JU NUK E DESHËT BASHKIMIN, JU E LUFTUAT ATË!

Kam pasë krijuar përshtypjen se “Rilindja” kishte shpëtuar nga kthetrat e pararojes staliniste të LPK-së, kur u bënë disa ndërrime në stafin udhëheqës të saj. Por me botimin e shpifjeve kundër meje në faqet e saj të 30 korrikut 2001 me titull “Kur shqiponjat pushojnë, sorrat bëhen zot i qiellit”, të firmosur nga Ekrem Jashari, tregohet se ajo ende nuk ka mundur të shërohet plotësisht nga plagët që mori nga pehlivanat e Nanosit. Bishtat e mbetur në redaksi kohë pas kohe po e shndërrojnë “Rilindjen” në altoparlant të zëshëm të dështakëve të Kosovës, që me shpifje, gënjeshtra, kërcënime dhe krime po mundohen t’ua mbyllin gojën të gjithë atyre që kanë guximin qytetar dhe intelektual për të zbuluar të ligat që iu bënë Kosovës dhe qytetarëve të saj. Nuk e kam ndërmend të merrem me ’’hutana’’ dhe as me ’’bibana’’, që janë bërë rrogtarë të bajraktarëve të “Farës Ruse”, apo rob të “Pishpirikut” të diasporës shqiptare, siç po tregohet njëfarë Ekremi i komunës së Gjilanit, me banim të përkohshëm në Gjenevë, me mbiemër Jashari, që nga shqiptarët njihet si zhurmaxhi i fortë, si specialist për t’ua prishur ndejat dhe tubimet lëdëkistëve, ndërsa nga organet shtetërore zvicerane njihet si parazit, pasi, që kur shkeli këmba e tij në Zvicër, nuk gjeti punë, edhe pse këtu punë gjejnë edhe shurdhëmemecët dhe të hendikapuarit. Po ky farë Ekremi është errnek i ’’Farës Ruse’’ pasi që punën nuk ia don shpirti, dhe fare nuk skuqen që jetojnë me ndihma sociale të kryqit të kuq apo të kishave zvicërane. Fatëkeqësisht në të gjitha shtetet e Evropës Perëndimore gjenden me dhjetëra ekrema si ky i Gjenevës, të cilët për shkaqe ekonomike u detyruan ta lëshojnë Kosovën. Mafija e kuqe shqiptare e krijuar prej Beogradit dhe Tiranës ndër shumë detyra që kishin për të kryer, kryen edhe një detyrë “humanitare”, kur venin kontakte me mërgimtarët, po sa vinin në shtetet e Evropës Perendimore, siç bënë me Ekremin dhe i hetonin se për çfarë arsye kanë ardhur dhe çfarë aftësie kanë. A kanë nevojë tu ndihmojnë për ndonjë gjë. Dhe mjerë ata që i pranuan ndihëmat dhe shërbimet e tyre, pasi që, me një ndihmë sa të vogël që ua bënin, më vonë ua ’’nxirrnin shpirtin për hunde’’. Një herë i merrnin me të mirë, që t’ua bëjnë një shërbim të vogë. Më vonë i kompromentonin me ndonjë “cikrrimë”, dhe pastaj ua vinin zgjedhën në qafë, ua vinin zhegrat prej hekuri, që kurrë të mos kishin mundësi ta hiqnin qafën prej saj. I bënin argatë pa pagesë, i bënin rrogtarë të shkretë! Ekremin do ta lejojë të më shajë dhe të më shpif deri sa të krijohën institicionet shtetrore të dala pas zgjedhjeve nacionale. Ekremin do ta fal me një kusht po qe se i tregon emrat e vërtetë të shpifësve që e detyruan të vej firmen në shpifjet e tyre, që i bënëndaj meje. Apo ndoshta Ekremin do ta fali pa i qitur kushte dhe do ta lejoj të më shajë dhe të më shpifë deri sa të vijë xhebraili për t’ia marrë shpirtin, sepse shpifjet dhe sharjet, kur të më vijnë nga “Fara Ruse” dhe nga “Pishpiriku” i diasporës shqiptare, ma rrisin nderën tek njerëzit e ndershëm, tek atdhetarët dhe demokratët, por edhe më përtërihen forcat dhe energjitë për t’i “rrafur” me ’’gugjuma kresë’’dështakët e Kosovës. Ekremin e kuptoj! Ia di hallet Ekremit shumë mirë! Nuk ka fuqi, dije nuk ka, edhe guximi i mungon të rrebelohet për ta hequr qafën nga zgjedha! Ekremin do ta fali! Nuk do ta ’’rrafi’’ me ’’thupra duarve’’ dhe as nuk do ta rrafi me ’’gugjuma’’ kres, siç ka ndodhur me patronët e tij. Po do ta fali vetëm pse e prunë në këtë gjendje të bëhet edhe “avokat”, kur të gjithë ata që e njohin në Zvicër dhe në vendlindjen e tij, e dinë se ai nuk ka aftësi as të shkruajë, as të flasë. Kjo është një “mrekulli’’ e ’’farës ruse”, që kur jep urdhur partia dhe kryepartiaku fabrikohen shpifje nga ’’qendra’’, por kurr nuk dihën autorët e tyre të vërtetë, se i kanë ’’bibanët’’ që i firmosin për t’i botuar në shtypin e verdhë.

Nuk do të merresha as me bajraktarët e “Farës Ruse” dhe as me “Pishpirikun” e diasporës shqiptare, që nëpërmjet pamflet-shpifjes që e detyruan ta nënshkruajë Ekrem Jashari, më shpifën me shpifje aq debile, sa që nuk është e nevojshme me to të mirrem, pasi që nuk janë bërë për njerëz që kanë arsye, por janë bërë për mendjeshkurtër dhe kokëkrisur!

Për hirë të njerëzve të painformuar që kanë nevojë të dijnë se kush janë këta të gjorë, që vetë rrijnë në të “terun” dhe i detyrojnë shpirtvocërrakët të bajnë në shpinë pesha të rënda, qëllimi i të cilëve është që t’i detyrojnë të ecin në duar e këmbë, dhe pastaj t’u hypin vetë në shpinë, për t’u dukur para ’’kopesë’’ së tyre madhështorë ! Do t’i ceku vetëm disa shpifje që u bënë ndaj meje, për t’u dhënë mësimet e para të pa informuarve se kush janë ata që i përkasin “Farës Ruse” dhe “Pishpirikut” që prej tyre të ruhen, se janë si priftimi, janë si veremi, janë kancer i shoqërisë shqiptare!

Bajraktarët e ’’Farës Ruse’’ dhe ’’Pishpiriku’’ shpifën kundër meje, duke më ngjitë fjalë se gjoja unë paskësha folur kundër Adem dhe Hamzë Jasharit në vitin 1996. Nuk tregojnë se në shtëpinë e kujt u bë ajo ndejë, dhe kush ishte prezent aty. Nuk di se kush do t’i besonte kësaj shpifje kur thonë se “…në vitin 1996 në një ndejë ka folur kundër Ademit dhe Hamzës!”. Ja shpifja tjetër: “Shefqet J-S, kur me të madhe në banhofet (mendon në stacionet e trenit-vërejtja ime) çirrej se nuk ka UÇK, se kosovarët kanë Gandin e tyre, se ata që thirrën në emër të UÇK-së janë njerëz të Serbisë…”. Edhe për këtë shpifje nuk është e përcaktuar as koha, as vendi (në cilin stacion treni-banhof) dhe as nuk tregohen personat që paskan qenë prezent. Kush do të mund të gjejë dëshmitarë për mohimin apo pohimin e gënjeshtrës dhe shpifjes, kur dihet se stacioni i trenit është i mbushur përplot me kalimtarë. Për ata që i njohin rrethanat e Zvicrës, do të dalin shumë qesharakë formuluesit e kësaj shpifje! Do të shënoj edhe një shpifje tjetër, me anën e së cilës shihet se shpifësi i vërtetë nuk është Ekrem Jashari, por është një ekip i zgjedhur nga bajraktarët e ’’Farës Ruse’’ të udhëhequr nga Pishpiriku i diasporës shqiptare, pasi që atë farë Ekremi, kurrë nuk e kam parë, pra nuk njihemi. Ja shpifja “…unë Shefqet Jashar-Strofcin e njoha më vonë në Perëndim, por për emrin e tij kisha dëgjuar gjatë aktivitetit në Kosovë nga shokët e ilegalës shumë kohë më parë. Nuk kisha dëgjuar fjalë të mira. Kjo ishte edhe arsyeja se pse ai -përkundër kërkesavetë bëra, nuk u pranua në LRPK dega jashtë vendit”. Shpifaraku gënjen! Shpifaraku shpif. E vërteta është krejt ndryshe. Unë qysh më 1986, dhe më heret e kam pasur të qartë se kush ka ardhur në krye të ’’Lëvizjes’’. Por kur u takova me Bajrush Xhemajlin, Shaban dhe Fetah Shemsiun në burgun e Pozharevcit, mësova edhe për shumë gjëra të liga që i bënin bajraktarët e ’’Lëvizjes’’. Veçmas jam ndier shumë keq, kur mësova për kurthën që ua kishte përgatitur dikush prej bajraktarëve të pararojës staliniste të LPRK-së, tre vëllazërve Shemsiu: Shabanit, Fetahut, Zijasë dhe babës së tyre, të cilët i patën pëcjellë për Kosovë me material propogandistik dhe i kishin spiunuar në organet e Sigurimit të fshehtë Jugosllav. Siç tregonte Shaban Shemsiu, sapo kanë hyrë në Slloveni i kanë arrestuar Policia Federale e Jugosllavisë. Më vonë Zijanë e patën mbytur në burgun hetues të Beogradit. Nga Bajrush Xhemajli pata mësuar në imtësira për përçarjet e thella që ishin bërë në LRSHJ. Ai pak kohë para se ta kryej dënimin më pat dhënë një porosi për vëllazërit e tij Mustafës dhe Emrushit, që kishin pozita udhëheqëse në LPRK . Sa i përket Ahmet Haxhiut që po e përziejnë në këto shpifje shpifarakët, dua të ceku se Ahmet Haxhiu, pasi dola prej burgu, pati bërë përpjekje të më bëjë antarë të LPRK-së. Një ditë prej ditësh isha i ftuar për drekë në shtëpinë e tij. Pas bisedave të ndryshme ai më njoftoi se “këto ditë nga jashtë do të vinin disa shokë për t’i sjellur ca ndihma në të holla për ty dhe familjen tënde”. Nuk pranova as të takohem, as të marr ndihma prej “shokve” që më propozoi Ahmet Haxhiu. Unë i propozova Ahmetit që ndihmat, në vend që të m’i jepnin mua, qe më mirë t’ia jepnin babës së dëshmorit Bajram Baftiri, pasi ishte në gjendje shumë të vështirë ekonomike. Me kaq i patëm dhënë fund bisedës. Prandaj, nuk është e vërtetë, por është rrenë për hava dhe shpifje debile, se unë paskam pasë bërë kërkesë të pranohem anëtar në LPRK. Në mars apo prill të vitit 1990 u takova në Gjenevë me Emrush Xhemajlin gjatë kohës që mbahej një demonstratë. Ia tregova porosinë e vëllaut të tij Bajrushit, që ma pati dhënë në burgun e Pozharevcit pak kohë para se ta kryeja vuajtjen e dënimit. I thashë: “Emrush më vjen keq që më heret nuk kam pasur kohë të shihemi, por po e shfrytëzoj këtë rast dhe po ta përcjell një porosi që e ke prej vëllaut tënd Bajrushit. Ai ju porosit “Bashkohuni se vaj halli për ju, kur të dal prej burgu”. Aty me të ka qenë edhe Bardhyl Mahmuti, dhe pasi ai ishte më i shpejt se Emrushi në të folur, më dha përgjigjen në vend të tij. Më tha “Kush do bashkim le të na bashkohet”. Në një takim tjetër, që rastësisht e pata me Emrush Xhemajlin, kuptova se Emrushi kishte qenë ai që kishte planifikuar të më dërgojë ndihma në të holla. Në kohën kur erdha në Zvicër, shihej se me sjelljet dhe veprimet e pararojës staliniste të LPRK-së dhe ish bajraktarëve të LRSHK-së ishin bërë përçarje të thella në ’’Lëvizjen për Republikën Shqiptare në Jugosllavi’’. Nga një ‘’Lëvizje’’ ishin krijuar: ’’Lëvizja’’ me adresë, ’’Lëvizja’’ pa adresë’’ dhe ’’Komiteti’’ i Xhafer Shatrit. Bënin luftë ndërmjet veti bajraktarët e ’’Lëvizjes’’, për famë, pushtet dhe privilegje, sa që ka ndodhë që dy “Lëvizjet” bënin demostrata në Zvicër në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin qytet (Zyrih) dhe nuk e bënin së bashku. Prandaj nuk ishte vështirë të kuptohej se veprimtaria e tyre çonte ujë në mullirin e armiqve tanë shekullor dhe mu për këtë as që më ka shkuar mendja të anëtarësohem në ’’Lëvizjen’’ me Adresë, në ’’Lëvizjen’’ pa Adresë dhe as në ’’Komitetin’’ e XhaferShatrit. ’’Pishpiriku’’ i diasporës shqiptare dhe bajraktarët e ’’Farës Ruse’’ arritën kulmin e poshtërsisë dhe të marrëzisë, kur më shpifën me gojën e Ahmet Haxhisë, pasi ai nuk mund të flasë më, pasi ka vdekur. Kjo tregon se sa të ligj janë dështakët e Kosovës, të cilët pasi nuk kanë asnjë fakt për t’i hedhur poshtë të vërtetat e hidhura, që i kam vu në dukje nëpërmjet shkrimeve të mia, përkitazi me të ligat që ata ia bënë Kosovës dhe qytetarëve të saj, po mundohen me gënjeshtra dhe shpifje shumë debile të më “kompromentojnë” para opinionit të gjërë, dhe në veçanti të atij të pa informuar sa duhet me rrjedhat e ngjarjeve që u zhvilluan në Kosovë, Shqipëri dhe diasporën shqiptare në dy dhjetvjetëshat e fundit.

Ja çfarë shpifje pjell koka e krisur e shpifarakëve, tash për tash të panjohur plotësisht se kush janë, kur thonë: “Baca Ahmet dyshonte me vendosmëri se ishte pikërisht Shefqeti që ishte infiltruar në organizatën e tyre nga Halil Haliti, nga Bequki i Vushtrrisë-një spiun i madh që i kishte futur në kurthë grupin e Adem Demaçit. Shefqet Strofci, çfarë lidhje ka pasur ai dhe Halil Haliti me Milivoje Sllavkoviqin, një udbash me famë të keqe dhe si ndihej ai kur shkatrrohej inteligjencia e re shqiptare si Adem Demaçi, Ahmet Haxhiu dhe shokët e tjerë”. Siç po shihet shpifarakët, jo vetëm që nuk kanë zemër, por ata janë edhe të palogjikshëm, kur i krijojnë rrenat dhe shpifjet. Ahmet Haxhiu nuk është në mesin e të gjallëve, por shumica dërrmuese e anëtarëve të Organizatës së Adem Demaçit të vitit 1963/ 1964 janë të gjallë, dhe saktësisht dihet se si ka ndodhur zbulimi i organizatës. Unë nuk kam qenë në udhëheqjen e saj të ngushtë, prandaj as që kam mundur ta bëj zbulimin e saj në kurrfarë mënyre. Sa i përket Halil Halitit me të jam njohur në bibliotekë, por nuk kemi qenë shokë, dhe as që ka ditur për veprimtarinë time ilegale. Nëpërmjet shokut tim Avdyl Lahut jam bërë anëtar i Organizatës, kur i kisha 18 vjet, ndërsa jam burgosur më 6 korrik të vitit 1964 përafërsisht një muaj pas burgosjes së Adem Demaçit, Ahmet Haxhisë, Avdyl Lahut dhe shumicës dërrmuese të udhëheqësisë së Organizatës. Kur më kanë burgosur, udbashët e kishin pasur të qartë veprimtarinë time në imtësira. Sot mund të dëshmojnë më tepër se 7-8 burra që ishin të organizuar me mua në Organizatë, që për ta nuk kam folur asnjë fjalë, edhe pse udbashët i përdorën të gjitha metodat “me të mirë’’ dhe ’’me të keq” për të vërtetuar gjërat që ata i dinin saktësisht. Nuk pranova, edhe pse më keqtrajtoi me elektro-shok udbashi me damkë Ibër Haskaj, kur kërkonte nga unë të dijë emrat e katër personave që ju kisha dhënë për detyrë të minonnë ura. Se “fara ruse” dhe “Pishpiriku” i diasporës shqiptare nuk i zgjedhin mjetet për realizimin e qëllimeve të ndyra që kanë ndaj meje, shihet nga fallsifikimi dhe shtrembërimi i të vërtetave, kur edhe një spiun me damkë siç ishte Halil Haliti, që udbashëve u pati ndihmuar të më burgosin, ma shpallin tani “shok dhe bashkëpunëtor”. Fabrikimi i shpifjeve të tyre kundër meje duhet të jetë bërë duke u bazuar në disa të dhëna që i kanë mësuar nga intervista ime e botuar në revistën “Drita” Nr.15-16, 1997 që botohej në Suedi. Po e citoj një paragraf të intervistës time, ku ata janë mbështetur, kanë gjetur emra konkret për t’i dhënë më shumë besueshmëri shpifjes së tyre. Ja paragrafi i plotë : “Një ditë para se ta merrja eksplozivin, dhe t’ua shpërndaja shokëve për t’i kryer aksionet, më 6 korrik 1964 më burgosën. Për të më burgosur lehtë, UDB-ës i ndihmoi Halil Haliti nga fshati Bequk, spiun me damkë i komunës së Vushtrrisë. Një kohë ka punuar në Bibliotekën e Prolluzhës, pa e kryer as shkollën fillore. Zotëriu një ditë para se të më burgosnin pat ardhur tek unë dhe në bisedë e sipër më pat pyetur se çka do të bëj të nesërmen. Unë nuk e njihja atëherë si spiun dhe i tregova të vërtetën se do të shkoj në Prolluzhë për të blerë ca gjëra ushqimore. Ai të nesërmën tërë kohën më ka përcjell nepër Prilluzhë dhe kur kam hyrë në një ëmbëltore për të pirë një pije freskuese, ai u ka treguar kriminelëve se ku gjendem. Kur kam dalur nga ëmbëltorja kishin qenë duke më pritur dy kriminel jashtë derës së ëmbëltorës. Ata m’i kanë kapur përnjëherë dy duart dhe më kanë mbyllur në stacion të policisë…” Fillozofia popullore na mëson se ’’me të ligun është ‘’taksirat’’ të miqësohesh dhe të armiqësohesh’’. Se është plotësishtë e drejtë kjo këshillë e gjeniut popullor, tregojnë bajraktarët e ’’Farës Ruse’’ dhe ’’Pishpiriku’’ i diasporës shqiptare, që e detyruan një fatëzi dhe mjeran siç është Ekrem Jashari ’’të vëjë gishtin’’ mbi shpifjet e tyre, të fabrikuara për të më ’’njollosur’’ personalitetin tim. Të shikojmë tani se sa të padishëm dhe naiv janë shpifarakët, kur shtrojnë këtë pyetje: “Shefqet Jashari-Strofci, ti duhesh të tregosh pse nuk ishe në bankën e të akuzuarve në dhjetor të vitit 1964 në Prishtinë? Dhe kulmi i të gjithave si u bë që ti që kishe përgatitur aksione të armatosura kundër Jugosllavisë u lirove pas dy vitesh. U amnestove ti që akuzoheshe për terrorizëm, kurse nuk u amnestuan “shokët” tu që akuzoheshin vetëm për veprime politike?”. Është e vërtetë se në seancën e parë gjyqësore kemi dalur para Gjygjit të Qarkut në Prishtinë 5 vetë: Unë, Shefqet Jashari, Vezir Uka, Enver Mehmeti, Hilmi Rakovica dhe Selman Berisha. Po atë ditë, në mbrëmje më pati pëlcitur “zorra e verbët” dhe gjatë natës, mjekët e Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës më bënë operacion. Të nesërmen në seancën e dytë, unë nuk kam mundur të dal para gjyqit. Pasi u shërova dhe dola prej spitali, Gjyqi i Qarkut në Prishtinë më dënoi me 5 vjet burg të rëndë. Ndërsa Gjyqi Suprem i Kosovës ma pati ulur dënimin në tri vjet burg të rëndë. Si duket shpifarakëve u janë ’’përzier telat’’, prandaj edhe shpifja tjetër se gjoja qenkam amnestuar dhe se vetëm dy vjet burg i kam vuajtur, është një rrenë për hava. Unë jam burgosur më 6 korrik 1964 dhe jam lëshuar më 28 korrik 1967, pra i kam mbajtur 3 vjet. Bile edhe 22 ditë më shumë burg, për shkak se administrata gjyqsore ka bërë gabim kur e ka bërë daktilografimin e vendimit, kur më kanë dërguar për të vuajtur dënimin në Goli Otok. Këtë mund ta pohojnë këta burra që edhe ata i vujtën dënimet në Goli Otok: Teki Dërvishi, Shaban Kelmendi, Avdyl Lahu, Fadil Cukaj, Sabri Novosella, Shefki Muqaj, Haxhi Ziba, Azem Ramadani, Hasan Polluzha, Irfan Bikliqi, Avdyl Gjevukaj, Shukri Vërrbnica, Hajdin Hasani etj.

‘’Pishpiriku’’ i diasporës shqiptare dhe bajraktarët e ’’Farës Ruse’’ në vend se ta përgatisin mbrojtjen e tyre për të ligat që ia bënë Kosovës dhe qytetarëve të saj, përpilojnë aktakuzë kundër meje duke më shpallur “bashkëpunëtor të UDB-së” e nuk e dinë të gjorët se aktakuzën e kanë të gatshme për përçarje, shpifje, për vrasje politike, për përvetësimin e fondeve, për plaçkitjen e pasurisë së huaj dhe për bashkëpunim me agjenturat serbo-jugosllave. Aktakuza e përgatitur nga ’’Pishpiriku’’ i diasporës shqiptare dhe nga bajraktarët e ’’Farës Ruse’’ kundër meje me siguri është përgatitur më heret, kur i ’’mprehnin dhëmbët’’ se do ta marrin pushtetin me mjete dhune. Shpifarakët më akuzojnë edhe për këto gjëra qesharake : “si ore Shefqet Jashari -Strofci, u bë pas burgut politik, ti si patriot shqiptar i madh, të “dënoheshe” menjëherë me vazhdimin dhe kryerjen e studimeve në afat rekord’’. Pra, sipas logjikës së kokës shpifarake unë është dashur të mos vazhdoj shkollimin, por vetëm të vajtoj dhe të lavdërohem se kam qenë në burg, siç vepruan një pjesë e vogël e ish të burgosurve politik. Ja shpifja tjetër debile : “Ty si “armik i Jugosllavisë” të lejohej të punosh si mësues dhe t’i edukosh fëmijët për disa vjet”. Shtrohet pyetja: kemi të bëjmë me shpifarakë naiv dhe të padijshëm, që nuk janë në gjendje t’i dallojnë periudhat e zhvillimit të sistemit jugosllav, apo kemi të bëjmë me shpifarakë të shkathët. Ma merr mendja se kemi të bëjmë me shpifarakë të shkathtë, pasi që periudhën e liberalizimit të shoqërisë jugosllave, që unë e kam shfrytëzuar për vazhdimin e studimeve dhe pastaj edhe inkuadrimin tim në sistemin e arsimit fillor, për të edukuar dhe arsimuar brezin e ri me baza të shëndosha kombëtare, shpifarakët mundohen t’i japin karakter të dyshimtë dhe zhvlerësues, edhe pse edhe vetë e dijnë se në atë periudhë janë arritur suksese të mëdha në të gjitha lëmet e jetës në Kosovë. Ja shpifja tjetër edhe më debile se shpifja e mëparshme : “Si u bë që i vetmi prej të burgosurve politik, ti të jesh i privilegjuar, sa të bësh odiseja në vende pune të ndryshme nëpër firma shoqërore”. Siç dihet në viti 1977, u bënë ca ndryshime në politikën e brendshme të Jugosllavisë, prandaj në Prishtinë dhe në disa komuna të Kosovës filloi një diferencim nepër shkolla të mesme dhe fillore. Ajo valë e pastrimeve më përlau edhe mua dhe kështu më larguan nga arsimi, nga detyra e mësuesit të gjuhës shqipe në shkollën fillore “Liria” në Strofc. Një vit punova në “Polet” të Vushtrisë si përkthyes, dhe pas një viti me ndihmën e dashamirëve, kalova në KXMK në Obiliq. Pra, sipas shpifarakëve të marrë isha i dyshimtë për ta, kur si ish i burgosur politik punoja në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri, por, kur organet shtetrore më larguan nga puna me arsyetimin se jam i “pa përshtatshëm për edukimin e brezit të ri”, u bëra i “priveligjuar”, pasi që “bëja odiseja në vende pune të ndryshme”. Ja se çfarë morali kanë bajraktarët e kuqaloshëve shqiptar dhe ’’Pishpiriku’’ i diasporës shqiptare! Po shpifarakët mundohen të gjejnë elemente “dyshimi” në veprimtarinë time, edhe kur isha student i SHLP në Prishtinë. Kam pasur fatin që i kam takuar gjeneratës së studentëve që i organizuan demonstratat e vitit 1968. Dhe ja si e shpjegojnë shpifarakët pjesëmarrjen time në organizimin e demonstratave: “Si ti Shefqet Jashari-Strofci u infiltrove si “organizator”, edhe pse vendimi ishte që udhëheqja e organizatës të mos dilte në demonstrata…, Pse modifikove këngën e Internacionales…, Si ua imponove studentëve që të marshojnë me këtë këngë, kur ishte planifikuar të këndohet kënga shqiptare “Besa besë, besën e kemi dhënë’’. Nuk do të zgjatëm në këtë çështje pasi që fatmirësisht organizatorët e demonstratave janë pothuajse të gjithë gjallë. Siç dihet “Grupi i të Rinjëve” i ka organizuar demostratat. Të gjitha fakultetet, shkollat e larta, si dhe shkollat e mesme kanë pasur aktivistë nga radha e studentëve, nxënësve dhe mësimdhënësve që kanë marrë pjesë në organizimin e demonstratave. Në shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, ku unë isha student i vitit të parë, ishin aktivistë Banush Xhemshiti, Hilmi Maloku dhe Mehreme Berisha, të cilët përpos që bënë organizimin e studentëve të kësaj shkolle për demostratë, morën pjesë edhe në organizimin e studentëve të Fakultetit Teknik, të Fakultetit Ekonomik dhe atij Juridik. Edhe unë si shok i tyre kam kontribuar sado pak në atë organizim. Dhe jam krenar që edhe unë bëja pjesë në grupin e studentëve që e filluam demonstratën e 1968, që përbëhej nga studentët e SHLP, të Fakulteteve : ekonomik, juridik dhe teknik. Vetëm kur patëm dalë tek ‘’Tre sheshirat’’ filluan të na bashkangjiten me shumicë studentët e fakulteteve tjera në demonstratë. Mehreme Berisha me flamurin kombëtarë në ballë, u dha forcë, energji dhe fuqi demostruesve, ndërsa grushti i fuqishëm i Banush Xhemshitit ia hapi rrugën demostruesve, kur polici i parë që tentoj ta ndali kolonën u shtri për toke me një ramje të fuqishme të grushtit të tij. Edhe melodia kumbuese dhe fjalitë që iu patën shtuar “Internacionales” me përmbajtje të kërkesave tona kombëtare i dhanë gjallëri demostratës. Fatmirësishtë organizatorët e demostratave i kanë ende të freskta ato ngjarje dhe me siguri do ta hedhin poshtë gënjeshtrën e shpifarakëve se ka qenë e planifikuar të këndohet kënga “Besa besë, besën e kemi dhënë”. Shtrohet pyetja si ka mundur të planifikohet për t’u kënduar një këngë që atëherë nuk ka egzistuar?! Këtë mund të na e tregojnë vetëm kokat skizofrene të shpifarakëve të marrë!

Se shpifarakët mund ta krijojnë shpifjen e tyre prej asgjës, shihet edhe nga shpjegimet e tyre përkitazi me punësimin tim në Kroaci në vjeshtën e vitit 1989, kalimin e kufirit jugosllavo-austriak ilegalisht më 1990, dhe të atij austriako-zviceran. Ata shtrojnë këtë pyetje: “Është mirë opinioni të dijë, pse menjëherë pas “burgut të dytë’’ nuk deshe të qëndrosh fare në Kosovë. Çka bëre gjatë vitit 1988-1989 në Zagreb dhe pse m’u para procesit të lëvizjeve të viteve 1989-90 ike në Zvicër dhe si u mundove t’i afroheshe Xhafer Shatrit i cili asnjëherë nuk të besoi.’’ Sipas ’’Pishpirikut’’ të diasporës shqiptare dhe bajraktarëve të ’’Farës Ruse’’ unë as që kam qenë heren e dytë në burg. Futja në thonjza të fjalëve “burgu i dytë” nënkupton se unë as që kam qenë në burg. Dhe le të jetë ashtu siç e kanë menduar shpifarakët. Edhe punësimin tim në Kroaci në ndërrmarrjen ndërtimore “Bosna” në Zagreb si punëtor fizik, shpifësit e përdorën për të fabrikuar një shpifje. Është e ditur se që nga nëntori i vitit 1987 kur e kreva burgun e deri në verën e vitit 1989 nuk munda të gjejë punë në Kosovë. Atëherë u detyrova të gjejë punë jashtë Kosovës. Por ishte një element edhe më i rëndësishëm që vendosa të ikë për Kroaci, pasi kam qenë në listën e intelektualëve dhe veprimtarëve që e kishte përpiluar Shërbimi Sekret Jugosllav për të na izoluar. Sa i përket gënjeshtrës dhe shpifjes tjetër se unë jam munduar “t’i afrohem Xhafer Shatrit” nuk ka të bëj fare me të vërtetën. Unë nga principi nuk e kam zakon t’u afrohem njerëzve “të mëdhenj”, që kanë pozita të larta udhëheqëse. Por ishte edhe një pengesë tjetër shumë më e madhe që me Xhafer Shatrin s’kam mundur të jem i afërt. Thashë më lartë se bajraktarët e LPRSHJ e kishin përçarë diasporën shqiptare si është zi e më zi, atëherë si kam mundur të jem i afërt me Xhafer Shatrin kur ai ishte njëri ndër bajraktarët kryesor të ’’Lëvizjes’’?! Prandaj është plotësisht e kuptueshme se nuk ishte Xhaferi, por isha unë ai që nuk doja të jem i afërt me të. Çka është e vërtetë, unë në fillim kur erdha në Zvicër, pata tentuar t’i bashkoj bajraktarët e diasporës shqiptare që jetonin në Zvicër, por kur e pash se më lehtë është t’i bashkosh një grusht pleshta se të parët e ’’Lëvizjes’’, hoqa dorë nga punët e kota. Edhe më vonë kur Xhafer Shatri u bë ministër i Informimit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, luajti një rol edhe më destruktiv se më parë, këto ishin arsyet se pse unë nuk kam mundur të jem i afërt me Xhafer Shtrin.

Bajraktarëve të’’Farës Ruse’’ dhe ’’Pishpirikut’’ të diasporës, do t’u jap këtë përgjigje sa i përket kritikave të tyre në lidhje me përkrahjen që po u bëj institicioneve shtetërore të Republikës së Kosovës: A thua ende nuk e keni të qartë dhe nuk u bindët për të ligat që ia bëtë popullit shqiptarë dhe Shqiptarisë, kur i vratë institucionet shtetërore të Republikës së Kossovës? Po sikur shqiptarët dhe subjektet e tija politike t’i njihnin subjektet shtetërore të Republikës së Kosovës, sot nuk do ta kishim “Kornizën kushtetuese” por do ta kishim Kushtetutën e Kosovës, dhe rrjedhat e ngjarjeve do të ishin tjetërfare, do të ishin shumë më të favorshme për Kosovën. Në këtë shkrim-replikë nuk është vendi të qitën në shesh të gjitha të ligat që ia bëtë Kosovës dhe shqiptarëve, por një gjë e di shumë mirë, se, truri i juaj shpifarak, është i mbushur plot me të dhëna, që një ditë kur do të detyroheni të ’’këndoni’’ do të zbulohen të gjitha krimet që u bënë para lufte, gjatë lufte dhe pas lufte në hapsirën tonë kombëtare! Do të tregoni ku i keni fshehur të hollat e plaçkitura nga dy Fondet! Do të tregoni edhe kush i përpilonte ’’listat e zeza’’. Do të tregoni edhe për planet e pa realizuara, do të tregoni edhe për shumë gjëra që tash për tash nuk dua t’i përmend.

Më në fund një porosi për ju bajraktarët e ’’Farës Ruse’’ dhe për ty o ’’Pishpiriku’’ i diasporës shqiptare: Mos mendoni dhe mos ëndërroni, se do të keni sukses të na mashtroni, me fjalë të bukura të “bashkimit’’, të ’’lirisë’’ dhe të ’’pavarësisë”, kur mirë ju njohim se kush jeni, çka mendoni dhe çka ëndrroni. Ju e keni plot gojen “bashkim”, por bashkimin nuk e deshët, kur më së shumti për të kishim nevojë, dhe ju ishit ata që bashkimin e luftuat me të gjitha mjetet dhe me të gjitha format. Ju e keni gojën plot “liri”, por lirinë nuk e doni, kur njerëzit i kërcënoni, dhe në ’’emër të popullit’’ i dënoni me dënimet më të rënda! E kemi të qartë o ’’shokët’’ e Nanosit, se qimen doni ta ndërroni, por jemi të bindur dhe kemi shumë fakte se zanatin kurrën e kurrës s’do ta harroni. Fjala e fundit: Për këto shpifje kaq të liga, s’do të vonojë, dhe do të përgjigjeni para organeve të drejtësisë të Republikës së Kosovës!

Botuar : ’’Rilindja’’ më 14-15 gusht 2001

Loading