QOSJA,  AVOKAT I POLITIKËS ANTIKOMBËTARE TË QEVERISË SË NANOS

Me heroizmin  e burrave të Drenicës dhe masakrat serbe për ta shuar atë rezistencë, çështja e Kosovës u ndërkombëtarizua në shkallën më të lartë. Në këto kushte dhe rrethana të reja, u bënë shumë ndryshime cilësore në vetëdijen e shtresave të gjera të popullit tonë. Gjumi dhe mjegulla që e kishte kapluar dhe molisur atë me fajin e prijësve të tij u largua. Frika u mund, krenaria kombëtare u ringjall. Energji të shumta u bashkuan në një front të përbashkët për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare. Solidarizimi për ndihma dhe gadishmëria e popullit tonë për t’u bërë ushtarë të UÇK-së, u tregua në nivel të lartë.

Fatkeqësisht në këtë situatë të nderë, kur çetnikët e Beogradit bëjnë masakra të përditshme në popullsinë tonë, duke vrarë e plagosur njerëz të paarmatosur, fëmijë, gra e pleq, duke bombarduar fshatra e djegur shtëpi, opinioni ynë u njoftua se akademik Qosja me Hydajet Hysenin e formuan Këshillin organizues të LRDK-së. Me çka do të arsyetohej formimi i këtij Këshilli që ka për qëllim diferencimin në radhët e LDK-së, që do të sillte përçarje në anëtarësinë e gjërë të saj, në vend që të bëheshin përpjekje e mund për shkrirjen e partive në një front të përbashkët kombëtar, duke i lënë për më vonë ngatërresat partiake, pasi të fitohet liria. Kush guxon të luajë me gjakun e derdhur rrëke të djemëve më besnik të popullit tonë që sakrifikuan dhe po sakrifikojnë edhe familjet e tyre, për të na sjellë këto kushte dhe rrethana që do të jemi të detyruar për t’i harruar të gjitha mosmarrëveshjet dhe ngatërresat ndërnjerëzore dhe ndërpatriake, për të bërë një bashkim të fortë, që do t’i bëjë ballë çetnikëve të Beogradit dhe okupatorëve tanë serbo-sllav? Kujt i duhet në këto momente dramatike të popullit tonë të fillohet me këtë fushatë rrënuese për ç’organizimin edhe të atyre forcave të shëndosha kombëtare, që janë në kuadër të LDK-së për t’u marrë me luftë klanesh? Kujt i shkojnë për interes përçarjet e anëtarësisë së gjërë të LDK-së? A thua vallë vetëm në Kuvendin e Tretë zgjedhor janë thyer rregullat statutore të partisë dhe çdo gjë ka shkuar mirë dhe në rregull më parë? Pse kjo ndarje që po bëhet tash nuk u bë më parë, bie fjala pas përfundimit të Kuvendit të Dytë zgjedhor, pasi edhe atëherë janë bërë shkelje të Statutit të LDK-së, ku me siguri Lëvizja jonë kombëtare do të merrte tjetër kahje, dhe do të sillte ndryshime pozitive në jetën tonë politike? A nuk ishte më mirë që H. Hyseni me bashkëmendimarët e tij, pasi u ishte “pamundësuar” të vazhdojnë edhe më tutje punën në kuadër të LDK-së, t’i bashkangjiteshin PPK-ës dhe Adem Demaçit, për ta forcuar atë parti? Kujt i duhet formimi i një partie të re apo i një LDK-je të Re në këtë
gjendje  lufte?!

Tash për tash nuk është lehtë të kuptojmë se pse zotëri Qosja u vu në krye të Këshillit organizues të LRDK. Sipas mendimit tim janë tre faktorë që e shtynë atë të marrë flamurin e një Këshilli që ka për qëllim shkatërrimin e LDK-së dhe në gërmadhat e atij shkatërrimi të ndërtojë ’’LDK-në e Re’’.

Faktori i parë janë shkaqet karrieriste. Qosja është duke shpresuar se tani ka ardhur koha të futet në jetën politike të Kosovës, pasi që edhe të tjerët që nuk kanë bërë asgjë më tepër se sa ai për ta ndërruar status-qoun në Kosovë, po mundohen të gjenden dikund, për të zënë një pozitë çfardo qoftë, që do t’i shërbente më vonë, kur Rugova të na rikthejë autonominë, apo lirinë. Harrohet se tani UÇK-ja është faktori kryesor i ngjarjeve dhe rrjedhave kombëtare, e cila po e merr fatin e lëvizjes sonë kombëtare në duart e saja të sigurta. Partiakët e shtirë, politikanët falltorë dhe pseudointelektualët karrieristë nuk do të kenë më rastin të manipulojnë, të gënjejnë dhe të mashtrojnë, sepse UÇK-ja do të rilind politikanë atdhetarë.

Faktori i dytë është diktati i Tiranës ndaj grupit të H.Hysenit për ta vënë Qosjen në krye të Këshillit, pasi që njeri më të besueshëm pushetarët e Shqipërisë  në Kosovë nuk kanë.  Kush më tepër se Qosja propagandoi për ngadhënjimin e “revolucionit të vonuar demokratik” të Shqipërisë? Kush më tepër se ai po e përkrah politikën antikombëtare të pushtetarëve të Shqipërisë së sotme?!

Faktori i tretë është se zotëri Qosja  është bërë politikan që “di të sillet politikisht”. Opinioni ynë ka mësuar nga vet Qosja se ai nuk ka dashur të marrë postin e kryearit të LDK-së me rastin e formimit të kësaj partie, me arsyetimin se ai “di të mendojë politikisht, por nuk di të sillet politikisht”. Në vitin që shkoi zotëri Qosja e pati shpjeguar (mendimin e tij) se çka do me thënë “të dish të sillesh politikisht” me ç’rast tha se “të dish të sillesh politikisht do me thënë të dish të gënjesh, të bësh intriga, të bësh likuidime politike qoftë edhe të miqve të deritashëm e ndotësi të tjera! Nuk kam “aftësi” të tilla, nuk pranoj të sillem ashtu, prandaj nuk di edhe të sillem politikisht”. Qosja pati numëruar edhe ca arësye tjera: që nuk don të hyjë në jetën politike të Kosovës, se gjoja është njeri “i përpjekjeve për pavarësinë e Kosovës si lëvizje e jo njeri i karrierave partiake, se ai nuk don pozita politike, se ai ka jetëshkrim krijues letrar, që ka jetëshkrim jopolitik dhe jo ideologjik, se ai do të jetë roje e demokracisë” etj. Çka do t’i thotë lexuesi shqipar kësaj kontradite të Qosjes?! Ai me siguri do të kuptojë se Qosja ka mësuar shumë nga përvoja e “revolucionarëve dhe prijësve të revolucionit të vonuar demokratik të Shqipërisë” se si duhet të “sillet politikisht” prandaj edhe ka vendosur të futet në jetën politike të Kosovës, të merret me politikë dhe  të formojë partinë e tij. Qosja ka të drejtë t’i tregojë aftësitë e tij politike, por edhe të tjerët kanë të drejtë t’i japin vërejtje atij, siç bënte ai kur ishte i “pamësuar me zanatin e politikanit”. Pra falë “lejes” që ai na ka dhënë më parë, unë kam të drejtë t’i bëj vërejtje akademikut dhe politikanit, që  ka aftësi dhe përvojë të gjatë kalkuluese.

Do t’i vëmë në dukje vetëm ca fakte që tregojnë se me të vërtetë Qosja ëshë bërë politikan “që di të sillet politikisht”. Në nëntor të vitit që shkoi Qosja e pati kritikuar rëndë Demaçin, për shkak se e pat kritikuar rrebelimin komunist në Shqipëri dhe fitoren e rrebelëve në zgjedhjet e 29 qershorit e quajti “fitore të kallashnikovëve”. Qosja pati reaguar ashpër ndaj Demaçit duke thënë se atë, Demaçin “nuk e lë të qetë përkushtimi i gjatë enverist, prandaj, do të shfajsohet,  duke cënuar socialistët”. Para gjashtë muajve, Qosja po ashtu i pati kritikuar rrast ish të burgosurit politikë që mbanin pozita të larta udhëheqëse në LDK-në, por tash politikani Rexhep Qosja ka ndërruar mendimin për Demaçin edhe për Hydajet Hysenin. Qosja tani ka bërë aleancë me H.Hysenin, por si duket të njëjtën gjë e don edhe me Adem Demaçin. Qosja në intervistën e tij që ia botoi “Euro Zëri” më 8 maj 1998 shpreh pakënaqësinë e tij me rezultatet e anketës që e pat bërë para pak kohe “Bota sot’’. Ai e kritikon opinionin në njërën anë dhe në anën tjetër i merr me të mirë Demaçin dhe Hysenin, kur thotë: “Çfarë opinioni të papjekur kemi ne? Çfarë kriteresh kemi ne? A kemi parime ne? Çka duam ne? A i kemi merituar ne Adem Demaçin dhe Hydajet Hysenin?”. Qosja di të jetë i ashpër ndaj opinionit, që në ca raste nuk është real, sepse qe tetë vite është bërë fushatë e ndyrë nga forca autonomiste dhe forca tjera karreriste kundër Demaçit, por me çka do të arsyetohet Qosja që edhe ai pati hyrë në atë fushatë kundër tij, prandaj kritika e tij drejtuar opinionit, në fakt duhet të jetë kritikë ndaj vet Qosjes, sepse është edhe kontributi i tij që opinioni ynë “nuk është real” sa i përket Demaçit. Qoftë edhe ky fakt, ky ndryshim i paprincip qëndrimi na njofton se Qosja ka hyrë tashmë në radhën e politikanëve që “dinë të sillen politikisht”?

Destruktivitet i paparë dhe i pashërueshëm i Qosjes

Rexhep Qosja si politikan “që di të sillet politikisht’’ ka ’’shkëlqyer” në intervistën e tij dhënë  ‘’Euro Zërit’’. Ai pranon se ka shkuar në Tiranë tinza me Hydajet Hysenin, para se të publikohej lajmi se u bë aleanca në mes Rexhep Qosjes dhe Hydajet Hysenit për formimin e LRDK, por nuk pranon se me Rexhep Mejdanin kanë biseduar “për idenë e formimi të partisë së re” edhe pse pranon se “është biseduar për ato që kanë ngjarë në LDK-në, është biseduar edhe për zgjedhjet, edhe për çështje që kanë të bëjnë me Kosovën…”. Pra, Qosja ka folë me Mejdanin për “çështje që kanë të bëjnë me Kosovën” por, sipas politikanit tonë, del se formimi i një partie të re politike, nuk qenka çështje që ka të bëjë me Kosovën, prandej edhe nuk paska biseduar fare për këtë çështje?! Qosja as nuk pranon se vendimi është marrë që ai të jetë në krye të Këshillit organizues të LRDK para se të ketë shkuar në Tiranë te udhëheqja e Shqipërisë për t’u këshilluar me ta. A nuk është kjo një kontraditë dhe një pështjellim i pa nevojshëm? A thua kur do të bëhet e ditur se kur, ku dhe kush e ka vendosur Qosjen në këtë pozitë partiake?! Partiaku i shtirë, përpos që duhet të dijë “të sillet politikisht” ai  duhet të jetë edhe avokat i mirë. Qosja e pati kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve dhe pati kërkuar me këmbëngulje që të mos mbahen ato për shkak të “gjendjes së luftës dhe shtetërrethimit ushtarako-policor” në shumë anë të Kosovës, por politikani dhe avokati Qosja tani e ka ndërruar qëndrimin duke e arsyetuar formimin e partisë së tij edhe pse gjendja është edhe më e keqe se kur u bënë zgjedhjet, dhe thotë: “nëqoftëse në këto rrethana kanë mundur të mbahen zgjedhjet, pse s’mund të bëhet kjo që po bëhet’’. Por, politikani Qosja duhet të na tregojë se kur flet përnjëmend e kur për mahi. Po qe se Qosja e ka pasur përnjëmend, kur pati kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve, atëherë nuk është dasht t’i hyjë kësaj pune për formimin e Këshillit organizues të LRDK-së, sepse kushtet për të cilat ka folur Qosja janë keqësuar shumë herë më shumë. Pra siç po shihet, Qosja si avokat nuk ka përparuar fare, por ka mbetur në të njëjtin nivel kur mundohej ta mbronte “revolucionin e vonuar demokraik të Shqipërisë”.

Atë që ia lejon vetes, ia mohon të tjerëve

Qosja në intervistën e tij tregon se do të bëhet partiak i shtirë pasi që nuk do t’i pranojë zgjedhjet, pra nuk do ta  pranojë Parlamentin dhe  Qeverinë që do të dalin nga ato zgjedhje. A mos vallë Qosja është duke e përgatitur një variant të “revolucionit të vonuar demokratik” të Shqipërisë edhe në Kosovë? Si mund të shartohet një revolucion i tillë në Kosovë, kur dihet se rrethanat politike, sociale dhe ekonomike ndryshojnë prej atyre të Shqipërisë? Ku do të na çonte mosnjohja e rezultateve të zgjedhjeve?! Ku do të na çonte mosnjohja e Parlamentit dhe Qeverisë që duhet të formohen sa më parë? A thua nuk e ka të qartë politikan Qosja se në këto kushte dramatike që gjendet populli ynë në Kosovë, më mirë është ta kemi një Parlament dhe një Qeveri, edhe pse më të dobëta se do t’i kishim, po të ishin bërë zgjedhjet në kushte më normale, apo të mos i kemi fare?!

Politikani Rexhep Qosja vet e pohon se “gjatë Luftës së Dytë Botërore në Britaninë e Madhe kanë pushuar së vepruari partitë politike”. Qosja di se në Drenicë të gjitha partitë e kanë shuar veprimtarinë partiake për të kaluar në organizimin e frontit të përbashkët për vetëmbrojtje, por fakeqësisht këto të dhëna dhe të vërteta nuk kanë ndikuar në Qosjen, që në këtë situatë dramatike, ku faktikisht Kosova është në luftë me Serbinë, të mos u hyjë punëve që çojnë ujë në mulli të huaj, duke bërë përpjekje të bëjë përçarje sa më të mëdha në antarësinë e LDK-së, për të pasur “lëndë të parë” për ta formuar shtëpinë e tij, LRDK-në, që edhe atij pastaj t’i vijnë diplomatët për t’ia marrë mendimin për çëshje akuale të Kosovës(!) Si duket Qosja don që edhe ai të bëhet një idhull partie siç e bëri LDK-ja kundërsharin e tij të vjetër Ibrahim Rugovën. Por politikani Qosja bie në kundërthënie kur tjetër thotë e tjetër vepron. Ai thotë: “Ne kemi bërë parti politike në kohën kur Kosovën e kemi shpallur të okupuar. Dhe nuk kemi bërë pak, por 16-17 sosh. Këtu nuk ka shumë logjikë. Çka do të ishe e logjikshme këtu? E logjikshme do të ishe që këto parti t’i bashkojnë forcat në një front politik. Drenica ka vepruar ashtu siç vepron mendja historike në situata të tilla. Ka kohë që ne është dashtë të veprojmë kështu”. Ky paragraf tregon se politikani Qosja tjetër flet e tjetër vepron, dhe se  me të vërtetë e ka pjekur zanatin e politikanit dhe me plot të drejtë mund të thuhet se ai tashmë, sipas përkufizimit të tij, “di të sillet politikisht”, dhe… vaj halli për kundërsharët e tij politik!

Cila është “politika e vërtetë kombëtare” e Tiranës zyrtare?

Politikan Rexhep Qosja në intervistën e tij të 8 majit botuar tek “Euro-Zëri” e ngriti në qiell me lavde bajate që s’përkojnë me të vërtetën fare Qeverinë e Shqipërisë. Ai thotë: “…pas krijimit të Qeverisë së koalicionit, në Shqipëri ka filluar ndërtimi i një politike të re, i një politike vertetë kombëtare, …tashti në Tiranën zyrtare ndërtohet edhe politika kombëtare-politikë që bënë kujdes për krejt popullin shqiptarë dhe bën kujdes për çështjen shqiptare në përgjithësi, me përqëndrim të veçant në çështjen e Kosovës’’. A nuk është ky pohim i politikan Qosjes, plotësisht në kundërshtim me të vertetën?! A thua ende zotriu se ka kuptuar tragjedinë e madhe që ia sollën Shqipërisë dhe kombit tonë kjo garniturë e pushtetarëve të Shqipërisë me “revolucionin e vonuar demokratik” të tyre, duke e plagosur rëndë Kosovën dhe viset tjera shqiptare, me zhdukjen e faktorit të shtetit shqiptarë, si mbrojtësin më të rëndësishëm të çëshjës sonë  kombëtare?! A nuk e ka ende të qartë vallë, zotri Qosja diplomacinë tërësisht antikombëtare dhe antikosovare të qeverisë së Nanos, që nga takimet e Kretës, Shkupit, Bonit, Lisbonës e takimeve tjera që mbajti ky antishqiptarë me diplomatë të huaj?! A thua Qeveria e Shqipërisë po bëka “politikë vërtetë kombëtare’’ duke kërkuar rrespektimin e institucioneve shetërore të Serbisë dhe të Maqedonisë,  dhe të drejtat qytetare dhe njerëzore për shqiptarë të Kosovës dhe për shqiptarë të Maqedonisë?! A thua është “politikë vërtetë kombëtare” politika e Shqipërisë që pat kërkuar deri tash vonë autonomi për Kosovën,  për ta ndërruar tash së voni,  me kërkesën për Republikë në kuadër të Jugosllavisë, pa të drejtë shkëputjeje?! Po sipas Qosjes “politikë vërtetë kombëtare” i thuhet planit të shtetarëve të Shqipërisë për të angazhuar “mercenarë” për ta ruajtur kufirin në mes Shqipërisë dhe Kosovës, apo stacionimin e forcave të huaja të Greqisë, Italisë, apo të Paktit Atlantik, në kufirin shqiptaro-shqiptarë, për t’ua pamundësuar shqiparëve të diasporës për ta kaluar kufirin, për t’i mbrojur familjet e tyre apo për t’u bërë ushtarë të forcave të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vend që të kërkohet me këmbëngulje që Forcat e Paktit Atlantik të stacionohën në Kosovë, për ta mbrojtur popullësinë e paarmatosur shqipare nga forcat okupuese serbe. Mendoi se këto janë mjaft fakte bindëse për çdo njëri që i ka dy kokrra mend dhe ka arsye të shëndosh për të kuptuar politikën antikombëtare të diplomacisë së Shqipërisë ndaj çështjes kombëtare në përgjithsi dhe të Kosovës në veçanti.

Politikan Qosja mundohet që solidaridetin e popullit tonë në trojet e tij etnike dhe në diasporë,  gatishmërinë e tij për t’i dalë në ndihmë Drenicës tonë heroike, t’ia mveshë “politikës së vërtetë kombëtare” të qeverisë së Nanos kur thotë se “të gjitha ato që janë folur dhe janë bërë tashti në institucionet shtetërore të Shqipërisë, të gjitha ato protesta që janë bërë pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë, në Evropë, SHBA e Australi, flasin se shqiptarët kanë filluar të kenë një frymëmarrje dhe të sillën vërtet si komb modern. Unë dua të përsëris se rol të madh, madje vendimtarë, në këtë ka luajtur diplomacia dhe politika e tashme eShqipërisë’’. A nuk është qesharake dhe e mërzitshme një “përsëritje” e tillë që s’ka të bëjë fare me të vërtetën?!

Pse nxitet përçarja?

Qytetarët tanë janë treguar shumë solidarë dhe të gatshëm për t’i dalë në ndihmë Drenicës martire, e cila me qëndresën e burrave të saj trima së bashku me pjestarët e UÇK-së, i ka bërë për veti jo vetëm bashkëkombasit tanë, por edhe opinionin liridashës anë e kënd botës. Është me rëndësi të thuhet se manifestimet e shqiptarëve në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptarë dhe në katër anët e botës, e demaskuan deri në fund teorinë antikombëtare dhe bajate të Qosjes me bashkëmendimtarët e tij, të nevojës së mbajtjes së Kuvendit të pajtimit kombëtar. A nuk është ky një fakt që i hudhi poshtë të gjitha të pavërtetat se “kombi ynë është i përçarë në baza krahinore dhe fetare”? A nuk i hudhi poshtë mendimin e Qosjes se duhen pajtuar “toskët me gegët, veriu me jugun, myslimanët me të krishterët, orthodoksët me myslimanët”? A nuk treguan manifestimet se populli ynë nuk ka qenë dhe nuk është i përçarë në kurrfarë baze? Kush ka pasur nevojë, dhe me porosinë e kujt Qosja mundohej të krijonte probleme të paqena në popullin tonë? A nuk janë munduar në të kaluarën dhe nuk u munduan edhe në ditët tona të mbjellin përçarje krahinore dhe fetare strategët e “revolucionit të vonuar demokratik” të Shqipërisë, duke bërë përpjekje të kallin luftën vëllavrasëse në mes Veriut dhe Jugut të Shqipërisë?! A nuk treguan këto ngjarjet e fundit se të përçarë dhe në luftë të pakompromis janë vetëm politikanët e shtirë, që interesat partiake dhe personale kurdoherë i vënë mbi ato kombëtare, dhe për të arritur objektivat e tyre bëjnë aleanca edhe me armiqtë tanë shekullorë?!

Më në fund shrohet pyetja se deri kur Qosja do të luaj role destrukive në dëm të çështjes sonë kombëtare?! Deri kur Qosja do ta mbrojë politikën antikombëtare të Qeverisë së Nanos në dëm të çështjes sonë kombëtare?! Deri kur, Qosja do të bëjë kalkulime vetëm për interesat e tija personale?! Kur do të vetëdijësohet Qosja se nuk vlenë të mbrohet e pavërteta, sepse sado që zbukurohet ajo me fjalë të mira e të bukura, ajo mbetet e shëmtuar, dhe do ta shëmtojë çdo njërin  që mundohet ta mbrojë atë.

Botuar :’’Bota sot’’, më  7-8 qershor 1998


Warning: Undefined array key "postid" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 24

Warning: Undefined array key "increase" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 25

Warning: Undefined array key "show_views_today" in /home/clients/6ca2c35d081e8096cff6e12bbaf39c6f/sites/shefqet-jashari-strofci.ch/wp-content/plugins/page-views-count/src/pvc_widget.php on line 26

Loading