LETËR E HAPUR MËSUESVE TË GJUHËS SHQIPE NË ZVICËR

“Të dashur mësues”.

Do t’ju drejtohem me këtë shprehje të bukur me të cilën nxënësi shqiptar e shprehë dashurinë që ndien ndaj mësuesit të tij. Jam i bindur se e lexoni “Rilindjen”. Atëherë me siguri u ka ra në sy dhe e keni lexuar: “Letrën e hapur” të nxënësëve shqiptar të kantonit të Neuchâtel-it, drejtuar :’’ prindërve, vëllazërve dhe motrave shqiptarë anë e kënd botës’’, me anën e së cilës shprehin brengosje të thellë si për Kosovën dhe viset tjera shqiptare, që rënkojnë nën thundrën e robërisë së rëndë serbosllave, ashtu edhe për faktin që janë të shpërndarë në të gjitha anët e botës. Ata na bëjnë një pyetje të thjeshtë dhe shumë të qëlluar se “çka kemi bërë deri tash dhe a mund të bëjmë më tepër për atë gjysmën e atdheut tonë, të lodhur nga robëria dhe skamja?” Ata kërkojnë nga të gjithë bashkëkombasit e tyre që gjenden jashtë Kosovës, të japim për çdo muaj nga 5 (pesë) franga (siç thonë ata sa kushtojnë dy kafe) si ndihmë për fëmijë, nxënës dhe mësues të varfër të Kosovës. Pra, pesë franga zvicerane, që ata kërkojnë për shkollën shqipe në muaj, askuj nuk do t’ia zvoglojnë standardin e jetesës, kurse për financimin e shkollës shqipe do të jenë të mjaftueshme, po qe se këtë aksion do ta përkrahnin mësuesit dhe prindërit e fëmijëve që gjenden jashtë atdheut,  dhe kështu, Fondi i Qeverisë së Kosovës nuk do të prekej për nevojat e arësimit, por edhe popullsia e Kosovës e cila dita ditës po varfërohet më tepër, nuk do të ngushtohej për të ndarë nga kafshata e gojës, për ta ndihmuar financimin e shkollës shqipe. Tani po bëhen pesë muaj që nxënësit shqiptarë të këtij kantoni së bashku me prindërit e mësuesit e tyre dhe shumë bashkëkombas tjerë, dashamirë të arsimit dhe shkollës shqipe, për çdo muaj ndihmat i mbledhin i regjistrojnë dhe kohë pas kohe ia dërgojnë Këshillit Qëndrorë për Financimin e Kosovës në Prishtinë.

Gazeta jonë  “Rilindja” e botoi letrën e nxënësëve më 14 shtator të vitit 1993, kurse unë atë letër në një tubimë të LASH-it ua kam shpërndarë mësuesëve. Ndërsa në një tubim të arësimtarëve kam propozuar që të gjithë mësimëdhënësit që punojnë në Zvicër, honorarin t’ia falin shkollës shqipe të Kosovës. Propozimi im nuk u pranua nga Kryesia e LASH-it, dhe as nga Neriman Braha  të diskutohet, e lëre më të votohet apo të miratohet. A thua vallë “të dashur mësues”, fare nuk u preku në zemër ajo Letër dhe nuk u shtyri të mendoni se çka keni bërë dhe a mund të bëni më tepër për Kosovën dhe viset tjera shqiptare, që gjenden nën çizmën e rënd të robërisë? A thua vallë aq tepër lakmia për të fituar me çdo kusht, ua bllokoi mendjen dhe zemrën, sa që nuk bëtë ballë që honorarin që e merrni nga prindërit e nxënësëve t’ia falni kolegëve tuaj, të cilët nuk e zgjodhën rrugën më të lehtë për të jetuar, por i mbetën besnik Kosovës dhe shkollës? Ata vazhdojnë punën në kushte tejet të vështira, të kërcënuar çdo ditë me rrahje, keqtrajtime dhe burgosje nga policia serbe, e cila  ka për  synim ta godasë për vdekje shkollën shqipe, hallkën më të rëndësishme të vetëdijes dhe rrezistencës sonë kombëtare. A thua vallë “të dashur mësues”, aq shpejt i harruat nxënësit tuaj në Kosovë, ato fytyra simpatike, që i binin sytë katër, kur ju shpjegonit në klasë?  A thua vallë “të dashur mësues” nga kujtesa juaj u shlyen veteranët e parë të arsimit dhe të shkollës shqipe të cilët e flijuan edhe jeten për hapjen e shkollave dhe mësimit të shkrimit  shqip? A thua jeni të bindur “të dashur mësues” se kjo Zvicra e pasur do t’ju mbajë përgjithmonë duke u dhënë ndihma, apo duke ju ofruar vende të punës, që të jetoni si është më së miri, dhe keni vendosur që të mos ktheheni më në vendlindjet tuaja? Po si u bë “mësues të dashur” që aq shumë të tjetërsoheni, sa që të mos ndjeni fare dhembje për ata bashkëkombas tanë, të cilët edhe pse të kërcënuar nga varfëria, skamja dhe robëria, nuk e zgjodhën rrugën e gurbetit, por mbetën të jetojnë në trojet tona, të cilat, të parët tanë na i ruajtën me sakrifca shumë të mëdha.

Si u bë “të dashur mësues” që nuk u folët nxënësëve që i mësoni dhe i edukoni për nismën e moshatarëve të tyre të kantonit të Neuchâtel-it, të cilët nga shtatori i vitit të kaluar filluan aksionin për ta ndihmuar shkollën shqipe të Kosovës, duke dhënë për çdo muaj nga 5-10 frs, si ndihmë simbolike, por me një domethënie të rëndësishme, që tregon se këta nxënës janë të lidhur ngushtë për vendlindjen e tyre dhe çështjen e Kosovës?

Po si more “të dashur mësues” nuk e patë të udhës t’u folni nxënësëve që i mësoni për kushtet e zhvillimit të mësimit në Kosovë, për moshatarët e tyre të cilët i vijojnë mësimet në kushte tejet të vështira, pa veshëmbathje e ushqime të mjaftueshme, të kapluar nga sëmundjet e ndryshme të varfërisë, pa lokale të përshtatshme për mbajtjen e mësimit, pa orendi shkollore e mjete mësimore?  Si nuk u folët asnjë fjalë për ish mësuesit e tyre të cilët rrahen, keqtrajtohen dhe burgosen nga okupatori duke kërkuar prej tyre, që të mos punojnë me planprograme të Republikës së Kosovës, e që ata e vazhdojnë punën e tyre të shenjtë, për të edukuar dhe arsimuar  brezin e ri, edhe pse shumica prej tyre vuajnë për gjërat elementare të jetesës?

A thua vallë, nuk i shihni nxënësit zviceran, tek mbledhin ndihma për vende të ndryshme të botës të kërcënuara nga skamja, varfëria e lufta? Si nuk merrni mësim nga kolegët tuaj zvicëran, të cilët jo vetëm që i arsimojnë nxënësit e tyre me përkushtim, por edhe i edukojnë se duhet ndihmuar çdo kend që ka nevojë për ndihmë pa dallim kombësie dhe religjioni?

“Të dashur mësues”, sikur ju t’u kishit treguar nxënësve këto gjëra që i ceka, e shumë gjëra tjera që kanë mbetur pa u thënë, nisma e nxënësve shqiptarë të kantonit të Neuchatel-it jo vetëm që do të përkrahej nga nxënësit që i mësoni, por do të përkrahej edhe nga prindërit e tyre,  e pastaj do të përhapej në gjithë diasporën shqiptare, duke përfshirë edhe shqiptarët që jetojnë në viset e tyre në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi.

Ju nuk e përkrahët këtë nismë të nxënësëve, prandaj edhe nuk patët të drejtë të kërkoni prej të tjerëve ta bëjnë një gjë të tillë. Ju u bëtë shurdhëmemec, i mbyllët sytë dhe zemrën, kurse ndërgjegjen e vutë në gjumë. S’ka dyshim, ndërgjegja juaj një ditë do të zgjohet dhe ju do ta shihni veten se në çfarë moçali keni hyrë. Do të bindeni se me vetëdije apo pa të, e keni goditur për vdekje shkollën shqipe në Zvicër, ndërsa i keni  shkaktuar asaj në Kosovë dëme të jashtëzakonëshme, duke e rrezikuar njollosjen e intelektualve shqiptarë në përgjithsi dhe  kuadrin e shkollës shqipe para opinionit zvicëran në veçanti. Dhe ja se pse: Ju “të dashur mësues” që punoni me honorar,  e dini mirë se në Zvicër puna në të zezë është e ndaluar. Punë në të zezë llogariten të gjitha ato punë, për të cilat nuk paraqitet fitimi mujor dhe ai vjetor në organet komunale. Atë ditë që do të zbulohet se mësuesit shqiptarë punojnë në të zezë, për opionin zvicëran do të jetë një sensacion, do të habiten, si është e mundur që mësimëdhënësit që edukojnë dhe arsimojnë brezin e ri, i fshehin të ardhurat personale nga organet komunale dhe shtetërore, duke e ditur se kjo gjë është mashtrim dhe vjedhje? Lind pyetja, pse nuk e paraqesin honorarin që marrin mësuesit tanë?! Nuk është vështirë për t’u përgjegjur, kur dihet se tatimi në të ardhurat e fituara nga puna me honorar është i lartë, dhe mësuesit tanë donë të fitojnë me çdo kusht, duke i shkelur edhe ligjet e shtetit që u ka dhënë strehim, punë dhe ndihma sociale. Dihet se të gjithë kërkuesit e strehimit politik marrin ndihma mujore nga organet zvicërane, në rastin konkret edhe mësuesit që nuk punojnë punë të rregullt. Po që se ata e paraqesin honorarin, atyre do t’u ndalën aq të holla nga ndihmat sa kanë marrë honorar. Ndërsa ata mësues që kanë punë të rregullt në qoftë se e paraqesin honorarin, do të paguajnë tatim plotësues për të hollat e fituara nga honorari. Ja pra se me çfarë logjike të fitimit nisen edukuesit e brezit të ri.  Ju “të dashur mësues” doni t’u paguhen honoraret, po sikur të kishin vepruar si ju edhe shumë veprimtarë, që kanë punuar dhe ende punojnë për çështje kombëtare, kush do t’i mbulonte gjithë ato harxhime që janë bërë dhe çdo ditë bëhen?

 A thua “të dashur mësues”, keni harruar se sa mëditje në muaj ua ndalte drejtoria e shkollës  për vërshimet në Serbi dhe ndërtimin e Beogradit kur ju punonit në Kosovë? Po si nuk doni të kuptoni se edhe ju keni përfitime “të dashur mësues” kur punoni me nxënës këtu në Zvicër, sepse dihet se mosmarrja me profesion për një kohë të gjatë do të ketë për pasojë rënjën e aftësisë profesionale. Po a e keni lodhur sëpaku një herë mendjen “të dashur mësues”, t’i gjeni shkaktarët e mosvijimit të rregullt të mësimit plotësues nga shumica e nxënësve shqiptarë ku jepni mësim? Ju nuk do të mund të përgjigjeni në këtë pyetje sepse ia keni lidhur vetes këmbë e gjuhë. Nuk keni të drejtë morale t’i trokitni asnjë prindi në derë e t’i thoni se fëmijët duhen dërguar në shkollë, sepse për një “kokë fëmije” duhen kërkuar 40 frs, “për dy kokë” 50, tre 60 frs etj. Nuk u përngjan kjo rregullore e LASH-it,  me njërën prej rregullave të shumta të Vasa Çubrolloviçit për t’ia bërë jetën të padurueshme fshatarit shqiptar,  duke kërkuar prej tij që t’i paguaj shtetit taksa për çdo kokë bagëtie që kulloste në fushën apo pyllin e fshatit të vet.  Sikur ju “të dashur mësues”, honorarin t’ia kishit falur shkollës shqipe, duke mos e detyruar prindin të japi të holla për kokë fëmije, që vijon mësimin, po në mënyrë solidare sa i kushton zemra dhe sipas mundësisë, jam i bindur se vijimi i nxënësëve do të ishte i plotë, kurse pagesën prindërit do ta bënin me dëshirë. Ky organizim do të përkrahej jo vetëm nga prindërit por edhe nga shumë bashkatdhetarë e dashamirë të arsimit dhe shkollës shqipe,  dhe kështu kjo krizë morale dhe psikike që e ka kapluar popullsinë tonë në diasporë,  do të kalonte, sepse kishte për t’u krijuar një klimë solidariteti, afrie, mirëkuptimi, besimi reciprok në mes njerëzve, që do ta ndihmonin financimin e shkollës shqipe. Ju “të dashur mësues”, që keni “merita” të posaçme për të gjithë këto shpikje organizative origjinale, u ngutët shumë që për vehte dhe përkrahësit tuaj ta ndani kulaçin më të madh të honorarit, duke ndarë për mësuesit më të “dalluar” nga 4-6 klasë me qëllim që të kenë honorar të majshëm. Lakmia e tepërt ua humbi arësyen, dhe në vend që mësimi plotësues të mbahet vetëm kur shkolla e rregullt zvicrane nuk punon, pra të shtunen dhe të mërkuren pas dite, ju për hirë të të ‘‘merituarëve’’ vendosët që ata të mbajnë mësimë në më shumë regjione për çdo ditë dhe kështu nxënësit e gjorë pas 10 orëve mësim të mbajtur në shkollën e rregullt zvicërane, detyrohen në orët e vona të mbrëmjes, pa ngrënë darkë,  t’i mbajnë edhe dy orë mësim plotësues nga gjuha shqipe, dhe kështu, mësimi plotësues tek nxënësi bën efekt të kundërt nga ai që dëshërojnë prindërit e tyre, sepse ajo është ngarkesë e tepërt për organizmin e tyre të njomë. Ky keqpërdorim i fëmijëve për hirë të mësuesve të privilegjuar që ishin dërguar nga Jugosllavia për të na i edukuar fëmijët e gurbetqarve me socializmin vetqeverisës, dhe të disa të tjerëve “me merita” të tjera,  duhet sa më parë t’u ndalohet mbajtja e mësimit në ditët kur shkolla e rregullt punon tërë ditën. A nuk është qesharake, që mësuesi i cili jep mësim në Bern, shkon në Lucernë për të dhënë edhe atje mësim thua se atje nuk ka mësues?

Por përpos të privilegjuarëve, kemi edhe mësues të atillë, që janë shumë të shkathtë, kapadai e pehlivana. Ata nuk e  përfillin as rregulloren e punës së arsimtarit e as të LPSH-it,  për mënyrën e pagesës së honorarit dhe organizimin e mësimit. Ata me qëllim që përfitimet të jenë sa më të mëdha nga honorari, të hollat i marrin drejtëpërdrejt nga prindërit, duke i kërcënuar nxënësit se, nëqoftëse nuk i bijnë të hollat do t’i largojnë nga mësonjëtorja. Ka raste që mësuesi e ka mbyllë shkollën, pasi që prindërit nuk kanë qenë në gjendje ta paguajnë mësuesin për punë formale pa kurrnjëfarë rezultati. Mësuesi i tillë edhe pse bënë shkelje të rëndë të Rregullorës e të etikës së mësuesit, askush nga përgjegjësit e LASH-it nuk ndërmerr asgjë për t’i penguar apo për ta larguar nga procesi mësimor.

Ma marr mendja “të dashur mësues” se  jeni në dijeni me të arriturat e  shkencës së  biologjisë që ka konstatuar se bima ndien dhimbje dhe reagon, kur bimës që ka afër i thehen gjethet apo i priten degët. Po kjo zemra e juaj zotërinj mësues, çfarë qenka vallë? E gurtë, e hekurtë apo e pulës?! Ju po tregoni se zemra e juaj nuk ndien dhembje për kolegët tuaj, për nxënësit që i keni lënë në oborr të shkollës, dhe vetë keni marrë rrugën e gurbetit,  dhe në emër të Kosovës kërkuat strehim politik, dhe në emër të saj, sot gëzoni ndihma materiale nga shteti zvicëran. Por kajtja e juaj nuk kënaqet vetëm me to, por don që nëpërmjet fatkeqësisë së popullit tonë të pasuroheni sa më tepër, duke mos kuptuar se kurrfarë lumturie familiare nuk do të jetë jetëgjatë, në qoftëse nuk i krijojmë kushtet që atë ta krijojmë në vendëlindjet tona, në Atdheun tonë të shtrenjtë,  i cili çdo ditë rënkon nga plagët e rënda që po ia shkakton okupatori,  por edhe vet  shqiptarët. Duhet kuptuar zonja dhe zotërinj mësimëdhënës, se çdo gjeneratë e popullit tonë në një formë apo në një mënyrë, i ka bërë rrezistencë okupimit të vendit të tij. Tash për tash nga ne që jemi në diasporë kërkohet ta ndihmojmë materialisht Republikën e Kosovës, sepse çdo frangë që sot jipet për të, është plumb i shkrepur kundër Serbisë.

Nga të gjitha këto që i ceka “të dashur mësues e mësuese” po shifet se keni hyrë në një rrugë të pakrye, prandaj dalja prej saj sa më parë që është e mundur, do të jetë në interesin tuaj, të shkollës dhe kombit tonë. Siç po shihet, e vetmja mënyrë për shpëtimin e shkollës shqipe në Zvicër është shpallja e konkursit nga Ministria e Arsimit,  në afat sa më të shpejtë, me qëllim që t’u mundësohet të vijnë në shprehje mësuesve atdhetarë. Puna më e ngutshme që duhet të bëjnë përgjegjësit e LASH-it,  është që sa më parë t’i largojnë të gjithë ata mësimëdhënës, që i kanë shkelur rregullat e LASH-it dhe të LPSH-it duke i zëvendësuar me ata mësues që kanë dëshirë dhe vullnet të punojnë në profesionin e tyre. Numri i këtyre të fundit është shumë i madh, por deri më tani nuk kanë mundur të vijnë në shprehje, sepse nuk lejonin ish mësuesit e privilgjuar të Lidhjes Socialiste të Jugosllavisë, që edhe tani u bënë mësues edhe më të priveligjuar të LASH-it dhe të LPSH-it. Përshëndetje të përzemërta të gjithë atyre mësuesëve që e shohin se janë të manipuluar nga një grup “mësuesish” demagogë dhe të dështuar në profesionin e tyre, por të aftë për tregëti dhe shpikës të përsosur për t’u pasuruar me çdo kusht dhe me çdo mënyrë. Dashtë Zoti i madhërueshëm që t’ua kthjellojë mendjen dhe t’ua pastrojë zemrën, e të vini në atë rrugë të shpëtimit, që çon përpara në përmbushjen e ëndrrës shekullore të popullit tonë për çlirim e bashkim kombëtar.  

Fragmente të saj janë botuar në “Zëri i Kosovës’’me 15 qershor 1994 

Warning: Undefined array key "postid" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 24

Warning: Undefined array key "increase" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 25

Warning: Undefined array key "show_views_today" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 26

Loading