KRIMINELËT QË DHANË URDHËR PËR VRASJEN E AZEM HAJDARIT, AHMET KRASNIQIT, TAHIR ZEMËS DHE VRASJET TJERA POLITIKE, SË SHPEJTI DO T’I SHOHIM NË PRANGA

Siç dihet, Fatos Nanosi erdhi në pushtet me mjete dhune dhe me përkrahjen e LPK-së (së XH. Halitit), Beogradit, Athinës, Moskës dhe qarqeve të caktuara evropiane. Kjo dorë e zgjatur serbo–ruso-greke, me krimet e rënda politike dhe ekonomike që i bëri kundër Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, e zbuloi fytyrën e vërtet, kështu që tash e tutje nuk do të jetë më e përshtatshme për t’i kryer urdhrat e qendrave antishqiptare. Por, këto qendra nuk e kanë vështirë për ta gjetur personin e duhur që do t’i kryente planet dhe skenarët antishqiptarë që mbetën të pa kryera nga Nanosi.

Opinioni ynë e ka të qartë se ngatërresat që lindën në mes dy klaneve të bajraktarëve të farës ruse në Shqipëri, nuk erdhën nga halli i tyre që kanë për Shqipërinë (se të gjithë janë pjesëmarrës në krime të llojllojshme kundër Shqipërisë), por problemi i tyre është se cili klan dhe cili person do ta zëvendësojë Nanosin, për ta vazhduar punën e tij të deritashme në dobi të armiqve tanë shekullorë.

Pra, Shqipëria shumë shpejt do t’i rrëzojë për tokë bajraktarët e farës ruse, që të mos ngrihen më kurrë në këmbë. Por, nga këto rrethana të përshtatshme që po krijohen në Shqipëri për shkatërrimin e farës ruse, vallë a do të përfitojë Kosova, kur dihet se të gjitha të këqijat i erdhën asaj nga Shqipëria nëpërmjet Nanosit dhe nanosëve të Kosovës, (siç janë: përçarjet ndërshqiptare dhe partiake, maskat, krimet politike dhe ekonomike, varfëria, skamja, kaosi, prostitucioni, korrupsioni, mafia e shumë faqe të zeza të panumërta) përgjigjja është pozitive, kur dihet se dy bishtat e PSSH-së, PDK-ja dhe AAK-ja, do të mbesin pa përkrahjen e PSSH-së që ua krijoi SHIK – u – (”cërna-cërvena ruken”- Qendrën e krimit) dhe kryebajraktarit të saj Nanosit.

Qytetarët e Kosovës tash më e kanë të qartë veprimtarinë kundërshqiptare të plangprishësve të Kosovës, që për interesa të tyre personale dhe klanore, u bënë argatë dhe skllevër ”të pa gojë” të Nanosit dhe Sorosit, duke i kryer urdhrat e tyre, që shkonin në dëm të Kosovës e në interesin e Beogradit, Athinës dhe Moskës. Siç dihet, këta argatë të Nanosit dhe Sorosit: (Xh. Haliti, R. Qosja, H. Hyseni, B. Bukoshi, A. Demaçi, H. Thaçi , R. Hajradinaj, V. Suroi, B. Shala, B. Haxhiu dhe bashkëpunëtorët e tyre), bënë përçarje të thella ndërshqiptare, kur bënë përpjekje për ta shkatërruar LDK-në. Veçmas u treguan mendjeshkurtër kur e përkrahën Beogradin në mosnjohjen e zgjedhjeve të dyta nacionale dhe institucionet që dolën nga ato zgjedhje. Tradhtia e tyre u trash, kur nuk pranuan këshillën e miqve tanë për krijimin e një Qeverie të përbashkët (nga të gjitha forcat – institucionale dhe kundërinstitucionale të Republikës së Kosovës). Por, këta argatë të Nanosit dhe të Sorosit nuk e lan vetëm me kaq. Tradhtia e tyre ndaj Kosovës u dyfishua, kur e thyen dhe përkrahën thyerjen e Marrëveshjes së Oslos, që parashihte bashkimin e subjekteve ushtarake në një subjekt të vetëm në FARK. Tradhtia e shumicës prej tyre ndaj Kosovës u shumëfishua kur filluan të organizojnë kurthe e prita për të pushkatuar veprimtarë të dalluar dhe burra të fortë të shqiptarisë, që nuk arritën t’i bëjnë rrogëtarë. Veprimtaria e tyre kundërshqiptare, që filloi para luftës, vazhdoi gjatë luftës dhe u shumëfishua pas luftës, nuk mund të përthekohet me një shkrim që i kushtohet përkujtimit të 6-vjetorit të vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit.

Është e ditur se opinioni ynë e ka të qartë veprimtarinë kriminele dhe kundërshqiptare të pehlivanëve të Nannosit, por kjo nuk do të thotë se duhet të heshtën krimet e tyre politike dhe ekonomike që i bënë dhe po i bëjnë çdo ditë. Plangprishësit e Kosovës edhe rrenën dhe shpifjen po mundohen ta bëjnë të ”vërtetë”, duke e përsëritur për çdo ditë, ndërsa forcat demokratike po bëjnë përshtypje, se po ju vjen marre t’i përsërisin të vërtetat e hidhura, duke menduar se është e panevojshme të thuhet ajo që një herë është thënë, e nuk janë të vetëdijshëm se kjo politikë qon në ”amnistimin” e kriminelëve dhe forcimin e pozitave të tyre në subjektet politike dhe shtetërore të Kosovës, që do të jetë fatale për ardhmërinë e Kosovës dhe çështjen madhore kombëtare.

Duhet cekur se zbulimi i kriminelëve të mëdhenj që dhanë urdhrin për vrasjen e Ahmet Krasniqit, është me rëndësi të madhe për zbulimin e Qendrës së krimit që ia krijuan LPK-së, LBDK-së dhe Drejtorisë Politike të SHP të UÇK-së ekspertët e sigurimit të Shqipërisë në krye me Shaban Brahën. Është e kuptueshme se në rrethanat në të cilat gjendet kombi ynë, ku në krye të subjekteve të shumta politike dhe shtetërore janë vënë spiunë serbo–ruso-grekë, nuk mund të zbulohen kriminelët e mëdhenj dhe as kriminelët doras të asnjë vrasjeje politike, kur dihet se organet e drejtësisë në Shqipëri janë instrument në duar të Nanosit, ndërsa në Kosovë faktori ndërkombëtarë nuk ka kurrfarë motivi të hasmërohet me kriminelë, që votat e shqiptarëve dhe dredhitë e Dane Everesit i kanë bërë udhëheqës të subjekteve politike dhe shtetërore të Kosovës. Por, të gjithë e kemi të qartë se krimet u rritën dhe u shumëfishuan që nga shtatori i vitit 1998, kur në Tiranë u vranë dy burra të fortë të kombit, Azem Hajdari dhe Ahmet Krasniqi. Opinioni ynë e ka të qartë se Azem Hajdarin e vrau Nanosi me këlyshët e tij, por edhe për Ahmet Krasniqin kemi të dhëna të mjaftueshme se në vrasjen e tij kanë marrë pjesë një numër shumë i madh i kokëkrisurve të Kosovës, që gjatë vitit 1998 u bënë instrument i politikës antikombëtare të Fatos Nanosit, duke filluar nga krerët: LPK-ja, LBDK-ja, Drejtoria Politike e SHP të UÇK-së (që drejtohej nga H. Thaçi dhe Xh. Haliti), ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, qeveritarë të Qeverisë së Kosovës dhe SHIK-u i Shqipërisë. Fatmirësisht, ish-ministri i Rendit Publik të Republikës së Kosovës, zotëri Januz Tërstena, e ka të kompletuar dosjen e kriminelëve që dhanë urdhra për vrasjen e Ahmet Krasniqit, të kriminelëve dorasë dhe të kriminelëve që i ndihmuan dorasit për të bërë krimin.

Data e 21 shtatorit të vitit 1998 në Historinë tonë kombëtare, me siguri se do të shënohet si njëra ndër datat më të zeza të historisë tonë më të re, sepse atë ditë filloi realizimi i dy marrëveshjeve, Marrëveshjes së Zürihut (që u lidh në mes krerëve të PSSH-së dhe krerëve të LPK-së), dhe realizimi i Marrëveshjes së kasapit të Ballkanit dhe kasapit të Shqipërisë që u lidhë në Kretë, (dhe marrëveshjeve paraprake të diplomacisë së fshehtë, që u lidhën në mes Tiranës së Nanosit dhe Beogradit të Milloshit), që Kosova të bëhet ”djep i Serbisë”, jo vetëm me armën serbe, por edhe me dorën katile të shqiptarëve të shitur e mendjeshkurtër që u bënë skllevër të Nanosit, Mejdanit dhe Klosit.

Por, duhet cekur se pa zbulimin dhe dënimin e kriminelëve të mëdhenj që dhanë urdhrin për vrasjen e Azem Hajdarit, Ahmet Krasniqit, Tahir Zemës dhe dhjetëra burrave të fortë të shqiptarisë, lëmshi i krimeve të Nanosit & Klosit dhe argatëve të tyre që i bënë në Shqipëri, Kosovë dhe vise tjera shqiptare, do të jetë i lidhur në nyjë. Kryekriminelët do të zënë edhe më tej pozita udhëheqëse partiake dhe shtetërore, dhe gazepi nuk do t’u ndahet kurrë shqiptarëve. Dora e zgjatur serbo–ruso-greke do të bëjë ligjin e xhunglës në të gjitha trojet tona, së paku edhe për një shekull.

Në gjithë këto të liga që e gjetën kombin shqiptarë, është një e mirë se shqiptarët (shumica dërmuese – përpos të marrëve dhe tradhtarëve) e kanë të qartë burimin e të ligave që e gjetën Shqipërinë, Kosovën dhe viset tjera shqiptare dhe bartësit e tyre me emra dhe mbiemra të plotë. Shqipërisë dhe Kosovës i mungon vetëm një kusht, që këta spiunë të huaj, këta kriminelë, këta hajna e rrugaçë të mjerë t’i qesim para drejtësisë për të dhënë llogari për krimet e bëra, që në zgjedhjet nacionale të Kosovës (që do të mbahen në tetor) dhe të Shqipërisë (që do të mbahen në vitin tjetër), të fitojnë bindshëm forcat demokratike në krye me LDK-në dhe PDSH-në. Viti i katërt dhe viti i pestë i shekullit 21, për shqiptarët do të jetë vendimtar. Shqiptarët, me votën e tyre të lirë, do të përcaktojnë se a do të udhëhiqen nga burra të ndershëm dhe demokratë, apo do të udhëhiqen nga kriminelë, hajna dhe llumproletarë.

I Madhi Zot njeriun e ka lënë të lirë të zgjedhë në mes të së mirës dhe të së keqes, të marrë cilën rrugë të dojë, rrugën e Zotit, që njeriun e bënë të lumtur dhe të suksesshëm në këtë botë dhe në botën tjetër, apo rrugën e djallit, që njeriun e qon në vuajtje, humbje, mjerim dhe shkatërrim në këtë botë dhe në botën tjetër.

Janë të gjitha gjasat se ky vit dhe viti tjetër, do të jenë të suksesshëm për shqiptarët. Do të fitojë drejtësia, se i Madhi Zot nuk i duron gjatë kriminelët. Ai ka thënë dhe ashtu do të bëhet, se ”kriminelët do t’i dënojë në dynja dhe në ahiret” . Dënimin e parë do ta shohim së shpejti të gjithë.

Bëj durim Shqipëri! Bëj durim Kosovë dhe vise tjera shqiptare, se kriminelët, spiunët e huaj do t’i ”rrahim me guxhuma kresë” me votën e qytetarëve shqiptarë që ia donë të mirën atdheut, fëmijëve dhe ardhmërisë sonë të ndritur, që shqiptarët ta marrin vendin e merituar në qendrat e vendosjes ndërkombëtare dhe të bëhen faktori kryesor i stabilizimit, përparimit dhe i mirëqenies në Gadishullin Ilirik.

Botuar në ,,Bota sot”, më 23 shtator 2004.

Loading