A FOLI AGIM MEHMETI ÇKA DUHEJ TË FLISTE?

Nuk jam habitur aspak me reagimet e argatëve të Xh.Halitit, I.Kelmendit dhe të R.Qosjes të cilët në mungesë të fakteve për t’i hedhur poshtë të vërtetat e hidhura që shtjellova në fejtonin tim “Pse jemi kështu siç jemi” më shpifën dhe më shanë në gazetën e tyre “Epoka e re” për t’ua bërë qejfin patronëve të tyre. Nuk po më habitë fare as reagimi i Agim Mehmetit i botuar në “Bota sot” më 1 korrik 2001 me titull  “Se kur do të flas unë, Agim Mehmeti, këtë e vlerësoj unë!”,  i cili jo vetëm që shpif dhe gënjen kundër meje por edhe më kërcënon që të mos shkojë më tutje në zbulimin e komploteve që iu bënë Ahmet Krasniqit, Ministrisë së Mbrojtjes, dhe SHP të FARK-ut nga argatët e Xh.Halitit, Ibrahim Kelmendit dhe të Qosjes, që qenë futur në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në SHP të FARK-ut për ta marrë ’’kalanë nga brenda’’.

Në reagimin e tij Agim Mehmeti e çonë vehten në qiell kur thotë se “Ahmet Krasniqi vetë më ka caktuar si zëvendës të tij, jo për karrierë siç mendon Strofci, por për arsye të meritave, si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në atë profesional,  dhe se ka pasur besimin e plotë tek unë”.  Siç po shihet çdo gjë ishte në rregull nga ana e Ahmet Krasniqit. Ishte korrekt ndaj Agimit  pasi që në bazë të “meritava dhe besimit” që e kishte pasur për të e kishte caktuar për zëvendës të tij. Por shtrohet pyetja: E arsyetoi apo nuk e arsyetoi A. Mehmeti besimin e  Ahmet Krasniqit pas vrasjes së tij? E vazhdoi apo e lakoi A. Mehmeti rrugën e Ahmet Krasniqit dhe a e kreu borxhin që kishte ndaj tij? E mbrojti apo nuk e mbrojti personalitetin e Ahmet Krasniqit karshi shpifjeve të pehlivanave të Nanosit, argatëve të Qosjes, të Xh.Halitit dhe I.Kelmendit? T’i shikojmë faktet një nga një.

Edhe pse pararoja staliniste e LPK-së e shpifte, edhe pas vrasjes së Ahmet Krasniqit, me fjalët më të rënda duke e shpallur atë “tradhëtar”, Agim Mehmeti i futi veshët në lesh e nuk iu kundërvu shpifjeve të tyre të ulta, së paku me një shkrim gazete. Po e zëmë se Agim Mehmeti në fillim ka qenë i tronditur nga vrasja e “papritur” e Ahmet Krasniqit. Po pas gjashtë muajsh? Pas një viti? Pas një viti e gjysmë të vrasjes së tij pse nuk gjeti pak kohë Agim Mehmeti, që së paku me ca fjali t’i hidhte poshtë shpifjet e LPK-së kundër Ahmet Krasniqit? Pse A. Mehmeti s’i kundërshtoi me asnjë fjalë shpifjet e kolegëve të tij ushtarakë Naim Malokut, Bislim Zyrapit, Salih Veselit, Agim Çekut e të tjerëve, të cilët e akuzuan Ahmet Krasniqin dhe Ministrinë e Mbrojtjes për “formimin e forcave paralele”, i përdhunuan kolegët e tyre që nuk u bënë argatë të Xh.Halitit duke shpifur se ata që  “…nuk patën guxuar të hyjnë të luftojnë në Kosovë janë marrë kinse me Qeverinë, me FARK”?  Pse nuk i kundërshtoi me fakte gënjeshtrat e tyre kur thanë se “njësi të FARK-ut nuk ka pasur fare në Kosovë”? Fatmirësisht Tahir Zemaj me disa ushtarakë, disa gazetarë dhe analistë, si dhe unë i kemi kundërshtuar dhe i kemi hedhur poshtë shpifjet e pararojes staliniste të LPK-së dhe të ushtarakëve që u bënë argat të Xh. Halitit, I. Kelmendit dhe të R. Qosjes. Agim Mehmeti me rastin e përkujtimit të dy vjetorit të vrasjes së Ahmet Krasniqit, që u mbajtë në Gjermani, foli ca fjalë të mira për Ahmet Krasniqin! Kjo tregon se Agimi din të flasë! Po a foli Agim Mehmeti çfarë duhej të fliste, që së paku pas dy vitesh, t’i hidhte poshtë me forcën e argumenteve  shpifjet e argatëve të Xh.Halitit & Co? Jo se  nuk foli asgjë atëherë, por ai as sot kur së shpejti do të mbushën tri vjet nga vrasja e Ahmet Krasniqit nuk do të flas vet, por edhe të tjerëve që kanë folur deri tash, apo që donë të flasin dhe të shkruajnë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe për FARK-un ua ndalon këtë të drejtë. Kuptohet që edhe mua përpiqet të më ndalë të flasë kur në reagimin e tij thotë se “…ky njeri nuk është kompetent as nuk ka kurrëfarë ingerencash të flasë dhe shkruaj për mua, kolegët e mi dhe as për organizimin dhe punën e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Për të, realisht mund të flasin dhe të shkruajnë vetëm ata që janë kompetentë, dhe atë mund ta bëjnë në vendin dhe kohën e duhur, pra m’u atëherë kur Kosova do ta ketë shtetin dhe institicionet përkatëse…! Pra ato (institucionet) mund të vendosin se a duhet të shkruhet, në ç’farë mase duhet të njoftohet populli.’’ Sipas Agim Mehmetit, unë, Tahir Zemaj dhe të tjerët që kanë folur dhe kanë shkruar për subjektin ushtarak ku Agim Mehmeti ishte personi numër dy, për kolegët e tij, Ahmet Krasniqin, Halil Bicën, për punën e Ministrisë dhe të FARK-ut, për betejën e Logjës dhe për Betejën e Kosharës, për brigadat e formuara sa ishte gjallë Ahmet Krasniqi dhe sukseset e tyre në frontin e luftës çlirimtare etj, kemi bërë një ’’faj të pafalshëm’’, pasi kemi folur “para kohe dhe  pa marrë leje” prej Agim Mehmetit, i cili paska qenë “kompetent”. Pra, sipas A.Mehmetit ne kemi bërë një faj të madh që i kemi hedhur poshtë shpifjet e Xh.Halitit, I. Kelmendit, R. Qosjes dhe argatëve të tyre! Edhe ne është dashur ta mbyllim gojën si Agim Mehmeti dhe të presim deri sa të krijohen ’’institucionet përkatëse të shtetit të Kosovës’’! Është dashur t’i lëmë të shpifin, të shajnë, të vrasin e t’i bëjnë një mijë të zeza argatët e Xh.Halitit! Është dashur t’ua mundësojmë ta fitojnë besimin e popullit në saje të shpifjeve të ulta që bënin kundër Ahmet Krasniqit, Tahir Zemës, Agim Ramadanit, Salih Çekut, Ministrisë së Mbrojtjes, FARK-ut, dhe, kur pas të gjitha këtyre do ta marrin pushtetin për “meritat e  mëdha që kanë për çlirimin e Kosovës’’, për meritat që i kanë për ’’demaskimin e  tradhëtarëve që e mashtruan popullin me institucionet shtetërore që nuk egzistonin”(!) atëherë do të flasin “kompetentët” e Ministrisë së Mbrojtjes! E kush tjetër do të flasë përpos Halil Bicajt e Agim Mehmetit?! Si duket Agim Mehmetin ende nuk e ka lëshuar “egjëra komuniste”. Ende po mendon se jemi nën sundimin komunist, kur ishte LKJ-ja ajo që vendoste se sa dhe kur do të njoftohej opinioni publik rreth ngjarjeve aktuale!

Është për tu habitur me kokëfortësinë e Agim Mehmetit kur ai në reagimin kundër meje thotë: “Sa i përket asaj se kur do të flas Agim Mehmeti këtë e vendosi unë”. Agim Mehmeti këtë gjë është dashur ta thotë  më 24 mars të 2001, në qytezën Afolten të Zvicrës, kur u bë  tubimi  i eprorëve ushtarakë që jetojnë dhe punojnë në Evropën Perendimore për të shqyrtuar situatën aktuale në Kosovë, Maqedoni dhe në Kosovën Lindore. Opinioni i gjërë është njoftuar shkurtimisht me Konkluzat dhe Vendimet që i muarën ushtarakët tanë në atë mbledhje. Agim Mehmeti edhe pse e kryesoi mbledhjen së bashku me Tahir Zemën, Sylejman Kollçakun dhe Nazif Ramabajën, me asnjë fjalë nuk i kundërshtoi vendimet që morën kolegët e tij ushtarakë, për të dalë në opinion me të vërteta për punën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FARK-ut,  për t’i hedhur poshtë shpifjet e ulta të Xh.Halitit, shpifje të shpërndara nëpërmjet gazetës “Zëri”. Tash po na del Agim Mehmeti “alamet” burri, fjala e të cilit ka peshë më të madhe se ajo e më se 50 ushtarakëve. Ai veproka si t’i teket dhe qysh t’i teket. Nuk skuqet aspak se nuk i realizon zotimet. Nuk turpërohet aspak se e shkel Vendimin për të cilin votuan të gjithë kolegët e tij që ishin në atë tubim, vendim për të cilin votoi edhe vetë. Po ia kujtoj Agim Mehmetit se një natë para se të mbahet mbledhja me ushtarakët në Afolten, e patëm mbajtur një takim në shtëpinë e Mëhill Berishës, ku morën pjesë Tahir Zemaj, Shpend Shala, Zenun Idrizi, Ismet Ibrahimi, Hilmi Nebihu, Agim Mehmeti dhe unë. Në atë takim u vendos që të formohet një komision i përbërë prej ushtarakëve të cilët do të dilnin në opinion për të treguar punën, sukseset dhe mossukseset e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të SHP të FARK-ut, në një afat sa më të shkurtër. Vetë Agim Mehmeti i propozoi për komision këta ushtarakë: Jahir Hysenin, Bajram Sylën, Selver Nuhiun, Ismet Ibrahimin, Hilmi Nebihun dhe Agim Mehmetin. Ndërsa mua më obliguan që t’u ndihmoja në përpilimin dhe daktilografimin e tekstit. Fatkeqësisht, A.Mehmeti qysh të nesërmën u pendua për zotimet që i kishte marrë! Tahir Zemaj premtoi se do ta bindte Agim Mehmetin për t’i kryer obligimet që kishte marrë, por kaloi një javë, kaloi një muaj dhe Agim Mehmeti vazhdoi me këngën e vjetër se “ende është heret për të dalë në opoinion”. Kur u binda se Agim Mehmeti është pengesa kryesore që edhe ushtarakët tjerë nuk po mundnin të flisnin dhe të shkruanin për Ministrinë dhe FARK-un, vendosa të dal në opinion për t’i hedhur poshtë shpifjet e ulta të Xh.Halitit me shënimet që  kisha mbledhur gjatë kohës që punova në Drejtorinë Informative të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Edhe pse e dija përgjegjësinë dhe vështirësitë, i hyra punës për t’i qitur në dritë  arritjet dhe të metat, punët dhe dobësitë, sukseset dhe dështimet e Ministrisë së Mbrojtjes, SHP të FARK-ut, formimin e njësive operative të UÇK-së, sukseset e tyre në frontin e luftës çlirimtare etj. Po ashtu fola edhe për marrëveshjen e Osllos, që ka një rëndësi të madhe historike, fola edhe për gjëra tjera, duke mos i dhënë të drejtë vetes se i kam thënë të gjitha që duheshin e duhej të thuheshin. Jam i bindur se kam bërë lëshime pa qëllim në disa data  apo edhe në emra, dhe as nuk kam folur për tërë veprimtarinë e ushtarakëve tanë trima, jo se nuk kam dashur, por se nuk kam pasur shënime të mjaftueshme dhe të plota,  dhe se natyra e fejtonit nuk lejon të flitet në detaje për ngjarje të tilla të mëdha. Kjo punë u mbetet ushtarakëve që kanë marrë drejtpërdrejtë pjesë në ngjarje. Megjithatë fejtoni im kishte synim të përgjithshëm informativ dhe besoj se ia ka arritur qëllimit. A.Mehmeti në reagimin e tij më shpif kur thotë se “Shefqet Jashari-Strofci rrëfen gjëra të pavërteta dhe gjysmë të vërteta në lidhje me punën e eprorëve ushtarakë shqiptarë në diasporë, në lidhje me vazhdimësinë e krijimit të FARK-ut, (…) të marrëveshjes së Osllos, krijimit të SHP si dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”. Agim Mehmeti duhet ta dijë se fjalëve të tij askush nuk do t’u besojë, po qe se nuk i dëshmon me fakte. Nga reagimi i tij shihet se nuk ka asnjë fakt për t’i kundërshtuar pohimet e mia, prandaj nga kjo del se nuk jam unë ai që i kam përdorë gjysmë të vërtetat dhe të pa vërtetat, por është zotëri Mehmeti, që me fjalë boshe po mundohet të shpifë. Po, Agim Mehmeti me reagimin e tij ka vendosur të më veshi me rrobe, të cilat as nuk më bien për trupi dhe as nuk i përshtaten unit tim të brendshëm. Ai thotë se “kam bindjen se botimi i shkrimit të datave të lartëpërmendura (7deri më 18 qershor 2001, vërejtja ime) nga ana e Shefqet Jasharit ka për qëllim të krijojë huti, mjegull dhe përçarje para mbajtjes së zgjedhjeve të lira në Kosovë, si dhe tentim të vënjës kapak të çështjeve shumë të ndieshme të kohës së luftës”. Populli ynë ka të drejtë kur thotë “Mos e p‘vetë se të tregon vet”. Edhe A.Mehmeti po na tregon se është shumë i shqetësuar jo se po “krijoj huti, mjegull dhe përçarje”, por se njerëzve po ua heq mjegullën nga sytë dhe po ua largoj hutinë nga mendja, për të kuptuar tragjedinë tonë kombëtare, kur shumica e udhëheqjes së tij nuk luftoi për çlirimin e Kosovës, por në rend të parë luftoi për pushtet, pozita, kolltuqe dhe privilegje. Dhe normalisht kur njerëzit të kuptojnë se kush  ishin ata teklefeca që nuk ia deshën të mirën Kosovës,  do t’i përbuzin  ashtu siç edhe e meritojnë, dhe kështu do të krijohet “përçarja” në mes dështakëve të Kosovës (që luftuan për interesat e tyre personale) dhe shtresave të popullësisë që ka pasur, ka dhe do të ketë synime të larta kombëtare! Por A.Mehmeti e ka edhe një hall të madhë se mos me anën e shkrimeve të mia do t’u vihet kapak “çështjeve të ndieshme të kohës së luftës”. Përkundrazi, zotëri Mehmeti, me shkrimet e mia unë ua kam hequr kapakun të zezave dhe të ligave që ia bënë Kosovës dhe popullsisë së saj “shqiptaro-tradhtaro-profitero-krimo-mini-udbashët…” që m’i gjuan mua në shoqërinë time të zgjedhur, kur të gjithë e dijnë se Ju, jo vetëm që rrini me ta natë dhe ditë, por nga radha e tyre i ke zgjedhur edhe dy këshilltarë që të kanë futur në një rrugë të pa krye. Por si duket A.Mehmeti  kur ka qenë i ri është marrë me boks, dhe qyshë nga ajo kohë i kanë mbetur në qejfë goditjet e pa pastërta kundër kundërshtarëve të tij në ring, prandaj edhe tash i përdorë ato goditje pas shpine, në jetën e përditshme ndaj kundërshtarëve politik. Në reagimin e tij thotë se “Shefqet Jashari i frymëzuar, i shtyrë dhe në mënyrë tendencioze i informuar nga dashakeqët, nga shqiptaro-trathtaro-profitero-krimo-mini-udbashët, (…) të cilët dëshërojnë në mënyrë të kamufluar të shfrytëzojnë hapsirën kur nuk ka shtet dhe institucione, shpejt e shpejtë t’ua kthejnë borxhin shefave në Beograd, Athinë dhe Moskë e ku jo tjetër”. Jo zotëri Mehmeti, ajo që ma mëvesh mua të takon ty. Unë sikur të kisha qenë nën  ndikimin e “mini udbashëve dhe të tradhtaro-profiterëve…”, do ta kisha mbyllur gojën ashtu siç e mbyllet ju zotëri Mehmeti. Unë i demaskova me ato aftësi që pata  bartësit e agjenturave serbo-greke që kanë hyrë në subjektet politike dhe shtetërore të shqiptarëve, kuptohet edhe në subjektin shtetëror ku ti ishe personi numër dy. Edhe këtë reagim që ke bërë kundër meje, ta kanë këshilluar dhe të kanë nxitur ta bësh mu ata “mini –udbashët” dhe “profiterët e luftës” që po m’i mvesh mua. Por mos harro se reagimi yt kundër meja ka për të t‘u hakmarrë shumë keq. Deri tash ke mundur t’i fshehësh gjurmët e hileve dhe komploteve kundër institucionit shtetëror ku ishe personi numër dy, por tash e tutje, kur me aq urrejtje bëre  pyetjen: “Në emër të çfarë zëdhënësi paraqitet Shefqet Jashari, kënd e përfaqëson ai?” ke treguar se je kundër ndriçimit të komploteve që u bënë kundër Ministrisë së Mbrojtjes, FARK-ut, tregon se Agim Mehmeti është kundër zbardhjes së vrasjes së Ahmet Krasniqit. Agim Mehmeti nuk e ka të qartë apo shtiret se nuk e ka të qartë një çështje, të cilën është deshur ta dijë. Ai thotë se “Vlerësoj se parlamenti ose presidenti i Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e ardhëshme të lira, do të duhej ta vlerësonte punën dhe përgjegjësitë eventuale të çdonjërit”(!). Parlamenti zotëri Mehmeti nuk merret me punën dhe përgjegjësitë e individëve që nuk janë anëtarë të parlamentit. Pra nuk merret as me përgjegjësinë e Agim Mehmetit  dhe të  Halil Bicës & Co. Parlamenti zotëri Mehmeti i bjen ligjet, dhe në bazë të atyre ligjeve, Gjykata e Republikës së Kosovës i dënon personat që bëjnë vepra penale. E vërteta thotë populli, zotëri Mehmeti, vonon por nuk harron, prandaj mos u frigo nga Shefqet Jashari-Strofci dhe mos u frigo nga e vërteta po që se e ke ndërgjegjen e pastërt, po që se nuk ke hyrë “lakrave”, dhe po që se nuk i ke “kërcyer pelës prej bishti”. Sa i përket asaj që Agim Mehmeti thotë se “zotëri Shefqet Jasharit ia tërheqë vërejtjen dhe e bëj me dije që të mos përzihet aty ku nuk e ka vendin dhe njëkohësisht rreptësisht ia ndaloi që me emrin tim dhe personalitetin tim të manipulojë më tutje” e kuptoj se ai don që unë të mos flas dhe të mos shkruaj për subjektin ushtarak ku Agim Mehmeti ishte personi numër dy. Me siguri dëshira e A.Mehmetit nuk do të realizohet. Përpjekjet e mia për t’i qitur në shesh komplotistët që thurën komplote kundër subjektit ushtarak të Republikës së Kosovës dhe Ahmet Krasniqit nuk do të zvogëlohën, përkundrazi, do të rritën dhe forcohen. Agim Mehmeti si duket i ka këshilltarët e dobët, kur nuk e kanë këshilluar dhe nuk e kanë bindur se askush nuk mund ta mbrojë emrin dhe personalitetin e tij me kërcënime, por me punë të ndershme dhe me sjellje njerëzore. Agim Mehmeti para se ta pranonte detyrën e Zv. Ministrit është dashur ta matej mirë nëse do të punonte pa hile dhe se a do të ishte në gjendje të ecte si për teh të shpatës, pasi që personi publik nuk ka të drejtë t’ua ndalojë as gazetarëve dhe as njerëzëve të thjeshtë, dhënien e opinioneve për të. Sa i përket “vërejtjes” apo “kërcnimit” të Agim Mehmetit, unë do t’i përgjigjem me një fjalë të urtë anonime, kuptimin e së cilës besoj se do t’ia shpjegojnë këshilltarët: “Njerëzit bëhen qesharak, kur duan të duken ndryshe nga ç’janë në të vërtetë!”.

Botuar : ’’Bota sot’’,  11 korrik 2001


Warning: Undefined array key "postid" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 24

Warning: Undefined array key "increase" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 25

Warning: Undefined array key "show_views_today" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 26

Loading