KUR SORRA VESH PENDLAT E ZOGUT!

Shantazhet dhe kërcënimet e juaja zotërinjë të LPK-së  përmes telefonit (me datë 16.01.1998 në ora 10.05 minuta) se e paskam radhën për likuidim si “spiun i Beogradit” më bënë të qesh me plot zemër,  por zonjusha e dresuar që dikush nga ju ia kishit mësuar fjalët përmendësh, shkoi edhe më larg duke kërcënuar se, “përpos teje do të ta likuidojmë edhe djalin”, më bëri të mendoj dhe të bindem plotësisht se LPK-ja është degjeneruar aq tepër, sa që është fatkeqësi kombëtare që në radhët e saj gjendet ende ndonjë atdhetar i manipuluar nga klani pararojë i  udhëheqësisë së saj, që me punën e saj  ka çuar dhe po çon ujë në mullirin e shkaut. Shkak i këtij zemrimi të thellë të klanit pararojë të LPK-së për të më kërcënuar, siç thotë zonja-zonjusha që u paraqit në emër të Lëvizjes, është letra që ia kam dërguar Komunitetit (bashkësisë) shqiptare në Australi, pasi që përfaqësuesi i saj më kërkoi të jap mendimin tim për UÇK-në, dhe se, a duhej Bashkësia t’u jepte të holla në emër të Komunitetit përfaqësuesve të LPK-së, që po prezentoheshin në Melburn si “të autorizuar të tubojnë ndihma në emër të UÇK-së”. Së bashku me letrën ku shprehja mendimin tim, përfaqësuesit të Komunitetit i dërgova edhe Komunikatën e UÇK-së të datës 02.01.1998 të botuar më 05 janar të këtij viti në “Rilindje”. Ajo komunikatë, zonja dhe zotrinjë, jo vetëm që u demaskojë para opinioni të gjërë, por u dha edhe vërejtjen e fundit që të mos flisni më në emër të saj, pra të UÇK-së. Ju mirë e dini  qëndrimin tim sa i përket punës së juaj (LPK-së,) qëndrim që e kam thënë me reagimin tim në lidhje me polemikat e Sabri Novosellës dhe Ibrahim Kelmendit të botuara në “Republika” të S. Kabashit. Letra që i dërgova Komunitetit Shqiptarë në Australi vetëm sa e plotëson qëndrimin tim të mëparshëm për LPK-në. Me sa di unë, deri më tani askush nga klani pararojë i udhëheqjes së  LPK-ës, nuk më ka kundërshtuar, pasi nuk ka pasur asnjë argument me të cilin do të hidhte poshtë artgumentet e mia. Me çka do ta arsyetoni përçarjen e ’’Lëvizjes’’ në tri rryma- në tri organizata ?! Me çka do ta arsyetoni luftën për marksizëm-laninizëm në Evropën antikomuniste, në Europën e lirë që ua mundësojë të punoni për synimet tona kombëtare, por ju as nuk ditët dhe as nuk deshët. Me çka do ta arsyetoni  mungesën e interesimit për t’i zbuluar dorasit e atentatit të Shtutgardit, dhe bashkëpuntorët e UDB-ës që e përgatitën atë atentat. Me çka do ta arsyetoni përkrahjen tuaj të pa rezervë morale dhe materjale dhënë social-stalinistve shqiptarë për ta djegur Shqipërinë dhe për ta zhdukur shtetin shqiptarë ?  Po përkrahjen e mëtutjeshme ndaj bandës tradhtare të Nanos, që e bëri Shqipërinë koloni greke, me çka vallë do ta arsyetoni?! Ju zonja dhe zotërinj, duhet ta dini se UÇK-ja nuk ndihmohet me zhurmë e piskamë, por në mënyrë të qetë, pa e ditur armiku se kush po e ndihmon dhe sa po e ndihmon. Duhet së paku të jeni të vetdijshëm, zonja dhe zotërinjë për autoritetin që keni në diasporën shqiptare dhe në Kosovë, prandej mos harroni se me pendla të shqiponjës nuk mund të veshet as vremçi dhe as sorra. Mos e shpallni UÇK-në krah ushtarak tuajin, as mos gënjeni se jeni të autorizuar të tuboni ndihma në emër të saj. Pra, mos e pengoni dhe mos i sjellni dëme asaj, se do ta rëndoni veten e juaj me mëkate të mëdha. Mos i keqpërdorni ato ndihma që po i japin bashkatdhetarët tanë, sepse me to nuk mund ta përvehtësoni punën e tyre të madhe dhe as t’i bleni ata. Mos e dëmtoni atë forcë që e ndërroi status-quon në Kosovë. Atë forcë të pavarur nga subjektet politike  shqiptare mos e dëmtoni, pasi i tërë populli ynë i ka drejtuar sytë dhe mendjen në të. Mos i dëmtoni zonja dhe zotërinj, ata bijë të popullit tonë, që po na japin shembull konkret se si ndihmohet Atdheu, se si fitohet liria. Sa i përket shantazheve tuaja,  zonja dhe zotrinjë,  ato nuk janë të parat. Para jush më patën kërcënuar udbashët e Serbisë sa isha duke e vuajtur dënimin në burgun e Zajeqarit, por ata as që patën sukses. Po ju kujtoj se kërcënimet tuaja janë edhe më të ndyra se të udbashve serbë, sepse ma kërcënoni edhe familjen, ndërsa udbashët serbë një kërcënim të tillë të fëlliqur nuk ma patën bërë! Kërcënimi juaj, zonja dhe zotërinjë aspak nuk më tremb, përkundrazi më forcon pasi dhe më dëshmon edhe njëherë se kam pasur të drejtë. 

I përshëndes  të gjihë ata atdhetarë të dëshmuar më parë, që ia bënë nga një argat asaj gjysmë Shqipërisë së robëruar,  dhe tani ua ka ‘’pi sorra mendtë’’ dhe qëndrojnë me vetëdëshirë të burgosur në LPK, duke i shërbyer asaj si dekor dhe fasadë pa kupuar asgjë, se argat të kujt janë bërë dhe për hesap të kujt po punojnë.

Botuar : ’’Bota sot’’ më 06.02.1998


Warning: Undefined array key "postid" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 24

Warning: Undefined array key "increase" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 25

Warning: Undefined array key "show_views_today" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 26

Loading