DERI KUR DO T`I LEJOJMË FORCAT E DJALLIT TË MANIPULOJNË ME ÇËSHTJET MADHORE KOMBËTARE

Gjeniu ynë popullor na mëson se duhet pasur kujdes që të ruhemi prej fqinjit të lig, se ,,po ndodhi e t’i mashtrojë ,,mashkujt budallë”, me ta të bënë kërrsh dhe horë e nuk ke çka i bën’’. Fatkeqësisht, kjo e keqe po na përcjell brez pas brezi dhe mu për këtë edhe kemi ardhur këtu ku jemi, në buzë të greminës, të asaj gremine që na e përgatitën armiqtë tanë shekullorë, nëpërmjet ,,mashkujve tanë budallë” (spiunëve serbo – ruso – grekë, karrieristëve të sëmurë për pushtet, sahanlëpirësve, kokëkrisurve, pakurrizorëve, llumproletarëve etj.) që, me një fjalë, meritojnë t’i quajmë llumi – apo tum (-i) i shoqërisë shqiptare.

Siç dihet, llumi, i shoqërisë shqiptare u bë dorë e zgjatur serbo–ruso-greke gjatë Luftërave ballkanike, Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore. Por, këto forca të djallit edhe në kohë paqeje kryen dhe po kryejnë punën e armiqve tanë shekullorë.

Fatkeqësisht, forcat e shëndosha kombëtare nuk morën mësim nga historia dhe dështimet e saj. Ende po punojnë me të vjetrën. ,,Fol e mos luaj vendi”, ndërsa llumi (tum-i-) i shoqërisë shqiptare për ca interesa banale – personale, po punon për interesa të huaja e në dëm të interesave tona madhore.

Llumi i shoqërisë shqiptare për gjysmë shekulli punoi për interesat serbo – ruso – greke në Shqipëri. Edhe në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, të njëjtat forca punuan dhe po punojnë në mënyrë perfide për interesat serbe. Se ku e çoi Shqipërinë llumi i Shqipërisë, pas kryengritjes bolshevike të 1997-ës, dhe ku po përgatitën ta çojnë Kosovën llumi (tum-i) i Kosovës (që nga 1993 e deri më sot), është e qartë për të zotët e mendjes, por nuk është ende e qartë për të padijshmit dhe të marrët. Kosova nuk arriti të çlirohet vet nga Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, pasi që forcat e djallit (llumproletarët) e shkelën Marrëveshjen e Oslos, që parashihte bashkimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe UÇK-së në një forcë të vetme, në FARK. Shkelja e kësaj marrëveshjeje solli komplote të njëpasnjëshme kundër interesave shqiptare në përgjithësi, dhe kundër interesave të Kosovës në veçanti. Shumë komplote dështuan me ndihmën e të Madhit Zot, që i detyroi fuqitë e mëdha t’i dalin në ndihmë popullit tonë të shumëvuajtur. Por, komplotet serbo–ruso-greke, të përkrahura nga pjella e jonë e keqe (fara ruse), po vazhdojnë edhe më tutje, dhe është rrezik i madh që do ta humbim përkrahjen e aleatëve tanë, pasi që po tregohemi se jemi të paaftë për të dalluar të mirën prej të keqes, mikun prej armikut. Po tregohemi se jemi analfabetë politikë dhe, mbi të gjitha, po tregohemi mosmirënjohës ndaj miqve që na u gjendën dhe po na gjendën, në ditë të vështira që po i përjeton populli ynë.

Dihet se diplomatët e shquar të SHBA-ve, para se të fillonte lufta në Kosovë, kërkuan nga subjektet politike të Republikës së Kosovës t’i mbajnë zgjedhjet (e dyta) parlamentare dhe t’i krijojnë institucionet shtetërore: Presidencën, Qeverinë dhe Parlamentin. Por, forcat e llumit kundërshtuan çdo nismë të mbarë që do të çonte deri te bashkimi i faktorit politik shqiptar dhe krijimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, se ashtu donin Nanosi & kompani, Athina, Moska dhe Beogradi. Rrogëtarët e Nanosit me veprimtarinë e tyre përçarëse dhe antikombëtare, i krijuan rrethanat dhe kushtet që Kosova ta përjetonte fatin e Toplicës, Sanxhakut të Nishit, Tregut të Ri me Peshterin dhe të Çamërisë, por mëshira e të Madhit Zot i bëri të parealizueshëm skenarët dhe planet serbe, kur i detyroi forcat e mëdha botërore ta ndihmojnë Kosovën.

Pas përfundimit të luftës, këto forca antikombëtare, të shtyra nga etja për pushtet dhe të mira materiale, iu kacafytën Kosovës së plagosur e të gjakosur nga kriminelët barbarë serbë, për ta rrjepur atë që mbeti e parrjepur nga shkau. Vodhën, plaçkitën, kërcënuan, mbollën frikë, vranë dhe ende po vrasin Burra të Dheut, por kulmin e tradhtisë dhe të krimit e arritën kur i vranë institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, të krijuara me mund aq të madh.

Po të ishin dëgjuar atëherë diplomatët e shquar të SHBA-ve për formimin e Qeverisë së Kosovës, Kosova në Rambuje do të shkonte me një delegacion qeveritar dhe nuk do të shkonte siç shkoi dhe sot nuk do ta kishim Kornizën Kushtetuese, po do ta kishim Kushtetutën e Kaçanikut. Parlamenti, Qeveria, Presidenca – Presidenti do t’i kryenin detyrat në bazë të Kushtetutës, ndërsa FARK-u do të ishte shumë më i suksesshëm në luftë me Serbinë, sesa njësitë e UÇK-së që udhëhiqeshin nga Shtabi i analfabetëve ushtarakë të Xh. Halitit dhe Drejtoria Politike e analfabetëve politikë të H. Thaçit. Kosova do të çlirohej nga vet shqiptarët, me ndihmën morale(diplomatike dhe politike) dhe materiale të aleatëve dhe miqve tanë. Kosova në asnjë mënyrë nuk do të kishte enklava serbe, sepse SHP i FARK-ut, që drejtohej nga kolonel Ahmet Krasniqi, (qysh para luftës, më 1996, me analizat e tij ushtarake), parashihte se Mitrovica dhe Kosova Veriore do të jenë ndër territoret e para që do të çliroheshin për shkak të rëndësisë së tyre ekonomike dhe strategjike. Por, SHP i UÇK-së që drejtohej nga argatët XH. Halitit, kishte tjetër strategji dhe tjera qëllime, kur njësive të UÇK-së iu dhanë urdhër të zënë vend (të stacionohen) në Tavnik e jo përtej Urës së Ibrit në pjesën veriore të Mitrovicës.

Pra, Mitrovicën nuk e ndanë forcat serbe, siç rrejnë nanoistët dhe kalemxhinjtë e tyre pakurrizorë, por Mitrovicën përtej lumit Ibër dhe Kosovën Veriore ua dhanë paramilitarëve serbë për ta qeverisur nanoistët e Kosovës – forcat e tum-it, që udhëhiqeshin nga Xh. Haliti, H. Thaçi, H. Hyseni, A. Çeku, R. Qosja, R. Haradinaj, J. Krasniqi dhe ish-pararoja staliniste e LPK-së.

Këto forca të djallit, këta shërbëtorë të Nanosit, të Beogradit, Athinës dhe Moskës, duke bërë krime politike dhe ekonomike në Kosovë, edhe sot po e përforcojnë propagandën serbo–ruso-greke se ,,shqiptarët nuk janë popull shtetformues” dhe po pamundësojnë investimin e kapitalit të huaj në ekonominë e Kosovës, dhe kështu po punojnë për interesa të armiqve tanë shekullorë. Mos burgosja e kriminelëve që po bëjnë krime politike dhe ekonomike dhe krime të tjera në Kosovë nga policia ndërkombëtare dhe ajo e vendit, dëshmon se nanoistët e Kosovës – forcat e tum-it, janë të lidhura shumëfish me çarqet antishqiptare (miq dhe spiunë serbo–ruso–grekë), që kanë zënë pozita të rëndësishme në strukturat udhëheqëse të UNMIK-ut, të SHPK-së dhe të TMK-së.

Fatkeqësisht, forcat e djallit që gjenden në Parlamentin e Kosovës, pas gjithë komploteve që thurën kundër Kosovës dhe institucioneve shtetërore të saj, po kanë sukses të manipulojnë edhe më tutje me çështje madhore kombëtare, kur përfaqësuesi i bishtit të vogël të PSSH-së, zotëri Dugolli, pati sukses t’i bindi 42 deputetë për t’i vënë nënshkrimet e tyre mbi ,,deklaratën për pavarësinë e Kosovës”, që nuk është asgjë tjetër vetëm se rrebesh plumbash pas rrebeshit të parë të H. Thaçit & kompani, kundër Deklaratës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, Kushtetutës së Kaçanikut, Parlamentit dhe Presidencës – Presidentit të Republikës së Kosovës.

Forcat demokratike të Kosovës duhet ta kanë të qartë se gjithë kjo zhurmë që po bëhet në lidhje me këtë ,,deklaratë’’ të Dugollit dhe dugollanëve të tjerë, nuk është asgjë tjetër, përpos se një kurth i përgatitur me mjeshtri nga çarqe të caktuara antishqiptare kundër interesave të Kosovës dhe interesave kombëtare, që opinioni ynë të mos bëjë presion në qendrat e vendosjes ndërkombëtare, për të marrë masa të nevojshme që të luftohet krimi i organizuar në Kosovë, por të merret me një temë që tash për tash nuk është aktuale dhe as që shkon në interesin e Kosovës.

Kryeadministratori i Kosovës, zotëri Shtajner, siç dihet, disa herë ua ka bërë të ditur serbëve dhe aleatëve të tyre se Kosova nuk ka kthim mbrapa, nuk ka ndarje të saj, nuk do të ketë sukses dhe përkrahje sistemi paralel i serbëve të Kosovës, dhe as që do të lejojë enklavizimin e saj. Këto qëndrime parimore të zotëri Shtajnerit, janë përkrahur edhe nga Qeveria e SHBA-ve dhe Bashkësia Evropiane, prandaj nuk kanë pse të ’’merakosen’’ për ’’statusin përfundimtarë të Kosovës’’ Dugollët e AAK-së dhe përkrahësit e dugollananave të subjekteve tjera politike.

Forcat politike të Kosovës dhe qytetarët e saj, duhet ta kenë të qartë se pa përkrahjen e tyre, zotëri Shtajneri nuk mund t’i realizojë premtimet e tij, pasi që ai nuk ka fuqi të mbinatyrshme të bëjë çka të dojë. Kosova nuk ka nevojë për dyfishimin e deklaratave që shprehin vullnetin e qytetarëve të Kosovës, dhe as nuk ka nevojë të konfrontohet me miqtë dhe aleatët e saj.

Ish-Parlamenti i Kosovës i ka vënë themelet e shtetësisë së Kosovës, me miratimin e Deklaratës Kushtetuese dhe miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Kushtetutën e Kaçanikut), ndërsa qytetarët e Kosovës me referendum janë deklaruar për Pavarësinë e Kosovës, prandaj çdo përpjekje për zhvlerësimin e këtyre rezultateve të popullit tonë, që u arritën me mund dhe sakrifica të mëdha, qojnë ujë në mullirin e shkaut.

Forcat politike të Kosovës duhet ta kenë të qartë deklaratën e Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, i cili në çdo takim me ndërkombëtarët e përsërit me kompetencë qëndrimin e tij të drejt, se ’’Kosova de fakto sot është e pavarur…’’, dhe se pret vetëm ’’njohjen formale të pavarësisë së saj’’, kërkesë kjo e mbështetur në Referendumin dhe në aktet normative që i miratoi ish – Parlamenti i Kosovës.

SHBA-TË DHE ALEATËT TANË I KANË TË QARTA PLANET SERBE

Forcat politike dhe udhëheqjet e tyre, duhet ta kenë të qartë se është më se e domosdoshme të përkrahen këto qëndrime parimore, largpamëse dhe shumë të drejta, të burrështetit, politikanit dhe diplomatit më të shquar shqiptar, të të gjitha kohërave, zotëri Ibrahim Rugovës. Në të kundërtën, përkrahja e kërkesës së Beogradit që sa më parë të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtarë të Kosovës, apo miratimi i Deklaratës për pavarësinë e Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, Kosovën do ta fuste në një rrugë pa krye, në një rrugë që do të qonte drejt copëtimit të saj.

Forcat politike shqiptare duhet ta kenë të qartë se qëndrimi parimor i zotëri Shtajnerit dhe i diplomatëve të shquar të SHBA-ve, se para fillimit të bisedimeve për statusin përfundimtarë të Kosovës, duhet të plotësohen disa kushtet paraprake, nuk shkojnë në dëm të Kosovës, por shkojnë në dëm të politikës okupuese të Beogradit, sepse plotësimi i kushteve që i ka parashtruar zotëri Shtajneri do t’ua mbyllnin të gjitha rrugët serbëve të kërkojnë ndarjen e Kosovës, ndërsa pozicionet shqiptare për pavarësi do të forcohen.

Fillimi i bisedimeve për statusin përfundimtarë të Kosovës në këto kushte dhe rrethana, kur Kosova po përgjaket nga dora e zgjatur serbe, ku po lulëzon krimi i organizuar, ku gjendja e sigurisë, si pasojë e kërcënimeve dhe vrasjeve politike, është e padurueshme për popullsinë shumicë. Por, kjo gjendje pasigurie po iu shkon përshtati përfaqësuesve serbë për mbajtjen e sistemit paralel dhe enklavizimin e disa territoreve të Kosovës, që kanë për qëllim krijimin e kushteve që Serbia ta marrë pjesën e Kosovës ’’që ia ka vënë syrin’’.

Fatmirësisht, miqtë dhe aleatët tanë në krye me SHBA-në, i kanë të çarta planet serbe, prandaj edhe me sukses po iu kundërvihen, kuptohet jo me zhurmë, por me hapa të ngadalshëm dhe të sigurt, që do të japin rezultate dhe suksese.

Tanimë dihet se procesi i zhbërjes së ish – Jugosllavisë ende nuk ka përfunduar. Evropa dhe SHBA-të iu shkojnë punëve me rend dhe mbarë. Mali i Zi gjithsesi do të ndahet nga Serbia, pas tri vitesh, ndërsa Kosova do të ecën përpara në standardet demokratike, po që se përkrahet nga shqiptarët zotëri Shtajneri, i cili po punon me përkushtim dhe me profesionalizëm për të mirën e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie kombëtare.

Fatkeqësisht, analfabetët politikë që kanë zënë vend në Parlamentin e Kosovës, janë verbëruar apo janë helmuar nga pehlivanët e Nanosit (apo i kanë detyruar t’u shkojnë mbrapa) dhe nuk po kuptojnë dhe as nuk po shohin se në çfarë rruge po e çojnë Kosovën shërbëtorët e Nanosit, (që këtë radhë ia lënë flamurin zotëri Dugollit). Nuk duhet harxhuar shumë mend për të kuptuar se Kosovës po i përgatitet një tragjedi e rënd, kur në të njëjtën kohë kur Beogradi kërkon fillimin e bisedave për statusin përfundimtarë të Kosovës, të njëjtën gjë po e bëjnë edhe shërbëtorët e Nanosit. Kjo tregon se bashkëpunimi në mes Beogradit dhe Tiranës zyrtare, i filluar qysh moti në mes Titos dhe Enverit dhe i vazhduar pastaj në mes Kasapit të Ballkanit dhe argatit të tij Nanosit, për ta lënë Kosovën në kthetrat serbe, apo për ndarjen e saj, ende po vazhdojnë.

Opinioni ynë ka mësuar për deklaratën e Xhingjiqit, i cili para pak kohe pati thënë se ’’ Serbia do të kërkojë fillimin e bisedimeve për caktimin e statutit përfundimtar të Kosovës’’, sepse, sipas tij, ’’Shtajneri po punon për krijimin e Kosovës shtet të pavarur’’. Ky diplomat i regjur serb tregoi zgjuarsi për t’i qitur në kurth analfabetët politikë të Kosovës, kur tha se ’’nuk është tabu ,, fillimi i bisedimeve për ’’pavarësinë e Kosovës’’, që me gjuhën diplomatike kuptohet se Serbia do ta njihte Kosovën ’’shtet të pavarur’’, me kusht që asaj t’i mbesin nën sundim pjesët më të pasura të saj. Nuk është për t’u habitur që Bajram Rexhepi dhe Hashim Thaçi pranuan kërkesën e Xhingjiqit, që të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtarë të Kosovës, kur dihet se bisedimet e fshehta dhe të hapta po mbahen në mes nanoitëve të Kosovës dhe strukturave shtetërore të Serbisë, nëpërmjet diplomacisë së Shqipërisë. (Herën e fundit ishte I. Meta ai që i qiti në dyzen telat e bashkëpunimit të qendrave antishqiptare: Beogradit, Moskës, Athinës, Tiranës zyrtare dhe nanoistëve të Kosovës).

Nisma e AAK-së për ta shpallur Kosovën ’’Shtet të pavarur’’, me siguri është pasojë e atij bashkëpunimi, që ka për qëllim të bëhet presion mbi qendrat e vendosjes ndërkombëtare, që të pranojnë kërkesën serbe për fillimin e bisedimeve për caktimin e statusit përfundimtarë të Kosovës. Është më se e nevojshme që forcat demokratike të Kosovës, të punojnë më shumë në pengimin e planeve dhe të skenarëve serbë për ndarjen e Kosovës.

Opinioni ynë duhet të njoftohet me qëllimet serbe, ndërsa argatët e tyre të pengohen, duke bërë demaskimin e veprimtarisë së tyre antikombëtare.

Nuk është i vërtetë arsyetimi i kryekuqaloshëve të Kosovës, se mosdefinimi i statusit të Kosovës është faktori kryesor që po pengon investimin e kapitalit të huaj në ekonominë e Kosovës, por pengesa kryesore është gjendja e pasigurisë që mbretëron sot në Kosovë, në saje të krimeve të tyre politike dhe ekonomike që nuk kanë të ndalur. Se nuk është ashtu siç thonë kryekuqaloshët e Kosovës, dëshmojnë faktet se, edhe pse Qeveria e SHBA-ve i ka garantuar investimet e qytetarëve amerikanë në Kosovë, nuk ka investime, sepse gjendja e sigurisë është ajo që po pengon derdhjen e kapitalit amerikan në ekonominë e Kosovës.

Pra, në rend të parë është gjendje e mjerë e sigurisë, e jo statusi i papërcaktuar i Kosovës pengesa kryesore që pengon investitorët e huaj, por edhe të diasporës shqiptare të investojnë në Kosovë. Kosova sot ka nevojë për paqe, liri, qetësi dhe drejtësi më tepër së për çdo gjë tjetër. Kosova dhe qytetarët e saj shumë herë kanë kërkuar të ndalen krimet politike dhe ekonomike; të luftohet kontrobanda me cigare, alkool, naftë dhe derivatet e saj; të mblidhen taksa nga doganat dhe pasanikët e Kosovës që u bënë të pasur gjatë luftës apo pas luftës me punë dhe veprimtari të pista.

Kosova ka nevojë për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave qytetare. Kosova ka nevojë për krijimin e vendeve të reja punës. Kosova ka nevojë për përkrahjen e mëtutjeshme të faktorit politik dhe ekonomik ndërkombëtar. Kosova ka nevojë për t’i shëruar plagët e luftës, duke i zbardhur të gjitha vrasjet dhe rrëmbimet që u bënë nga hordhitë serbe dhe kryekuqaloshët e Nanosit. Kosova ka nevojë që kriminelët që u bënë dorë e zgjatur serbe, ta marrin dënimin e merituar. Kosova ka nevojë që të mbisundojë ligji dhe shteti ligjor. Kosova ka nevojë për demokraci të vërtetë. Kosova ka shumë nevojë për përkrahje humanitare dhe kujdes institucional për pjesën e popullsisë që më së tepërmi u dëmtua në luftë, (invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe familjet e të masakruarve).

TË MOS BIEM NË NDIKIMIN E NANOSIT DHE ARGATËVE TË TYRE

Kosova do të ecën përpara drejt pavarësisë së saj, vetëm atëherë kur qytetarët e Kosovës do të jenë të aftë të mos bien nën ndikimin e pehlivanëve të Nanosit dhe argatëve të tyre. Kosova do të fitojë pavarësinë vetëm atëherë kur klasa politike e Kosovës aftësohet për t’i njohur vlerat e vërteta kombëtare, vetëm atëherë kur të dijë se kush e ka vendin në ballë të oxhakut e kush te dera. Vetëm atëherë kur të dijë t’i respektojnë dhe t’i dëgjojnë miqtë e tij të vjetër dhe të dijë të përfitojnë miq të rinj, v1etëm atëherë kur politikën e udhëheqin njerëzit e dijës, të pa korruptuarit, dhe autoritetet që gëzojnë besimin e qytetarëve të Kosovës. Kosova nuk ka dobi prej të korruptuarve, hajnave dhe kriminelëve, edhe pse vërshimet, furtunat, i qitën në majë të malit. Kosovën nuk e çojnë përpara demagogët me nam, që tjetër flasin e tjetër punojnë, që ditën përbëhen në shqiptari e natën bëjnë plane dhe japin urdhra se kush nga të ,,papërshtatshmit” të kërcënohet e kush të pushkatohet.

Nuk ka dyshim se populli i shumëvuajtur i Kosovës, i cili shumë herë tregoi pjekuri kombëtare dhe politike, edhe këtë radhë do të dijë se si të veprojë për ta hequr qafe llumin e shoqërisë shqiptare, që Kosovës i solli plagë, dhembje dhe mjerim vetëm për t’i realizuar interesat e tyre personale, klanore dhe ideologjike.

Subjektet politike dhe shtetërore të Kosovës nuk guxojnë të mos i përfillin këshillat e miqve dhe aleatëve tanë, kur dihet se ndihma e tyre ka qenë dhe është shumë e madhe që Kosova po shkon drejt pavarësisë, me hapa të vegjël, por të sigurt, edhe pse po pengohet nga serbët, aleatët e tyre dhe veglat e tyre shqipfolëse, që kanë zënë pozita udhëheqëse në subjektet politike dhe shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Botuar në ,,Bota sot”, më 09. 02. 2003.

Loading