PSE PO PENGOHET KOMPLETIMI I QEVERISË SË KOSOVËS?
Drita nr.25/1999
Shkruan: Shefqet Jashari Strofci, Zvicër
Një popull i lashtë e fisnik, siç është ky yni, trim, krenar e zemërgjërë, që i Madhi Zot ia dhuroi Viset më të bukura dhe më të pasura të kontinentit të Evropës, nuk e pati lehtë t’u përballonte sulmeve të njëpasnjëshme të armiqve të shumtë, të afërtë e të largët, fqinjëve tinzarë dhe ardhacake barbarë. Popullin tonë në periudha të ndryshme historike e shpetuan nga zhdukja e sigurtë vetëm luftërat e vazhdueshme për jetë a vdekje me sllavo-grekët. Kjo u bë e mundur edhe në saje të rrethanave lehtësuese që u krijuan në Siujdhesen ilirike nga faktorët e huaj, jashtë ballkanik. Thuhet se historia është mësuesja e jetës dhe se ajo nuk përsëritet. Këto thënje nuk vlejnë për prijsit dhe udhëheqësit shqiptarë. Këta me veprimet e tyre, të njëjtat gabime dhe faje i kanë përsëritur gjeneratë pas gjenerate. Të gjitha luftërat që i ka bërë populli ynë, që nga Teuta e deri në ditët e sotme janë bërë të papërgaditura mirë sa duhet (përpos të periudhes së Skënderbeut) dhe pothuajse të gjitha kanë filluar, jo në momentet më të përshtatshme, por gjithnjë, parakohe apo pas kohe, kur më së miri ju shkonin për shtati interesave të armiqve tanë. Çka është më e keqja, prijsit dhe udhëheqësit e popullit tonë, në të gjitha ngjarjet e rëndësishme që vendosej për fatet e atdheut, janë ndarë dhe përçarë për interesa personale apo për kaprice, xhelozi dhe inate që kishin ndaj njëri tjetrit. Në mënyrë më të zezë dhe më të vrazhdë po përsëriten të njëjtat dukuri edhe në ditët e sotit, kur qenja jonë kombëtare është e rrezikuar më tepër se kurrë më parë, ndërsa Kosovës po i kanoset rreziku i coptimit nga kasapët serbë. Dihet se roli i individit, i personaliteteve që kanë bërë emër, kanë luajtur rol me rëndësi në rrjedhat e ngjarjeve shoqërore, kulturore dhe politike të popullit tonë. Armiqët tanë gjithmonë kanë ditur të na godasin aty ku më së shumti na sjellnin dëme dhe pasoja. Ata me mjete perfide dijtën të na i zhdukin moralisht dhe pastaj fizikisht prijsit dhe udhëheqësit tanë më të zotë, që patën zotësi, autoritet, guxim, dije organizative dhe trimëri, për t’i shkatërruar planet e tyre antishqiptare, që kishin pikësynim gllabërimin e trojeve tona. Janë të shumtë ata që i vranë, i mbytën nëpër burgje, apo vdiqën menjëherë pasi u liruan nga burgjet, si pasojë e torturave të bëra nga udbashët xhelatë. Kështu, bënë atentate politike ndaj Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Enver Hadrit, Azem Hajdarit, etj. Ndërsa i mbytën nëpër burgje apo vdiqën posa dualën nga burgu nga pasoja e torturave: Shaban Shala, Fazli Grajqefci, Zija Shemsiu, Metush Krasniqi, Kadri Kusari etj. Armiqët tanë goditjen për vdekje ia bënë kombit tonë në vitin 1997, nepermjet të agjenturave të tyre greko-bizanine, përmes të ashtuquajturit ’’revolucion të vonuar demokratik’’, pastaj në vitin 1998, kur hordhitë serbe shkatërruan qindëra fshatra kosovare, vranë e masakruan popullsinë civile. Por, goditja më e madhe që pësoi populli martir i Kosovës është kjo e mars-qershorit 1999. Serbia u vërsul kundër Kosovës me një barbari që nuk është parë pothuaj se në asnjë luftë në këtë shekull. Një miljon kosovarë u dëbuan me dhunë e një mjë miljon të tjerë digjeshin e piqeshin nën zjarrin e pamëshirshëm të fashistëve serbë. Kjo nuk është bërë as nga krali e as nga Rajkoviqi. Këtë gjenocid të paparë e hartoi dhe e zbatoi falanga e socialistit Millosheviq. Por, tani si duket edhe kësaj dhune të shfrenuar i erdhi fundi i turpshëm. Futja e NATO-s në Kosovë, planeve të tyre iu dha fund njëherë e përgjithmonë.
Kosova (e me të mbarë kombi shqiptarë) tani po futet nën ombrelën e Perëndimit, duke i pamundësuar planet djallëzore të armiqve të egër sllavo-grekë. Kjo do duhet të tingëllonte si një kumbonë e fuqishme mbi të gjithë ata shqiptarë që ende po e mbajnë të zhveshur shpatën e Damokleut mbi kokën e kombit tonë. Partiakët e vështirë janë bërë pengesë e madhe për ta organizuar jetën normale politike në baza të shëndosha kombëtare dhe kështu, po e bëjnë punën e armiqve tanë shekullorë duke i ndarë dhe përçarë shqiptarët në baza partiake, klanore dhe regjionale. Me daljen në skenën politike të Unionit të Pavarur Studentor dhe të UÇK-së, shqiptarët e’’mundën frikën’’, që ishte krijuar me politikën shtatëvjeçare të LDK-së ’’shtreje qafën e mos bëza’’, por prishën edhe status-quon në Kosovë. Rezistenca burrërore e prijsit të UÇK-së Adem Jasharit, me familjen e tij dhe masakrat e fëmijëve dhe grave nga serbët e ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës dhe ngritën në këmbë rininë tonë heroike për t’i rrokur armët e për t’i dhënë UÇK-së forcë dhe krah, për t’u rritur dhe forcuar me një shpejtësi të rrufeshme. Subjektet tona politike dhe shtetërore, e në veçanti Qeveria e Bukoshit, në vend se t’i bashkojnë veprimet dhe qëndrimet për ta forcuar me kuadra dhe armatime të rënda UÇK-në e për ta institucionalizar atë, vazhduan me politikën e tyre shtatëvjeçare’’dikush thumbit dikush patkonit’’, thuajse asgjë nuk po ndodhë, edhepse Kosova po digjet flakë.
Diplomacia amerikane në Rambuje i detyroi shqiptarët të flisnin me një zë. Por kjo, për fat të keq, nuk zgjati shumë. Marrëzitë e liderëve shqiptarë me në krye Rugovën e Bukoshin sërish po nxjerrin kokën. Ende po e luajnë lojën e djallit të mallkuar ‘’dikush thumbit dikush patkonit’’, duke bërë luftë për pushtet dhe pozita udhë-heqëse, pa e krijuar shtetin. Opinioni ynë, miqët dhe dashamirët e kombit tonë, kanë pritur që së paku, pas fushatës së Ushtrisë fashiste serbe kundër UÇK-së dhe masakrave të bëra ndaj popullësisë së Drenicës dhe Dukagjinit, udhëheqja shtetërore dhe partiake e Kosovës do të vetëdijësohet për dëmet që ajo ia solli popullsisë së Kosovës, UÇK-së dhe çështjes sonë kombëtare. Por këta, as kësaj radhe s’i dëgjuan kërkesat e miqve, dashamirve, diplomatëve të SHBA-ve, dhe opininonit tonë për të dalur me një zë para faktorit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.!? Ata duhet ta dijnë se ndajnë bashkëfajësinë me çetnikët e Beogradit, sepse sjellja e tyre me papërgjegjësi ndaj kërkesave të faktorit ndërkombëtarë për ta institucionalizuar jetën politike të Kosovës, ua mundëson armiqëve të ngrisin fushata kundër kombit tonë, duke na quajtur të padenjë për ta gëzuar lirinë. Duhet të kenë të qartë udhëheqja e Kosovës se lufta e tyre për pushtet nuk do tu sjellë atyre kolltuqet e dëshiruara të pushtetit, as Kosovës Pavarsinë nga kthetrat serbe, dhe as lirinë shqiptarëve të Kosovës. Veprimet e tilla me siguri do t’i sjellin kob, mjerim, vaj dhe varre të reja Kosovës, ndërsa atyre vetëm turpin dhe mallkimin.
Për fat të mirë UÇK-ja është bërë ajo lokomotiva pas së cilës po ecën e githë Kosova. Kjo falë Zotit po iu jep shpresë e zemër të gjithëve. Poqese udhëheqja e Kosovës va-zhdon edhe mëtutje të veproi në këtë mënyrë, duke i ndarë forcat politike të Kosovës në dy taborre kundërshtare, zgjedhja e çështjes së Kosovës do të zhagitet tamam si i pëlqen Serbisë dhe aleatve të saj. Të shpresojmë se tani e tutje këtë loje të rrezikshme nuk do të guxojnë të luajnë ata që më se shtate vite luajtën në kurriz të kombit tonë të shumëvuajtur.