

UÇK – ja nuk mbrohet duke i mbrojtur keqpërdoruesit e saj, pa marr parasysh se çfarë pozite ushtarake apo politike kishin dhe kanë. Ajo mbrohet duke i luftuar keqpërdoruesit me mjete ligjore. Vetëm kur të arrijmë t’i qesim para drejtësisë për të dhënë llogari për dëmet që ia sollën UÇK-së, Kosovës dhe shqiptarisë, mund të thuhet se është mbrojtur UÇK – ja, është mbrojtur gjaku dhe amaneti i dëshmorëve tanë.

Kosova dhe forcat e saj demokratike pa ndihmën e KFOR – it, Policisë së UNMIK-ut, Gjyqit të Hagës dhe ekspertëve të sigurimeve shtetërore amerikane dhe angleze, nuk do të ketë kurrfarë mundësie ta shkatërrojë Qendrën e krimit të organizuar që është krijuar në Kosovë. Faktori ndërkombëtar ka bërë një lëshim të rëndë që në standardet që duhet plotësuar Kosova para se të fillojnë bisedimet për statusin e saj, nuk figuron edhe kjo çështje, pra çështja e shkatërrimit të Qendrës së krimit të organizuar. Po që se faktori ndërkombëtarë nuk i shkatërron qendrat e krimit në Serbi, në Maqedoni, në Shqipëri dhe në Kosovë, që udhëhiqet nga sigurimi i fshehtë rus, duke i qitur para drejtësisë jo vetëm kriminelët e vegjël, por edhe kriminelët e mëdhenj – urdhëruesit e krimit, Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe gjithë Gadishulli Ilirik nuk do të kenë kurrë stabilitet politik, përparim ekonomik dhe as demokratizim, por do të jetë qendër e krimit të organizuar për krejt Evropën. Do të jetë Bolivi e Evropës, kancer i pashëruar në truallin strategjik të Evropës. Prandaj, SHBA – të, NATO – ja, dhe Bashkimi Evropian nuk guxojnë të bëjnë marrëveshje me kriminelët, duke shpresuar se ata do të përmirësohen, por duhet t’i detyrojnë të përballen me drejtësinë, për të dhënë llogari për krimet e bëra gjatë kohës së luftës dhe pas kohës së luftës. Faktori ndërkombëtar ka forcë të mjaftueshme, ka dije dhe eksperiencë të mjaftueshme për shkatërrimin e mbeturinave të komunizmit dhe të monizmit, i cili po e drejton dhe po e kontrollon krimin e organizuar në Gadishullin Ilirik.

Gjyqi i Hagës ka nevojë të përkrahet sinqerisht nga SHBA-të, Bashkimi Evropian, KFOR – i dhe qendrat tjera të vendosjes ndërkombëtare, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrihet demokratizimi, përparimi dhe stabiliteti politik dhe ekonomik i kësaj pjese të Evropës.

Vetëm atëherë kur të gjithë kriminelët e luftës (urdhëruesit e krimit dhe dorasit) që bënë krime lufte në territoret e ish – Jugosllavisë, do të gjenden tok në Burgun e Hagës dhe të presin radhën për të dhënë llogari para Gjyqit të Hagës, mund të thuhet me plot gojën se Gadishullit Ilirik, po i hapet perspektiva për demokratizim, po i hapen rrugët të bëhet pjesë e familjes së madhe e Bashkësisë Evropiane, po i krijohet perspektiva për plotësimin e kushteve për të zënë vendin e merituar në strukturat Veri-Atlantike dhe në qendrat e vendosjes ndërkombëtare, synime këto të gjakosura të gjithë popujve të kësaj pjese të Evropës, që aq shumë përjetoi vuajtje dhe mjerime nga pasojat e luftës së Rusisë dhe aleatëve të saj për dominim për koloni dhe dalje në det.

Botuar në “Bota sot”, më 3 – 7 mars 2005

Loading