TIRANA TA PËRSHPEJSHTOJË PROCEDURËN E BURGOSJES DHE DËNIMIT TË KRIMINELËVE QË E VRANË AHMET KRASNIQIN

Me ardhjen e forcave demokratike të Shqipërisë në pushtet, kombi shqiptar realizoi një fitore shumë të rëndësishme, fitore kjo që shqiptarëve në gjithë hapësirën e tyre etnike do t’u hapë rrugë të zhvillimit dhe të përparimit, ndërsa kombit shqiptar do t’ia sigurojë vendin e merituar në qendrat e vendosjes ndërkombëtare. Por, kjo fitore ka edhe një rëndësi tjetër të veçantë, sepse forcat e djallit të mallkuar, forcat majtiste, forcat e territ, llumproletarët në krye me pehlivanët e Nanosit dhe bajraktarët e farës ruse, që punuan tash e 60 vjet për çakajtë e Ballkanit, do të bien për tokë, pasi ta marrin dënimin e merituar nga drejtësia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare për të gjitha të zezat që ua bënë bashkëkombësve të tyre. Nanosi me kompani, bajraktarët e farës ruse, kryepehlivanët e Nanosit dhe argatët e tyre nuk do të kenë mundësi të bëjnë edhe më tej krime, sepse së shpejti do të përgjigjen për krimet që i bënë (që nga viti 1997 e deri në ditët e sotme), në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare.

Opinioni ynë, duke i marrë për bazë deklaratat e dr. Sali Berishës dhe deklaratat e zyrtarëve të qendrave të vendosjes ndërkombëtare, lidhur me çështjen e luftës kundër krimit të organizuar (në Shqipëri, Kosovë dhe vise tjera shqiptare), shpreson se lufta kundër krimit të organizuar, që shumë familje shqiptare i veshi në të zeza, nuk do të zvarritet, por do të fillojë, qysh sivjet, me burgosjen e të gjithë kriminelëve (urdhëruesve të krimit, nxitësve të krimit dhe dorasëve) që morën pjesë në vrasjen e Azem Hajdarit dhe të Ahmet Krasniqit, dy personaliteteve të shquara të kombit shqiptar. Burgosja dhe dënimi i kriminelëve që morën pjesë në këto dy krime, ka rëndësi të madhe, jo vetëm se kriminelët do ta marrin dënimin e merituar, por edhe për atë se do të zhvillohet lëmshi i të gjitha krimeve politike që u bënë në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, dhe kështu shqiptarët do të realizojnë fitoren e dytë, shkatërrimin e qendrave të krimit të organizuar, që u krijuan në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni nga Nanosi, kryepehlivanët e tij dhe bajraktarët e farës ruse.

Siç dihet, më 21 shtator 1998, në Tiranë u vra ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi. Në bazë të konventave ndërkombëtare, Shqipëria ka qenë e detyruar menjëherë ta ndriçojë këtë vrasje. Kjo nuk u bë deri tash nga shkaku se, përpos krerëve të ish–LPK-së, LBDK-së dhe Drejtorisë Politike të UÇK-së, në këtë krim kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të SHIK-ut të Shqipërisë, por mbi të gjitha ishte Marrëveshja e Cyrihut (e lidhur në mes PSSH-së dhe LPK-së për rrëzimin e Sali Berishës dhe të PDSH – së nga pushteti dhe shkatërrimin e LDK-së dhe largimin e dr. Ibrahim Rugovës nga skena politike e Kosovës) ajo që i la të lirë kriminelët e kësaj vrasjeje, për të bërë edhe më tutje krime të ndryshme.

Por, tash ka ardhur koha dhe momenti i duhur që Qeveria e Shqipërisë të kërkojë prej organeve kompetente, ta ndriçojnë plotësisht këtë vrasje, duke mos e kursyer askënd, pa marrë parasysh se çfarë pozite kanë pasur, apo kanë sot në subjektet politike dhe shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Sa i përket vrasjes së Ahmet Krasniqit, opinioni ynë është i njoftuar me shumë të dhëna, me anën e të cilave e ka të qartë se kush nga politikanët e Kosovës dhe të Shqipërisë janë të përzierë në këtë krim të shëmtuar. Vetëm për dorasit (tre personat që morën pjesë në pushkatimin e Ahmet Krasniqit) opinioni ynë nuk ka të dhëna, por të dhënat e plota për dorasit dhe politikanët që kanë marrë pjesë në këtë vrasje i ka Prokuroria e Tiranës, që ua ka lënë në dispozicion ish-Ministria e Brendshme e Republikës së Kosovës, menjëherë pas vrasjes së Ahmet Krasniqit.

Do t’i cekim disa prej dëshmive që vërtetojnë se Ahmet Krasniqin e kanë vrarë komplotistët e Kosovës, forca këto të drejtuara nga spiunë serbo-ruso-grekë, të infiltruar në LPK, LBDK, SHP të UÇK-së dhe në Drejtorinë Politike të UÇK-së.

T’i shohim faktet:

1) Ish – ministri i Punëve të Brendshme në ish-Qeverinë e Republikës së Kosovës, magjistër Jonuz Tërstena, në tubimin e mbajtur me bashkatdhetarë shqiptarë, më 20 qershor të 1999 në Vjenë, u përgjigj në shumë pyetje të shtruara. Njëra ndër to kishte të bënte me vrasjen e Ahmet Krasniqit. Ai për këtë çështje pati deklaruar: ,,Ne dimë saktësisht se kush e ka vrarë kolonel Ahmet Krasniqin. Ne i kemi ofruar Prokurorisë së Tiranës të gjitha të dhënat e sakta për personat që kanë gisht në këtë vrasje, por kjo Prokurori ka pezulluar hetimet rreth kësaj vrasjeje. Dhe, ne dimë pse janë pezulluar këto hetime, sepse prapa këtij akti terrorist fshihet një klan i madh politik shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë” (Shiko shkrimin e Bajrush Morinës me titull: Tërstena: ,,Në Qeverinë tonë ka gabime, por në ”Qeverinë Thaçi” ka sherr”, botuar në ”Bota sot”, 22 qershor 1999).

2) Kolonel Tahir Zemaj në librin ”Kështu foli Tahir Zemaj”, shpjegon për takimin e dytë që pati në mbarim të muajit gusht të vitit 1998 me dy argatët më besnik të Xh. Halitit, Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, qëllimi i të cilëve ishte ta bëjnë të pavlefshme marrëveshjen e 20 – 21 gushtit të 1998 për formimin e Drejtorisë së Tretë Operative të Rrafshit të Dukagjinit, ku në bazë të Marrëveshjes së Oslos u krijua një komandë e përbashkët në mes njësive operative të UÇK – së, që i komandonte Tahir Zemaj, dhe njësive territoriale të UÇK – së, që i komandonte Ramush Hajradinaj. Sipas Tahir Zemës, citojmë: ” H. Thaçi dhe R. Selimi kishin nënshkruar një dekret, sipas të cilit vendi im ishte ndryshuar me atë të Ramush Haradinajt. Pra, Ramushi u caktua komandant, ndërsa unë zëvendës i tij. Të gjithë njerëzit e tyre ishin ngritur në përgjegjësi, ndërsa tanët ishin ulur ose hequr fare. Përderisa bëhej fjalë drejtpërdrejt për mua, kam thënë se nuk kisha kurrfarë kundërshtimi nëse komandanti i Shtabit Suprem, apo Kryeministri i Kosovës, e urdhëron një gjë të tillë, unë si ushtarak zbatoj vetëm urdhrat. Kanë ndërprerë takimin dhe me telefon kanë thirrur zotëri Ahmet Krasniqin, ku përreth një orë, në prezencën time, të Thaçit dhe të Rexhep Selimit, kolonel Krasniqi nuk ka pranuar. Ai iu ka thënë atyre se ata po shkelin një marrëveshje dhe se nuk mund të zëvendësonin Tahir Zemën. Përpara se ta mbaronte bisedën me kolonel Krasniqin, Thaçi i ka thënë: “Me ty shumë shpejt do ta kryej misionin ” dhe ka filluar të shajë” Pastaj, T. Zemaj vazhdon: ” Është fakt se Hashim Thaçi, një natë para se të vritej Ahmet Krasniqi, takohet dhe fle në Tiranë në banesën e Ibrahim Kelmendit….”.

3) Rexhep Kastrati në shkrimin e tij me titull: “Sabit Geci, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi duhet të sqarojnë vrasjen e Ahmet Krasniqit” e njofton opinionin me të dhëna të rëndësishme në lidhje me vrasjen e Ahmet Krasniqit, kur thotë: ” Sabit Geci në pranverë të vitit 1998, jo shumë kohë pas vrasjes së Adem Jasharit në Llaushë, në prani të mbi pesëdhjetë ushtarëve të UÇK – së, ku ishin të pranishëm edhe Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Gani Koci, kishte deklaruar se do ta vrasin Ahmet Krasniqin, Ibrahim Rugovën, Fehmi Aganin etj. As Hashim Thaçi, as Rexhep Selimi nuk kishin reaguar për të përgënjeshtruar këtë deklaratë të Sabit Gecit.”

4) Në muajin gusht në Shqipëri patën ardhur tinëz Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Hidajet Hyseni, Bujar Bukoshi, Gani Syla, Rexhep Selimi, Hashim Thaçi e bajraktarë të tjerë të farës ruse, për të marrë vendime, së bashku me Xh. Halitin dhe Azem Sylën, për rrjedhat e ngjarjeve që duhet të zhvillohen në Kosovë, në Shqipëri dhe në diasporë. Me siguri, edhe çështja e FARK – ut dhe Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë temë për të cilën kanë biseduar këta krerë të faqeve të zeza.

5) Një javë para se të vritej Ahmet Krasniqi, Xhavit Haliti, nëpërmjet televizionit të Shqipërisë, e ”njofton” opinionin shqiptarë dhe atë ndërkombëtar, se Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës po ”përgatit grushtshtet kundër Qeverisë së Shqipërisë”, qëllimi i të cilit ishte që opinioni ynë dhe ai ndërkombëtar ta arsyetojnë vrasjen e Ahmet Krasniqit që ishe planifikuar të bëhej në Tiranë.

6) Adem Demaçi një ditë para se të vritej Ahmet Krasniqi, e njofton opinionin, nëpërmjet shtypit, se është në pushim mjekësor dhe se mjekët ia kanë ”ndaluar” të komunikojë me gazetarë dhe mysafirë për një kohë të pacaktuar. Fatmirësisht, Demaçi u ”shërua” shumë shpejt, por ”baca i Kosovës” dhe ”Mandela i Evropes” nuk pati kohë të merret me këto çështje dhe nuk e pa të udhës, së paku me dy fjalë, t’i kundërshtojë atentatet që u bënë në Tiranës dhe në Prishtinë.

7) Bardhyl Mahmuti një natë para se të vritej Ahmet Kraniqi, në një tubim që u mbajt në Suedi, ku mori pjesë së bashku me Hidajet Hysenin, tërthorazi paralajmëroi se do të vritet Ahmet Krasniqi.

8) Argatët e komplotistëve të Kosovës në Gjenevë organizuan tubim me bashkëkombës natën kur u vra Ahmet Krasniqi. Duhet cekur se masa e tubuar e priti me duartrokitje lajmin e vrasjes së Ahmet Krasniqit, ndërsa mjeranë kokëkrisur, anëtarë të LPK – së dhe të LBDK – së, ahmakë të padijshëm dhe sakatë në tru në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë ngritën dolli dhe bënë darka gëzimi për vrasjen e Ahmet Krasniqit, ndërsa ”ushtarë” të Xh. Halitit, H. Thaçit e të R. Selimit shkrepën rafalë automatikësh për të festuar ”fitoren e UÇK-së ” , (klanit nanoisto – qosiq të UÇK-së).

Për këtë vrasje gëzimit të të lartpërmendurve iu bashkuan edhe shkjetë e Prelluzhës, Gracës dhe të Plemetinit etj. të cilët shtruan darka gëzimi dhe shkrepën rafalë automatikësh në drejtim të Zhilivodës – vendlindjes së Ahmet Krasniqit. Ushtria dhe policia serbe, duke ditur se me vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit u krijuan ndarje dhe përçarje të thella ndërmjet shqiptareve, nuk shkrepën rafalë automatikësh në hava, siç shkrepnin ”ushtarët” e ”oficerët” e LPK – së dhe LBDK – së, por menjëherë e filluan fushatën për shkatërrimin e UÇK – së. Ushtria dh policia serbe ua mori pehlivanëve të Nanosit ”territoret e çliruara” për dy ditë, ndërsa komandantët e vetëshpallur të UÇK-së së Xh. Halitit ikën për Shqipëri, duke i lënë ushtarët e tyre të gjenden si të munden dhe si të dinë për ta shpëtuar shpirtin. Shumë uniforma dhe armë të UÇK-së së Xh. Halitit dhe H. Thaçit u hodhën llugave dhe maleve, për t’iu bashkëngjitur masës së trishtuar të popullsisë civile që kërkonin shpëtim jashtë Kosovës me ,,norën” e organizatave humanitare.

Ja pra, ky ishte shpërblimi që fituan pehlivanët e Nanosit nga përçarja që mbollën në mes shqiptarëve me vrasjen e Ahmet Krasniqit.

9) Derisa për Ahmet Krasniqin muaji shtator kishte rëndësi të madhe për Kosovën, sepse pati vendosur që gjithë kuadri komandues i FARK – ut dhe të gjitha njësitë operative të UÇK – së që ishin bërë gati në Papaj dhe garnizone tjera, të futen në frontin e luftës në Kosovë, komplotistët e Kosovës morën të gjitha masat që këto plane të Ahmet Krasniqit të mos realizohen. Pra, lufta u bë e ashpër dhe dihet se kush kishte përparësi ta fitonte. Derisa Ahmet Krasniqi nuk kishte përkrahje të mjaftueshme nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pengohej me të gjitha mënyrat nga organet shtetërore të Shqipërisë, komplotistët e Kosovës që udhëhiqeshin nga F. Nanosi, Xh. Haliti, H. Thaçi. R. Selimi, A. Syla, H. Hyseni, R. Qosja, A. Demaçi etj. kishin përkrahjen pa rezervë nga organet shtetërore të Shqipërisë, nga Qeveria e Kosovës, nga sigurimet e fshehta serbo-ruso-greke, si dhe nga shoqata humanitare dhe individë të pasur që ishin manipuluar nga propaganda e RTSH-së dhe nga emisarët politikë të komplotistëve të Kosovës, që ishin dërguar në të gjitha vendet ku jetonin dhe punonin shqiptarët.

Derisa Ahmet Krasniqi gjatë gjysmës së parë të shtatorit kishte shkuar në garnizonet e FARK-ut për të kontrolluar aftësitë luftarake të njësive operative të UÇK-së, që kishte vendosur së bashku me to të hynin në frontin e luftës në Kosovë, komplotistët e Kosovës, së bashku me argatët e tyre dyfytyrësh që ishin futur në pjesën e Shtabit të FARK-ut, bënin përgatitjet e duhura për vrasjen e Ahmet Krasniqit posa të kthehet në Tiranë. Ahmet Krasniqit ia ndërruan banesën argatët e komplotistëve të Kosovës në krye me Xhafer Jasharin, që kishin depërtuar në organet komanduese të FARK – ut dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, me qëllim që sa më lehtë ta bëjnë vrasjen e tij.

Faktet e shumta dëshmojnë se në vrasjen e Ahmet Krasniqit kanë marrë pjesë edhe disa ushtarakë që kishin pozita të rëndësishme në Ministri dhe në Shtabin e FARK – ut, sepse po të mos ishte kështu, Ahmet Krasniqi nuk do t’i ndërrohej banesa pa prezencën e tij dhe as nuk do të lihej vetëm pa mbrojtjen personale që Shtabi i FARK-ut ia pati caktuar.

Siç dihet, Ahmet Krasniqi u vra sipas një skenari dhe plani të përgatitur mirë nga komplotistët e Kosovës (krerët e ish-LPK-së dhe krerët e ish-LBDK-së,) argatët e tyre që i patën futur në Ministri dhe në FARK dhe pjesëtarë të SHISH – it të Shqipërisë.

Organet e drejtësisë së Shqipërisë nuk e kanë vështirë ta hetojnë këtë vrasje. Iu mjaftojnë të dhënat dhe faktet që ua ka ofruar ish – Ministria e Rendit e Republikës së Kosovës dhe të dhënat që kanë dalë në mjetet e opinionit publik të vendit dhe ato ndërkombëtare. Shqiptarët do të shpresojnë se lufta kundër krimit të organizuar në Shqipëri, do të fillojë me ndriçimin e vrasjes së Azem Hajdarit dhe të Ahmet Krasniqit, që do të ndihmonte dhe thjeshtonte pastaj luftën kundër krimit të organizuar (qendrave të krimit) që duhet të shkatërrohet në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare.

Kriminelët janë të humbur, përfundim i keq po i pret!

Botuar në ”Bota sot”, më 24 shtator 2005

Loading