PARA GJYQIT TË DREJTËSISË DO TË DALIN JO VETËM DORASI, POR EDHE URDHËRUESIT E ATENTATIT NDAJ AHMET KRASNIQIT

Dihet se rastet i takojnë njerëzit për t’u bërë shokë dhe miq të mirë e të pandashëm për të kryer punë të mbara, por edhe për t’u bërë armiq. Njohja me Avdyl Lahun më bëri ta njoh Adem Demaçin. Njohja me Demaçin më bëri të njoh një plejadë atdhetarësh që kohën më të bukur të jetës ia kushtuan Kosovës dhe lirisë së shqiptarëve. Njohja me Sabri Novosellën më bëri ta njoh Metush Krasniqin, atdhetarin nacionalist dhe udhëheqësin e shquar të Lëvizjes tonë kombëtare, ndërsa njohja me familjen e Aziz Zhilivodës më bëri të njihem me Ahmet Krasniqin. Ishte viti 1967 kur u ktheva në shtëpi nga vuajtja e dënimit nga burgu famëkeq i Goli Otokut. Siç është zakon tek ne shqiptarët, pas vuajtjes së dënimit në familjen time vinin të më vizitonin burra të shtyrë në moshë, miq e dashamirë të familjes por edhe kryefamiljarë që nuk i njihja nga fshatrat për rreth Strofcit. Prej të gjithë vizitave që më patë bërë përshtypje, dhe që ende e kam të freskët në kujtesë, është vizita e djemve të Aziz Zilivodës me kusherinj. Më tepër se dhjetë burra patën ardhur të më nderojnë për përpjekjet e mia të vogla e simbolike, që ia bëra një argat shqiptarisë. Që nga ajo ditë, dy familje: Familja e Qerim Jasharit nga Strofci dhe Familja e Aziz Zhilivodës nga Zhilivoda u afruan me njëra- tjetrën dhe krijuan në mes tyre një miqësi dhe shoqëri të fortë dhe të sinqertë. Shkonim dhe vinim me djemtë e Aziz Zhilivodës dhe me Qerim dhe Qerkin Krasniqin, kushërinjtë më të afërt të Aziz Zhilivodës. Ishte vjeshta e vitit 1997 kur për herë të parë isha mysafir i djemve të Aziz Zhilivodës, që edhe më parë i njihja. Atë natë u njoha me Ahmetin, nipin e Azizit, i cili ishte nxënës i Shkollës së Mesme Teknike në Prishtinë. Shërbente në odë pa iu dëgjuar zëri, se ashtu e donte zakoni i odës. Të bënte përshtypje qetësia e tij shpirtërore, që i përngjante një plaku të mençur e të zgjuar që kishte një përvojë të gjatë jetësore. Viti shkollor 1968/69 ishte viti që krijoi mes meje dhe Ahmetit një shoqëri të sinqertë dhe respekt të ndërsjelltë. Thjesht u bëmë shokë të idealit. Shpesh takoheshim dhe bisedonim për çështje aktuale në dyqanin e Sabri Novosellës, që ishte vendtakim për shumë ish të burgosur politik nga mbarë Kosova, apo takoheshim në banesën e Metush Krasniqit në Prishtinë, i cili punonte në administratën e Shkollës Teknike në Prishtinë, si referent për çështje të nxënësve. Demonstratat e vitit 1968, dhe përkujtimin e tyre i përjetuam së bashku me Ahmetin nëpër rrugët kryesore të Prishtinës dhe në Varrezat e Qytetit, ku patëm vënë kurora lulesh mbi varrin e dëshmorit Murat Mehmetit. Në përcaktimin e Ahmet Krasniqit për të studjuar artin ushtarak, përpos familjes, ndikoi në veçanti Metush Krasniqi, i cili kishte bindje të thellë se Ahmeti me zgjuarsinë, seriozitetin, pjekurinë dhe origjinën familjare që e kishte, do të bëhet një oficer i aftë dhe i besueshëm për çështje të rëndësishme ushtarake, që do t’i duhej Lëvizjes tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar. Regjistrimi i Ahmet Krasniqit në Akademinë ushtarake nuk do të bëhej kurrë, po të mos ndodhnin ndryshime të rëndësishme në Jugosllavi, kur klani i Titos fitoi mbi klanin e Rankoviçit në Plenumin e Brioneve më 1996. Metush Krasniqi ishte njëri ndër intelektualët dhe udhëheqësit më largpamës të Lëvizjes sonë kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ai kërkonte nga veprimtarët e çështjes kombëtare dhe intelektualët që t’i shfrytëzonin të gjitha situatat e volitshme politike për aftësimin e kuadrove të domosdoshme, që i duhen Lëvizjes nga radhët e familjeve të dëshmuara për atdhedashuri, si dhe kërkonte që ata kuadro të futën në vende të rëndësishme të aparatit shtetëror, për t’i njohur sa më mirë dobësitë e atij sistemi, që në momentet e volitshme kur shqiptarëve “ju vjen shteku” t’i presin prangat e robërisë me humbje sa më të vogla. Ahmet Krasniqi në rrethanat e volitshme që u krijuan arrijti të regjistrohet dhe ta kryej me kohë Akademinë Ushtarake- Gjinia e Këmbësorisë në Beograd. Ahmet Krasniqi gjatë kohe sa ishte kadet, pushimet verore dhe ato dimërore i kryente në Zhilivodë në familjen e tij, por nuk ka ndodhur asnjëherë që të mos kthehet sëpaku një orë te unë. Më mungon koha të mirrem me shkrimin e kujtimeve, por shokut tim Ahmet Krasniqit ia kami borxh unë, shokët e tij të fëmijnisë dhe të shkollimit, bashkëveprimtarët dhe ushtarët e tij që e kryen shërbimin ushtarak me uniformat e ushtrisë së okupatorit, dhe ushtarët dhe ushtarakët që e kryen shërbimin ushtarak me uniformat e UÇK-ës, që t`i shkruajmë dhe mundësisht t’i dërgojnë për botim në gazetën kombëtare “Bota sot”, me qëllim që të hudhen poshtë me fakte shpifjet dhe gënjeshtrat e argatëve të serbit dhe grekut, të shqipfolësve kokëkrisur, të cilët u munduan ta njollosin Ahmetin jo vetëm sa ishte gjallë, kur bënte përpjekje të jashtëzakonshme për bashkimin e faktorit ushtarak dhe politik të Kosovës, për institucionalizimin e UÇK-së, për forcimin e saj me kuadro dhe armatime të nevojshme dhe për ta bërë atë ushtri të vërtetë kombëtare, por edhe pas vrasjes së tij mizore, që u bë nga një dorë e shitur krimineli (por urdhëri për ekzekutim u bë nga një Qendër antishqiptare e krijuar bashkarisht nga Serbia, Greqia, Rusia, dhe rrogtarë e spiunë të tyre, që i kanë gjetur në subjektet shtetërore dhe partiake të Shqipërisë dhe në strukturat partiake të partive apo organizatave të shqiptarëve të Kosovës). Ishte vera e vitit 1973, koha e pushimeve verore. Me rrogën e mësuesit të gjuhës shqipe nuk kisha mundësi t’i kryeja pushimet askund tjetër përpos se në vendlindjen time në katundin Strofc. Bënte vapë, por hija e një arre në oborrin tim më sjellte freski dhe pushim të këndshëm. Knaqësinë time ma shtoi pa pritë e pa kujtuar Ahmet Krasniqi i cili hyri në oborrin e shtëpis time i veshur me uniformën ushtarake. Si të duket- më tha?: “Nipi i Aziz Zhilivodës me uniformen ushtarake të ushtrisë së okupatorit”! Të paskan shumë hije Ahmet! – i thash, por uniforma e ushtrisë shqiptare do të ketë edhe me tepër hije. Folëm gjanë e gjatë për shumë çështje. Muzgu i mbrëmjes na zëri nën hijen e arrës pa e hetuar kohën që iku aq shpejt. Edhe pse darka ishte bërë gati, Ahmeti nuk ndejti të darkojë se e kishin paralajmëruar se do të kishte mysafirë. E përcolla shokun tim deri te Dardha e Migjës Amrush. Ai me hapa të shpejtuar mësyu Zhilivodën që nuk kishte më tepër se 15 minuta rrugë këmbë, ndërsa unë u zhdjerga teposhtë për në shtëpi, i gëzuar shumë që Ahmeti arriti ta kryejë njërën nga detyrat e para, që ishte zotuar se do ta kryente. Deri vonë nuk më zuri gjumi atë natë. Ahmeti më rrinte para sysh me gradat e ushtrisë jugosllave. I paramendoja pengesat psiqike që do t’i ketë Ahmeti tek bashkëvendasit dhe në fshatin e lindjes në Zhilivodë. Si do të sillen ndaj tij injorantët dhe “patriotët romantikë”, ata të cilët nuk shohin më larg se hundën e tyre, ata të cilët nuk dinë të mendojnë dhe as të gjykojnë? Por mendimi se familja e tij, Metush Krasniqi, Sabri Novosella dhe unë që i kishim dhën zemër të regjistrohet në akademinë ushtarake, që e kishim përkrahur moralisht për t’i kryer studimet, dhe e kishim udhëzuar që të mos bjerë në kurthat e njerëzve të ligj, ishte një gëzim i madh, se ishim të bindur se një ditë ushtaraku Ahmet Krasniqi dhe shumë djelmosha tjerë, që do ta ndjekin rrugën e tij, do t’i dalin zot Kosovës me dijet dhe përvojën ushtarake që do t’i fitonin në akademitë dhe garnizonet e okupatorit tonë. Pas një viti, përafërsisht në të njëjtën kohë, Ahmeti hyri në oborrin tim. Nuk e kishte veshur uniformën ushtarake. Kam ardhur me punë Shefqet-më tha. Mirë se të ka pru Zoti, Ahmet, ” nuk ka shtëpi pa derë” thotë një fjalë e urtë popullore, i thashë. Kërkova të më tregojë se ku e ka hallin dhe çka e mundon. Kam një hall Shefqet. E kam vështirë ta vendos vet. Kërkoj ndihmën tënde, por do t’i pyes edhe Bacin Metush dhe Sabriun. Ju do të më ndihmoni për ta zgjidhur problemin, që po më mundon tepër shumë. M’i tregoi planet që i ka për vazhdimin e studimeve në laminë e artit ushtarak. Nuk kisha çka të kundërshtoja. Çdo gjë ishte në rregull dhe më gëzonte pa masë që kishte një vullnet aq të fortë për të arritur kulmin e dijeve në artin ushtarak. ” Po, i thashë, plane të mira dhe qëllime të mrekullueshme. ” A ka qëllime më të larta se kur njeriu me tërë qenien e tij i kushtohet aftësimit të tij profesional me të vetmin qëllim, që një ditë ato njohuri dhe dije t’i vejë në shërbin të atdheut dhe vendlindjes së tij, që e rriti dhe e edukoi, që ia mësoi gjuhën, zakonet, që ia dha pjekurinë dhe burrërinë. Po u kujtua pak dhe më tha: “Por për t’i arritur të gjitha këto që t’i thashë po më dalin ca pengesa të natyrës objektive por edhe subjektive. Prejardhja e familjes time po më qet pengesa edhe në punët e përditshme pasi që “KOSI” po më përcjell këmba- këmbës, e lere më të më lejojë të vazhdoj studimet e mëtutjeshme. Arma e vetme që mund ta përdor dhe që do t’i amortizonte pengesat e do të hapi perspektivën për t’i vazhduar studimet do të ishte martesa ime e përshpejtuar”. I ndërhyra në bisedë.- Po çfarë pengese paraqet martesa kur atë mund ta bësh shpejt dhe mirë pa e pritur as dimrin.- Lem ta kryej- më tha. Po qe se e marr një vajzë shqiptare për t’i ndarë gëzimet dhe hidhërimet e jetës, për të krijuar ardhëmërinë tonë të përbashkët, të gjitha planet që t’i tregova do të bien në ujë. Dyert e studimeve të larta do të më mbyllën. Aftësitë e mia ushtarake do të mbeten të mangëta. Qëllimet do të mbeten të parealizuara. Të marr për grua një vajzë nga radha e kombit që na krijoj aq shumë vuajtje dhe aq shumë dhimbje, nuk ma thotë zemra, edhe pse një martesë e tillë do t’i amortizonte pengesat dhe vështirësitë që i ceka. Jam në një luftë të thellë shpirtërore. Se a do të fitojë arsyeja apo do të fitojnë ndjenjat varet shumë prej teje, Bacit Metush dhe Sabriut. Pres ndihmën e juaj. Si të përgjigjem? Sekondat u bënë minuta, minutat u bënë orë, derisa m’u zgjidh gjuha për t’ia dhënë mendimin shokut tim, i cili kishte një biografi të bardhë pa asnjë njollë. Për ta dhënë një mendim të arsyeshëm duhet gjërat të peshohen mirë dhe drejt. Pengesat dhe synimet e Ahmetit i ndava në dy boshçe. Vuajtjet e Ahmetit, të familjes së tij dhe mbarë popullit shqiptarë, të shkaktuara nga serbo-sllavët i vuara në boshçen e parë. Në boshçën e dytë i vuara planet e Ahmetit, të shokëve të tij dhe të Lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar. Boshçja e dytë peshoi më rëndë në peshojen e arsyes. Po sikur t’i kisha bër matjet e boshçeve me peshojen e ndjenjave me siguri do të rëndonte më tepër boshçja e parë, ajo që do të pengonte Ahmetin të vazhdonte rrugën e nisur. Dëgjo Ahmet! Unë po të them se çka kisha për të vepruar unë po të isha në vendin tënd. Rrugën e filluar nuk do ta ndërpreja, prandaj edhe ti Rrugën që e ke filluar për hir të idealeve të larta, për të cilat edhe ke shkuar në Akademinë ushtarake ta studjosh artin ushtarak, nuk bën ta lësh për gjysmë… Kaloi të gjitha pengesat me arsye dhe zgjuarsi. Lojën e arkëtimit në shoqëri me kolegët jugosllavë vazhdoje pa ngurim. Kosova do të ketë nevojë për dijën dhe përvojën tënde ushtarake dhe për dijën e shumë ushtarakëve tjerë që do të ndjekin rrugën tënde. Bëj përpjekje ta gjesh një vajzë pa ngarkesa shoviniste, që të don me shpirt. Interesi kombëtar të ka drejtuar të futesh shtigjeve të panjohura të një rruge me zikzake dhe pengesa të llojllojshme. Kam besim se ke forca shpirtërore dhe morale t’i tejkalosh edhe pengesat psikologjike, dhe shpirtërore, për hir të interesave madhore kombëtare. Ahmeti më dëgjonte me vëmendje të jashtëzakonshme, por nuk i mohoi dhe as nuk i pohoi me asnjë fjalë mendimet e mia. Nuk e zgjati ndejën dhe lypi izën me arsyetimin se do të shkonte në Prishtinë. E përcolla shokun tim deri te “Roga e Sanës”, atu ku rruga këmbësore e çonte për Hamidije, Plemetin dhe Obiliq, aty ku duhej ta merrte autobusin për Prishtinë…

FORMIMI I MINISTRISË SË MBROJTJES NGA QEVERIA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS SHKONTE NË KUNDËRSHTIM ME PLANET STRATEGJIKE DHE TAKTIKE TË SERBISË QË KISHTE PËR KOSOVËN. Nëntori i vitit 1979 na shpërndau dhe na bëri pikë e pesë. Atëherë kur unë dhe disa celula të Organizatës ramë në burg, Jusuf Gërvalla dhe Sabri Novosella u detyruan të marrin rrugën e kurbetit, ndërsa Metush Krasniqi e vazhdoi edhe më tutje aktivitetin ilegal në Kosovë. Siç kam mësuar më vonë, ai kishte bërë përpjekje për t’i bashkuar organizatat dhe grupet ilegale, që vepronin atëherë, për ta mbajtur të ndezur zjarrin e rezistencës tonë kombëtare, ndërsa Ahmet Krasniqi që ishte i lidhur drejtpërdrejt me Metush Krasniqin në organizatën e LNÇKVSHJ-së kishte detyra speciale në aspektin ushtarak, që përpos Metush Krasniqit askush nuk ka mundur t’i dinte nga Udhëheqja e ngushtë e Organizatës… Ishte vjeshta e vitit 1996. Binte shi i rreptë. Mbrëmje e mërzitshme, kur gjendesh larg vendlindjes dhe njerëzve që të duan dhe i do. Si të ndihesh mirë kur je larg familjes, je jashtë atdheut, i cili e pret ndihmën tënde dhe ndihmën e çdo shqiptari, për të mos e lënë të pa mbrojtur, për të mos e lënë në atë gjendje, që donte ta poshtronte këmba e huaj mizore. Krisma e telefonit më shkëputi nga leximi i një libri që më jepte njohuri për jetën e amshueshme. U lajmërua Sefedin Krasniqi. Pas bisedave të zakonshme që ishin edhe më të shkurta se zakonisht më tha: Don të bisedojë me ty një shok yti. U lajmërua një zë i njohur pa u prezentuar se kush ishte. Shefqet si je? Një sekondë mjaftoi për ta deshifruar se kush ishte. I thash: Ahmet ti je?! Po ku je or Burr i Dheut, se menjëher po vij të të takoj. Nuk e zgjatëm bisedën dhe u muarëm vesh me Sefën që ai të vinte me Ahmetin te unë në La Chaux-de Fonds, në një qytet të bukur të Zvicrës Romandë. Edhe pse ardhja e tyre nuk vonoi më tepër se një orë e gjysmë, mua m’u duk se pritja ishte tepër e gjatë. Kishim qenë përmalluar shumë për njëri tjetrin. Sefa dhe familja ime e kuptuan dëshirën tonë që kohën që e kishim në dispozicion të mos e ndajmë me ta. Tri orë bisedë në katër sy kaluan sa çel e mshel sytë. Shumë biseda mbetën të pakryera. U trajtuan shumë çështje aktuale. Po më prekset ishin evokimet e kujtimeve për shokët që na lanë dhe shkuan në botën e amshueshme me sy çelur për ta parë Kosovën dhe viset tjera shqiptare të çliruara dhe të bashkuara me Nënën Shqipëri. I shprehëm ngushëllime njëri tjetrit për Metush Krasniqin dhe Jusuf Gërvallën. Më foli edhe për takimin e fundit që e kishte pasur me Metushin në Zagreb më 1986. Nuk kishte kohë më tepër të rrinte për t’i kryer bisedat e nisura, për t’i trajtuar çështjet për të cilat kishte biseduar me Bujar Bukoshin me Xhafer Shatrin e me njerëz tjerë. E përcolla shokun tim të vjetër, që aq shumë ishte plakur. Po si të mos plaket shoku im, jeta e të cilit “në liri” ishte shumë më e vështirë se e të burgosurit në burgjet serbe. A jetohet tërë jetën duke aktruar në shoqëri me katilët e popullit tënd. Sa vështirë e pati shoku im të ushtrojë profesionin e ushtarakut në ushtrinë e huaj, në armatën e okupatorit, jashë Kosovës, larg familjes. Vetëm ideali i lartë se një ditë do të ketë nevojë ajo gjysmë Shqipërie e robëruar dhe e copëtuar nga kasapët serbo-sllavo-grekë për dijen dhe aftësitë e tija ushtarake, bëri që të mos i ligshtohet zemra, bëri që të mos i dobësohet arsyeja. Ai dhe shumë ushtarakë tjerë ishin të vëzhguar dhe të përcjellë këmba- këmbës nga Sigurimi ushtarak i Armates Jugosllave. Edhe gjesti më i vogël i oficerëve shqiptarë, që tregonte se ata nuk janë “projugosllavë”, jo vetëm që do t’i largonte nga ushtrimi i profesionit të ushtarakut, por edhe do të denoheshin me burgje të gjata… Ishte marsi i vitit 1998 kur situata politike në Kosovë ishte e tendosur. Serbia, Greqia dhe aleatët e tyre përgaditeshin për të na e dhënë grushtin e fundit, që shqiptarët kurrë më të mos ngrihen në këmb, por të mbeten argat e skllevër dhe lëndë ndërtimi për kombet e tyre. Shqiptarët as për së afërmi nuk ishin bër gati për një ndeshje, që ishte vendimtare për ardhmërinë e tyre. Armiqtë tanë i kishin skenarët, planet dhe ushtritë e tyre të gatshme që të na sulmojnë. Vetëm pritej shkaku. Grupet e armatosura ilegale që i udhëhiqnin Adem e Hamzë Jashari, Zahir Pajaziti e Salih Çeku vepronin në kushte dhe rrethana jashtëzakonisht të vështira, pa armatime të nevojshme dhe ishte e pamundur që ato grupe guerile ta mbajnë luftën frontale me shkaun, ndërsa argatët dhe nxënësit e Nanoisit punonin me hapa të shpejtuar për ta këthyer luftën guerile, që bëhej në Kosovë kundër forcave serbe, në luftë frontale, mu ashtu siç i shkonte për shtati (konvenonte) Serbisë. Duhej të bëhet një riorganizim i shpejtuar dhe një përgatitje e përshpejtuar, për t’i qitur në ujë planet dhe skenaret e armiqve tanë. Qeveria e Kosovës edhe pse ishte vonuar shumë dha shenja se do të bëjë ç’është e mundur për të krijuar strukturën organizative që do të merrej me çështje të mbrojtjes së Kosovës. Ushtarakët e Kosovës të cilët gjendeshin në diasporë, treguan gadishmërinë e tyre për ta kryer punën që u takon, qysh kur armiqtë tanë më 1997 e kallën Shqipërinë, dhe në strukturat shtetërore të saj i vunë vasalët dhe spiunët e tyre. Formimi i Ministrisë së Mbrojtjes nga Qeveria e Republikës së Kosovës, shkonte në kundërshtim me planet strategjike dhe taktike të Serbisë për Kosovën. Armiqtë tanë e panë të nevojshme për ta prishur dhe penguar çdo nismë të mirë të shqiptarëve, çdo organizim që do t’i pengonte planet dhe skenarët e tyre. Tani, pasi në krye të Shqiprisë e kishin Nanosin, ishte një lehtësim dhe ndihmesë e madhe për ta. Nanosi nuk e kishte vështirë t’ua bënte shërbimet e duhura si grekve ashtu edhe serbëve. Sigurimi i Shqipërisë i kishte njerëzit e tij në të gjitha subjektet politike të Republikës së Kosovës, por edhe në LPK-në, Organizatën staliniste që vepronte në diasporë. Të gjithë sigurimcat e Sigurimit Shtetëror të Shqipërisë morën detyra konkrete nga njerëzit e Nanosit. Njëra ndër detyrat më me rëndësi të spiunëve të grekut dhe serbit, që vepronin në SHIK-un e Shqipërisë e që ishin nën urdhërin e Nanosit, ishte që të mos lejohet formimi i një ushtrie të mirëfilltë të Republikës së Kosovës. Për të arritur ato qëllime, duhej të mirrej udhëheqja e njësive guerile, e cila gjatë tetë vjetëve të veprimtarisë së saj kreu aksione që u shkonin për shtati vetëm interesave kombëtare të shqiptarëve. Siç dihet, me përkrahjen e Nanosit dhe SHIK-ut të Shqipërisë, stalinistët e Kosovës e morën udhëheqjen e njësive guerile që vepronin në Kosovë. Komandantët e parë të tyre ose u qitën në kurtha për t’i vrarë shkau, ose u eliminuan me mjete perfide. Formimi i Pjesës së SHP të FARK-ut në Tiranë nga Ahmet Krasniqi në prill-maj të 1998, që pasoi pas arrijtjes së Marrëveshjes për bashkimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe UÇK-ës në mes Ahmet Krasniqit dhe Adem Demaçit në Osllo të Norvegjisë, ishte një fitore e rëndësishme e shqiptarëve, por fatkeqësisht, nuk pati jetë të gjatë, pasi që Nanosi nuk lejoi të jetësohet dhe kështu ai, nëpërmjet argatëve të tij dhe ”pionerëve të Enverit”, që i kishte në krye të ca subjekteve politike të Republikës së Kosovës, në diasporë dhe në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, penguan me të gjitha mënyrat Ahmet Krasniqin në synimet e tija për ta formuar një ushtri kombëtare, penguan forcimin dhe institucionalizimin e UÇK-së, për të cilën Ahmet Krasniqi punoi aq shumë, duke u munduar t’i bindte shumë personalitete me ndikim se vetëm me bashkimin e shqiptarëve në baza kombëtare dhe me bashkimin e faktorit ushtarak dhe politik të Kosovës mund të arrihet çlirimi i Kosovës. Nanosi e Klosi me argatët e tyre dhe ”pionerët e Enverit” kur e panë se Ahmet Krasniqi ky, Burrë i Madh i Kosovës, i cili, edhe pse në kushte tejet të vështira, mu para hundëve të spiunëve të grekut dhe shkaut që vepronin të lirë në Tiranë, po ua prishte shumë planet atyre që i thurnin kundër shqiptarëve dhe shqiptarisë,- e vranë në Tiranë dhe ua bënë me dije nacionalistëve shqiptarë se Dushani dhe Milladini janë të gjallë në Shqipëri. Pushkatimi i Ahmet Krasniqit, në mënyrën dhe në rrethanat si u krye, duhet t’i bindte shqiptarët nacionalistë se farën e keqe, që e mbollën të huajt në truallin shqiptar, nuk do të thahet prej vetvetiu, por varet prej tyre a do të rritet dhe forcohet, apo do të zhduket dhe thahet një herë e përgjithmonë. VETËM PENA E SHKRIMTARIT TË MIRË DO TË MUNDË TA SHKRUANTE REALISHT E BUKUR DRAMËN SHPIRTËRORE TË AHMET KRASNIQIT Është fatkeqësi që nuk kamë mundësi dhe aftësi t’i vëj në letë me mjete artistike përjetimet shpirtërore të Ahmet Krasniqit, kur arrinte suksese, siç ishte Marrëveshja me Adem Demaçin, për bashkimin në një komandë komanduese të Ministrisë dhe UÇK-së, apo nënshkrimi i Marrëveshtës për blerjen e armatimit të rëndë nga një shtet mik, futja e brigadave të para në Kosovë nën komandën e ushtarakut madhor Tahir Zemës, dhe sukseset ushtarake të këtij në Betejën e Logjës dhe beteja tjera, dërgimi i një grup ushtarakësh në Bosnje për kryerjen e një kursi të përshpejtuar për aftësimin e tyre për t’i udhëhequr dhe komanduar brigadat që ishin në formim e sipër. Vetëm pena e shkrimtarit të mirë do të mundte arrinte ta shkruante realisht e bukur dramën shpirtërore të Ahmet Krasniqit, kur spiunët e grekut dhe shkaut dhe argatët e Nanoisit i sjellnin pengesa dhe mossuksese Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ahmet Krasniqit, kur masakrohej popullsia e pambrojtur e Kosovës nga ushtria e Serbisë, kur i vritej ushtari apo ushtaraku në frontin e luftës me shkaun. Edhe sot nuk më hiqet nga mendja ajo skena trishtuese e një lufte të brendshme që luhej në shpirtin dhe trupin e Ahmet Krasniqit, i cili përpëlitej tërë natën pa shtënë gjumë në sy . Me netë të tëra mbeti pa gjum (në banesën që banonim bashk unë, Ahmeti Krasniqi, Hilmi Nebihu dhe Naim Muja), kur Tahir Zemës nuk pati kurrfarë mundësie Ministria e Mbrojtjes t’ia dërgonte armatimin e planifikuar, pasi që e penguan argatët e Nanosit, të cilët nuk donin të ketë suksese ushtarake Ministria e Mbrojtjes, nga friga se me forcimin e Ministrisë, ata nuk do ta kenë pushtetin mbi shqiptarë të Kosovërs. Për këto ngjarrje, dhe ngjarje tjera, mund të shkruhen drama e romane me personalitete dhe ngjarje reale, që për shpirtin e lexuesit me zemër të bardhë, dhe shpirt të pastër do të ishin tronditëse, kur do të kuptonin se deri ku mund të shkojë marrëzia e karrieristëve të sëmurë për pushtet dhe të partiakëve të shtirë, të cilët, për hirë të interesa të tyre personale, grupore, klanore dhe partiake, penguan çdo punë të mirë të shqiptarëve, penguan forcimin e UÇK-së dhe institucionalizimin e saj, nuk lejuan bashkimin e faktorit ushtarak dhe politik të Kosovës dhe më në fund arritën kulmin e poshtërsive kur e vranë Ministrin e Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqin, atë Burrë të Madh të shqiptarisë, i cili bënte pjesë ndër njerëzit më me rëndësi në organizatën LNÇKVSHJ, i cili kishte mar detyra speciale nga Metush Krasniqi që nga 1976. Puna, jeta dhe vepra e Ahmet Krasniqit dëshmoi se ai me përpikëri filloi realizimin e detyrave që ia kishte shtruar Metush Krasniqi dhe që ai ia kishte shtruar vetvetes. Ahmet Krasniqin nuk e vuri në ballë të ushtarakëve të Kosovës partia, se parti nuk pati dhe as që donte të kishte, se për te parti ishte shqiptaria, nuk e vuri në krye të ushtarakëve të Kosovës klani, se klan nuk kishte dhe as që donte të kishte. Në krye të ushtarakëve e emëruan ushtarakët koordinatorë, që i përfaqësonin të gjithë ushtarakët e Kosovës që ishin jashtë Kosovës, duke ditur për aftësitë e tij luftarake e strategjike, duke ia njohur prejardhjen nacionaliste të familjes së tij dhe qëndrimin burrëror që e mbajti gjatë gjithë asaj kohe që kreu profesionin e ushtarakut në ushtrinë e okupatorit. E vranë Ahmet Krasniqin armiqtë tanë me dorën katile të shqiptarëve të shitur që u bënë spiunë dhe vasalë të serbit dhe grekut, duke ditur se përvoja dhe aftësitë e tija organizative dhe ushtarake do të çonin deri te formimi i një ushtrie të rregullt dhe të fuqishme kombëtare, që do të çonte në çlirimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nga vetë shqiptarët me ndihmën materiale dhe diplomatike të aleatëve dhe miqve të popullit shqiptar të Amerikës së fuqishme, Anglisë liridashëse, Gjermanisë- aleatës së Amerikës, burrave të mëdhenj të botës, zotërinjve Klinton, Bleir, Shirak, Solanës, Klarkut, Shrederit, mikeshës së madhe të kombit shqiptar dhe diplomates së shquar të SHBA-ve zonjës Olbrajt dhe miqve të shumtë që shqiptarët i kanë në katër anët e botës. Tani opinioni ynë i ka të qarta shumë ngjarrje, për të cilat, para një viti apo para dy vitesh, nuk dinte asgjë. Shumë prapaskena të njerëzve të ligë, që i luajtën në kurriz të popullit të shumëvuajtur shqiptarë janë të njohura. Krimet e kriminelëve serbë i ka gjykuar gjithë bota. Gjyqi i Hagës do t’i gjykojë me radhë po qe se denimi i tyre do të zgjatë një shekull. Fatkeqësisht krimet e kriminelëve shqiptarë, që vranë shqiptarë për arsye se nuk mendonin si ata dhe që nuk donin t’i kryenin urdhërat e Nanosit dhe argatëve të tij, kanë mbetur deri tash të pagjykuar, përpos nga individë guximtarë. Për habi, ata kriminelë endën, sorollaten, e pispillohën të lirë në hapësirën shqiptare. Disa prej tyre kanë zënë pozita udhëheqëse në subjekte politike të Kosovës, disa të tjerë kanë përvehtësuar pasuri shoqërore, ndërsa argatët e tyre, llam-takami i shoqërisë shqiptare po i kryen urdhërat e tyre, duke rrahur dhe vrarë njerëz autoritativë, që i do populli, dhe të gjorët nuk po e kuptojnë se punën e shkaut dhe të grekut po e bëjnë. Po duhet ta kenë të qartë kriminelët që i urdhërojnë mjeranët të bëjnë krime, se ata janë më kriminelë se veglat e tyre që po e ngrehin gishtin e krimit, dhe si të parët, si të dytët, nuk do të vonojë shumë kur do të duhej të japin llogari para drejtësisë shqiptare apo asaj ndërkombëtare për krimet që bënë mbi shqiptarët. Dhe, po qe se vdesin në fatkeqësi komunikacioni, apo për shkaqe tjera, nuk do t’i shpëtojnë dënimit se do të dënohen për së vdekuri dhe vendimi do t’u varet në gurin e varrit, me një epitaf kuptimplotë për t’u treguar kalimtarëve të rastit, por edhe bashkëvendasëve të tij se krimi kurrë nuk vjetërohet. Rrogtarët e armiqve tanë me në krye Nanonosin, do ta hanë kryet e vet, pa të keqen e shqiptarëve. Argatët e rrogtarëve të armiqve tanë do të jepin llogari para drejtësisë shqiptare. Ndërsa nxënësit dhe pionerët e argatëve të rrogtarëve të armiqve tanë do të falën apo do të dënohen më së lehti që është e mundur, po qe se sinqerisht pendohen për veprat e tyre të ndyera dhe i tregojnë kryekriminelët që i mashtruan me parulla patriotike apo iu dhanë tëholla për të vrarë atdhetarë. Gjaku i bijve më të mirë të kombit: Shaban, Adem e Hamz Jasharit, Zahir Pajazitit, Azem Hajdarit, Ahmet Krasniqit, Agim Ramadanit, Salih Çekut, Komandant Kumanovës e dhjetëra Burrave të Dheut, që u qitën në prita të kiminelëve të Serbisë, apo u likuiduan me mjete perfide, duke ua përgatitur rrethanat e vrasjes nga ushtria dhe policia e shkaut apo veglat e tyre –shqiptarët tradhtarë, nuk guxon të mbetet pa u shpaguar, nuk guxon të mos zbulohen dhe të mos dënohen para drejtësisë shqiptare, mos për asgjë tjetër, për të marrë mësim fara e ligë që na e mbollën të huajt, për të mbledhut mend të tjerët që të mos punojnë për llogari të huaj, se i pret dënimi. Atdheu ka nevojë për shtetin ligjor dhe për drejtësi më tepër se për bukë dhe për ujë. Drejtësia do të fitojë. Të ligjtë do të humbin. Populli është i pagabueshëm dhe shuplaka e tij është e madhe! Mjeri ai i mjeri që e provon flakareshin e tij, se ai më nuk është i gjallë edhe pse bukë ha dhe ujë pi. Atij i thonë njeri i vdekur për së gjall. Atij i thonë edhe stërrvinë. Një komb që në mesin e tij ka shumë njerëz të vdekur për së gjalli e gjejnë të këqijat dhe të ligat pa pritur dhe pa kujtuar, po qe se atyre iu besohet. Shqiptarët janë provuar me shumë të liga dhe me shumë telashe që ia sollën në shtëpi, përpos të huajtë, edhe ajo fara e keqe. Populli shqiptar duhet ta hjerri atë bar të keq, i cili tani është dalë në mejdan. Edhe plakat dhe pleqtë, që kohën e kalojnë, duke i ndier dhimbjet e trupit nga pasojat e robërisë dhe varfërisë, edhe rinia jonë heroike, edhe fshatarët, punëtorët dhe intelektualët sot po e njohin atë farën e keqe, e cila po mundohet ta marrë pushtetin e Kosovës së çliruar nga NATO-ja dhe luftëtarët trima të UÇK-së me anë të lajkave, premtimeve të rrejshme, kërcënimeve dhe krimeve. Populli ynë e ka shansin historik që me dorën e tij, duke mos i dhënë votën asaj fare të keqe, por njerëzve që ia ka besën, që i njeh se janë të mirë, që janë të ndershëm, që janë të drejtë dhe që janë të aftë për t’i kryer detyrat që u besohën me përgjegjësi, ata të cilët interesin kombëtar në as një mënyrë nuk e shkelin për interesa banale, siç janë ato personale, grupore apo partiake. Pra, vetëm me njerëz të tillë, me atdhetarët nacionalistë dhe demokratët të vërtetë që dinë se ku i kanë aleatët shqiptarët, që e urrejnë komunizmin dhe majtizmin ashtu sikurse edhe robërinë, mund të fitohet pavarësia e Kosovës, mund ta rrisin numrin e miqve dhe ta zvogëlojmë numrin e armiqve, mund t’i përmirësojmë kushtet jetësore të familjeve të dëshmorëve, të invalidëve të luftës dhe të popullsisë së Kosovës. Mund të arrihet me hapa të ngadalshëm, po të sigurt-bashkimi kombëtar. Me njerëz të tillë do të vihen para drejtësisë kriminelët serbë dhe kriminelët shqiptarë, do t’ia prehën rrënjët farës së keqe që bashkëpunoi dhe po bashkëpunon me armiqtë e kombit shqiptar, pasi që me humbjet që do t’i pësojë në zgjedhjet e tetorit të këtij viti, do ta humbin edhe përkrahjen e serbit, rusit dhe grekut, duke ditur se argatët e tyre që u bëne¨njerëz të vdekur për së gjalli nuk do të kenë fuqi të luajnë rolin e udhëheqësve partiak dhe as baballarëve të kombit.

Botuar:”Bota sot” më 11-13 tetor 2000 PS. Nëntitujt i ka vënë redaksia.

Loading