TË MOS MANIPULOHET ME FAMILJET E DËSHMORËVE

Përgjigje ndaj reagimit të “Kosovapress’’-it me titull: “Askush nuk ka të drejtë ta fyej jetën dhe veprën e Fehmi Lladrofcit”

Bashkësia Shqiptare në Zvicër pas regjistrimit të saj në Organet kompetente zvicërane shfrytëzoi rastin të thërrasë një tubim përkujtimor për dëshmorët, të rënit dhe të masakruarit  gjatë luftës së fundit shqiptaro-serbe. Dita e regjistrimit zyrtar i Bashkësisë përputhej me njëvjetorin e vrasjes së Ahmet Krasniqit, Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Lajmërimi dhe ftesa e BSHZ-së për të marrë pjesë në këtë tubim përkujtimor si dhe njoftimi se në atë tubim do të flasin Shefqet Jashari-Strofci për Ahmet Krasniqin,  ndërsa Kadri Osmani për Fehmi Lladrocin, pararoja staliniste e LPK-së dhe partiakët e shtirë e karrjeristët e LBDK-së, u dhanë detyra argatve të tyre që e udhëheqin “Kosovapress’’-in,  për të reaguar, por jo në emër të tyre por ’’në emër të familjes së Fehmi Lladrofcit’’.

Hyzmeqarët e pararojes staliniste të LPK-së dhe të partiakëve të shtirë e karrieristëve të LBDK-së, që po e udhëheqin “Kosovapress’’-in, në vend se të dalin me qëndrimet e patronëve të tyre në opinionin e gjerë, përkitazi me punimin tim: “Pse dhe kush e vrau Ahmet Krasniqin’’ të botuar në “Bota Sot” me 21 deri me 24 shtator 1999, po mundohen të gjejnë mënyra tjera të më kundërshtojnë, jo me fakte se nuk kanë se ku t’i gjejnë, por me demagogji e fjalë të thata, të palejuara moralisht, të gabuara profesionalisht dhe të dënuara penalisht. Ata nuk vepruan siç duhej vepruar, por vepruan siç nuk duhej, duke gjetur mënyrën më të lehtë për të thënë diçka, por jo me gojën e tyre por nëpërmjet’’familjes’’ së dëshmorit Fehmi Lladrofci. Zotërinjtë e “Kosovapress”-it së paku është dashur të dinë dy gjëra elementare kur kanë vendosur të reagojnë kundër Shefqet Jasharit. E para, reagimi i tyre është dashur ta ketë autorësinë, pra emrin dhe mbiemrin e plotë të reaguesit, dhe e dyta, t’i dërgohet për ta botuar “Bota sot”, pasi aty është botuar punimi im. Deri sa reagimit të “familjes” së Fehmi Lladrolcit i mungojnë këto dy elemente bazë, është më se e vërtetë se kemi të bëjmë me një falsifikim të shëmtuar, me një gënjeshtër me bisht, me një manipulim të thjeshtë, që nuk është i pari dhe as që do të jetë i fundit, pasi që stalinistët dhe enveristët shqiptarë, e në veçanti ata kosovarë, të shkolluar në shkollën e bolshevizmit rus me ideologjinë e djallit të mallkuar të markësizëm-leninizmit dhe të dikaturës së proletariatit, në veprimtarinë e tyre të deritashme janë mbështetur  në parimin : “qëllimi e arsyeton mjetin”.

Sipas reagimit të “Kosovapress”-it,  “familja” e Fehmi Lladrofcit, aq shumë ishte hidhëruar dhe nervozuar në Shefqet Jasharin, autorin e shkrimit “Pse dhe kush e vrau Ahmet Krasniqin” i cili sipas tyre “me qëllime tejet tendecioze manipulohet me vrasjen e Ahmet Krasniqit, vrasja e të cilit i shërben autorit si alibi për t’i sulmuar në mënyrë të paskrupullt të gjithë shokët dhe bashkëluftëtarët e Fehmi Lladrofcit, konsiderojmë se leximi i materialit për Fehmi Lladrofcin nga Kadri Osmani, sado qëllim mirë qoftë, nuk i bën nder as UÇK-së, as Fehmi Lladrofcit, e as familjes sonë, kur në të njëjtin tubim do të lexojë edhe Shefqet Jashari për Ahmet Krasniqin”. Çka të thuhet për këtë reagim, përpos se është sa qesharak aq edhe i palogjikshëm dhe tragjiko-komik. Askush nuk do të besonte se familja e Fehmi Lladrocit nuk paska punë e gajle tjera më të mëdha se sa t’i marrë në mbrojtje “shokët” e Fehmiut, kur ata mund ta mbrojnë vetveten e tyre më mirë se çdo kush tjetër, nëse do të kishin fakte. Por a e dinë zotërinjtë e “Kosovapress”-it se shokët janë dy farësh: Shokët e vërtetë, që i ke edhe vëllezër, pasi me ta të lidhin idealet e larta njerëzore dhe kombëtare, dhe njëfarë “biçim shokësh dhe miqsh” për të cilët Sami Frashëri thoshte: “çka nuk mund ta bëjë armiku, ndonjëherë ta bën miku”. Fatkeqësisht edhe Fehmiu kishte shumë kësi “shokësh”, prandaj në emër të tij dhe qindra dëshmorëve dhe mijëra të  masakruarve i kam “rrahur dhe do t`i rrah” pa mëshirë “shokët” e Fehmi Lladrofcit dhe “shokët” e Ahmet Krasniqit,  se me punën që kanë bërë në përçarjen e shqiptarve, dhe moslejimin e forcave të tyre politike dhe ushtarake të bashkohën në një front të përbashkët veprimi, janë bërë bashkëfajtorë me xhelatët e Karpateve të Rusisë, serbët barbarë.

Në reagimin e “Kosovapress”-it përpos Shefqet Jasharit sulmohet edhe Bashkësia Shqiptare si organizatore e tubimit përkujtimor, sepse  sipas tyre “është një manipulim dhe papërgjegjësi  nga organizatori, pasi emri i Ahmet Krasniqit dhe Fehmi Lladrofcit në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë nuk mund të qëndrojnë pranë njëri tjetrit, kur dihet se asgjë nuk kishin të përbashkët, as në jetën e përditshme dhe as në luftë’’?!

Nuk habitem fare me këto qëndrime të pararojes staliniste të LPK-së, dhe karrieristëve e partiakëve të shtirë të LBDK-së, të shprehura nëpërmjet hyzmeqarve të tyre në  “Kosovapress”, pasi ata si virtyt konsiderojnë përçarjen, shpifjen e njollosjen e nacionalistëve,  veprimtarëve të gjallë, por edhe heronjëve dhe dëshmorëve, pasi vetëm këtë punë dijnë ta bëjnë, sepse në këto maskaralleqe kanë përvojë të gjatë njëzetvjeçare. Fillimisht ata përçanë diasporën shqiptare në baza ideologjike dhe klanore, më vonë me formimin e degëve të partive në diasporë, së bashku me partiakët e shtirë, i përçanë gurbetqarët tanë edhe në baza partiake dhe regjionale. Çka është edhe më zi, arritën deri në atë shkallë degjenerimi sa që edhe festat kombëtare dhe përkujtimet për dëshmorët t’i bënin ndaras. Tani zotërinjët e “Kosovapress-it” kërkojnë nga Bashkësia Shqiptare në Zvicër të bëjë të njëjtën punë siç bënin patronët e tyre, t’i ndajë dëshmorët tanë në baza ideologjike dhe partiake, thua se ata e dhanë jetën në emër të kryepartiakëve të shtirë e të partive, e jo në emër të idealeve më të larta,  çlirimit dhe bashkimit kombëtar, në emër të  Kosovës martire, dhe lirisë së shqiptarve. Po, a thua meritojnë të quhen “shokë” të Fehmi Lladrofcit ata karrieristë të sëmuar për pushtet e pozita, ata që silleshin metropoleve të Evropës dhe hoteleve të Tiranës duke bërë ahengje e  pas tyre duke thurur plane dhe skanare për ta vënë në veprim një variantë të “revolucionit të vonuar demokratik” të Qosjes edhe në Kosovë, duke bërë komplote kundër institucioneve të Republikës së Kosovës e kundër UÇK-së, duke mos lejuar të bashkohën të gjitha forcat tona politike dhe ushtarake në një front të përbashkët bashkimi dhe veprimi?

Sa i përket asaj që thonë hyzmeqarët e stalinistëve dhe enveristëve të Kosovës, që drejtojnë “Kosovapress’’-in se Ahmet Krasniqi dhe Fehmi Lladrofci “asgjë nuk kishin të përbashkët as në jetën e përditshme as në luftë” është një gënjeshtër dhe shpifje e marrë, që askush s’e beson. Përkundrazi ka shumë fakte që vërtetojnë pikërisht të kundërten: Ata të dy kishin të përbashkëta shumë gjëra, por mbi të gjitha i bashkonin idealet e lirisë, të çlirimit dhe bashkimit kombëtar, ata punuan dhe vepruan pa u kursyer që Kosova të arrijë pavarësinë dhe shqiptarët lirinë. Fatkeqësisht një pjesë e “shokëve” të Fehmi Lladrofcit dhe një pjesë e “shokëve” të Ahmet Krasniqit,  i penguan që të dy në realizimin e aspiratave të tyre sa ishin gjallë. Me siguri ndryshe do të zhvilloheshin ngjarjet në Kosovë, shkau nuk do të kishte fuqi për ta veshur Kosovën në të zeza, pastrimi etnik nuk kishte për të ndodhur në atë masë, sikur të qe institucionalizuar UÇK-ja,  të ishte  respektuar Marrëveshja në mes UÇK-së e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Është dashur ta mbajnë mend zotërinjtë e “Kosovapress”-it se Fehmi Lladrofci në një intervistë të dhënë disa javë para se të binte në fushën e nderit, i pat “rrahur” pa mëshirë “shokët” e tij, që u bënë udhëheqje politike e UÇK-së, pikërisht për dëmet e mëdha që ata i kishin shkaktuar asaj. I ndjeri Fehmi kishte vetëm një kallashnikov për ta luftuar shkaun, ndërsa “shokët” e Fehmi Lladrofcit e penguan dhe nuk e lejuan Ahmet Krasniqin, t’i sillte UÇK-së, Fehmi Lladrofcit dhe shokëve të tij, që ishin edhe shokë të Ahmet Krasniqit, armatime moderne për t’i dalë zot Kosovës. Jo, ata preferonin kallashët e Nanosit dhe Klosit, që u treguan të suksesshëm në kalljen e Shqipërisë. Zotërinjtë e “Kosovapress”-it, në qoftëse nuk don të jenë robotë në duar të të tjerëve, le t’ia venë gishtin kokës dhe të mendojnë, jo për ngjarje të vjetruara, por për ato që ndodhën para disa muajsh, kur luftëtarët trima të UÇK-së të udhëhequr nga ushtaraku madhor Agim Ramadani dhe komandant Sali Çeku, kufirin shqiparo-shqiptarë e zhbllokuan, ndërsa garnizonin e Kosharës që ishte çerdhe çetnikësh e çliruan. Po ç’bënë “shokët” e Fehmi Lladrofcit, që e konsiderojnë Qosjen dhe Nanosin babë e nënë? Ata muarën detyra prej tyre,  që sukseset e usharakëve dhe luftëtarve trima të UÇK-së, që nuk punonin për interesat partiake dhe klanore të LPK-së dhe LBDK-së të mos i përmendin askund ku kanë ndikim, pra as në gazetat e tyre as në RTSH. Fatmirësisht ishte “Bota sot” ajo që çdo ditë nga fusha e betejes lajmëronte lexuesit e saj, dhe më në fund pas dy javësh,  kur u bënë horë, me gjysmë zëri u detyruan të pranojnë se ka pasur luftime të ashpra dhe në ato beteja ranë dëshmorë Agim Ramadani, Sali Çeku dhe shumë  ushtarë. Këtë herë do ta lë me kaq, pa i numëruar të ligat e panumërta të “shokëve” të Fehmis, se edhe  me kaq mjafton për të kuptuar edhe më kokëkrisurit se përçarjet dhe ndasitë që i kanë bërë,  dhe po i bëjnë pararoja staliniste e LPK-së, karrieristët e LBDK-së, duke u munduar të na i ndajnë në baza partiake edhe dëshmorët tanë, janë akte kriminale me të cilat një ditë drejtësia shqiptare ka për t’u marrë.

Më në fund duhet t’ua bëjmë të qartë zotërinjëve të “Kosovapress”-t se u ka kaluar koha dhe nuk kanë më fuqi t’i bëjnë shqiparët pikë e pesë. Tani shqiptarët  kanë mbledhur mend pas gjithë asaj që pësuan. Mos t’u shkojë mendja karrieristëve të sëmurë për pushtet, kryepartiakve të partiakve të shtirë, djajve komunistë, stalinistë, enveristë, rankoviçistë, lumpenproletaristë etj, se me fjalë të bukura e premtime boshe do të fitojnë respekt e besim. Ata edhe vet duhet ta kenë kuptuar se nuk meritojnë gjë tjetër përpos injorimit, mallkimit dhe dënimit.

Botuar :’’Bota sot’’,  më 09 tetor 1999


Warning: Undefined array key "postid" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 24

Warning: Undefined array key "increase" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 25

Warning: Undefined array key "show_views_today" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 26

Loading