FAKTET NUK PUSHOJNË SË EKZISTUARI, EDHE PSE INJOROHEN
Në fejtonin tim “Pse jemi kështu siç jemi” të botuar në gazetën kombëtare “Bota sot” (21 maj-19 qershor 2001) i ndriçova edhe disa nga pengesat që i patën Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës në realizimin e detyrave kushtetutare, që kishin ndaj Atdheut. Në vargun e atyre pengesave ishte edhe pengimi i hyrjes së Brigadës 141 për të marrë pjesë në mbrojtjen e Junikut, nga Xhavit Hoxha, Xhevat Hasani, dhe (tash i ndjeri) Jashar Salihu. Fatkeqësisht Xhavit Hoxha dhe Xhevat Hasani në vend se ta pranojnë fajin duke i shpjeguar rrethanat dhe shkaqet e një veprimi të tillë antikombëtar, e dyfishojnë fajin, kur në reagimin e tyre të botuar në “Bota sot” më 30 korrik 2001 thonë: “…e hudhim poshtë dhe e demantojmë si të pabazë, të pavërtetë dhe qëllimkeq konstatimin e Shefqet Jasharit-Strofci se gjoja Xhavit Hoxha, Xhevat Hasani dhe i ndjeri Jashar Salihu e paskan penguar hyrjen e brigadës 141 të FAR-kut në Kosovë.’’
Xh.Hoxha dhe Xh.Hasani me reagimin e tyre bëhen shumë qesharak dhe tepër naiv, kur bëjnë përpjekje për të mohuar fajin e rëndë që bënë, kur penguan hyrjen e Brigadës 141 në Kosovë, pasi është e ditur se atë vepër e kanë bërë haptas dhe në prezencën e qindra njerëzve.
Sa i përket kërkesës tjetër të Xh.Hoxhës dhe Xh.Hasanit që unë ’’ t’i nxerri dëshmitarët’’ dhe t’u jap “fakte konkrete” për të vërtetuar konstatimet e mia në lidhje me pengesën që ata ia bënë Brigadës 141, për të mos hyrë në Kosovë, do t’i cek vetëm disa prej tyre. Qendra për Informim e Ministrisë së Mbrojtjes, ku unë punoja, ka qenë e informuar nga Shtabi i FARK-ut, me përmbajtjen e raportit të komandantit të Brigadës 141 Fuad Ramiqit, që ia kishte dërguar kolonel Ahmet Krasniqit, sapo ishte kthyer në garnizonin Papaj, pas mossuksesit të tij për të hyrë në Kosovë. Zotëri Ramiqi në raportin e tij shpjegonte se Brigadës së tij iu kishin bashkangjitur më tepër se 250 civilë dhe ushtarë të Kosovës, që kishin ardhur në Shqipëri për të marrë armatim, ku shumica prej tyre kishin qenë nga fshatrat e Drenicës, qëllimi i të cilëve ishte të dërgojnë armatim dhe municion për njësitë e tyre në Drenicë e gjetiu. Komandanti i brigadës 141 Fuad Ramiqi nuk kishte kundërshtuar kërkesen e tyre duke ditur se njësitë e UÇK-së kishin nevoja të mëdha për armë dhe municion, por ai u kishte parashtruar një kusht që deri në Junik të rrinin nën komandën e tij. Qytetarët e armatosur të Drenicës dhe të disa komunave tjera të Kosovës kishin pranuar kushtin e komandantit. Fatëkeqësisht ndodhi ajo që askush nuk e kishte pritur! Kur brigada bëhej gati të kalojë kufirin shqiptaro-shqiptar, “treshi” i LPK-së Xhavit Hoxha, Xhevat Hasani dhe (tash i ndjeri) Jashar Salihu, kundërshtuan hyrjen e brigadës në Kosovë me disa të shtëna në ajër (me kallashnikovë) dhe kështu alarmuan forcat serbo-sllave për prezencën e UÇK-së, dhe kërcënuan komandantin se “do të luftojmë” po qe se “nuk kthehen mbrapa”. Drenicasit bënë përpjekje ta bindin “treshin” e LPK-së, që të mos pengoheshin, pasi Drenica ishte pa armë dhe municion dhe se çdo vonesë e tyre do të kishte pasoja të mëdha për UÇK-në. Ishte një situatë shumë e tendosur. Xhavit Hoxha, Xhavit Hasani dhe( tash i ndjeri) Jashar Salihu ishin vënë në gadishmëri të plotë të shtijnë me armë, po qe se brigada ia mësyn kufirit. Fuad Ramiqit nuk i mbetet tjetër përpos të fillojë luftën me “treshen” e LPK-së, ose të kthehej mbrapa. Ai veproi sipas arsyes. Dha urdhër të kthehej brigada mbrapa, për t’iu shmangur një gjakëderdhjeje me pasoja tepër të rënda për shqiptarët, që do të sillte fillimin e një lufte qytetare në mes forcave institucionale dhe forcave kundër institucionale të Kosovës.
Pohimet e mia se Xhavit Hoxha, Xhevat Hasani dhe Jashar Salihu e kanë penguar hyrjen e brigadës 141 në Kosovë, nuk janë ’’trillim’’, as ’’shpifje’’ të Shefqet Jashari-Strofcit, siç thonë Xh.Hoxha dhe Xh.Hasani, por janë dëshmi të pamohueshme që i ka dhënë komandanti i Brigadës 141 Fuad Ramiqi. Fatmirësisht Brigada 141 ka qenë e kompletuar me kuadrin ushtarak. Me siguri pararoja staliniste e LPK-së nuk do të ketë mundësi t’ua ’’fusë lepujt në bark’’të gjithë ushtarakëve që përbënin Shtabin Komandues të Brigadës. Së paku, disa prej tyre do të dëshmojnë të vërteten e plotë përkitazi me pengesat që iu bënë Brigadës 141, me qëllim që të mos lehojej hyrja e saj në Kosovë. Po qe se pararoja staliniste do të ketë sukses t’ua mbyll gojën ushtarakëve të Brigadës 141, çka nuk e besoj, atëherë, ata nuk do të kenë sukses t’ua mbyllin gojën 300 e më shumë ushtarëve që kishte brigada, dhe disa qindra qytetarëve të Kosovës, që iu bashkangjitën brigadës për të dërguar armatimin në Kosovë.
Po qe se komandanti i Brigadës 141 Fuad Ramiqi i mohon pohimet e tija se “Xhavit Hoxha, Xhevat Hasani dhe Jashar Salihu kanë penguar hyrjen e brigadës 141 në Kosovë”, atëherë ai do të përgjigjet para Gjygjit Ushtarak të Republikës së Kosovës për dezertim dhe për shpifje. Një fjalë e urtë popullore na mëson se “Drejtësia vonon, por nuk harron”. Prandaj, edhe çështja se pse nuk hyri brigada 141 në Kosovë për mbrojtjen e Junikut, kush e pengoi hyrjen e saj, kush e pengoi FARK-un në realizimin e detyrave kushtetuese ndaj Atdheut, do të ndriçohen plotësisht brenda një kohe të shkurtër.
Botuar : ’’Bota sot’’, më 4 gusht 2001