MOS HESHT KUR FLASIN KEQ

Përgjigje në reagimin e Shefqet Dibranit: “Pse ka reaguar Shefqet Jashari’’botuar në Bota Sot më 2.10.2000

Me siguri lexuesve të rregullt të gazetës kombëtare ’’Bota sot’’ u ka rënë në sy shkrimi i zotëri Shefqet Dibranit botuar më 9 shtator 2000 me titullin “Konceptet e analizat e Jakup Krasniqit janë kompromentuese për vetë PDK-në’’ i cili bën një polemikë me Jakup Krasniqin dhe mendimet apo analizat e tij të emituara më 28 gusht 2000 në faqen e “Kosovapress’’-it në internet. E pata lexuar me interesim shkrimin e zotëri Dibranit dhe u habita me mendimin e tij jo të drejtë, jo parimor dhe jo shkencor për ish të burgosurit politik. Të thuhet se ish të burgosurit politik “bënë përpjekje për ta eliminuar elitën politike kosovare” nuk është as e vërtetë, as parimore, nuk është as e drejtë, as njerëzore. Zotëri Dibrani në asnjë mënyrë nuk ka guxuar t’i përgjithësojë ish të burgosurit politik me një grusht karrieristësh në mes tyre. Është e ditur se karrieristë gjenden në të gjitha shtresat e popullsisë, prandaj është normale të gjinden edhe në radhën e ish të burgosurve politikë. Zotëri Dibrani e di mirë se në kryesinë e LDK-së dhe në të gjitha degët dhe nëndegët e saj në Kosovë dhe në diasporë gjenden ish të burgosurit politik. Ka menduar zotëri Dibrani se me akuzën e tij publike kundër ish të burgosurve politik do t’i fyejë në radhë të parë ata ish të burgosur politik, që gjenden në radhët e LDK-së dhe veçanërisht ata të cilët mbajnë barrën kryesore në disa degë të LDK-së siç janë Ali Lajçi, Adem Salihu, Hysen Gërvalla etj ?! Po çka do të thuhet për qindra e mijëra ish të burgosur politik, të cilët me mundësitë që i patën e kundërshtuan dhunën dhe terrorin serb mbi popullin shqiptar të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare dhe në asnjë mënyrë nuk treguan shenja të karrierizmit, por punuan sipas dijes, aftësisë dhe mundësisë në ndërtimin e themeleve për krijimin e Shqipërisë etnike dhe tani po punojnë në ndërtimin e themeleve të shtetësisë së Kosovës. Është për t’u habitur që zotëri Dibrani në vend se të më përgjigjet për pyetjet që ia pata shtruar në shkrimin tim të botuar në “Bota sot” më 24.09.2000 (reagimi i mësipërm), në shkrimin e tij të botuar në “Bota sot” më 2.10.2000 bën pyetje “Pse ka reaguar Shefqet Jashari?”. Pra, jam i detyruar t’i përgjigjem edhe njëherë zotëri Dibranit pse u detyrova të reagoj ndaj shkrimit të tij. Së pari do ta pysja zotëri Dibranin nëse është apo jo autor i shkrimit të botuar në “Bota sot” të botuar më 9 shtator 2000 me titull “Konceptet e analizat e Jakup Krasniqit janë kompromentuese për vetë PDK-në”? Po qe se dikush e ka keqpërdorur emrin e tij, duke e dërguar atë punim në emër të tij, atëherë unë do t’i kërkoja falje publike Sheqet Dibranit. Por, po qe se zotëri Dibrani e pranon autorësinë e atij shkrimi, atëherë në atë shkrim bëhet një akuzë e rëndë ndaj ish të burgosurve politik. Po e citoj paragrafin e shkrimit të Shefqet Dibranit që më ka detyruar të reagoj: «…të burgosurit politik duke u përpjekur për ta eliminuar elitën politike kosovare janë kompromentuar deri në atë shkallë, po jo aq shumë sa thotë Jakup Krasniqi. Të burgosurit politik pas daljes nga burgu kanë përdorë me doza të tepruara kapitalin e tyre si “të burgosur të ndërgjegjes” duke mos pasur kujdes për ta ruajtur atë kapital, të cilin e kanë përfituar për vite me radhë…” A nuk është kjo akuzë pa asnjë bazë? Pse të përgjithësohen dhe të akuzohen ish të burgosurit politik për shkakun se një grup i vogël prej tyre u treguan karrieristë dhe partiakë të shtirë? Zotëri Dibrani është parimor dhe ka të drejtë kur kërkon nga Jakup Krasniqi që të mos i “përgjithësojë të gjithë intelektualët shqiptarë pse i kanë pasur teserat e Partisë Komuniste, por t’i akuzojë vetëm ata, të cilët kanë bërë vepra të këqija për dhe kundër shqiptarëve”. I shtrohet pyetja Shefqet Dibranit pse principi shumë i drejtë dhe parimor me të cilin ai i hedh poshtë akuzat e Jakup Krasniqit ndaj intelektualve që i patën “teserat e Partisë Komuniste” nuk duhet të vlejë edhe për ish të burgosurit politik? Më në fund nuk e kuptoi z. Dibrani pse në reagimin e tij vetrrëfehet duke hedhur poshtë çdo mundësi që dikush nga farefisi i tij të ketë pasur librezën e antarësisë së LKJ-së, pasi që unë në reagimin tim me asnjë fjalë, drejtëpërdrejt apo tërthorazi, nuk e kam marrë për goje dhe as që kam shprehur dyshim në përcaktimin e tij demokratik. Ndërsa në jetën time, unë kurrë nuk i kam përgjithësuar njerëzit në bazë të bindjeve apo përcaktimeve politike. Me libreza të LKJ kam pasur shokë të shtëpisë por edhe shokë të ngushtë dhe të idealit. Sa i përket elitës politike të Kosovës, vlen edhe për mua ai principi parimor me anën e të cilit z. Dibrani i ka hedhur poshtë akuzat e Jakup Krasniqit ndaj intelektualëve që i kanë pasur “teserat e Partisë Komuniste”.

Më vjen shumë keq që z. Shefqet Dibrani paralajmëron “se për shkak të konsideratës që ka për shkrimet e mia publike e sheh të pa arsyeshme vazhdimin e polemikës” me mua. Përkundrazi, mendoj se z. Shefqet Dibranin, po qe se ka konsideratë për shkrimet e mia publike duhet t’u përgjigjet pyetjeve të mia dhe t’u shpjegojë e t’i bindë lexuesit e nderuar të gazetës kombëtare “Bota sot” se nuk mendon për ish të burgosurit politik, ashtu siç i ka dalë mendimi në të shkruar. Pra gabimi i është përvjedhur gjatë shkrimit të tekstit. Konsideroj se është njerëzore që njeriu të gabojë, por është edhe më njerëzore zemërgjërësia për ta pranuar gabimin.

Shkruar më 3.10. 2000 (botohet për herë të parë)

Loading