QOSJA MERR NË MBROJTJE SPIUNËT GREKO-SERB DHE KRIMINELËT SHQIPTAR

Reagim në shkrimin e Rexhep Qosjes të botuar në ’’Zeri i Kosoves’’ nr.14, datë 10.04.1997 me titull “Ata që me çdo kusht duan të mbahen në pushtet, ata me çdo kusht duhen larguar nga pushteti.”

Askush s’është aq i verbër sa ai që s’dëshiron të shohë. (Xh.Suift)
Ka dritë të mjaftushme për ata që duan të shohin dhe errësirë të mjaftushme për ata që nuk duan. (B.Paskal)

Zotërat-njeri, që shqiptarët i krijuan në këto dekadatat e fundit të këtij shekulli, çdo ditë që po kalon po ç’veshen nga petku i idhujve dhe po e tregojnë vetveten me aftësitë e tyre gjysmake, logjikën e pasistemuar mirë, shpirtëvogëlsinë e njerëzve të zakonshëm, me të meta e vese të shumta, të sëmurë nga xhelozia, smira, kryeneçësia, mendjemadhësia e lideromania.

Në këto kohëra krize, kur është bërë vështirë të sigurohen mjetet për egzistencë, shumë intelektualë janë të detyruar të merren me punë dhe veprimtari që nuk i njohin sa duhet, dhe kështu bëjnë jo vetëm gabime, por edhe faje të rënda, sepse me veprimet e tyre, po i sjellin dëme të rënda çështjes sonë kombëtare.

Edhe zotëri Qosja e ka kuptuar se në këto kohëra të vështira nuk mund të sigurojë mjete për egzistencë vetëm duke shkruar kritika letrare, pasi që kjo krizë e thellë shqiptare e ka përfshirë edhe kulturën. Veprimtaria botuese, si dhe leximi i veprave letrare është në nivelin më të ultë që mund të mendohet, e të mos flasim më për kritikë letrare, që edhe më heret shkruhej, për një pjesë të vogël të lexuesve.

Me zhbërjen e sistemit të vetqeverisjes jugosllave në Kosovë, u zhbënë edhe shumë klane që ishin krijuar nga kukullat serbe, që i mbronin interesat e tyre në organet udhëheqëse të Kosovës, në organet udhëheqëse të arsimit dhe kulturës si dhe të ekonomisë. Klani që ishte krijuar për ta udhëhequr arsimin dhe kulturën, dhe që aq fort e priviligjonte Qosjen, nuk funksionon më. Tash janë krijuar klane tjera me njerëz tjerë. Edhe të mirat e mëdha materiale që futeshin në xhepat e zotëri Qoses nuk ekzistojnë më. Intervistat e botuara rregullisht nga shtypi i social-komunistave shqiptarë (Zëri i Kosovës dhe Zëri i Popullit) edhe pse të paguara me honorare të majme, (merret me mend prej shërbimit që u bën) nuk po i mjaftojnë për ta mbajtur standardin e tij, që e kishte gjatë regjimit të socializmit vetëqeverisës të Titos. Prandaj opinioni ynë nuk duhet të habitet që zotëri Qosja po provon ta ushtrojë profesionin e avokatit(!).  Opinioni shqiptar dhe ai i huaj, është i njohur me mbrojtjen e tij të parë, që e bëri kah fundi i muajit mars të këtij viti nëpërmjet BBC. Ai, nëpërmjet kësaj agjensie të fortë të lajmeve, e mbrojti veprën më të shëmtuar, që kriminelët dhe tradhtarët shqiptarë ia bënë Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, duke e quajtur atë vepër të tyre të ndyrë “Revolucion të vonuar demokratik”. Nuk vonoi shumë, dhe zotëri Qosja doli para opinionit shqiptar me mbrojtjen e dytë, që ishte edhe më skandaloze, botuar tek “Zëri i Kosovës” i sipërcituar. Mbrojtja e dytë e zotëri Qoses meriton të studiohet dhe të përpunohet, jo vetëm nga juristët dhe politikanët shqiptarë, por edhe nga çdo pjesëtar i kombit tonë, për të mësuar sihariqin që vjen nga mendja e Qosjes se “Shqipëria nuk ka kurrfarë rreziku për tërësinë tokësore dhe pavarësinë prej fqinjëve të saj”. Së pari do të shikojmë se çka e mundon më së tepërmi zotëri Qosjen. “Eshtë e qartë: frytet e revolucionit të vonuar demokratik në Shqipëri kanë filluar shumë shpejt  të rrezikohen”, dhe pastaj vazhdon: “çdokujt që i përcjell me kujdes zhvillimet e përtashme politike në Shqipëri i është e qartë se pushtetmbajtësit do të bëjnë shumë përpjekje që të rikthehen dhe të rikthejnë gjendjen pushtetore në të cilën ishte Shqipëria”. Dhe si përfundim Qosja thotë: “Sikur mund të shihet në këtë turr të përpjekjeve për rikthimin e pozicioneve politike në të cilat u mobilizuan edhe përfaqësuesit diplomatik në botë, Sali Berisha dhe Pjetër Arbnori arritën të sigurojnë: përkrahjen e Francës, jo vetëm për platformën e pajtimit kombëtar, por edhe për “veprimtarinë e presidentit”, përkrahjen e Gjermanisë për “zgjedhje politike në kuadër të platformës së pajtimit kombëtar dhe të institucioneve legjitime” dhe përkrahjen e ShBA-ve për “Qeverinë e Pajtimit Kombëtar dhe për Parlamentin”.

Tani lexuesi e ka të qartë se zotëri Qosja e ka një brengë të madhe në zemër që institucionet shtetërore si : Presidenca, Parlamenti dhe  Qeveria, kanë filluar të ringjallen dhe të forcohen, duke filluar kryerjen e punëve që u takojnë. Halli tjetër i z.Qoses është se shtetet evropiane dhe ShBA-të nuk po i njohin “frytet e revolucionet të vonuar demokratik në Shqipëri”, pra nuk po i njohin frytet e dhunës, frytet e krimit. Nuk po i njohin frytet e marrëzisë së partiakëve të shtirë. Nuk po i njohin frytet e karrieristave të sëmurë për pushtet, që janë në gjendje të bëjnë aleanca edhe me djallin e mallkuar, edhe me dorën e zezë armike, vetëm që t’i rikthejnë pozitat shtetërore, vetëm që të kenë dobi personale. Nuk po i njohin frytet e sigurimeve të huaja, frytet e mbeturinave të shoqërisë shqiptare, nuk po i njohin bandat kriminele të stalinistave shqiptarë, që po mundohen  nëpërmjet të ashtuquajturit “Komitete të mbrojtjes qytetare” të legalizohen dhe të bëhen palë të barabarta me subjektet e tjera të Shqipërisë, për ta vazhduar realizimin e planit, që u mbeti i pakryer, për ta marrë pushtetin, jo me mjete demokratike, me votën e popullit, por me komplote, shantazhe, kërcënime, ultimatume, dredhira dhe me luftë të armatosur, sepse janë të vetëdijshëm se shumica e popullit nuk do t’u besojë më, pas gjithë atyre vuajtjeve dhe atij mjerimi gjatë sundimit të tyre pothuajse pesëdhjetëvjeçar.

Zotëri Qosja për të gjitha të ligat që e gjetën Shqipërinë, fajin ua var në qafë dy personaliteteve : Sali Berishës dhe Pjetër Arbnorit. Ai thotë: “Faji i tyre mund të matet vetëm me gjyq. Por si mbrojtës i idesë së Pajtimit Kombëtar që e konsideroj kusht për qetësimin dhe mbarëvajtjen e Shqipërisë, unë jam kundër gjykimit të tyre. Siç dihet, në kohët më të vështira njerëzve të pushtetit u duhet më së shumti vetëkritika”. Fjalët demagagjike të Qoses, duke e quajtur veten si “përkrahës i idesë së pajtimit kombëtar” nuk përputhen me realitetin në Shqipëri. Qosja është dashur të thotë se ai është “përkrahës i idesë së pajtimit” në mes partiakëve të sertë dhe karrieristëve të sëmurë për pushtet në njërë anë, dhe kriminelëve të kuq në anën tjetër, për ta ndarë pushtetin, sepse populli ynë nuk ka pasur kurrë luftëra krahinore, dhe as luftëra fetare, edhe pse këtë e kanë dëshiruar armiqtë tanë. Unë nuk e kam të qartë se ku e gjen Qosja atë të drejtë, për t‘i marrë kompetencat e Gjyqit Kushtetues të Shqipërisë, për t’i anuluar Institucionet shtetërore, për ta shpallur të paligjshëm Presidentin, për ta shpallur të paligjshëm Parlamentin, për t’i shpallur “Komitetet e Mbrojtjes Qytetare” organe legjitime të dala nga “frytet e revolucionit të vonuar demokratik” etj. Përkrahja e tij vetëm me fjalë me “Qeverinë  e Pajtimit Kombëtar”, por jo edhe me vepra, z.Qosen e vë në një pozitë të një demagogu, që tjetër flet e tjetër vepron. Siç dihet ajo qeveri u formua nga kryetari Sali Berisha duke u konsultuar me pozitën dhe opozitën, u votua nga Parlamenti, të cilin Qosja e shpalli të pavlefshëm. Ajo qeveri e njeh Presidentin dhe e njeh Parlamentin. Ajo qeveri i njeh Organet e pushtetit lokal në tërë Shqipërinë, që u zgjodhën me votën e lirë të popullit. Ajo qeveri nuk njeh kurrfarë “Komitetesh”. Prandaj, siç po shihet, Qosja me asgjë nuk e përkrah “Qeverinë e Pajtimit Kombëtar”. Qosja me qëndrimin e tij po hedh dru në atë zjarrin që e kallën bandat kriminele, stalinistët shqiptarë duke bërë përpjekje që të krijohen kushte për ta  ndezur një zjarr edhe më të madh se të parin, për ta kallur tërë Shqipërinë dhe të gjitha institucionet qendrore të shtetit shqiptar duke ngritur pastaj në tërë Shqipërinë “Komitetet” e social-komunistëve shqiptarë. Të ngadhnjejë “Revolucioni i vonuar demokratik’ i zotëri Qosjes, për ta marrë edhe njëherë komunistët shqiptarë pushtetin në dorë dhe për ta vazhduar  këngën e tyre të vjetër, me tekst dhe muzikë të re, e të përpunuar siç e don koha.Ta formojnë shtetin e “fortë” siç e dëshirojnë fqinjët tanë, armiqtë tanë shekullorë, sllavo-grekët dhe aleatët e tyre. Një Shqipëri që do të udhëheqej nga partiakë të shtirë, anëtarë të çerdhave të sigurimeve të huaja. Një Shqipëri që s’do të jetë e zonja t’i mbrojë qytetarët e saj nga shfrytëzimet e huaja, e lëre më të interesohet dhe t’i mbrojë të drejtat e bashkëkombasëve të tij, që jetojnë nën robërinë jugosllavo-greke. Ja një Shqipëri të tillë e don z.Qosja.  

Nuk e kemi armik vetëm atë që na bën një të keqe, por edhe atë që e ka për qëllim këtë. (J.J. Russo)   

Duke i shpjeguar ngjarjet e fundit që ndodhën në Shqipëri zotëri Qosja në mënyrë të njëanshme, taman të një tifozi sportiv, duke mos e fajësuar me asnjë fjalë opozitën, por tërë fajin duke ua ngarkuar në qafë kryetarit të Shqipërisë Sali Berishës dhe kryetarit të Parlamentit Pjetër Arbnorit për: “shumë jetëra të humbura, për shumë familje të rrënuara për shumë shkatërrime të të mirave kombëtare”, e tregon vetvetën jo serioz në gjykime, jo serioz në veprime, qesharak në mënyrën e shpjegimit të ngjarjeve dhe “faktet” që përdor për t’i mbrojtur bandat kriminele të stalinistave shqiptarë dhe armiqtë tanë shekullor, çetnikët e Beogradit dhe qarqet shoviniste të Athinës. Ai i hedh poshtë të gjitha faktet se në ngjarjet e Shqipërisë janë përzier edhe faktorë të jashtëm kur thotë: ’’Dhe, kështu, sllogani komunist mbi armiqtë e jashtëm të lidhur ngushtësisht me armiqtë e brendshëm gjeti zbatim të fuqishëm në jetën tonë politike. Këtë gënjeshtër të nëpërdukshme e gëlltitën shumë lexues të gazetave tona dhe shumë dëgjues të fjalimeve nëpër zyra dhe institute “shtetërore” dhe sidomos nëpër “kafiqa”.’’. Dhe prap vazhdon, për t’i bindur edhe më tepër lexuesit e tij: “Ky rrezik i shpikur sot e përcaktoi përmbajtjen e rrejshme, tonin e sajuar dhe brengosjen qesharake të kumtesave të udhëheqësive të disa partive politike në Prishtinë për fatin e rrazikuar të Shqipërisë prej “armiqve të jashtëm”, “Greqia e ka Kalin e Trojës në Shqipërinë e Jugut”etj”. Se në Shqipëri (jo vetëm të Jugut) armiqtë tanë shekullorë kanë krijuar çerdhet e sigurimeve të tyre të forta, brenda të gjitha subjekteve shtetërore dhe partiake, për ta destabilizuar Shqipërinë kur ata kanë nevojë, ka shumë fakte të pamohushme. Do t’i përmend vetëm dy fakte: 1.Kur ish Parlamenti i Kosovës e shpalli Kosovën Republikë, në të njëjtën kohë Shqipëria u destabilizua me ikjen masive të popullësisë jashtë Shqipërisë, duke i shfrytëzuar ambasadat e shteteve të huaja dhe anijet që gjendeshin në portin e Durrësit, dhe kështu krijuan kaos dhe krizë të thellë në Shqipëri. Kjo gjendje u krijua, nga çerdhet e sigurimeve sllavo-greke, që janë krijuar në Shqipëri, në momentin kur ata kishin nevojë, që opinioni ndërkombëtar të merret me Shqipërinë, e të mos merret me ngjarjet e rëndësishme të Kosovës. 2. Kur çetnikët e Beogradit e filluan fushatën më të egër kundër popullsisë së Kosovës, duke burgosur, maltretuar dhe vrarë qytetarë të pafajshëm në rrugë, e në prag të shtëpisë, shovinistët e Shkupit, në të njëjten kohë, e filluan fushatën kundër arsimit dhe shkollës shqipe. Ndërsa, diplomacia greke, me ato evropiane dhe të SHBA-ve, bënin presion të paparë ndaj Shqipërisë, që kryengritja bolshevike, që kishte filluar  në Vlorë, të mos shuhej nga organet e rendit të shtetit shqiptar, por t’i jepet kohë, që ajo të forcohet, për ta kallë dhe bërë shkrum e hi shtetin në Shqipëri. Bandat kriminele, mafiet e vendit dhe ato të huajat, të udhëhequra nga i ashtuqujturi “Fronti për Demokraci” front i bashkuar i socialistëve shqiptarë dhe i aleatëve të tyre, morën forcë dhe u trimëruan, kur kuptuan se diplomacia e shteteve të huaja po e përkrahte “Frontin” për ta marrë pushtetin me mjete dhune. Shqipërinë e bënë ferr! Po, ferr e bëri Shqipërinë, ajo fara e djallit të mallkuar, që na e mbollën popoviçët dhe mugoshët gjatë Luftës së Dytë Botërore, e shpërlarë nga çdo ndjenjë njerëzore, kombëtare dhe humane, e mësuar me dredhira, shpifje, rrena e tradhëtira bolshevike, e udhëhequr nga pikëpamja se “qëllimi i arsyeton mjetet”, e kallën Shqipërinë dhe e shkatërruan shtetin e tyre, duke i sjellë kombit tonë dëme që s’i përthekon mendja e njeriut, duke ia futur thikën pas shpine Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.  Zotëri Qosja po e quan “revolucion të vonuar demokratik” gjithë atë dhunë, gjithë ato kallje e shkatërrime. Le të na thotë edhe një rast z.Qosja, që pjesëmarrësit e revolucioneve të  deritashme gjatë historisë njerëzore, qofshin ato borgjeze-demokratike, apo edhe proletare-komuniste, t’i kenë djegur institutet e arsimit dhe të kulturës, si: muzeumet, arkivat, biblotekat, shkollat, spitalet, fabrikat, bankat etj, siç i kallën dhe i shkatërruan ’’revolucionarët’’ e “Revolucionit të vonuar demokratik” të Shqipërisë. “Revolucionarët” e zotëri Qosjes, dogjën dhe shkatërruan trashëgiminë më të vlefshme iliro-shqiptare, por i ruajtën të paprekura dokumentet e kulturës helene (greke). Vetvetiu shtrohet pyetja: Pse dhe kush i bëri këto krime kaq të shëmtuara?! Zotëri Qosja e di përgjigjen, por nuk do të përgjigjet kurrë, sepse do të bjerë në kundërshtim me fjalët e tij: se në “ngjarjet e Shqipërisë nuk janë përzier faktorë të jashtëm”. 

Kur dikush i mohon plotësisht të gjitha, kjo do të thotë se ai nuk mohon asgjë, madje ai as nuk di apo kupton asgjë. (D.Pisarev)

Të shikojmë tani se çfarë mbrojtje të fortë u bën ushtruesi i detyrës së avokatit, z.Qosja, prijësve të opozitës: “ Një përbërës posaçërisht ndikues në përpjekjet për rikthimin e pozicioneve politike të Sali Berishës dhe Pjetër Arbnorit, është dhe fushata përplot shpifje kundër përfaqësuesve kryesor të opozitës, në radhë të parë kundër Neritan Cekës, Skënder Gjinushit, Rexhep Mejdanit dhe pas lirimit nga burgu, Fatos Nanos. Të gjithë këta thonë shpërralluesit e tyre bartin barrë të rënda politike dhe morale nga e kaluara komuniste. Të gjithë këta bëjnë përpjekje të rikthejnë komunizmin në Shqipëri! Të gjithë këta janë ithtarë të konceptit për “zgjedhje të çështjes së Kosovës brenda Serbisë”. Të gjithë këta janë udhëheqja politike e “rebelve”, “ banditve” e “kriminelve” që e çuan në demonstrata, pastaj në kryengritje të armatosur, e filluan dhe po vazhdojnë rrënimin e Shqipërisë’’ dhe vazhdon: “Të shkojnë kot argumentet me të cilat mund të bësh përpjekje që t’i mposhtësh këto marrëzira. Disa nga zbatuesit e kësaj fushate kundër prijësve të opozitës shqiptare shkojnë aq larg sa që ndonjërin prej tyre e shpallin “agjent të Greqisë apo agjent të Serbisë!”.

Eshtë e natyrshme që avokati t’i përdorë të gjitha mjetet, të lejuara dhe të pa lejuara, që klientët e tij t’i mbrojë sa më mirë para gjyqit, edhe pse e ka të qartë se klientët e tij kanë bërë krime. Meqënëse në mbrojtjen e parë publike, z.Qosja bëri një mbrojtje të pjesëshme duke i mbrojtur vetëm bandat kriminale që i kallën dhe shkatërruan gjërat e shenjta të Shqipërisë, ai bëri një lëshim të rëndë në profesionin e avokaturës, sepse të mbrohen dorasit e të mos mbrohen edhe shtisit-nxitësit, ata të cilët i kanë komanduar të gjorët për krime, është njësoj sikur të mos mbrohen fare. Por, Qosja duhet ta dijë se për të qenë mbrojtja e suksesshme, avokati duhet të ketë fakte të pamohueshme. Fakte të tilla z.Qoses i mungojnë. Faktet e pamohushme janë në anën e atyre që po i akuzojnë prijësit e opozitës, që i ka marrë në mbrojtje z.Qosja. Do t’i cekim ca prej fakteve, që mbrojtjen e zotëri Qosjes do ta bëjnë të pa vlerë. Së
pari social-komunistat shqiptar, me humbjen e pushtetit nuk lanë mjet pa përdorur për ta penguar përparimin e Shqipërisë dhe hyrjen e saj në strukturat politike dhe financiare të Evropës. Këtë e kanë të qartë vëshguesit që i kanë përcjellë me kujdes ngjarjet në Shqipëri, në këto pesë vitet e fundit. Së dyti është  vërtetuar se themelues i firmave piramidale “Populli” dhe “Xhaferi” ka qenë z.Bashkim Driza, ish oficer i Sigurimit, ish kryetar i një partie të majtë, të paregjistruar. Së treti drejtues i firmës piramidale GLFK ishte z.Gani Shehu, i cili ishte një ndër drejtuesit kryesor të Aleancës Demokratike dhe bashkëpuntor i Neritan Cekës. Së katërti ish manaxher i dy firmave piramidale ishte z.Arben Malaj, që tani u vendos Ministër i Financave në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar nga partia socialiste. Së pesti të gjithë punonjësit që punonin në ato firma qenë anëtarë të partisë socialiste. Së gjashti shtypi i socialistëve i ka përkrahur dhe i ka propaganduar deri në ditën e fundit këto firma piramidale. Së shtati Fatos Nano sa ishte në burg, një vit para se të shembën këto firma, i ka thënë Grupit britanik të Helsinkut se “skemat piramidale, e jo zgjedhjet do ta rrëzojnë Qeverinë e Sali Berishës”. Së teti “Forumi për Demokraci” u formua nga partia socialiste dhe aleatët e saj,  për ta udhëhequr dhe kanalizuar pakënaqësinë popullore për rrëzimin e Qeverisë dhe marrjen e pushtetit me dhunë. Shumica e krerëve të këtij “Forumi” kanë marrë pjesë në demonstratat dhe rrebelimet e Vlorës, duke i frymëzuar masat e mashtruara dhe të plaçkitura nga firmat që i kishin themeluar vetë socialistët, për kryengritje të armatosur. Së nënti klientët e avokat Qosjes e veçmas N.Ceka dhe F.Nano i kanë dyret e hapura te miqtë e tyre në Beograd dhe Athinë, kur t’ua dojë qejfi dhe nevoja. Së dhjeti Fatos Nano, po sa u largua nga burgu, e mori turrin e vrap për Athinë, për t’u takuar jo me Kryetarin e P.S. të Greqisë, por me Ministrin e Punëve të Jashtme, me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe me Ministrin e Mbrojtjes së Greqisë. Së njëmbëdhjeti, të kërkosh mbështetje për çështjen e Kosovës, prej atyre që për interesat e tyre partiake, për interesat e tyre  personale, dhe për interesa të huaja, ia futën flakën Shqipërisë është qesharake dhe banale. Po qe se Qosja nuk kufizohet për t’u njoftuar për ngjarjet kombëtare dhe ndërkombëtare, vetëm nëpërmjet shtypit të social-komunistëve shqiptarë, do të ketë mësuar për kërkesën e Nanos në tubimin e Partive Socialiste të Ballkanit, që Kosova duhet ta ketë autonominë në kuadër të Jugosllavisë. Prandaj, këto fakte që i ceka, tregojnë se të gjitha këto të liga, që e gjetën Shqipërinë dhe kombin tonë, e kanë burimin në tri qendra 1.Partitë që e kanë pasë pushtetin, (pozita) dhe të gjitha institutet shtetërore e kanë hisen e tyre të fajit, dhe nuk mund t’i shmangen  përgjegjësisë. 2.Opozita, veçmas Partia Socialiste, mban përgjegjësinë e krimit dhe të tradhëtisë kombëtare. 3.Faktorët e jashtëm, armiqët tanë shekullorë serbo-sllavo-grekët (çerdhet e sigurimeve të tyre) me aleatët e tyre, që së bashku e përgatitën terrenin për luftë të armatosur, për të shkatërruar jo vetëm atë që u ndërtua me mund për këto pesë vitet e fundit, por për të kallë e djegur çdo gjë që ka rëndësi dhe vleftë  kombëtare, që kishin si qëllim për t’i dhënë një pamje trishtuese dhe të shëmtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve në të  katër anët e botës. Qosja si duket e ka përzier domethënien e fjalës revolucion me kuptimin e kundërt të saj. Si është e mundur që stalinistët shqiptar që e humbën pushtetin, të cilëve populli nuk u besoi më, të bëjnë “revolucion demokratik”? Po sikur të ishin ata revolucionarë, dhe qytetarëve të Shqipërisë së Jugut t’u sillnin lirinë e humbur nga “regjimi autoritar i Sali Berishës” çfarë nevoje do të kishin pasur për t’i vënë maskat gjatë “ruajtjes së rendit dhe qetësisë’’ nepër qytetet e ’’çliruara’’?! Dihet se çlirimtarët populli i pret me lule, dhe s’kanë pse të frigohen prej popullit. Qosja duhet ta ketë të qartë se vetëm kriminelët, kur në mënyrë të organizuar plaçkitin banka dhe kidnapojnë apo vrasin njerëz, i përdorin maskat, që krimi i tyre të jetë i pa zbuluar dhe i padënuar.

Një njeri që nuk e njeh dashamirin për dashamir e hasmion për hasëm, mos qoftë!(Fjalë e urtë popullore)

Të shikojmë tani se çfarë zbulimesh na ka bërë Qosja. Sipas tij “…tërësia tokësore dhe pavarësia e Shqipërisë sot nuk janë dhe nuk mund të jenë të rrezikuara prej Greqisë. Koha kur Greqia vërtetë kishte synime tokësore mbi Shqipërinë ka kaluar njëherë e përgjithmonë’’ – dhe vazhdon –‘’…apo fakti tjetër, Greqia dhe Shqipëria janë anëtare të OKB-ës, kurse në Kartën e OKB-së në paragrafin e saj të shtatë shkruhet se sulmi i një anëtareje të kësaj Organizate mbi anëtarin tjetër të kësaj Organizate, cilësohet si pushtim të cilin Këshilli i Sigurimit, si Qeveri Botërore, është e obliguar ta pengojë. Lufta në Gjirin Persik, me të cilën SHBA-të me disa shtete tjera anëtare të OKB-së i sollën Irakut disfatë të jashtëzakonshme dhe e detyruan të hiqet prej Kuvajtit, e bënë njëherë e përgjithmonë të pamundshëm cënimin e pavarësisë tokësore të një shteti prej një shteti tjetër”. Të sillen këto përfundime kategorike prej një akademiku, i cili deri dje në shkrimet e tij e ka fajësuar Evropën dhe Fuqitë e Mëdha për coptimin e Shqipërisë, është e pakuptueshme, e pa arsyeshme dhe qesharake. Mirë e di zotëri Qosja se kombi ynë kurrë s’ka pasur hasmëri dhe as luftëra me Anglinë, Francën, SHBA-të dhe Rusinë. Por, zgjerimi i fqinjëve tanë është bërë në dëm të tokave tona, në sajë të ndihmës së pakursyer të “Majka Rusisë” dhe aleatëve të saj Francës dhe Anglisë. Me çka mund të na bindë z.Qosja se Serbia, Mali i Zi dhe Greqia nuk kanë ende mbështetje dhe përkrahje të gjithanshme për t’i mbajtur edhe më tutje nën sundimin e tyre tokat tona?! Një Shqipëri e fortë ekonomikisht, ushtarakisht, stabile politikisht u konvenon fqinjëve tanë dhe aleatëve të tyre, apo u konvenon një Shqipëri e dobët? Çerdhet e sigurimeve sllavo-greke dhe aleatëve të tyre e mbajtën për pesëdhjetë vite një Shqipëri të dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht, pa autoritet ndërkombëtar dhe pa aleatë të fortë. Tani z.Qosja e ka kuptuar se serbët dhe grekët janë bërë ’’pëllumba të bardhë’’ dhe më Shqipëria nuk ka kurrfarë rreziku prej tyre, por vetëm priten ndihma të llojllojshme për ta bërë fqinjinn e tyre, pra Shqipërinë, të fortë e të fuqishme!

Zotëri Qosja si ushtrues i avokaturës, ka përparuar mirë në mësimin e ligjeve të OKB-së, por ai paragrafi shtatë (7) i Kartës së OKB-së që na e citon z.Qosja, nuk e pengoi Serbinë që të dërgojë në Bosnje ushtrinë e saj të rregullt dhe bandat paramilitare për të bërë masakra, që njerëzimi s’i kishte njohur qysh pas krijimit të OKB-së. As OKB-ja, as paragrafi shtatë dhe as Këshilli i Sigurimit nuk e penguan Serbinë ta shkatërrojë Vukovarin e Kroacisë, dhe sot e kësaj dite ajo pjesë e Sllavonisë është jashtë intigritetit territorial të saj. Dua t’ia përkujtoj z.Qoses se as paragrafi shtatë i Kartës së OKB-së dhe as Këshilli i Sigurimit, si “qeveri botërore”, nuk mundi ta pengojë Turqinë, që me ushtrinë e saj të rregullt të zbarkojë në Qipro për ta mbrojtur popullsinë e saj nga shovinizmi grek, që aq tepër kishte çue krye në ishull. Zotëri Qosja është dashur ta dijë se edhe sot e kësaj dite, pas disa dekadave, ish shteti i Qipros nuk funksionon në pjesën turke. Pra, faktikisht janë bërë dy shtete qipriote. Kurrfarë paragrafi, as kurrfarë “qeverie botërore”, nuk po mundin ta detyrojnë Turqinë të largohet nga ujdhesa e Qipros. Do t’ia kujtoj z.Qoses edhe një fakt tjetër, që siç duket e ka harruar. Izraeli ende e mban një pjesë të teritorit shtetëror të Sirisë, lartësitë strategjike të Golan-it që ia pati marrë, kur edhe Egjyptit ia mori Kanalin  e Suezit dhe Jordanisë Palestinën. Pra, edhe sot e kësaj dite Izraelin nuk po mund ta detyrojnë të largohet nga Golani i Sirisë dhe as nga territoret e pushtuara arabe të Palestinës “paragrafi shtatë i Kartës së OKB-së’’, as Këshilli i Sigurimit, sepse mjafton vetëm një veto e një anëtari të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, per ta bërë të pavlefshëm çdo Rezolutë të OKB-së. Zotëri Qosja nuk mund ta bindë opinionin shqiptar se  “…tërësia tokësore dhe pavarësia e Shqipërisë sot nuk janë dhe nuk mund të jenë të rrezikuara prej Greqisë’’, nisur nga fakti se “SHBA-të me disa shtete anëtare të OKB-së i sollën Irakut disfatë të jashtzakonshme dhe e detyruan të hiqet prej Kuvajtit’’,  qoftë edhe për arsyen se krahasimi i  Shqipërisë me Kuvajtin,  dhe i Gjirit Persik me Adriatikun, nga z.Qosja është i pavend dhe i palogjikshëm, sepse Gjiri Persik dhe Kuvajti është vend strategjik për SHBA-të, pasi që kanë një rëndësi jashtëzakonisht të madhe për ekonominë e tij. Populli ynë ka një përvojë të hidhur sa i përket përkrahjeve që ka pasur nga OKB-ja, Kongreset dhe Konferencat e Fuqive të mëdha gjatë shekullit që po lëmë pas. Po qe se zotëri Qosja ka marrë garanca të forta prej antarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit,  prej Fuqive të Mëdha, se Shqipëria dhe shqiptarët do të trajtohen prej tyre si’’fëmjë hazreti’’, atëherë populli ynë do t’i shprehë mirënjohje Qosjes, duke e quajtur jo vetëm “roje të demokracisë” siç e ka shpallur vetveten, por edhe “babë të kombit” siç e quajn disa nxënës të tij!! Argumentet e tij janë hedhur poshtë edhe nga vetë sjelljet dhe veprimet e Greqisë. Do t’i përmend vetëm ca prej tyre. Sot në Greqi gjenden dhe veprojnë organizata shoviniste të ashtuquajtuarat voriepiriote, veprimtaria e të cilave lejohet dhe e financohet nga shteti grek, kurse e bekon dhe e ndihmon Kisha Greke për të bashkëvepruar me lobin shumë të fuqishëm grek në SHBA e vende tjera, veprimtaria e të cilave synon shkëputjen e jugut të Shqipërisë dhe bashkangjitjen e tij Greqisë. Z.Qosja ka mësuar për veprimtarinë e kishës greke në Shqipëri, e cila duke e shfrytëzuar kaosin dhe rrëmujën që u krijua pas rrëzimit të diktaturës së kuqe në Shqipëri, e grabiti Kishën Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke vënë në krye të saj njeriun e besueshëm të Kishës dhe Sigurimit grek Janullatosin. Qosja duhet të ketë dëgjuar se si “priftërinjtë” e Janullatosit po i çkombëtarizojnë shqiptarët e Shqipërisë së Jugut, duke ua ndërruar emrat dhe kombësinë, apo ky veprim  i Kishës greke për Qosjen nuk ka rëndësi?  Qosja ka mësuar për faktet që pati publikuar Kryetari i SHIK-ut, se ’’Greqia është përzier në ngjarjet e fundit në Shqipëri së bashku me Lobin grek në SHBA’’ por ai nuk u beson dokumenteve dhe fakteve të vërtetuara edhe nga Parlamenti i Shqipërisë. Qosja është i njoftuar me zbulimet e qendrave ndërkombëtare që merren me studimin e Ballkanit, nga njerëz kompetent,  se në ’’ngjarjet e Shqipërisë janë përzier edhe fakorë të jashtëm’’, por as atyre qendrave ai nuk u beson! Për njerëzit që kanë arësye do të mjaftonte të njihen me letrën e “Fondacionit Amerikan për Evropën Lindore”, drejtuar Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Washington, ku thuhet: “Pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore, ish-komunistët dhe aleatët e tyre të mbetur që nga Lufta e Ftohtë, nëpërmjet grupeve speciale ndërkombëtare, përdorën të gjitha mundësitë e tyre financiare dhe politike për të përmbysur demokracinë e re  të ndërtuar në Evropën Lindore. Ky koalicion monstruoz shfaq rrezikun më të tmerrshëm për Evropën Lindore, vendet e Ballkanit dhe në veçanti për Shqipërinë”.  Qosja ka mësuar se ushtria greke iu pat afruar kufijve shtetërorë të Shqipërisë menjëherë pasi “revolucionarët” e tij e kallën Shqipërinë. Qosja ka mësuar se në Shqipërinë e Jugut kanë qarkulluar të lirë Udhëheqës të Demokracisë së Re Greke, të PASOKUT dhe deputetë komunistë grekë duke mbajtur takime me “Komitetet”, por për Qosjen nuk ka fare rëndësi as ky fakt. Qosja ka mësuar se në Shqipërinë e Jugut, vetëm gazetarët dhe fotoreporterët grek dhe aleatët e tyre ishin të lirë dhe të priveligjuar për të njoftuar opinionin botëror për ç’po ndodhte duke zgjedhur skema trishtuese për ta tronditur opinionin botëror dhe për ta damkosur rëndë shqiptarin, gjoja se është vetëm një qënje fizike dhe biologjike, por jo edhe qënje njerëzore. Për herë të parë në historinë tonë kombëtare u bënë masakra ndaj njerëzve të pafajshëm. Kallja e fëmijës 16 vjeçar për së gjalli të lidhur për peme, therja e pjesëtarit të SHIK-ut për t’ia pirë gjakun, ka mundur t’i bëjë deri tash vetëm dora çetnike serbe.Tani atë mjeshtëri trishtuese e mësuan, mjerisht, edhe ’’revolucionarët’’ e “revolucionit të vonuar demokratik” të zotëri Qosjes. Ky i fundit ndoshta s’ka harruar se më 1994 komandosët grek bënë sulm në një repart ushtarak të Shqipërisë, por edhe ky fakt për të nuk ka rëndësi fare!  Akademik Qosja ka mësuar për takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Greqisë dhe të Italisë për çështje të Shqipërisë, por edhe ky fakt asgjë nuk tregon dhe nuk ka domethënie për të! Akademik Qosja ka mësuar për takimin që patën Zv.Ministrat e Punëve të Jashtme të Greqisë dhe të Maqedonisë në Shkup, ku pala greke pakicën e saj që jeton në Shqipëri e tejzmadhoi në 600.000 banorë, ndërsa ajo maqedone pakicën e vet në Shqipëri e bëri në 200.000 banorë, por edhe këtë fakt Qosja e hesht! Akademik Qosja ka mësuar për vizitën e zv.Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë në disa qytete të Shqipërisë, pa e ftuar kurrkush dhe pa e pritur Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, por për akademik Qojsen ky fakt nuk ka shumë rëndësi, pasi ai u prit nga Komitetet që e bënë “revolucionin demokratik” të Shqipërisë! Akademik Qosja po ashtu ka mësuar për vizitën që ua bëri konsulli grek me seli në Gjirokastër, studentëve shqiptar që muarën pjesë në grevën e urisë, por për akademik Qosjen nuk ka rëndësi. Kisha për ta pyetur akademik Qosjen se si  do të ndihej ai, po qe se ne shtëpinë e tij vjen një i huaj  dhe i hyn brenda pa e pyetur fare, jo nga halli se po e sulmon ndokush, por nga dëshira për t’ia shkatërruar familjen, për t’ia përvehtësuar  pasurinë, për t’ia kallur shtëpinë?! A thua ka dëgjuar Akademik Qosja për parullat politike të demonstruesve në Vlorë si “Vlora kryeqytet’’, ’’ Vlora Republikë’’, ’’Nuk e duam Kosovën” etj? Akademik Qosja ka mësuar për ftesën që Ministri i Punëve të Jashtëm të Greqisë ua bëri të gjitha partive politike të Shqipërisë për të mbajtur mbledhje në Greqi, dhe atje për të vendosur për problemet e Shqipërisë  e se çfarë qeverie duhet të formojnë?! A thua, si na e shpjegon akdemik Qosja lirimin e kriminelëve shqiptar nga burgjet greke :  për ta kallur Shqipërinë, apo për ta mbrojtur atë nga “regjimi autokratik” i Sali Berishës?! Akademik Qosja ka mësuar për tentimin e grushtshtetit të udhëheqësve të lartë të PPSH, ministrit të ushtrisë Kiço Mustaqit dhe Ministrit të Punëve të Brendshme Gramoz Ruçit dhe ikjen  e tyre për në Greqi. Po as ky fakt dhe shumë fakte tjera që mbetën pa u përmendur nuk kanë kurrfarë rëndësie dhe domethënie për akademik Qosjen!

Në një kokë të turbullt s’ka  vend për mendime(Thënie gjermane)

Të shikojmë tani se çfarë mbrojtjeje u bëri akademik Qosja simboleve serbe të përdorura në Vlorë dhe në disa qytete tjera nga ana e “revolucionarëve të tij të vonuar”. Ai pyet “çfarë duan ato njëjtësime të tre gishtave të ngritur në Vlorë me tre gishtat e ngritur në Beograd, kur dihet se tre gishtat janë shenjë-simbol i trinisë së shenjtë në fenë ortodokse, kurse e drejta fetare, ndoshta, është një e drejtë themelore e njeriut, që nuk tregon asgjë më shumë se përkatësinë fetare?”. Unë dhe shumica e lexuesve do të besojmë në arsyetimet dhe në mbrojtjen e Qosjes, po qe se Janullatosi, kreu i shërbimit sekret grek në Shqipëri, që e drejton Kishën Orthodokse Shqiptare, botërisht do të pohonte se priftërinjët e tij janë fajtorë, që më heret nuk ua kanë mësuar popullsisë shqiptare të besimit ortodoks të Shqipërisë trininë, dhe se mësimet e para ua kanë dhënë nga trinia fetare ato ditë, kur filloi rrebelimi komunist, dhe se priftërinjtë e tij gjatë “protestave” kishin për deyrë t’ua  përsërisin mësimet e mësuara më parë nëpër kisha, për ta shfrytëzuar sa më mirë kohën, duke i kryer dy detyra me rëndësi, njërën për të bërë revolucion dhe tjetrën për të zënë mësimet e trinisë fetare ortodokse(!!)

Të shikojmë tani se çfarë mbrojtje të fortë i bëri Serbisë “avokati më i aftë kosovar”, Qosja. “Në përpjekjet për rikthimin e pozicioneve politike të Sali Berishës dhe të oligarkisë së tij është futur edhe një gënjeshtër tjetër jo e vjetër: gënjeshtra për gjoja rrezikun që ka sot Shqipëria prej Serbisë! Edhe për mendjen më të thjeshtë politike është plotësisht e qartë se tërësia tokësore dhe pavarësia e Shqipërisë nuk kanë kurrfarë rreziku prej Serbisë sot. Koha, kur ajo mund të ishte e rrezikuar prej saj, koha e Luftës së Parë Botërore dhe e disa vjetëve pas saj, ka kaluar njëherë e përgjithmonë. Jugosllavia (Jugosllavi, Qosja thërret Serbinë, se ashtu ia ka ënda) është në hall si t’i mbajë të pushtuara Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare. Jugosllavia është në hall si ta pakësojë numrin e shqiptarëve që i sundon e lëre më t’i shtojë hallet me shqiptarët!” Mbrojtja e ’’avokatit’’ kosovar, z.Qosjes, do të hidhet  poshtë si një mollë e kalbur, me shije të neveritshme, po qe se merren parasysh vetëm dy-tri  fakte, pa pasur nevojë për t’i cekur shumë të tjera. Nuk është e vërtetë se Jugosllavia (Serbia dhe Mali i Zi) disa vjet pas Luftës së Parë Botërore, kanë hjekë dorë nga përpjekja për të rrezikuar ’’ tërsinë toksore dhe pavarësinë e Shqipërisë’’. Formimi i Partisë Komuniste Shqiptare nga serbo-malazezët Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, kanë pasur për qëllim, që Shqipërinë, në rend të parë ta udhëheqin personat që do t’i shkonin pas qejfi Jugosllavisë, kurse në rend të dytë, kur të piqeshin kushtet, ta shndërronin në Republikë të tyre të shtatë. Siç dihet, nuk ka qenë i lidhur vetëm Koçi Xoxe  me UDB-në Jugosllave, por edhe shumica e udhëheqësisë partiake dhe shtetërore me në krye Enver Hoxhën. Vetë E.Hoxha në bisedën që ka pasur me Titon, ka pranuar që Shqipëria të bëhet Republikë e shtatë e Jugosllavisë. Pra, nuk është meritë e Enver Hoxhës që ’’Shqipëria nuk ka rënë nën kthetrat jugosllave’’, por rrethanat e krijuara nga mosmarrëveshjet Tito-Stalin, e shpëtuan Shqipërinë pa rënë nën sundimin jugosllav. Avokat Qosja ndosha nuk e ka harruar planin jugosllav për ta sulmuar Shqipërinë, menjëherë pas demostratave të 1981, gjoja se ajo e ka sulmuar e para Jugosllavinë, por plani mbeti i parealizuar për shkak se u zbulua me kohë dhe në detaje nga oficeri slloven J. Jansha. Avokat Qosja duhet të kupojë se nuk është i lehtë profesioni i mbrojtësit. Kuptohet, mbrojtësit duhet t’i punojë goja sopatë. Qosjes nuk i mungon ndosha një aftësi e tillë, por siç po shihet pa fakte, nuk ka mundësi ta mbrojë askënd. Prandaj, në bazë të fakteve që ia përkujtova zotëri Qosjes, duhet të bindet se integriteti dhe pavarësia e Shqipërisë kanë qenë, janë dhe do të jenë të rrezikuara nga Greqia dhe Jugosllavia (Serbia dhe Mali i Zi) deri atëherë, kur shteti shqiptar do t’i zbulojë dhe asgjësojë të gjitha çerdhet e sigurimeve shtetërore të këtyre dy shteteve dhe aleatëve të tyre, deri sa shteti shqiptar të drejtohet nga forcat e shëndosha kombëtare, nga adhetarë, për të cilët, Shqipëria dhe shteti shqiptar janë të shenjta dhe të paprekshme dhe askush nuk mund t’i blejë me kurrëfarë pasurie, sado e madhe që do të ishte ajo. Deri sa krerët e partive politike shqiptare të vetëdijësohen se interesi kombëtar duhet të jetë kurëdoherë mbi interesin partiak dhe ideologjik. Deri sa shqiptarët e infektuar nga ideologjia e djajve të mallkuar bolshevikë, ta kuptojnë se ajo ideologji është mbjellë në trojet tona nga armiqtë tanë, jo që të na ndihmojnë, por që të na robërojnë, jo që të na çelë horizonte përparimi, por që në mendjet tona të krijojë mjegull dhe kaos dhe të na verbërojë, për të mos e bërë dallimin në mes territ dhe dritës, në mes të bardhës dhe të zezës, në mes virtytit dhe vesit, në mes rregullit dhe kaosit, në mes demokracisë dhe diktaturës, në mes miqve dhe armiqve.

Shkruar më 04.05.1997


Warning: Undefined array key "postid" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 24

Warning: Undefined array key "increase" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 25

Warning: Undefined array key "show_views_today" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 26

Loading