KUSH IA FUTI “LEPURIN NË BARK” XHAVIT HALITIT

Opinioni i gjerë është njohur këto ditë se babai i SHIK-ut (LPK- PDK-së) dhe pronari i vërtetë i PDK-së, është në një krizë të thellë shpirtërore pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, për disa arsye:

a) Partia e tij i mori disa ’’nokdauna’’ të fortë nga qytetarët e Kosovës, veçmas nga elektorati i saj, duke mos i votuar argatët e tyre të korruptuar e të akuzuar për krime të llojllojshme që i bënë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.

b) Me qëndrimin parimor të EULEX-sit, që nuk po lëshon pe ndaj presionit të PDK-së dhe deputetëve të saj për t’i bërë hetimet ’’shkel e shko’’ dhe ’’sa për sy e faqe’’, ndaj ,,Grupit të Drenicës’’ që po akuzohen për krime të luftës ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës.

c) Rritja e numrit të dëshmitarëve ’’të mbrojtur’’ nga EULEX-i, të cilët pasi e kuptuan se kishin qenë të manipuluar nga krerët e SHIK-ut për të bërë vepra kriminale, u penduan për atë veprimtari, dhe kështu pendimi i tyre i sinqertë do t’u sjellë atyre lehtësim shpirtëror, zvogëlim të fajësisë dhe zvogëlim të vuajtjes së dënimit. Por, vaj halli për urdhëruesit e krimit të organizuar. Se përfundim i tmerrshëm po i pret e ka të qartë edhe Xhavit Haliti, pasi që ai është babai i SHIK-ut. E siç duket EULEX-i ka vendosur ta shpëtojë Kosovën dhe popullin e saj nga patriotët e Serbisë, të cilët gjatë luftës dhe pas luftës punuan për interesa të grazhdit të tyre dhe për interesa të Serbisë e në dëm të Kosovës dhe popullsisë së saj.

d) Përçarjet e thella që u krijuan për uzurpimin e pasurisë së qytetarëve të Kosovës të krijuar me mund, djersë e gjak për një gjysmë shekulli, në mes klanit të udhëhequr nga ’’trojka’’ : Haliti-Thaçi-Veseli dhe klanit tjetër, të kryesuar nga ,,dvojka’’ Krasniqi-Limaj.

dh) Rrethanat e krijuara në Kosovë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, e kanë sjellë PDK-në dhe pronarin e saj Xhavit Halitin, dhe argatët e tij, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, në gjendjen e gomarit të cilin e kishte zënë ngushtë ujku dhe bëhej gati ta rrëzonte me shpinë për toke për t’ia rrjepur kofshët e tulavta, por i gjori mundohej për ta bindur ujkun se është i pafajshëm pasi që e kishte pronarin e fortë, edhe pse ishte majur aq shumë, duke i kullotur e shkelur bahçet e qytetarëve të gjorë.

Për dallim nga gomari, që mundohej t’i shpëtoi dënimit duke u kacafytur me ujkun që kishte vendosur ta dënonte, Xhaviti nuk po shkon në organet përgjegjëse të drejtësisë për ta shpëtuar nga shokë-kolegët e tij që paskan tentuar për t’ia ,,hangër krytë’’, por ai po i ankohet opinionit të gjerë, i cili nuk ka kurrfar force për ta mbrojtur as prej koleg-shokëve të tij dhe as prej EULEX-it, që çdo ditë që po kalon po i ngushtohet rrethi, sepse shokët e tij të SHIK-ut që po i vuajnë dënimet për krimet e luftës, fort janë mërzitë për shokun e tyre, babain e SHIK-ut, Xhavitin.

Shih çka i zbulon opinionit të gjerë Xhavit patrioti: Sipas tij, paska pasur përpjekje për ta vrarë dhe për ta larguar nga skena politike. Ai dëshmon: ,,E di kush ka bërë plane me më vra. Ka raste që kanë ardhur njerëzit dhe më kanë thëne se jam paguar me ju vra’’ (shih shkrimin e botuar në ,,Bota sot’’, më 20 dhjetor 2013, me titull: ,,Skam lidhje me vrasjet politike, ka pasur tentim për të më likuiduar’’.

Shtrohet pyetja: Po që se është e vërtet ajo që deklaron Xhavit Haliti, atëherë pse nguron për t’ia dhanë ato informata që i paska organeve kompetente të drejtësisë? Me këtë do të kontribuonte në suksesin e luftës kundër krimit të organizuar për t’u bërë Kosova shtet ligjor. Përndryshe, veprimi i tillë i Xhavit Halititi, që po i fsheh urdhëruesit e krimit të organizuar, por edhe dorasit e mundshëm, dëshmon se ai nuk është i interesuar që organet kompetente ta luftojnë krimin e organizuar dhe as nuk ka dëshirë që Kosova të bëhet shtet ligjor. Apo është edhe mundësia tjetër. Është e njohur nga opinioni si përfundojnë bandat e ndryshme kriminele, kur iu ngushtohet rrethi për t’u burgosur për të dhënë llogari për krimet e bëra. Njëri-tjetrin e likuidojnë (edh pse ishin shokë) për t’i fshehur gjurmët (faktet) e krimit të tyre.

Pra, siç po duket, në SHIK-un e themeluar prej Xhavitit, ka filluar procesi i luftës së klaneve në mes veti. Po t’i zbulonte Xhavit Haliti kundërshtarët e tij që kanë bërë ’’përpjekje për ta likuiduar’’, me siguri edhe ata do të hakmerreshin ndaj tij, duke zbuluar të dhëna të pamohueshme që Xhavitit do t’i siguronin veshjen dhe ushqimin pa pagesë në ndonjë burg të Kosovës për shumë vite.

Se Kosova nuk është shtet ligjor, e ka të qartë çdo qytetar që dinë të mendojë. Unë po e ceku vetëm një nga ato fakte. Atë ditë që Xhavit Haliti ka deklaruar në mjetet e opinionit publik -TV, se paska pasur përpjekje për ’’ta vrarë’’ dhe se ai ’’e di se kush ka bërë plane për ta vrarë”, por i di edhe ,,njerëzit që janë paguar’’ për ta likuiduar, do ta merrnin në pyetje organet e drejtësisë, për t’i filluar hetimet ndaj personave që japin urdhra për të bërë krime politike, e që Xhavit Haliti po i dika se kush janë ata. Prandaj vet Xhavit Haliti bie në kundërshtim me deklaratat e tij kur, në njërën anë, thotë se i njeh personat që kanë dhënë urdhër për vrasjen e tij, ndërsa, në anën tjetër, thotë se ,,s’ka lidhje me vrasjet politike, që kanë ndodhur pas luftës’’.

– Si mund të thotë Xhavit Haliti ’’se nuk ka lidhje me vrasjet politike që kanë ndodhur pas lufte’’, kur disa argatë të tij që ai i bëri pari të SHIK-ut dhe disa fatzi (djelmosha të pa përvojë dhe injorantë politikë të manipuluar nga krerët e SHIK-ut) janë dënuar për krimet e luftës që i kanë bërë gjatë luftës dhe pas luftës.

Shtrohet pyetja: Si ka mundësi të dënohet argati për një vepër kriminele, e të mos dënohet urdhëruesi i krimit dhe ’’gllavonja’’ ai më i madhi, që e ka krijuar SHIK-un, krijesën më të shëmtuar që njeh historia jonë më e re, që e shëmtoi Kosovën dhe qytetarët e saj, shumëfishë më shumë se UDB-ja e Rankoviqit dhe 100 herë më shumë se Sigurimi sekret i Milloshoviqit. Ajo padrejtësi nuk ka për të ndodhur për shumë arsye. Por, unë po e ceku vetëm njërën prej arsyeve më të thjeshta. Shokët e Xhavitit dhe djelmoshat e manipuluar me parulla demagogjike-patriotike, që u bënë dorasë, kanë filluar të mërziten në burgje, se aty nuk e kanë babanë e SHIK-ut, Xhavit Halitin. Ishin bashkë para luftës, ishin bashkë gjatë luftës, u bënë ortakë në përvetësimin e pasurisë së Kosovës, pra pse të mos jenë bashkë edhe në Dubravë, që ta kalojnë kohën duke luajtur shah, letra, cicmic, pra për ta harxhuar kohën në punë të kota dhe për ta përfunduar jetën në vetmi dhe mjerim shpirtëror, ashtu si e kanë merituar.

Por, para se ta përfundoj, kisha për të veçuar edhe një element të karakterit të lig të Xhavit Halitit, i cili vrasjet politike mundohet t’i shpallë si vrasje të hakmarrjes në mes familjeve të gjakësuara në mes veti. Shih se çka deklaron Xhaviti: ,,Shumica e tyre janë bërë në mes familjeve, hakmarrje. Ka pasur edhe vrasje enigmatike. Shumica e rasteve janë të ndriçuara nga organet e drejtësisë.’’ A thua shumica e ,,vrasjeve enigmatike’’ qenkan ndriçuar Xhavit Haliti! Ato pollavra të Xhavitit ,,nuk pinë ujë’’, se nuk kanë të bëjnë me të vërtetën.

Qytetarët e Kosovës nuk e kanë harruar aksionin madhor të burrave të fortë të Kosovës, në krye me profesor Anton Çetën, të cilët duke ditur se po krijohen rrethanat dhe kushtet e përshtatshme që shqiptarët t’i presin prangat e robërisë serbo-jugosllave dhe ta bëjnë bashkimin kombëtar, i pajtuan më tepër se 1000 familje të gjakësuara. Pastaj, sukseset vazhduan më tutje, siç ishte Deklarata kushtetuese, Miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut, Referendumi për pavarësinë e Kosovës, Zgjedhjet nacionale pa kontrollin e Beogradit, bashkimi i shqiptarëve në Lëvizjen gjithëpopullore – LDK-në, të udhëhequr nga Burri i madh i kombit shqiptar, dr. Ibrahim Rugova, i cili e udhëhoqi popullin me mençuri, urtësi, dije dhe trimëri drejt fitores për realizimin e aspiratave të tij shekullore. Por, atë bashkim nuk e deshi Serbia dhe as LPK-ja, që ishte krijesë e UDB-es së Beogradit dhe filiales së saj Sigurimit të Shqipërisë, që i përdorën të gjitha mjetet që atë bashkim të popullit tonë ta shkatërrojnë. Po të mos i bashkoheshin asaj aleance anti shqiptare: Sigurimi sekret serb-LPK edhe PSSH, Rexhep Qosja, Adem Demaçi, dhe grupi i ish të burgosurve politikë në krye me Hydajet Hysenin, nuk do ta dëmtonin siç e dëmtuan atë bashkim të mbarë të shqiptarëve. Por këta persona që kishin bërë emër, i manipuluan njerëzit që nuk dinë të mendojnë, mu atëherë kur shqiptarët duhej të ishin të bashkuar më tepër se kurrë.

Dhe, kur Serbia i bëri masakrat e para në Drenicë, këta argatë të Serbisë të mashtruar nga Nano dhe Haliti me kompani, se do t’i bëjnë pari të popullit të Kosovës, po që se e luftojnë Rugovën dhe LDK-në, e krijuan LBDK-në, kur veç Serbia kishte filluar ta vërë në veprim skenarin për pastrimin etnik të Kosovës, me masakrat e para që i bëri në Drenicë. Se si ecën punët pastaj në dëm të Kosovës dhe të popullit të saj, e në dobi të Serbisë, pas krijimit të aleancës : Sigurimi sekret serb- LPK-LBDK-PSSH-së, kundër Rugovës dhe LDK-së e kanë pasur të çartë qysh atëherë kur është krijuar ajo aleancë, njerëzit që dinë të mendojnë, por në saje të punës së palodhur të stafit drejtues të’’ Bota sot’’, gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj, u demaskuan patriotët e Serbisë që punuan dhe ende po punojnë në dëm të Kosovës dhe në dobi të Serbisë. Dhe, ai demaskim, edhe pse pati pasoja për ,,Bota sot’’, bëri ndryshime cilësore në opinionin tonë publik.

Fatmirësisht, edhe argatët dhe vasalët e shumtë të dikurshëm të SHIK-ut dhe kreut të PDK-së, që u manipuluan nga demagogjia patriotike e tyre, e kanë kuptuar tash së voni se kush ishin dhe kush janë ata, për të cilët punuan me të gjitha mënyrat për t’i sjellë në pushtet.

Insha-Allah kriminelët do të jenë të humbur në vitin që po vjen. Përfundim i keq po i pret!

Botuar në ,,Bota sot”, më 27. 12 . 2013

Loading