JU KENI MUNDUR TË SHPIFNI EDHE MË ZI, KY ËSHTË MISIONI JUAJ!

Përgjigje në letrën e hapur të Berat Luzhës me titull: “Ti ke mundur të fyesh edhe më, ky është niveli i komunikimit tënd’’

Zotëri Berat Luzha, më thuaj të lutem, me cilat ligje, zakone dhe rregulla kombëtare, fisnore apo ideologjike, e fitove të drejtën të më quash “vëlla“ në pamflet-shpifjen tënde që e titullove :“Letër e hapur Shefqet Jashar-Strofcit nga Zvicr” të botuar në Rilindja më 25 gusht 2001? Nëse ke menduar se jemi “vëllezër” për shkak se jemi shqiptarë, të lutem hiqe nga mendja menjëherë, se nuk kam kohë të kthehem prapa në romantizmin që bota e përparuar e ka harruar qysh moti. Po qe se më keni quajtur “vëlla” duke menduar se të dy i përkasim ideologjisë së pansllavizmit rus, që ndryshe quhet marksizëm-leninizëm, nga fakti se kur isha 20 vjeçar Radio Tirana më pati ushqyer një kohë me egjrën komuniste, e që ti fatkeqësisht ende ushqehesh me të, edhe këtë hiqe nga mendja menjëherë, se unë shumë shpejt jam shëruar nga ai opium. Po qe se mendon se jemi “vëllezër” për shkak se i patëm kaluar disa vite nëpër burgjet serbo-jugosllave për bindjet tona politike, apo që ia bëmë nga një argat çështjes kombëtare, gabon tepër rëndë. Këtë gabim të rëndë e bën në rend të parë për arsye se ne u përkasim dy linjave politike që janë në kundërshtim të papajtueshëm me njëra-tjetrën. Ne nacionaldemokratët dhe demokratët jemi me nacionalizmin shqiptar, kurse ju ’’Qendra e Krimit’’e ’’fara ruse’’, jeni me internacionalizmin proletar. Ne jemi me demokracinë, ndërsa ju jeni me monizmin dhe me mafian. Ne i njohim institicionet shtetërore të dala nga vota e lirë e popullit, ndërsa ju ato nuk i njohët, por i luftuat derisa i vratë në emër të diktaturës së proletariatit dhe në emër të luftës së klasave. Pra, nga ju që i vutë në veprim mjetet e dhunës, të kërcënimeve, shpifjeve dhe krimeve nuk bën kurrsesi të quhem vëlla, edhe sikur të na kishte lindur një nënë. Mos harro, zotëri Berat Luzha, fute në kokë njëherë e përgjithmonë, se me rregullat e mirësjelljes së popujve të civilizuar, njeriun që nuk e njeh, apo që e njeh, por je me të në distancë, nuk duhet ta thërrasësh ndryshe përveçse zotëri, prandaj ky rregull duhet të vlejë edhe për ty, se vetëm një herë jemi parë dhe me atë rast në prezencën e shumë burrave i kemi ndërruar ca fjalë që në fakt ishin një replikë e shkurtër në mes nesh. Unë mbroja demokracinë, kur mbroja Ibrahim Rugovën, ndërsa ti mbroje monizmin dhe stalinizmin, kur e mbroje Enver Hoxhën. Zotëri Luzha, të jam mirënjohës për ’’letrën e hapur’’ që ma dërgove, por më vjen keq që ta kam vonuar përgjigjen, jo për tjetër përveç për shkaqe objektive. Dhe ju më thoni se nuk do të replikonit kurrë me mua, po të mos ishte “replika“ ime me Ekrem Jasharin në “Rilindje”, që juve indirekt u paska “fyer”, edhe pse nuk ua kam ’’përmendur emrin’’, duke ju quajtur “pehlivan i Nanos”, anëtar i “pararojës staliniste të LPK-së” dhe “dështak i Kosovës”. Më beso, shumë më ke gëzuar me këtë reagim tëndin, pasi kjo vërteton atë thënien e artë të popullit tonë, se ai që e ka ’’mizën nën kapuç’’ del vetë në shesh. Dhe tani, në saje të letrës tënde të hapur, shumë gjëra i kam të qarta në lidhje me ’’Qendrën Komanduese të Pararojës Staliniste të Mafias së Kuqe’’. Me thënë të drejtën kurrë nuk më ka shkuar mendja se zotëri Luzha gjendet në kreun e asaj Qendre. Tash e kam të qartë se autor i pamflet-shpifjes nuk paska qenë Pishpiriku i diasporës shqiptare, por qenka pikërisht Berat Luzha, por edhe Pishpiriku e ka hisen e tij. Ai ty të ka dhënë urdhër dhe ti e ke kryer detyrën, kur e keni fabrikuar shpifjen, duke e detyruar pastaj të gjorin Ekrem Jashari të vërë gishtin mbi të. Dhe tani tregohesh se qenke ndier i “fyer”, kur në reagimin tim të botuar në “Rilindje” më 14-15 gusht 2001 ua kam bërë me dije njerëzve në mënyrë të tërthortë se Berat Luzha është një Pehlivan i Nanosit, se bën pjesë në Pararojën staliniste të LPK-së dhe është një dështak i Kosovës. Zotëri Luzha, ndoshta nuk ia kam qëlluar se në cilin klan të ’’Lëvizjes’’ bëni pjesë, kur e kam përmendur LPK-në, ku ti tash ndoshta nuk je në udhëheqjen e saj. Por, zotëri Luzha, kur e kam përmendur LPK-në e kam menduar mafian e kuqe të Kosovës, prandaj sille nga ta sillesh, ish LPK-në, ju ’’fara ruse’’ e keni nënë. Ajo e polli ’’Lëvizjen me Adresë’’, ‘’Lëvizjen pa Adresë’’ dhe ’’Komitetin e Xhafer Shatrit’’, kurse mafia e kuqe e Kosovës ëshë krijuar nga disa bajraktarë të ish ’’Lëvizjes’’ (LPRSHJ) dhe argatët më besnikë të tyre. Dhe pas kësaj “letre të hapur” na keni bindur se jeni njëri nga anëtarët më të fuqishëm të pararojës staliniste të mafias së kuqe. A nuk ishte pararoja staliniste e mafias së kuqe, ajo që pas luftës i dha vetes pozita udhëheqëse dhe grada ushtarake?! Po a nuk ishte pararoja staliniste ajo që zuri pasuri shoqërore dhe vodhi e plaçkiti pasuritë private të popullit? Po na thuaj të lutem, zotëri Berat Luzha, me çfarë të drejte na u bëre ti ’’i pari’’ i “Rilindjes” menjëherë pas luftës?! Mos doje ta bëje edhe atë pasuri private “sikur të ta kishte lënë baba“ ?! A nuk tregon kjo se ti ishe njëri ndër shefat kryesorë të pararojës staliniste të mafias së kuqe?! Vetëm një gjë ende nuk e kam krejtësisht të qartë: Ishe i shtyrë në veprën e shëmtuar të uzurpimit të vendit udhëheqës të “Rilindjes” nga kajtja për pozitë udhëheqëse, edhe pse e ke ditur se nuk ke rradakë për të qenë ’’i pari’’ i gazetës, apo ishe i shtyrë dhe i detyruar nga ’’Pishpiriku’’ i diasporës shqiptare, i cili shpresonte që përmes teje të rregullonte ’’shtrufullogun’’, e ai të vinte në momentin e duhur në krye të mjeteve të informimit publik, dhe nga ajo pozitë të bëhej më vonë njeriu i dytë i Republikës së Kosovës? Dhe a nuk është për t’u habitur që të gjithë e kanë kuptuar se ti me bishtat tu e solle “Rilindjen” në buzë të greminës, ndërsa ti ende me kokëfortësi këtë të vërtetë të hidhur e mohon?! “Rilindja” shpëtoi nga më e keqja në saje të njerëzve të saj të urtë dhe trima, por pasojat janë të rënda, dhe me siguri që duhet një kohë bukur e gjatë dhe një mund i madhe nga tërë kolektivi i saj i vyer për ta ngritur atë në këmbë. Dhe hatrohesh në mua që me plot të drejtë të kam radhitur në dështakët e Kosovës! Fatmirësisht pas çlirimit të Kosovës, e kemi të qartë se kush për çka luftoi gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit XX. Karrieristët e gjorë vrapuan pas pozitave udhëheqëse, hajnat dhe rrugaçët pas plaçkave dhe hajnisë, ndërsa atdhetarët e mirëfilltë dhe veprimtarët e vërtetë të çështjes kombëtare nuk vrapuan pas kolltuqeve dhe pas pasurisë së huaj. Ata iu rrekën punës për t’i fituar mjetet për jetesë me djersën e ballit, por në shumë raste ish “patriotët” dhe ish “veprimtarët” që i përkisnin ’’farës ruse’’ ua zunë vendet e punës, i kërcënuan për bindjet e tyre politike, besa edhe vranë shumë veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare, vetëm pse nuk pranuan të bëheshin argatë dhe robë të pagojë të tyre.

Por, zotëri Luzha, me këtë letër e ke fituar të drejtën të quhesh ’’Pionier i Enverit’’ me mbrojtjen që i bëre vetes, duke e mbrojtur Ekremin, i cili i firmosi shpifjet e ’’Qendrës së Krimit’’ që i bëri ndaj meje. Siç po shihet, ’’Pioneri i Enverit’’, Berat Luzha, nuk është edhe aq i zgjuar kur ua zbulon lexuesve se ’’reagimi i Ekremit’’ ishte dyfish më i gjatë dhe se “Rilindja” paska “gabuar” që “nga dy faqe e ka bërë një, duke i hequr atij pjesë të tëra”. A nuk është ky një fakt që dëshmon se nuk ishte Ekrem Jashari autor i shkrimit, por ishte vetë zotëri Berat Luzha, njëri ndër shefat e “Qendrës Komanduese’’ të ’’farës ruse”. Sipas drejtësisë së ’’Pionierit të Enverit’’, “Rilindja“ paska “gabuar” që replikën time e “ka lëshuar” ashtu siç e kam shkruar. Pra redaksia është dashur ta pyste ’’Pionierin e Enverit’’ se çka duhej të hiqej nga shkrimi im, që ishte një përgjigje ndaj disa shpifjeve të tyre debile. Berat Luzha më akuzon se “Ekremi ishte viktimë e sharjeve” të mia, por a thua kush e detyroi Ekrem Jasharin t’i marrë përsipër shpifjet e “Qendrës Komanduese të ’’farës ruse” unë, apo Berat Luzha?! Por ’’Pionieri i Enverit’’ dhe shefat e tjerë të ’’Qendrës’’, kur e kanë zgjedhur Ekrem Jasharin për t’i rrahur gjoks shpifjes, nuk e kanë menduar mirë se sa do të jetë bindëse para opinionit shpifja e nënshkruar prej një anonimi, i cili jo vetëm që nuk di të shkruajë, por nuk di as të flasë. Dhe ndodhi mrekullia. Pa kaluar shumë kohë u paraqit njëri nga shpifësit, njëri ndër shefat kryesorë të mafias së kuqe të Kosovës, qyqja e rremit – Berat Luzha, tash në cilësinë e ’’avokatit’’ të Ekrem Jasharit. Por ’’Pionieri i Enverit’’ shihet se nga’’babai i tij shpirtëror’’ Enver Hoxha, ka marrë shumëçka, por mbi të gjitha bien në sy shkathtësitë për ndërskamca, kurrthe dhe tradhti. Kjo shihet shumë mirë kur Ekrem Jasharit ia fal epitetin e ’’Pishpirikut’’ të diasporës shqiptare, edhe pse e ka të qartë se për kë është fjala. Në asnjë mënyrë Ekrem Jashari nuk ka mundur të kuptohet nga lexuesit si ’’Pishpiriku’’ i diasporës shqiptare, kur në reagimin tim të botuar më 14-15 gusht 2001 kam thënë: “Nuk do të merresha as me bajraktarët e ’’Farës Ruse’’ e as me ’’Pishpirikun’’ e diasporës shqiptare, të cilët nëpërmjet pamflet-shpifjes që e detyruan ta nënshkruajë Ekrem Jashari, më mveshën shpifje aq debile, sa nuk është e nevojshme me to të merrem, pasi që nuk janë bërë për njerëz që kanë arsye, por janë bërë për mendjeshkurtër dhe kokëkrisur”. Do ta citoj një fragment të ’’Letrës së hapur’’ të Berat Luzhës për të parë lexuesi se çfarë morali ka ’’avokati’’ i Ekrem Jasharit, Berat Luzha, kur në letren e tij të hapur thotë: “Ky farë Ekremi, z. Shefqet, nuk është i komunës së Gjilanit, siç e pandeh ti, nuk është as me vendbanim të përkohshëm në Gjenevë, siç paske dëgjuar ti, kurse nuk është detyruar që për shkaqe ekonomike ta lëshojë Kosovën, siç mendon ti. Ai është në Kosovë dhe punon për Kosovën edhe tash, edhe kur ishte atje te ti. Kjo tregon se nuk e njeh personin me të cilin replikon, se ti nuk ia njeh cilësitë dhe mangësitë, por ashtu ia shkruan biografinë. Ata që ta kanë treguar biografinë të kanë lajthitur. Kurse se e ka tepruar ai, e ka tepruar, pasi “punën nuk ia do shpirti dhe fare nuk skuqet që jeton me ndihma sociale të Kryqit të Kuq apo të kishave zvicerane”. Nuk e di, ndoshta ke të drejtë. Por mbase ka qenë i zënë me punët e Kosovës. Mos e përjashto edhe këtë mundësi, të lutem, edhe pse ti e quan ’’farë ruse’’e ’’pishpirik”.

Sa i përket personalitetit të Ekrem Jasharit nuk kam bërë kurrfarë lajthitjeje, zotëri Luzha, përveç nëse nuk e paskam qëlluar se i cilës komunë është, kur njerëzit me ndërrimin e vendbanimit mund ta ndërrojnë edhe komunën. Por si të cilësohet lajthitja juaj e qëllimtë, kur Ekrem Jasharit ia falni epitetin e “Pishpirikut”, që shoku dhe miku yt e ka fituar me plot të drejtë sa “punoi” dhe jetoi në Gjenevë. Kjo që po veproni me Ekrem Jasharin, zotëri Luzha, është një ligësi shumë e poshtër, sepse në pamflet-shpifjen e parë me emrin e Ekrem Jasharit i mbuluat gjurmët e shpifjeve tuaja shumë të liga, ndësa në pamflet-shpifjen e dytë që e keni titulluar me “letër të hapur”, po ia ngarkoni Ekrem Jasharit në shpinë një barrë edhe më të rëndë se të parën. Po ia ngarkoni barrën e ’’Pishpirikut’’ të diasporës shqiptare! Mosni, ju lutem, se i gjori nuk ka as fuqi fizike, (se është shumë hallëlig) dhe as aftësi mendore për ta bartur atë epitet. “Pishpiriku” i diasporës shqiptare, zotëri Luzha, ka qenë dhe është nëna e të gjitha të ligave që e gjetën Kosovën. Ai ishte burimi i poshtërsive, ngatërresave dhe përçarjeve që janë bërë në diasporën shqiptare. Ai e ka pasur dhe e ka rrjetin e agjenturës së tij personale në të gjitha qytet e mëdha të Evropes Perëndimore, ndërsa në Zvicër ka funksionuar dhe funksionon ende agjentura e tij në të gjitha kantonet. Ai, jo vetëm që i ka përcjellë ngjarjet, ngatërresat, thashethemet, por edhe ka krijuar vetë përçarje dhe ngatërresa me ndihmën e “bashkëpuntorëve” të tij. Me një fjalë, ai i ka bërë njëqind mijë të zeza vetëm që vetë të jetë më i “madhi” dhe më i “fuqishmi” i të gjithë bajraktarëve të “farës ruse”. Por edhe ty të kuptoj shumë mirë, zotëri Luzha, nuk ke faj, jo, që po mundohesh për ta mbrojtur ’’Pishpirikun’’. Me siguri edhe ty sikurse Ekrem Jasharit ta ka nxënë diku’’bishtin me derë’’, Pishpiriku, prandaj duhet t’i kryesh urdhrat e tij. Me siguri që ’’Pishpiriku’’ i diasporës shqiptare në kohën që po bën shkuarje-ardhje nga Gjeneva në Kosovë gjatë dy viteve të fundit, me sjelljet dhe veprimet që i bën në Kosovë, e ka zbuluar veten se është Pishpiriku i diasporës shqiptare, sepse ka sjellje të pishpirikut, ka pamje të pishpirikut dhe çka është më e keqja, ka veprime të udbashit. Ekrem Jashari, siç e dini edhe ju, nuk i përket nivelit tënd dhe as nivelit të Pishpirikut. Ai i përket një niveli shumë më të ulët, edhe pse, sipas teje, sa ishte “te unë në Zvicër, punoi për Kosovën”. Po si nuk ka ’’punuar për Kosovën’’, zotëri Luzha, kur ai bënte pjesë në hallkën e hyzmeqarëve, argatëve dhe robërve të pagojë, që me dëshirë apo pa dëshirë u vunë në shërbim të bajraktarëve të ’’farës ruse’’ dhe të ‘’Qendrës së Krimit’’ që e krijoi pararoja staliniste e LPK-së me të gjitha fraksionet e saj së bashku. Por Ekrem Jasharin e njohin shumë më mirë se ti bashkëfshatarët e tij, të fshatit Gadish dhe ata e dinë se çfarë aftësie ka dhe kush është. Atë e njohin si paren e kuqe kushërinjët e tij edhe shqiptarët që përkohësisht jetojnë në Gjenevë, sidomos pasi Xh. Haliti e caktoi përgjegjës për mobilizim, pasi Qeveria e Thaçit shpalli “mobilizim për luftë”. Por tash Ekrem Jasharin e njohin edhe më mirë qytetarët e Ferizajit dhe të Vitisë, pasi që atje është duke “punuar për Kosovën” që kur Xh. Halit apo argatët e tij e bënë funksionar të Shërbimit Sekret të Qeverisë së Thaçit. Ekrem Jashari, zotëri Luzha, nuk e ka lëshuar Zvicrën siç thoni ju, pasi ai si shumica dërmuese e bajraktarëve të ”farës ruse” nuk i kanë prishur letrat e azilit dhe familjet i kanë lënë në Zvicër, ndërsa vetë janë zhdjergë në Kosovë pas gjahit. Nuk e di sa ka gjatuar dhe çka ka gjatuar Ekrem Jashari dhe Berat Luzha, por e di se kryepehlivanat e Nanosit dhe bajraktarët e ’’farës ruse’’që unë i njoh kanë zënë pozita udhëheqëse dhe kanë plaçkitur pasuri të huaj. Me siguri edhe ju dy nuk keni mbetur duarthatë. Koha do të tregojë se a kam gabuar unë apo Berat Luzha në vlerësimin e personalitetit të Ekrem Jasharit. Jam shumë i sigurt se nuk do të kalojë shumë kohë, kur vetë Ekrem Jashari do të kuptojë se sa keq e kanë manipuluar bajraktarët e ’’farës ruse’’, kur e detyruan t’i nënshkruante shpifjet e tyre ndaj meje.

Më vjen mirë që’’Pionerit të Enverit’’ ka filluar për t’i punuar rradakja, kur në letrën e tij ’’të hapur’’ e pranon si mundësi që Tirana ta ketë krijuar mafian e kuqe shqiptare, por ia mohon mundin Beogradit në krijimin e saj, kur thotë: “Ti Shefqet thua se mafian e kuqe shqiptare, ku e fut edhe Ekremin, e kanë krijuar Tirana dhe Beogradi. Sa për Tiranën, ndoshta, kurse për Beogradin, zor se ke të drejtë. Beogradi sigurisht se i ka krijuar (e dresuar) do të tjerë, ata që dje lehnin për të e për të lehin edhe sot. Se, qeni leh vetëm aty ku ha, apo jo v. Shefqet. Kështu thotë populli”. Sa habi, që ’’Pionieri i Enverit’’, Berat Luzha, bie në kundërthënie me fjalët e tij, kur edhe pse e mohon vlerësimin tim, se Beogradi ka gisht në krijimin e mafias së kuqe shqiptare, ai në anën tjetër e pranon se Beogradi i ka krijuar (dresuar) do të tjerë, ata që dje lehnin për të, e për të lehin edhe sot. Por zotëri Luzha nuk i tregon me emra se kush ishin ata që dje lehnin për Beogradin dhe cilët janë ata që lehin edhe sot për të. Njerëzit e informuar e dinë shumë mirë se kush ishin ata që të parët lehnin për Beogradin dhe cilët sot lehin dhe punojnë për Beogradin. Këtë e di edhe Berati, por nuk ia thotë goja. Por unë Berat Luzhës po ia kujtoj disa fakte se ndoshta i ka harruar. Dihet, zotëri Luzha, se me krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare në Tiranë më 1941 nga serbo-malazeztë Milladin Popoviç, Dushan Mugosha dhe vasalët e tyre Enver Hoxha & Co, u krijuan kushtet të rritet, të forcohet dhe të shtohet ’’fara ruse’’. Për këtë ndihmë që ua bënë jugosllavët, Enver Hoxhës dhe argatëve të tij, Enver Hoxha (në cilësinë e këlyshit) pati lehur për Titon dhe Beogradin deri në fund të vitit 1948. Ai sharroi shumë thellë në ujëra të zeza, kur për hatrin e Popoviçit, Mugoshës dhe të Titos e prishi marrëveshjen e Mukjes, që i bashkonte të gjitha forcat politike të vendit për ta luftuar okupatorin. I vrau bijtë më të mirë të kombit dhe si pasojë e të gjitha këtyre të ligave që ia bëri Shqipërisë, Kosova dhe viset e tjera shqiptare i mbetën Jugosllavisë, nën okupimin e saj. Më vonë Enver Hoxha (në cilësinë e qenit) lehu për Stalinin e Hrushçovin. Dhe së fundit, kur u plak, (në cilësinë e zagarit) lehu për kinezët. Siç po shihet “fara ruse” ëshë mbjellë në truallin shqiptar nga serbo-jugosllavët, nga vetë rusët dhe nga kinezët. Por varianti më i keq i ’’farës ruse’’, që Shqiptarinë e shtriu për toke dhe Shqiptarin e dëmtoi rëndë, ishte ’’fara ruse’’ e mbjellë në Shqipëri nga serbo-jugosllavët. Sot edhe pse babai i ’’farës ruse’’, Enver Hoxha është i vdekur, ’’Pionierët e Enverit’’ po e vazhdojnë me përkushtim punën e tij. Fatos Nanosi, që me sukses po e vazhdon rrugën e babës së ’’farës ruse’’, e ndërroi qimen dhe sa çel e mbyll sytë u bë “socialist”, “demokrat”, mafioz, por faktikisht ai mbeti një dhelpër plakë që po punon edhe për grekun edhe për serbin. Shqipërinë, pasi e kalli flakë derisa e mori pushtetin me dhunë, e bëri koloni greke. Por nuk donte t’ia bënte me hile serbit. ’’Pionierët e Enverit’’ i përgatiti, i shkolloi, u dha kuadro nga ish Sigurimi i Enverit që e kishte krijuar ish OZN-a jugosllave. I thirri në Tiranë R.Qosjen dhe H. Hysenin dhe i ndërseu kundër Rugovës. Ju dha urdhër ta shkatërronin LDK-në dhe në gërmadhat e atij shkatërrimi të krijonin, me ’’Pionierët e Enverit’’, LDK-në e Re. Ndërsa kryepehlivanët e tij Xhavit Haliti, Ibrahim Kelmendi, Emrush Xhemaili e shumë të tjerë morën për detyrë t’i përvetësonin njësitë guerile të Republikës së Kosovës qysh më 1993, kur e nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim midis PSSH-së dhe LPK-së. Dhelpra plakë Fatos Nanosi, kur ia futi flakën në të gjitha anët Kosovës, e bëri takimin në Kretë me Kasapin e Ballkanit, për të nënshkruar marrëveshjen për ta zhdukur faktorin dhe kombin shqiptar nga trojet e veta. Zotëri Luzha, më duket se është e panevojshme të përmenden të gjitha të ligat që iu bënë Shqipërisë, Kosovës dhe Viseve të tjera shqiptare nga Enver Hoxha, ’’fara ruse’’, ’’Pionierët e Enverit’’, Nanosi dhe kryepehlivanët e tij :Xh.Haliti, I. Kelmendi, E. Xhemajli dhe rrogtarët e tyre. Nuk është nevoja të përmenden as të gjitha të zezat që i erdhën Kosovës nga Qeveria e saj, e cila kur ra nën këthetrat e Pishpirikut të diasporës shqiptare, u bë ’’Qeveri’’ e Bukoshit dhe e Pishpirikut të diasporës shqiptare. Nuk ka nevojë, zotëri Berat Luzha, t’i përmend të gjitha të ligat që ia bënë Kosovës dhe Shqiptarisë ish “patriotët” dhe ish “veprimtarët” që i përkasin “farës ruse” . E di se nuk po të pëlqen as ty dhe as sojit tënd një e vërtetë e hidhur, kur po ua them se shumë shpejt, në emër të Zotit, në emër të Kosovës, në emër të dëshmorëve, në emër të të masakruarve nga dora serbe dhe në emër të burrave të fortë të kombit që u vranë me tradhti dhe pas shpine nga dora e argatëve të ’’farës ruse’’, do të përgjigjeni para institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës. A thua ende Berat Luzha nuk e ka të qartë se kush po leh sot dhe kush po punon për interesin e serbit?! Edhe sot, përpos Nanosit, me të madhe po lehin dhe po punojnë për Beogradin Ilir Meta, Paskal Milo, Rexhep Meidani & Kompani. Ndërsa në anën tjetër ’’Pionierët e Enverit’’, bajraktarët e ’’farës ruse’’, ’’Pishpiriku’’ i diasporës shqiptare dhe argatët e tyre po e ’’shajnë serbin’’, po e ’’mallkojnë Beogradin’’ me fjalë boshe, por punën e tyre e bënë dhe ende po e bëjnë. Atyre nuk do t’u falen fajet: kur e filluan luftën frontale me serbin pa u bërë gati për luftë, kur nuk lejuan bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Republikës së Kosovës, kur i vranë komandantët më të zotë të UÇK-së me mjete perfide, duke ua krijuar rrethanat apo duke i qitur në pritë, kur e thyen marrëveshjen e Osllos, që parashihte bashkimin e faktorit ushtarak të Kosovës, kur nuk pranuan të formojnë së bashku me forcat institucionale Qeverinë e Kosovës, që kërkonin aleatët tanë SHBA-të, kur penguan nënshkrimin e marrëveshtjes së Rambujesë me kohë, kur nuk njohën Parlamentin e Kosovës që doli nga zgjedhjet e dyta parlamentare ashtu sikur që nuk e njohu Beogradi, kur e krijuan Qeverinë e tyre në Shqipëri dhe pastaj krijuan Sigurimin e Fshehtë, SHISH-in në Prishtinë, i cili ende punon në të gjitha vendbanimet e Kosovës, për të mbledhur shënime për bindjet politike të qytetarëve, për të mbjellë frikë dhe pasiguri, që kohë pas kohe po kërcënojnë dhe vrasin njerëz që nuk janë si ata dhe që nuk janë me ta. ’’Pionieri i Enverit’’, i nervozuar që unë gjithmonë i kam përkrahur institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, por gjithmonë kam pasur edhe qëndrim kritik ndaj tyre, në letrën e tij të hapur më shtron këtë pyetje: “Kush i bëri institucionet e Kosovës”? Dhe vetë përgjigjet: “Për cilat “institicione” po flet, lum vëllai ? Ti e di se pikërisht ne ishim ata që i krijuam si të tilla, por ishte dikush tjetër që i zhbëri ato. Ishte njeriu që nuk lejonte të bëheshin protesta në Kosovë, të bëhej luftë, të bëheshin institicionet funksionale, të bëhej qeveria dhe parlamenti, aq shumë të nevojshme për lirinë e Kosovës”. Çka mund t’i thuhet një përgjigjeje të tillë përpos papërgjegjësi e plotë për të thënë të vërtetën. Te shqiptarët faji është gjithmonë jetim. Edhe Berat Luzha do ta lërë fajin jetim. Por dihet mirë se parlamentarët e Kosovës, njëri ndër të cilët ishte edhe Berat Luzha, premtuan se do ta formonin Parlamentin e Kosovës, por nuk e mbajtën fjalën. Ata krejt një herë tentuan ta formonin Parlamentin e Kosovës, dhe siç dihet, pasi policia serbe i kërcënoi me burgosje, kurrë nuk tentuan më për ta mbledhur atë. Shtrohet pyetja: Pse Parlamenti i KSA i Kosovës e shpalli Deklaratën Kushtetuese dhe e miratoi Kushtetutën e Kaçanikut, edhe pse vështirësitë për kryerjen e atyre akteve historike, që i vunë gurthemelet e shtetësisë së Republikës së Kosovës, ishin shumëfish më të vështira se sa pas zgjedhjeve të para parlamentare, që u kryen në Kosovë pa mbikëqyrjen e Beogradit? Pse parlamentarët e Republikës së Kosovës nuk vepruan siç vepruan parlamentarët e Parlamentit të KSA të Kosovës kur e miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës në Kaçanik, duke i bërë përgatitjet në fshehtësinë më të madhe? Po a thua kush e ka fajin që nuk u krijua Qeveria e Republikës së Kosovës kur kërkonin diplomatët e shquar të SHBA-ve? Siç dihet Kryetari i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, ia dha mandatin për formimin e Qeverisë zotëri Mehmet Hajrizit. Mehmet Hajrizi e pati përkrahjen e forcave institicionale për formimin e Qeverisë, por atë përkrahje nuk e pati nga Shtabi i Xh.Halitit dhe A. Sylës, që quhej SHP i UÇK-së dhe nga forcat kundërinstitucionale që i drejtonte R.Qosja. Pse vallë nuk e njohën Parlamentin e Kosovës forcat politike ku zinte një vend udhëheqës edhe Berat Luzha? Siç dihet Parlamenti e njohu UÇK-në dhe u zotua se do ta formonte një Qeveri që do t’i përfshinte të gjitha forcat politike dhe ushtarake të Republikës së Kosovës, por forcat e djallit që i udhëheqnin bajraktarët e ’’farës ruse’’ dhe pehlivanët e Nanosit nuk e donin një Qeveri që do t’i organizonte të gjitha forcat shqiptare për luftë. Ato forca nuk e donin bashkimin e shqiptarëve, për t’u bërë një forcë kolosale për ta bërë çlirimin e Kosovës. Ato forca antikombëtare donin që vetëm ato të ishin bartëse të organizimit të luftës dhe në luftë nuk donin që të marrin pjesë forcat demokratike. Pra, ato forca e penguan luftën çlirimtare, penguan çdo organizim të mbarë, që do ta çonte përpara forcimin e faktorit politik e ushtarak të Republikës së Kosovës. Dhe tash Berat Luzha po na trillon kopalla se ishte “ai njeriu” që Berat Luzhën dhe shokët e tij që i përkisnin ’’farës ruse’’ nuk i lejoi të organizojnë “protesta’’, të ’’bëhej parlamenti’’ dhe të bëhej ’’Qeveria”.

Dy tri fjali do t’i them për kombëtarën ’’Bota sot’’, që në dy pamflet-shpifjet e bajraktarëve të ’’farës ruse’’ e kanë shpifur. Sa çudi me bajraktarët e ’’farës ruse’’, që nuk kanë kurrfarë arsyeje dhe nuk kanë aspak logjikë, kur shpifin për ’’Botën sot’’ dhe kur bëjnë përpjekje ta pengojnë daljen e saj. Dhe si nuk e kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë, si u bë që kur ata kërkojnë ndalimin e saj që të mos shpërndahet në Kosovë, edhe Beogradi të njëjtën gjë kërkon nga ndërkombëtarët, ndersa Shkupi e ndaloi botimin dhe shpërndarjen e saj në Maqedoni. Nuk ka nevojë të cekën argumente tjera që dëshmojnë se ’’Bota sot’’është bërë halë në sytë e çetnikëve të Beogradit dhe të komplotistëve kokëkrisur shqiptarë, mu pse ajo po i dëmton interesat e tyre dhe po i demaskon para opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, duke ua treguar fytyrën e tyre të vërtet prej krimineli.

Po zotëri Luzhën e kuptojmë pse e pengojnë shkrimet e mia, por nuk e kuptojmë pse po e penguaka edhe emri i fshatit Strofc që unë e vë prapa mbiemrit tim.. Ai më shtron këtë pyetje në letrën e tij të hapur :’’ Ti, Shefqet, me dy mbiemra( ç’t’u desh i dyti, vëlla, mbase nuk të mjaftoi një apo nga mania për të qenë i madh sa Strofci ?¨)’’. Po të njoftoj, zotëri Luzha, se shpjegimin do ta gjesh në ’’Rilindja’’ të datës 22 prill të vitit 1988 që botohej në Zvicër në reagimin tim : ’’Gabim i lëshuar pa qëllim apo manipulim i shëmtuar’’( që do ta gjesh në këtë libër). Por po ta japi edhe një sqarim që do ta kesh më të qartë pse unë e përdori edhe mbiemrin Strofci. Ju e dini, se në një kohë jo të largët, vazal i Beogradit në Kosovë ishte njëfar Shefqet Jashari nga komuna e Mitrovicës , një vëlla i juaji ideologjik, që edhe ai si ti i përkiste ”farës ruse” të cilin serbët e vënun në krye të Kryesisë së Kosovës ”pa pritë e pa kujtue”, ashtu siç u bëre edhe ti ’’sa qil e mëshil sytë’’, ”personalitet” me shumë pozita udhëheqëse, sa ishte në fuqi ’’Qeveria e Thaçit’’. Pra, siç po shifet qëllimi im ka qenë kur e kam marrë emrin e fshatit tim për mbiemër të dytë, t’ia bëjë me dije lexuesit se autori i shkrimeve kritike për klasën politike të Kosovës nuk është ish ’’shqiptari i ndershëm’’ i Mitrovicës , por është një qytetar i fshatit Strofci, komuna e Vushtrrisë.

Më vjen shum keq, zotëri Luzha, që qenke shastrisur nga frika, dhe t’i paskna shti ’’lepujt në bark’’ kur në reagimin tim të botuar në “Rilindja” më 14-15 gusht 2001 ua kam dhënë fjalën bajraktarëve të ’’farës ruse’’ dhe ’’Pishpirikut’’ të diasporës shqiptare se “do t’i rrah’’me ’’thupra duarve’’ dhe ’’gugjuma kresë’’ derisa t’i ’’shtrij përtoke’’, e t’i bëj për t’u dhënë ’’ujë me lugë”. Berat Luzha paraqet shqetsimin e tij të thellë kur më shtron këtë pyetje :’’ Lum vëllai kur e ke mësuar zanatin e rrahjes me ’’thupra duarve’’ e me ’’gugjuma kresë …’’, ’’Por nuk e kuptoj, si do të na rrahësh me thupra e me gugjuma nga Zvicra. Eja këtu pash Zotin, mbase pajtohem, si vëllai me vëlla, pa pasur nevojë për ’’thupra duarve’’ e ’’gugjuma kresë’’. Më vjen keq z. Luzha, por jam i detyruar ta them se po habitem shumë me qëndrimin tënd si gjuhëtar. Ndaj meje ishe shumë kritik dhe ashtu duhet, kur i kisha lëshuar ca gabime drejtshkrimore nga ngutia apo nga mosdija, ndërsa kur vetë bën gabime edhe më trashanike se sa unë, i palon sytë dhe nuk bën zë. Nuk turpërohesh kur ende nuk ke mësuar se çfarë domethënie merr fjala kur vihet nën thonjëza! Pra fjalët: friska dhe gugjuma, të futura nën thonjëza, që i kam përdorur disa herë në shkrimet e mia, nuk janë gugjumat dhe thuprat e barinjve të Rugovës, as të barinjve të bjeshkëve të Ferizajit që i mbajnë për t’i mbrojtur bagëtitë e tyre nga ujqit dhe derrat e egër. Pra “gugjumat“ dhe “friskat“ që i kam përdorur në ca shkrime të miat nuk janë asgjë tjetër përpos fakte dhe argumente, që i përdor për t’ua grisur maskat pehlivanëve të Nanosit dhe për t’ua qitur marren për fushe bajraktarëve të farës ruse dhe dështakëve të Kosovës. Prandaj të lutem fli i qetë, Berat Luzha, mos u frikëso dhe mos u shastris nga frika se një ditë do t’i marrësh gugjumat kresë dhe friskat duarve për shpifjet e ulëta që bëre kundër meje. “Gugjumat kresë“ do t’i hash me siguri nga organet e drejtësisë të Shtetit të Kosovës për shumë të liga që ia bëre Kosovës dhe qytetarëve të saj . Sa u përket shpifjeve tuaja udbashe të bëra ndaj meja, mos u mërzit fare se të gjitha fajet do të t’i fal, se je i gjorë, je kokëkrisur, kur Xh. Haliti dhe H. Hyseni të futën në lojë që të ngrihesh kundër mundit dhe punës shtatëvjeçare të një gjenerate të tërë. Sa habi që edhe ti nuk u kurseve për shkatërrimin e themeleve të shtetësisë së Kosovës së bashku me bajraktarët e ’’farës ruse’’! Nuk e di çka ndodhi me ty e me shumë burra të Kosovës, që ia bëtë nga një argat çështjes kombëtare, në do kohëra që nuk ishte lehtë ta kundërshtoje robërinë serbo-jugosllave?! Me siguri ishin në pyetje kurthat, manipulimet, por edhe lakmia për pushtet e bajraktarëve të ’’farës ruse’’ dhe dredhia e spiunëve që kishit në radhët tuaja, që për qëllim kishin shkatërrimin e LDK-së, forcës politike më të madhe shqiptare në Ballkan me përçarjet që i krijuan në mes jush, që ishi në udhëheqjen qendrore të LDK-së. Jam i bindur që shumica prej plangprishësve të Kosovës e kanë kuptuar të vërtetën se në rrugë të gabuar kanë shkuar, se kanë bërë faje të rënda, por kokëfortësia, naiviteti, xhelozia dhe shumë vese të tjera nuk i lënë të pendohen dhe të kthehen në rrugën e drejtë, në rrugën që shpie në realizimin e synimeve tona kombëtare. Zotëri Berat Luzha, a thua ende nuk e ke kuptuar se bajraktarëve të ’’farës ruse’’, ’’pehlivanëve të Nanosit’’ dhe ’’Pishpirikut’’ të diasporës shqiptare ju ka sosur ’’sakaku’’ i rrenave, i shpifjeve dhe i krimeve. Pararoja staliniste e mafias së kuqe u mundua t’ia falë Kosovën Serbisë, me ndihmën e ’’farës ruse’’ dhe bajraktarëve të saj, që ia përgatitën terrenin dhe rrethanat asaj për ta bërë pastrimin etnik të Kosovës, siç edhe e bëri, duke mos lejuar bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Republikës së Kosovës. Por me ndihmën e të Madhit Zot dhe me ndihmën e diplomatëve dhe shtetarëve të SHBA-ve dhe aleatëve të saj, pasi që Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova krijoi miqësi të sinqertë me ta, e dënuan Serbinë, duke e detyruar t’i largonte forcat e krimit nga Kosova. Shqiptarët u kthyen në Kosovën e tyre martire. U munduat dhe po mundoheni ta bëni destabilizimin e Kosovës dhe të Ballkanit me ndihmën e agjenturave serbo-greke, hajnave dhe të kriminelëve, por nuk patët sukses. Tani i keni ditët e numëruara. E dimë se gomarit kur t’i afrohet cofa qet shqelma. Janë të fortë shqelmat e dëshpërimit kur e sheh se nuk mund të ngrihet më në këmbë, por jo edhe aq të rrezikshëm. Nuk habitem që ende e përdorni patriotizmin verbal për ta fshehur shpirtin tuaj të shitur për djallin e mallkuar. Por, mos harroni se askush nuk ju beson më.

P. S.

Zotëri Berat Luzha, gjenia e popullit na mëson se “me të lavdue i keqi – të shan, me të sha i ligu – të lavdon“. Vetëm pas sharjeve dhe shpifjeve të bajraktarëve të farës ruse, të gazetarëve sahanlëpirës dhe të analistëve kakuda, që janë nën komandën e ’’Pishpirikut’’ të diasporës shqiptare, jam i bindur se jam në rrugën e drejtë, në rrugën e të Madhit Zot, të cilin e falënderoj shumë që po më jep forcë dhe energji për t’i rrahur “friska duarve“ dhe “gugjuma kresë“ keqbërësit, dështakët, plangprishësit dhe kriminelët e Kosovës.

Botuar në ‘’Rilindja’’ më 19 shtator 2001

Loading