QENTË LE TË LEHIN, KARVANI TË ECË PËRPARA!

Jemi në udhëkryq historik, prandaj për të ecur përpara në rrugën që çon nga realizimi i synimeve tona kombëtare, duhet të bëhet vlerësimi e të gjitha sukseseve dhe dështimeve tona të deritashme me qëllim që përvoja e fituar të na ndihmojë në kapërcimin e pengesave që do të na paraqiten gjatë rrugës deri sa të arrijmë cakun e dëshiruar. Botimi i fejtonit tim ”Pse jemi kështu siç jemi” në gazetën kombëtare “Bota sot” (21 maj deri me 19 qershor 2001) është kuptuar dhe pritur mirë nga opinioni i gjërë, si një nismëpër t’i gjetur shkaktarët e vërtetë që na penguan dhe po na pengojnë për ta fituar vendin e merituar në bashkësinë e popujve të lirë dhe të pavarur ashtu siç na ka hije.

Me sa jam i njoftuar vetëm stafi i gazetës ’’Epoka e re’’ e ka keqpërdorur nismën dhe qëllimin tim, duke m’i ndërsyer, argatët e argatëve të Xh.Halitit, dhe rrogtarët e karrieristëve të sëmurë për pushtet të Qosjes & Kompani. Dhe shih, fatkeqësisht, në asnjë vend nuk më kanë kundërshtuar me fakte, me argumente, me arsyetime veç më kanë sharë e fyer me fjalorin që dinë ta përdorin vetëm rrugaçët e llumpenploretariatit të lagjeve periferike të qyteteve të mëdha. Nuk e kam ndërmend të merrem me kriminelin ordiner, moralisht të vdekur, siç është Salih Kabashi, i cili pasi e vuajti dënimin me burg për shkak të faqës së zezë që bëri në shkollën ku jepte mësim, mori arratinë për Slloveni për ta fshehur turpin. Por edhe atje, pasi bëri punë të liga, u detyrua të ndërrojë vend. Zvicra do t’ia mundësonte një jetë normale po të jetonte me djersën e ballit. Shumë shpejt e prishi vendin me “Republikën” e tij, të cilën e shëndrroi në depo të jashtëqitjes të gazetarisë shqiptare. Kur mërgimtarët nuk e blenë plehun e “plehut”, “gazetari” i faqeve të zeza ra në kokërr të shpinës, i mbushur me borxhe. Dhe nuk i mbeti tjetër përpos të ikte për në Prishtinë nga frika se borxhlinjtë do t’ia merrnin shpirtin në vend të borxheve. Por u “tengërlit kapaku dhe e gjeti tenxheren”, Kabashit iu sigurua pozita e gaz(e)tarit sahanlëpirës, (kurrsesi të mbërrijë në pozitën e pjatalarësit) i cili është i detyruar të shajë dhe të shpifë ndaj të gjithë kundërshtarëve politik të patronëve të vet. Po Kabashi tjetër aftësi nuk ka. Fizikisht nuk mund të punojë, pasi edhe vet natyra është treguar e pamëshirshme me të, e ka shëmtuar. Të merret me shkrime që mbështeten në të dhëna faktike nuk ka aftësi mendore. Por për të sharë, fyer dhe shpifur nuk i gjendet shoku në rruzullin toksor. Shkrimet e Kabashit i ngjajnë sallatës ruse që i ka kaluar afati i përdorimit, dhe kuptohet se era e saj e fëlliqtë, i largon lexuesit që nuk janë si Kabashi dhe patronët e tij. Dhe, a thua nuk e kuptojnë zotërinjtë e stafit të “Epoka e re” pse kanë aq pak lexues?!

Deri dikund do ta arsyetoja Kabashlinë sahanlëpirës për shpifjet që bëri ndaj meje, duke ditur se nuk ka aftësi tjera për të siguruar kafshatën e gojës, por si ta arësyetoja axhaminë e Llapashticës me mbiemër me mbaresë sllave, njëfarë içit-Hiçit-Cakiçit, të cilit ia ka “pi sorra mendtë” dhe përpos sharjeve dhe shpifjeve që i ka përdorë me shumicë kundër meje, ka bërë edhe falsifikimin e dy shkrimeve të mia që i kam botuar në revistën ”Drita”, që botohej në Suedi. Fjala është për një humoreskë të botuar në muajin maj të 1997 në të cilën, askund nuk e kam përmendur emrin as të Ibrahim Rugovës, as të Xhemajl Mustafës dhe as të LDK-së, por “mendjeshkurtëri” mendon se kur të citohen fjalët e ndonjë autori dhe futen në thojza, bën që ai, pra Cakiqi, t’u shtojë edhe emrat që padronët e tij i kanë për zemër t’i shajnë, i kanë për zemër t’i fusin nëpër lista pushkatimesh. Argati i argatëve të Xh.Halitit, mendjeshkurtëri i Cakiq(ç)ve të Llapashticës, Shefqet Cakiqi, duhet të më kërkojë falje publike nepërmjet gazetës ’’Epoka e re’’, aty ku edhe e ka botuar shpifjen, dhe këtë duhet ta bëjë brenda tri ditësh pas botimit të këtij reagimi. Në të kundërtën, po nuk e lëpiu tugun dhe vnerin që ka vjellur për të më stërpikur mua dhe të ndjerin Xhemajl Mustafën, për së vdekuri, normalisht, do ta padis në gjykatën Zvicërane për veprën penale të falsifikimit dhe shpifjes kundër personit.

Për Drenicën, deri tash kam folur vetëm fjalë të mira, se ajo gjithmonë ka dhënë burra të dheut, që kombit ia kanë zbardhur fytyrën. Por, fatkeqësisht, Drenica si çdo pjesë e atdheut ka dhënë edhe burra të ligj. Nuk do të bëj histori për të përmendur me emra as njërën as tjetrën palë, por sipas shkrimit të njëfarë drenicasi që po e quajkan Ragip Gjoshi, shihet se ai farë çunaku po qe se vazhdon edhe më tutje të bëjë ’’sallata greke’’ për hatrin e Xh.Halitit dhe H. Thaçit e për të helmosur shpirtin e njerzëve të pa informuar sa duhet për rrjedhat e ngjarjeve historike, do të fitojë të drejtën për të “mrizuar” së bashku me të adhuruarin e tij Qosjen në lagjën e të “vdekurëve për së gjalli”, lagje së cilës po i rriten banorët nga viti në vit! Nuk ka asgjë të keqe që edhe Drenica t’ia falë një mashkull “babait të farës Ruse” për t’ia larë këmbët dhe për t’ia pirë ujin për të “mirat” që ia solli Kosovës, kur me ndihmën e argatëve të Nanosit i vrau të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, për shkakun se vet nuk kishte marrë pjesë në ndërtimin e tyre, për inatin dhe xhelozinë e sëmurë që kishte ndaj I.Rugovës dhe M. Krasniqit si dhe për hatrin e Nanosit, Mejdanit dhe Klosit.

Unë e kisha këshilluar trimin e çartur të fjalës së pistë, të fyerjes dhe sharjes së ligë, t’i mbledhë mendtë pasi nuk do të vonojë shumë dhe vetë drenicasit do t’ia pështyjnë surratin për shpifjet e ulta që ka bëre kundër meje, në shkrimin e vet plot helm, vnerë dhe duhamë cirilike të botuar në depon e jashtëqitjes së gazetarisë shqiptare, në të ashtuquajtën “Epoka e re” më 9-11 qershor të 2001. Ai duhet ta dijë se ai shkrim ka qenë në shërbim dhe për t’ia bërë qejfin Xh.Halitit, ai as nuk ka arritur ta mbrojë as ta justifikojë Halitin, i cili vazhdon të mbetet siç ka qenë, kallauzi i të gjitha të këqijave që e gjetën Kosovën, tharmi i të gjitha të ligave që i gjetën shqiptarët. Më duhet të sqaroj lexuesit e gazetës kombëtare “Bota sot” se sikur të kishte qenë puna se “polemizuesit e artikujve të mi” të qenë marrë vërtetë me përmbajtjen e fejtonit tim, të kishin shpalosur të dhëna dhe argumente kundërshtuese, unë do t’i kisha marrë seriozisht vërejtjet e tyre, do të kisha rishikuar të dhënat e mia, do të isha përgjigjur duke iu dhënë të drejtë, nëse do të kishin pasur të drejtë. Në fund të fundit ky është misioni i gazetarisë. Por jo, ata kanë marrë përsipër rolin e hetuesve cirilikë, që shanin përpara se të të nxirnin argumente dhe fakte, kanë marrë rolin e prokurorëve stalinistë, që para se të përmendnin nene ligjore recitonin citate të Titos apo të klyshit të tij në Tiranë, kanë marrë rolin e inkuizitorëve të fjalës së lirë dhe të drejtës themelore për të argumentuar dhe menduar ndryshe. Mua nuk më kanë trembur as klithmat e hetuesve serbë, as të gardianëve shkje. Kqyrni: As ju nuk do të mund të më ndalni t’i shkoj deri në fund asaj që unë e konsideroj të drejtë, të vërtetë dhe të dobishme për qytetarët e mi, për Republikën e Kosovës. Kësaj here nuk shkova gjatë, se e di që hani bukë veç prej provokimeve.

Botuar : “Epoka e re”, më 28 qershor 2001

Loading