MARRËVESHJA E ZURICH-UT NË MES PSSH-SË DHE LPK-SË ËSHTË BURIMI I TË GJITHA TË LIGAVE QË E GJETËN SHQIPËRINË, KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE
Fillimi i dekadës së fundit të shekullit të 20-të ishte shumë i mbarë për tërë njerëzimin, veçmas për vendet dhe popujt e shtypur të Evropës Lindore, pasi që dështoi sistemit komunist që udhëhiqej nga BRSS-ja. Si pasojë e kësaj rënie për toke të kryedjallit komunist, popujt e shtypur prej saj i rrëzuan nga pushteti diktatorët e kuq, që ishin pion dhe vasalë të pushtetarëve sovjetikë.
Edhe në Tiranë u rrëzua për toke shtatorja e kryekriminelit shqiptarë, që paralajmëroi rrëzimin e regjimit stalinist.
Komunistët e Shqipërisë, duke qenë të vetëdijshëm se pakënaqësia e popullit kundër tyre ishte shumë e madhe, u bënë të ’urtë’’ dhe të mençur, duke mos e përdorur forcën policore dhe ushtarake kundër popullit të revoltuar për gjendjen e mjeruar në të cilën i kishte sjellë regjimi stalinist i Enverit. Me votën e popullit të shumëvuajtur, fitoi bindshëm PD-ja ,,shtalb’’, e posaformuar, pa dije dhe përvojë të mjaftueshme për ta vënë pushtetin e tyre në binarët e shtetit ligjor, me rregulla të sistemit demokratik. Stalinistët e Shqipërisë, duke ditur se rrethanat e krijuara në kampin socialist dhe në Shqipëri, nuk shkonin në dobinë e tyre, e pranuan humbjen e një beteje, por u pa më vonë se nuk e kishin pranuan humbjen e luftës.
Edhe në Jugosllavinë e Versajit dhe të AVNOJ-it, që ishte një shtet artificial i krijuar prej Rusisë dhe aleatëve të saj për interesat e tyre strategjike, filluan proceset e zhbërjes. Sidomos, pas vdekjes së Titos, këtë shtet, e përfshiu llava e shovenizëmit serb dhe nacionalizmit kroato-slloven, që i shpejtuan proceset e zhbërjes së këtij shteti kriminel, i cili bëri aq shumë krime ndaj popullit tonë, sa që pasojat e atyre krimeve ende nuk janë tejkaluar.
Populli ynë i robëruar nga serbo-sllavët, duke qenë i vetëdijshëm se po krijohen rrethanat e përshtatshme për realizimin e synimeve të tij madhore, çlirimi nga robëria serbo-jugosllave dhe bashkimi i viseve të tij me shtetin amë – Shqipërinë, punoi në shumë fronte dhe arriti suksese të rëndësishme, siç ishin: Pajtimi i gjaqeve, formimi i LDK-së, lëvizje kjo gjithë-popullore, që luajti rolin e Lidhjes së Prizrenit, shpallja e Deklaratës Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës, miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut, mbajtja e zgjedhjeve të lira në Kosovë pa mbikëqyrjen e Beogradit, mbajtja e referendumit për pavarësinë e Kosovës dhe krijimi i institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, në krye me presidentin dr. Ibrahim Rugova etj. Edhe bashkëkombësit tanë që jetojnë në viset e tyre në Maqedoni, në’’ Serbinë e ngushtë’’ dhe në Mal të Zi, arritën suksese të rëndësishme, duke i shprehur synimet e tyre kombëtare nëpërmjet referendumeve të organizuara nga subjekte e tyre kombëtare apo partiake.
Komunistët e Shqipërisë, nën udhëheqjen e Fatos Nanos, të trishtuar që e humbën pushtetin, duke u mbështetur në parimin se ,,qëllimi i arsyeton mjetet’’ filluan të bëjnë komplote të shumta kundër Shqipërisë dhe forcave antikomuniste që erdhën në pushtet me votën e popullit. Ata, pa humbur kohë ,,u rrotulluan’’ në ,,socialistë’’, me qëllimin e vetëm që demagogjia e tyre se ,,janë pastruar nga e kaluara e tyre staliniste’’, të ,,pijë ujë’’ tek qendrat e vendosjes ndërkombëtare.
Fatos Nano, i pari i stalinistëve të Shqipërisë, kishte përkrahje edhe nga çakajtë e Ballkanit, nga që e dinin se forcimi i demokracisë dhe i shtetit ligjorë në Shqipëri nga PD-ja dhe Sali Berisha, do të shkonte në dëm të interesave të tyre strategjike. Nano e kishte edhe një aleat në Evropën Perëndimore, i cili sa ishin komunistët në pushtet, ishte altoparlant i tyre për ta shpërnda egjrën komuniste ndër shqiptarë kudo që kishin mundësi. Pra ishte LPK-ja, një monstrum-pjellë e lindur nga komploti që ju bë LPRSHJ-së, nga pararoja staliniste nën drejtimin e trojkës: Ibrahim Kelmendi – Xhavit Haliti – Emrush Xhemajli & Compani. Kjo organizatë gjysmë ilegale, që drejtohej nga argatët e agjenturave të Sigurimit serbo-jugosllav, u bë një mbështetje e fortë për Fatos Nanon, dhe komunistët e Shqipërisë, për t’ia rimarrë pushtetin Sali Berishës dhe forcave antikomuniste që drejtoheshin prej tij.
Me formimin e LDK-së, kjo organizatë staliniste kishte vdekur në Kosovë. Ndërsa në diasporën shqiptare ishte duke dhënë shpirt. Pasi që LPK-ja ,,me adresë’’, pas kërkesës së Adem Demaçit që t’i bashkëngjitet LDK-së, u ,,shkri’’ në Degën e LDK-në Zvicër. Ndërsa Xhafer Shatri, që ishte i pari-bajraktari i Komitetit të tij, u bë ministër i Informimit në Qeverinë e Bukoshit. Vetëm pararoja staliniste e LPK-së që ishte tubuar në LPK-në ,,pa adresë’’, e që nuk kishin kurrfarë ndikimi tek bashkëkombësit e tyre në diasporë, nuk i pranuan këshillat e Demaçit ,,, që të inkuadrohen në strukturat udhëheqëse të LDK-së ’’për ta marrë kalanë nga brenda’’, duke qenë të bindur se nuk do të ju shkojë mundi huq. Ata ishin të bindur se vetëm komunistët e Shqipërisë dhe partia e tyre ,,sokoleshë’’, do ta shpëtonte nga zhbërja organizatën e tyre marksiste-leniniste , që më vonë u vërtetua se kishin pasur të drejtë.
Për këtë qëllim, Kryesia e LPK-së e dërguan në Tiranë Xhavit Halitin, për të biseduar me lidershipin e komunistëve të Shqipërisë, për të arritur një marrëveshje bashkëpunim në mes LPK-së dhe PSSH-së. Bisedat që i pati Xhavit Haliti me Fatos Nanon, dhe me Fatos Klosin, sollën marrëveshjen e Zürich-it, marrëveshje kjo që parashihte ndihmën reciproke në mes stalinistëve të Shqipërisë dhe stalinistëve të diasporës shqiptare, për t’u bërë një forcë e fuqishme djallëzore, për t’i realizuar synimet politike.
MAJTISTËT DONIN TA SHKATËRRONIN LDK-NË, LUFTA QË KURRË NUK PUSHOI
Derisa Fatos Nano, kishte për qëllim rrëzimin e Sali Berishës nga pushteti për ta marr vet atë pushtet mbi shqiptarët e Shqipërisë. Edhe pararoja staliniste e LPK-së kishte të njëjtat synime: Largimin e Dr. Ibrahim Rugovës nga skena politike dhe shkatërrimin e LDK-së që ata të bëhen pari e Kosovës. Marrëveshja parashihte që LPK-ja ta ndihmonte me mjete financiare Fatos Nanon dhe PSSH-së. Në anën tjetër Fatos Nano së bashku me Fatos Klosin, u zotuan se pasi të vijnë në pushtet do ta ndihmojnë LPK-në dhe forcat e majta të Kosovës për t’i realizuar synimet e tyre në Kosovë.
Duke qenë i vetëdijshëm Fatos Nano dhe Fatos Klosi se LPK-ja dhe forcat tjera majtiste të Kosovës nuk kishte ,,kaçik’’ t’i realizonin synimet e tyre pa një organizim të mirëfilltë të mbështetur në parimin ,,qëllimi i arsyeton mjetet’’, morën për detyrë që ta aftësojnë LPK-në në të gjitha aspektet.
I pari i SHIK-ut të Shqipërisë Fatos Klosi e ndihmoi Xhavit Halitin ta formonte SHIK-un e tij. Po ashtu e ndihmuan edhe Kryesinë e LPK-së, dhe redaksinë revistës ’’ Zëri i Kosovës’’ me ekspert të ish- Sigurimit të Shtetit, për t’i aftësuar të bëjnë një luftë të ashpër kundër dr. Ibrahim Rugovës, LDK-së, institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kundër Sali Berishës, PD-së dhe forcave demokratike të Shqipërisë.
Për ta bërë të plotfuqishme Marrëveshjen e arritur në mes Xhavit Halitit dhe Fatos Nanos, me ftesën e kryesisë së LPK-së, në pranverën e vit 1993 arriti në Zvicër një delegacion i PSSH-së, i kryesuar nga kryetari i saj Fatos Nano, për të biseduar me Kryesinë e LPK-së për miratimin e marrëveshjes që e kishin arritur Fatos Nano dhe Xhavit Haliti. Delegacioni i PSSH-së ishte në këtë përbëje: Fatos Nano, Kastriot Islami, Namik Dokle, Servet Pëllumbi, Sabit Brokaj, e ndonjë tjetër; ndërsa LPK-në në atë takim e përfaqësonte Kryesia e saj. Marrëveshja u miratua nga të dy palët.
XHAVIT HALITI KËRKONTE NGA NANO TA NDIHMONTE REALIZIMIN E MARRËVESHJES SË ZURICH-UT
Nanosit iu dozuan në dorë 600000 CHF, si ndihmë e parë. Parlamenti i Serbisë ka vërtetuar se edhe Serbia e pati ndihmuar PSSH me 17 milionë dollarë për ta destabilizuar Shqipërinë. LPK-ja e ndihmoj Nanon me mjete financiare edhe më vonë, por ndihma më e madhe iu bë atij më 1997, kur pararoja staliniste e LPK-së nën udhëheqjen e Ibrahim Kelmendit, mori pjesë në shkatërrimin e shtetit shqiptar, së bashku me komunistët e rrugaçët e Shqiprisë, dhe me kriminelë e hajna shqiptarë, të cilët Qeveria grek i lëshoi nga burgjet e saj për ta ndihmuar Nanon dhe komunistët shqiptarë.
Të shikojmë si e shpjegon atë marrëveshje gazetari i mirënjohur Bledi Fevziu, në shkrimin e tij: ’’Zeka, kosovari misterioz’’, të botuar në revistën ’’Klan’’(mars 2000). Së pari na e jep një biografi të shkurtër të Xhavit Halitit (,,Zeka”), pastaj kalon në shpjegimin e marrëveshjes së Zurihit. Ai thotë: ,,I veshur gjithnjë shik, i heshtur dhe me një buzëqeshje që duket se nuk i ndahej kurrë, Xhavit Haliti një prej njerëzve më të rëndësishëm politik të Kosovës. Vetëm tani vonë e ka zbuluar identitetin e tij ose, më mirë, e ka zbuluar për të gjithë, edhe për ata që e kanë ndjekur Kosovën nga larg dhe gjatë përballjeve në lokalet luksoze të Tiranës në këto vite, e kanë konsideruar një të huaj të zakonshëm… Gjithnjë prezent e misterioz njëherazi, njeriu që kalonte shpesh mbrëmjeve në barin e Hotel Rognerit në Tiranë, ka befasuar shumë vetë kur është shfaqur në ekranet televizive përkrah Thaçit në Rambuje. Anëtar i delegacionit të UÇK-së, ai ngërthente në të vërtetë brenda tij, gjithë historinë e trazuar të 20 e ca viteve të rezistencës kundër serbëve në Kosovë… Një histori që vetëm tani vonë, atij i pëlqen ta prek disi. Pa harruar të thotë se një pjesë të madhe të saj nuk do ta tregojë kurrë. Se do ta marrë me vete, së bashku me emrin e tij të dytë, pseudonimin Zeka, që me kalimin e viteve, është bërë më i njohur edhe sesa emri i vërtetë’’.
Bledi Fevziu në mesin e shumë të dhënave biografike për Xhavit Halitin, na jep edhe ca të dhëna për Marrëveshjen e Zurihut. Ai thotë: ’’Zeka dëshmon se kishte filluar edhe kontaktet me klasën e re politike shqiptare. Ramiz Alija kishte ikur dhe njerëzit që e kishin zëvendësuar atë, ishin kontaktuar të parët. Fillimisht Nano, pas largimit nga posti i Kryeministrit më 1991, dhe gjatë një vizite në Zvicër më 1993. Zeka duket se ruan për vete detajet e bisedave me liderin socialist në pranverën e vitit 1993, por ai thotë se në mes tyre u vendos një pakt xhentellmensh. Nanao u angazhua ta ndihmojë lëvizjen separatiste nëse PS vinte në pushtet. Kjo ndodhi vërtet sipas Zekës në pranverën e vitit 1998. Por deri atëherë pati edhe kontakte të tjera.’’
Siç po shihet, ,,Zeka’’ ia tregoi Bledi Fevziut, obligimet që i kishte marrë Fatos Nano si palë e asaj marrëveshjeje, por nuk ia tregoi obligimet konkrete të LPK-së, ndaj palës tjetër, PSSH-së. Por kjo nënkuptohet, kur thotë se ’’Zeka duket se i ruan për vete detajet e bisedave me liderin socialist në pranverën e vitit 1993.’’
Për ato ,,kontaktet tjera’’ që i ka pasur Xhavit Haliti me Fatos Nanon (pas marrëveshjes së Zurich-it) që i përmend Bledi Fevziu, e ka fjalën për marrëveshjet e Xhavit Halitit me Nanon gjatë vitit 1998. Për këto takime dhe marrëveshje të tyre flet vet Xhavit Halitit në intervistën e tij të botuar në gazetën ’’Zëri’’, 5- 12 shkurt 2001. Ai në intervistën e tij tregon edhe për ,,shumë marrëveshje dhe vendime të pashkruara’’ që ai i ka lidhur me kreun e Qeverisë së Shqipërisë, Fatos Nanon, ministrin e Mbrojtjes, Sabit Brokaj, me drejtorin e Policisë, Sokol Bare, si dhe me Drejtorin e SHIK-ut Fatos Klosin gjatë vitit 1998/99. Edhe pse Xhavit Haliti, nuk tregon se për çfarë ,,marrëveshje’’ dhe ,,vendime të pashkruara’’ e ka fjalën, ngjarjet e atyre viteve në Shqipëri dhe në Kosovë, na bëjnë me dije se ,,vendimet’’ dhe ,,marrëveshjet’’ e tyre kanë të bëjnë me pengimin e FARK-ut, me të gjitha mënyrat, për të mos marr pjesë në çlirimin e Kosovës, duke përfshirë edhe vrasjet e kundërshtarëve të tyre politikë.
Në pyetjen e gazetarit se autoritet suprem i UÇK-së në Shqipëri a keni qenë ju, Haliti përgjigjet: ” Po. Unë dhe Azem Syla.”
Ndërsa në pyetjen e gazetarit se a e keni takuar Fatos Nanon, ai përgjigjet: ” Në fillim unë kam qenë i prekur me Fatosin, për faktin që nuk pranonte realisht as të takoheshim, nga se e dinte se pse e kërkoja për takim. Dhe mesazhet i shkonin çdo ditë: çka po thua dhe çka ke obligim. Në përpjekjet e mia, ndihmesë të madhe për ta sqaruar kam pasur edhe nga rrethi i shokëve të Fatosit, të cilët i njihja edhe unë, dhe të disa strukturave të shtetit.’’(e ka fjalën për SHIK-un e F. Klosit-vërejtja ime)’’Dhe një ditë më ka ftuar dhe jemi marrë vesh për të gjitha.”
Kjo nënkuptohet se Xhavit Haliti kërkonte nga Fatos Nano për ta ndihmuar në realizimin e Marrëveshjes së Zurich-ut, me të cilën Fatos Nano ishte obliguar që ta ndihmonte LPK-në për ta shkatërruar LDK-në dhe për ta larguar nga skena politike dr. Ibrahim Rugovën. Prandaj, Haliti ia kujton Nanos se LPK-ja i ka kryer obligimet që kanë dalë nga Marrëveshja e Zurich-ut, prandaj i thotë: ”çka po thua, çka ke obligim.”.
Edhe Emrush Xhemajli, njëri nga anëtarët e pararojës staliniste të LPK-së, në broshurën e tij ’’Lëvizja popullore e Kosovës, 20 vjet veprimtari’’ (1982-2002), i jep ca të dhëna për marrëveshjen e Zurich-ut. Ai dëshmon se më 1992 në Zürich ’’Kryesia e LPK-së pret një delegacion të Partisë Socialiste të Shqipërisë, të kryesuar nga Kryetari i Partisë, Fatos Nano. Në takim është bërë i qartë qëndrimi i paanshëm i LPK-së në rivalitetet politike në Shqipëri dhe është kërkuar që në, rast të konfliktit në Kosovë, të mos mbyllen kufijtë e Shqipërisë për shqiptarët e Kosovës.’’
Sipas asaj që u dëshmua drejtpërdrejt dhe tërthorazi nga Xhavit Haliti dhe nga Emrush Xhemajli, shihet se në mes PLK-së dhe PSSH-së, është arritur marrëveshja e bashkëpunimit për realizimin e synimeve të tyre të përbashkëta. Si Bledi Fevziu, që e transmeton bisedën që e ka pasur me Xhavit Halitin, ashtu edhe Emrush Xhemajli me broshurën e tij, vërtetojnë se është mbajtur takimi në mes LPK-së dhe PSSH-së në Zurich. Si njëri, ashtu dhe tjetri, vërtetojnë se është bërë një marrëveshje, edhe pse nuk i shpjegojnë në detale obligimet e palëve ndaj njëra-tjetrës. Sigurisht, mospërputhja e kohës së mbajtjes së takimit, ka të bëjë me një gabim teknik të njërit apo tjetrit dëshmues.
Është me rëndësi të thuhet se dëshmitë e cekura më lart, argumentojnë se gjatë vitit 1992/ 93 në Zurich është krijuar aleanca PSSH – LPK, në bazë të marrëveshjes që kanë arritur Fatos Nano dhe Xhavit Haliti më herët. Kjo aleancë, pastaj zgjerohet dhe forcohet me individë dhe subjekte politike të Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare. Është i njohur fakti se në janar të vitit 1997 pati ardhur në Zvicër Hydajet Hyseni për të marr pjesë në manifestimin ’’Flaka e Janarit’’. Bisedat që u zhvilluan në mes Xhavit Halitit e Azem Syles në emër të LPK-së dhe Hydajet Hysenit në emër të grupit të ish- të burgosurve politikë, arritën një marrëveshje gjentëlmenësh. Grupi i Hydajet Hysenit do të largohet nga LDK-ja dhe do të punojnë në realizimin e Marrëveshjes së Zurich-ut, me kusht që ta udhëheqin luftën bashkë dhe së bashku të bëhen lidershipi i Kosovës në përpjesëtime të barabarta pas realizimit të marrëveshjes.
DORA KRIMINALE E SHIK-UT TË LPK-PDK-SË BASHKËVEPROI ME SIGURIMIN SEKRET SERB
Siç dihet, Hydajet Hyseni posa u kthye në Kosovë i përvoli mangët, së bashku me shokët e tij, për t’i plotësuar kushtet dhe rrethanat që aleanca kundër Dr. Ibrahim Rugovës të ketë sukses. Edhe pse Hydajet Hyseni me shokët e tij, në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së, nuk arritën shkatërrimin e LDK-së, ata arritën dobësimin e saj, me përçarjet që i mbollën. Pjesa më e madhe e ish-të burgosurve politikë u larguan nga LDK-ja. Menjëherë u krijua Këshilli nismëtarë për formimin e një partie të re. Shkuarja e Hydajet Hysenit dhe Rexhep Qosjes në Tiranë, (tinëz) dhe takimi i tyre me Fatos Nanon, u bë me qëllim që ai të garantonte se me shkatërrimin e LDK-së dhe largimin e Rugovës nga skena politike e Kosovës, LPK-ja me kundërshtarët e LDK-së, pra me LBDK-në, do ta ,,udhëheqin luftën’’ dhe do të bëhen së bashku lidershipi i Kosovës, për ta ndarë pushtetin së bashku. Posa u kthyen në Kosovë, e formuan LBD-në. Kryetar i saj u bë Rexhep Qosja. Kësaj aleance kundër Rugovës dhe institucioneve shtetërore (paralele) që i krijoi populli ynë me sakrifica të mëdha, i duhej edhe Adem Demaçi. Por si ta afrojnë Demaçin, kur ai ishte armiqësuar me Fatos Nanon, që e kalli Shqipërinë për ta rrëzuar Salih Berishën nga pushteti, ndërsa me Qosjen u hasmërua se ai e sulmoi Demaçin që e mori anën e Sali Brishës. Por, në anën tjetër, Demaçi nuk e donte Rugovën sa kripën në sy. Dhe, si duket, parimi ’’qëllimi i arsyeton mjetet’’ e shtyri Demaçin të pajtohet me Qosjen dhe Nanon. Pra, edhe Demaçi me partinë që ia fali Bajram Kosumi, u bë anëtarë i aleancën më të fuqishme antishqiptare, të krijuar prej vet shqiptarëve. Kuptohet që ajo aleancë e kryekuqaloshëve shqiptarë ishte bërë me nxitjen dhe përkrahjen e parezervë të sigurimeve sekrete serbo-sllavo-greke, si dhe të mafisë së kuqe ndërkombëtare në krye me Sigurimin rus.
Komplotistët e Kosovës dhe të Shqipërisë, të kryesuar nga Xhavit Haliti, Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Rexhep Selimi, Hydajet Hyseni, Ibrahim Kelmendi, Fatos Nano e Fatos Klosi & Compani, duke ditur forcën shpirtërore të Ibrahim Rugovës, që ishte Lis Vigan që se luan dot kurrfarë ere dhe furtune; duke ditur për përkrahjen e fuqishme që e kishte nga qytetarët e Kosovës e më gjer, autoritetin që e gëzonte nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare, bënë çmos që edhe Bukoshin (me të mirë apo me të keq) ta fusin në atë aleancë të shëmtuar. Më në fund, pas shantazheve të Sigurimit serb dhe lutjeve të Demaçit, Bukoshi pranoi të jetë anëtari i fundit i asaj aleance. Por, edhe pse ishte bishti i aleancës, veprimtaria e tij kundër Rugovës, LDK-së dhe institucioneve që atë e bënë kryeministër, i bëri dëme Kosovës dhe qytetarëve të saj më tepër se që i bënë dëme të gjithë aleatët tjerë së bashku. Pa tradhtinë e tij, aleanca nuk do të ishte e fuqishme të përballej me forcën popullit në krye të cilit ishte Dr. Ibrahim Rugova. Njerëzit që dinë të mendojnë dhe ata që kanë arsye dhe logjikë të shëndoshë, i kanë pasur dhe i kanë të qarta se të gjitha të ligat dhe të zezat, të gjitha rreziqet që i përjetuan Shqipëria dhe Kosova dhe viset tjera shqiptare, burimin e kanë te marrëveshja-aleanca e Zurich-ut.
Siç dihet stalinistët e Shqipërisë, pas arritjes së marrëveshjes së Zurich-ut, kërkuan ndihmë nga Beogradi, Athina dhe mafia e kuqe ndërkombëtare, për t’ia marrë pushtetin Salih Berishës. Çakajtë e Ballkanit, duke ditur se forcimi i Salih Berishës në pushtet, duke e stabilizuar Shqipërinë pas diktaturës staliniste, do të shkonte në dëmin e interesave të tyre strategjike, u treguan dorëlirë për t’i ndihmuar komunistët e Shqipërisë në synimet e tyre për të ardhur në pushtet. Fatkeqësisht, edhe Salih Berisha pa vetëdije u bë anëtar i aleancës së Zurich-ut, me naivitetin e tij politik, me mosnjohjen e ligjeve ekonomike dhe me arrogancën ndaj këshillave të diplomatëve të shquar të SHBA-së. Pra, stalinistët e Shqipërisë punuan me të gjitha forcat dhe me të gjitha mënyrat që nga pranvera e vitit 1993, deri në pranverën e vitit 1997, që i ashtuquajturi ’’revolucioni i vonuar demokratik”, i përgatitur në detale, të jetë i suksesshëm për realizimin e synimeve të tyre, që edhe një herë t’i gjuhen në shpinë Shqipërisë, për ta rrëzuar për tokë që të mos ngrihet në këmbë për shumë kohë, si hakmarrje ndaj qytetarëve të saj, që me votën e tyre i lanë ,,me gishta në gojë’’. Pra viti 1977 për Shqipërinë dhe për shqiptarët ishte viti më tragjik pas copëtimit të Shqipërisë nga kasapët e kasaphanës së Londrës, për t’ua bërë qefin Rusisë dhe hienave të Ballkanit.
Komunistët e Shqipërisë, të pakënaqur me dajakun që ua dha populli në zgjedhjet e para shumëpartiake më 1990, e kërkuan dhe fituan përkrahjen e armiqve tanë shekullorë, për t’i ndihmuar në mënyra të ndryshme për ta rrëzuar nga pushteti Salih Berishën dhe PDSH-në, e për ta marr pushtetin mbi shqiptarët e gjorë, por nuk e dinin të mjerët se edhe ndihmësit e tyre (serbët dhe grekët) nuk ishin pa synime. Ata ishin të vetëdijshëm se kacafytja e komunistëve me forcat demokratike, do të sjellë destabilimin e Shqipërisë, shkatërrimin e institucioneve shtetërore dhe do të krijohen rrethanat për fillimin e një lufte civile në mes veriut dhe jugut të Shqipërisë; rrethana këto, të përshtatshme për ndërhyrjen e Serbisë dhe Greqisë për t’i ’’mbrojtur’’ pakicat e tyre kombëtare(grekët dhe serbo-malazezët), dhe pastaj ta ndajnë Shqipërinë në mes tyre.
Siç dihet, plani i parë i tyre dështoi, se i Madhi Zot, nëpërmjet fuqive të mëdha të botës (SHBA-së, Anglisë, Turqisë, Francës dhe Gjermanisë), nuk lejojë të futet ushtria greke në Shqipëri. Pra plani i parë dështoi, por i dyti u realizua. Shqipëria u bë koloni greke, pasojat e së cilës edhe sot dhe pas shumë kohësh do t’i pësojë populli dhe kombi shqiptar.
Pra, Greqia, në bazë të ndihmës që ua dha stalinistëve të Shqipërisë, u bë zot shtëpie në Shqipëri. Po aleati i tyre Serbia, që investoj 17 milion dollarë (që dihen me fakte) për ta kallë dhe shkatërruar Shqipërinë, a thua vallë i humbi ato investime apo realizuan përfitime të mëdha?!
Enveristët e diasporës shqiptare dhe spiunët serbo-jugosllavë që jetonin në Evropën Perëndimore, pasi bënë komplote ndaj LRSHJ-së, krijuan LPK-në, krijesë kryekëput e UDB-së së Beogradit dhe filialit të saj, Sigurimit të Shtetit të Enver Hoxhes, që i kryen shumë punë Serbisë, nëpërmjet realizimit të marrëveshjes –aleancës së Zurich-it, për ta bërë Kosovën ’’djep të serbizmit’’, duke ua krijuar kushtet dhe rrethanat lehtësuese për ta bërë pastrimin etnik të Kosovës. Por, i Madhi Zot edhe këto plane të Serbisë i bëri pluhur e hi nëpërmjet NATO-s.
Serbia u detyrua t’i largojë trupat e saj okupuese nga Kosova, por mbeti i paprekur Sigurimi i saj sekret. Forca këto shumë të fuqishme kur vepronin së bashku me enveristët shkurtpamës dhe patriotë të Serbisë, që u bënë udhëheqës të SHIK-ut të LPK-PDK-së. Fatkeqësisht, Kosova e çliruar në vend se të bëhej vend paqeje dhe vend i sigurisë (fizike dhe shpirtërore) për popullin e saj të shumëvuajtur, u bë vend i gazepit dhe i mjerimit. Dora kriminele e SHIK-ut të LPK-PDK-së, së bashku me Sigurimin sekret serb, sipas një plani të detajuar, mirë filluan ta rrjepin dhe ta shkretojnë Kosovën e mjerë dhe çdo gjë të mirë që u krijua nga inteligjencia shqiptare në institucionet e arsimit, kulturës dhe të shëndetësisë. Ekipet e ekzekutimit të krijuara nga SHIK-u i PDK-së, së bashku me ekspertë të Sigurimit serb, bënin ekzekutimin e veprimtarëve të dalluat dhe burrave të fort të Shqiptarisë, që ishin përkrahës të institucioneve të Republikës së Kosovë dhe kundërshtarë politikë të PDK-së dhe AAK-së.
Duke pasur parasysh thënien e dr. Mehemet Rukiqi se ,,Populli është kamerë e fshehtë’’, nuk e shoh të udhës t’i shënoj të gjitha të zezat dhe të ligat që kjo dorë e zgjatur e Serbisë ia bëri Kosovës dhe popullit shqiptar, por dua t’i ceku edhe dy shërbime që ia bënë Beogradit. Me veprimtarinë kriminele që e bënë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, i vulosën të gjitha shpifjet e Beogradit se ’’shqiptarët janë popull jo shtet-formues, hajna, kriminelë dhe destabilizus të vendit të tyre dhe të regjionit’’.
Pasojat e realizimit të marrëveshjes së Zurich-ut po i ndien Shqipëria, Kosova dhe viset tjera shqiptare. Ato pasoja do të ndihen deri atëherë kur forcat demokratike shqiptare, me punën e tyre konstruktive dhe ligjore, e bëjnë atë marrëveshje dhe atë aleancë të shëmtuar të bajraktarëve të ’’farës ruse’’ – nanoistëve, të çartur për pushtet, dhe ,,pionierëve’’ të Enverit, të pavlefshme dhe të pafuqishme, për t’u sjellë shqiptarëve dhe shqiptarisë edhe të keqen më të vogël.
Botuar në ,,Bota sot’’, më 18-21 janar 2014