RRUSTEM BERISHA  FALLSIFIKON SHUMË TË VËRTETA PËRKITAZI ME BETEJËN E KOSHARËS

Me rastin e përkujtimit të një vjetorit të Betejes së Kosharës, Rrustem Berisha botoi një shkrim në tri vazhdime në gazeten tonë kombëtare “Bota sot” më 8-10 maj të vitit 2000 me titullin kryesor: “Lufta e Koshares është finalja e veprimtarisë së Agim Ramadanit dhe të Salih Çekajt për çlirimin e Atdheut”, i cili në vend se t’i ndriçonte shumë gjëra të pa qarta për opinionin tonë i errësoi ato edhe më tepër. Pasi që objekt i shkrimit ishte Beteja e Kosharës, Rrustem Berisha nuk ka guxuar t’i “harrojë” gjërat pa të cilat lexuesi nuk është në gjendje të kuptoj të vërtetën e plotë përkitazi me këtë Betejë. Pra, lexuesit është dashur të mësojnë nga Rrustem Berisha se kush e mbajti barrën kryesore të përgatitjeve të duhura për fillimin dhe mbarimin me sukses të kësaj beteje? Cilat brigada dhe njësi ushtarake morën pjesë në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar? Kush i komandoi ato njësi luftarake të UÇK-së? Sa ushtarë morën pjesë në mësymjen e parë që pati si rezultat thyerjen e kufirit? Dhe më në fund, cilat subjekte politike, ushtarake apo individ i bënë pengesa Shtabit të njësive ushtarake të Republikës së Kosovës që morën pjesë në Betejen e Kosharës?

Në shkrimin e tij Rrustem Berishës askund nuk thotë se cilit subjekti ushtarak, cilës komandë dhe cilit shtab komandues i përkiste ai vetë. I përkiste Shtabit të UÇK-së, që e udhëheqte Nanosi, Haliti, Thaçi, Hajradinaj, Kelmendi dhe Qosja,  apo i përkiste Shtabit të UÇK-së që e udhëhiqnin oficerët nacionalistë që s’u bënë vegla të verbëra të komplotistve, që u inkuadruan në radhët e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës? Për njohësit e mirë të ngjarjeve të kohëve të fundit, shkrimi i Rrustem Berishës do të jetë një fakt i pamohueshëm se si komplotistët arritën ta fusin atë në vallen e vet kundër UÇK-së, kolegëve të tij, oficerëve të karrierës ushtarake, njësive ushtarake të cilat i komandoi ai vet gjatë Betejes së Kosharës, dhe subjektit ushtarak të cilit i përkiste, Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Rrustem Berisha që në fillim të shkrimit bën një falsifikim kur thotë se “Rruga luftarake e Brigadës 138 ‘Agim Ramadani’ karakterizohet në katër faza: faza e parë prej themelimit deri në tërheqjen nga Juniku, (mendon në formimin dhe veprimtarinë luftarake të Brigadës 134, 131 dhe 133 që i themeloi Ministria e Mbrojtjes dhe Ahmet Krasniqi më 16 dhe 22 qershor të vitit 1998,) faza e dytë, stërvitjet në Qendrën Stërvitore në Papaj, (mendon në stërvitjet që i bënë Brigadat 134, 131 dhe batalioni diversanto-vëzhgues) faza e tretë, “Lufta e Koshares” dhe faza e katërt, ajo e transformimit në TMK’’. Por, Rrustem Berisha në vazhdimin e tretë të shkrimit të tij të botuar më 10 maj 2000 e hodhi  poshtë falsifikimin e vet kur shkruajti se më 11 mai 1999 «…me urdhur të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Agim Çekut, “Grupi i Tretë Operativ” shëndrrohet në Brigadë 138, e cila për nderë të Agim Ramadanit dhe veprës së tij emrohet Brigada 138 ‘Agim Ramadani’. Pra, Rrustem Berisha, dhe Agim Çeku, si ushtarakë të karrierës,  edhe pse e dinin se askush nuk ka të drejë sipas rregullave ushtarake ta bëjë ndërrimin e emrit të njësisë ushtarake, përpos subjektit që e ka formuar atë, i thejnë rregullat ushtarake, duke rënë në një gojë me komplotistët për t’i shkrirë të gjitha njësitë ushtarake që i kishte formuar Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ahmet Krasniqi gjatë qershorit të vitit 1998 në një brigadë të vetme, që ia vuan numrin 138 dhe e emruan me emrin e heroit Agim Ramadani. Sipas Rrustem Berishës këto transformime u bënë “për ta nderuar emrin dhe veprën e Agim Ramadanit”. Por, nuk vonoi shumë dhe komplotistët e UÇK-së e treguan fytyrën e tyre të vërtetë kur më 18 shtator të vitit 1999 me rastin e parakalimit të UÇK-së në kryeqytetin tonë, u mohua në tërësi veprimtaria luftarake e njësive ushtarake të formuara nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, pra edhe të Brigadës 138 Agim Ramadani të cilën e pagzuan vet kompllotistët e UÇK-së. E vetmja gjë e drejtë që është dashur ta bënte Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, e kurrësesi Agim Çeku, ka qenë që Brigadës 131 t’i vihej emri i heroit Agim Ramadani, ndërsa Brigadës 134 t’i vihej emri i heroit Salih Çeku, të dy të rënë dëshmorë në fushën e nderit pasi e thyen kufirin, në rrethana shumë të dyshimta. Dihet se një kohë të gjatë është mbajtur fshehtë vdekja e tyre nga Rrustem Berisha dhe Ministria e Mbrojtjes, por edhe nuk është bërë obduksioni mjekësor edhe pse ka mundur të bëhet. Dhe më në fund, vrasja e tyre është enigmatike kur dihet se sukseset e Brigadave 134, 131 dhe batalionit diversanto-vëzhgues ’’Delta’’ u mbajtën të fshehta nga TVSH-ja, që ishte në duar të pararojes staliniste të LPK-së dhe karrieristëve të sëmurë për pushtet të LBDK-së. Rrustem Berisha si ushtarak që i përkiste Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka guxuar në kurrëfarë mënyre të futet në lojrat mafioze të komplotistëve, që nuk lejuan të institucionalizohet UÇK-ja, që e penguan atë të bëhej ushtria më e madhe e Ballkanit, që e thyen marrëveshjen për bashkimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe UÇK-së,  të arritur në maj të vitit 1998 në mes Ahmet Krasniqit dhe Adem Demaçit, e shumë punë të tjera të liga. Pra, siç po shihet kufirin e kanë thyer ushtarët dhe ushtarakët e  Brigadës 134 të komanduar nga  Salih Çeku, ushtarët dhe ushtarakët e Brigadës 131, komandant i së cilës ishte vet Rrustem Berisha, e ndihmës komandant ishte Agim Ramadani, ushtarët dhe ushtarakët e batalionit diversanto-vëzhgues nën komandën e Anton Çunit, luftëtarë, shumica prej të cilëve kishin marrë pjesë në Betejen e Logjës, që e kishte komanduar ushtaraku madhor Tahir Zemaj. Në Betejen e Kosharës morën pjesë edhe shumë vullnetarë nga Gjakova për të marrë pjesë në këtë Betejë që kishte një rëndësi të madhe strategjike për të shpejtuar kapitulimin e ushtrisë serbe që sulmohej nga NATO-ja dhe luftëtarët trima të UÇK-së. 

Rrustem Berisha në këtë shkrim nuk foli për takimin që pati një ditë para se të fillonte Beteja e Kosharës me Jakup Krasniqin, Azem Sylen dhe Hashim Thaçin. Me siguri një ditë Rrustem Berisha do të flasë për atë takim, për bisedat që u zhvilluan dhe marrëveshjet që u bënë. Veçmas është e rëndësishme të dihet se pse Rrustem Berisha nuk u tregoi anëtarëve të Shtabit të njësive që ishin bërë gati për Betejen e Kosharës për takimin që pati dhe bisedat që i zhvilloi. Rrustem Berisha së paku ka obligim ndaj kolegve të tij ushtarak dhe ushtarëve që e thyen kufirin t’u tregojë se për çfarë arësyeje ai “humbi” nga bunkeri prej ku e vëzhgonte Luftën e Kosharës, bash atëherë kur duhej t’u jepte urdhërin njësive ushtarake që e thyen kufirin, të futeshin në thellsi të territorit të Republikës së Kosovës pas nënshkrimit të Marrëveshtjes së Kumanovës në mes NATO-së dhe armatës së shkaut. “Humbja” e tij në ato ditë kur komplotistët formonin “brigada” në plazhin e Durrësit dhe i dërgonin në brendësi të Kosovës për qëllime propogandistike, dhe për të bërë falsifikimin e rrjedhave dhe ngjarjeve historike, nuk  shpjegohet ndryshe përpos komplot i organizuar kundër kuadrit komandues dhe ushtarëve të njësive ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës që e thyen kufirin dhe e mundën ushtrinë e shkaut në luftën frontale në Betejen e Kosharës.

Rrustem Berisha ishte dashur të na tregonte se kush i pengoi ushtarakët dhe ushtarët që e fituan Betejen e Koshares për të arritur suksese edhe më të mëdha. Por ne e kuptojmë pozitën e tij të vështirë, ndaj edhe do ta arsyetojmë për një kohë, duke shpresuar se ishin në pyetje kërcënimet, që e detyruan edhe pa dëshiren e tij të bëhet argat i komplotistëve. Prandaj  është e padrejtë të kërkohet nga Rrustem Berisha t’i tregojë me emër komplotistët që u futën në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës për t’a marrë ’’kalanë nga mbrenda’’ në mesin e të cilëve ishin: Fadil Demiri, Xhafer Jashari, Halil Bicaj dhe shumë të tjerë. Si mund të shpjegohet veprimi i Halil Bicës, i cili në rolin e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës u mundua të pengonte Salih Çekun, Agim Ramadanin dhe Anton Çunin në realizimin e projektit të përpiluar në detaje për thyerjen e kufirit? Këta ushtarakë nacionalistë, nuk pati sukses t’i ndali Halil Bicaj në detyrën që ia kishin shtruar vetes për t’i bërë përgaditjet e duhura për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, që edhe në qershorin e vitit 1998 do të bëhej thyerja e tij dhe çlirimi i Dukagjinit në tërësi, sikur të mos ishte penguar Ahmet Krasniqi dhe Ministria e Mbrojtjes nga partiakët e shtir të LBDK-së, të cilët penguan dhe sabotuan realizimin e marrëveshtjes për blerjen e një armatimi nga një shtet mik me një vlerë prej 49 milion DM. Si të shpjegohet veprimi i Halil Bicës ndryshe përpos veprim komplotist, kur kolonel Tahir Zemën nuk e lejoi të kthehej në Papaj për ta komanduar Brigadën 134. Si mund të quhet ndryshe veprimi i Halil Bicës që nuk e lejoi Tahir Zemën të marri pjesë me brigadën e tij “Mërgimi” të formuar gjatë pranverës së vitit 1999 në Betejen e Kosharës, përpos veprimtari antikombëtare dhe tradhti kombëtare ?! Shpresojmë se po afrohën ditët kur kompllotistët, partiakët e shtir dhe karrjeristët e sëmuar për pushtet do ta marrin ’’shuplakën e popullit’’në zgjedhjet e ardhshme, të cilët i grryen dhe i shembën themelet e institicioneve shtetrore të krijuara me aq mund të madh. Ata nuk lejuan as të formohën institicionet që i munguan Republikës së Kosovës dhe u çoroditën duke e përçarë popullin në baza partiake, grupore dhe  klanore për interesat e tyre të ngushta, për të zënë pushtet pa e bërë Shtetin. Veç ata duhet ta dinë një gjë: populli ynë i konsideron këta lloj njerzish  mish të egër në trupin e kombit.

Botuar: ’’Bota sot’’, më 19 maj 2000


Warning: Undefined array key "postid" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 24

Warning: Undefined array key "increase" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 25

Warning: Undefined array key "show_views_today" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 26

Loading