SI U KRIJUA UÇK-ja, KUSH DHE KUR E KRIJUAN ATË

Me rrëzimin e Murit të Berlinit filloi procesi i shkatërrimit të sistemit të djallit të mallkuar të mbështetur në demogagji, gënjeshtër, dhunë, gjakderdhje dhe krime të llojllojshme. Diktarorët e kuq të Evropës Lindore filluan të bien nga pushteti njëri pas tjetrit sikut të ishin “tigra prej letre”. Shovenizmi serb nuk kishte të ndalur. Dita ditës rriteshin kundërthëniet në mes udhëheqjes serbe dhe atyre slloveno-kroato-boshnjake. Pritej fillimi i zhbërjes së Jugosllavisë. Pa mëdyshje, përpos faktorëve të brendshëm, edhe faktorët e jashtëm ndikuan fuqishëm në përshpejtimin e zhbërjes së Jugosllavisë së Versajës dhe të AVNOJ-it. Shovinizmi serb i çuar peshë nga privilegjet që ia kishte rezervuar vetvetes dhe nga friga se ato privilegje do t`i humbë, nuk dinte se ku ta zbrazë vënerin e urrejtjes së përgatitur nga Akadima e Shkencave të Serbisë dhe strukturat shtetërore të Beogradit. Shqiptarët e ndarë po nga Fuqitë e Mëdha sikurse edhe gjermanët, nuk i kishin mundësitë, rrethanat dhe as aleatët siç i kishte Gjermonia, për t`i realizuar synimet shekullore siç i realizuan gjermanët. Lëvizja jonë kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar u detyrua të bënte hapa të matur, që do të çonin në suksese të njëpasnjëshme deri të na vijë “shteku” për t`i këputur prangat e robërisë. Pajtimi i gjaqeve ishte një fitore e rëndësishme që ndikoi në homogjenizimin e shqiptarëve. Formimi i LDK-së dhe ndryshimi i rrethanave të brendshme në Jugosllavi bëri që aspiratat shekullore të popullit tonë të shprehen në mënyrë legale, ndërsa përcaktimi i LDK-së dhe i partive tjera për realizimin e atyre aspiratave në mënyrë paqësore, mundësuan krijimin e themeleve të shtetësisë së Kosovës, pa u konfrontuar seriozisht me pushtuesit serbë. Miratimi i Deklaratës Kushtetuese dhe i Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga Parlamenti i Kosovës, zgjedhjet Presidenciale dhe Parlamentare, mbajtja e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, konstituimi i Presidencës dhe formimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, përgaditjet për formimin e njësive ushtarake të Republikës së Kosovës duke i dërguar në Shqipëri për të ushtruar djem dhe burra atdhetarë nga Kosova dhe Diaspora, ishin suksese të pamohueshme të Lëvizjes sonë kombëtare në vitete e para të `90-tave, nën udhëheqjen e LDK-ës dhe subjekteve shtetërore të Republikës së Kosovës. Edhe pse plani i paraparë nga organet shtetërore dhe partiake të Republikës së Kosovës për t’i bërë përgatitjet e duhura për fillimin e luftës çlirimtare, nuk u kryen në tërësi, për shkak se diplomacia amerikane dha urdhër të ndërpriten përgatitjet e mëtutjeshme, me arësyetimin se Kosova nuk duhej të hynte në luftë me Jugosllavinë në këto kushte dhe në këto rrethana, udhëheqjet e Kosovës dhe të Shqipërisë u pajtuan në princip me qëndrimin e SHBA-ve, por në anën tjetër lejuan të formohen celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Republikës së Kosovës me veprimtarë dhe burra atdhetarë, të cilët do t’i krijonin njësitë e para guerile në Kosovë për të kryer aksione ilegale të kohëpaskohshme por të kontrolluara nga Udhëheqja e Kosovës. Për arritjen e këtyre qëllimeve duhej të dërgoheshin armatime dhe municione të domosdoshme nga Shqipëria në Kosovë. Këtë punë e kreu me sukses pas përgatitjeve të duhura Njësia e parë ushtarake e Republikës së Kosovës e formuar në Shqipëri në tetorin e vitit 1981. Njësia përbëhej nga 43 ushtarë të zgjedhur nga grupi i dytë i rekrutëve të ardhur nga Kosova dhe Diaspora, të cilët i bënë përgatitjet e duhura fizike dhe ushtarake në dy garnizonet e Shqipërisë, që Kosovës iu patën lejuar t`i përdorë për aftësimin e rekrutëve dhe kuadrit ushtarak. Njësia ishte formacion ushtarak i veshur dhe i armatosur mirë. Komandohej nga Salih Çeku, i cili me veti kishte marrë 74 kallashnikovë të prodhimit kinez, bomba dore dhe municion, ndërsa në radhët e tij ishte edhe Adem Jashari. Kjo ishte njësia e parë ushtarake që e shkeli kufirin shqiptaro-shqiptar në historinë tonë më të re (50 vjeçare) pa u hetuar nga forcat okupuese serbe dhe hyri në Kosovë. Njësia kishte për detyrë ta fshehë armatimin në baza të sigurta, çka do të shërbente për armatosjen e njësive të para guerile të Republikës së Kosovës. Duke ditur se sigurimi jugosllav i kishte futur hundët kudo ku jetonin dhe vepronin shqiptarët, ishte e domosdoshme që armatimi i sjellë nga Shqipëria të ndrronte vend kohë pas kohe. Në fillim ai u fsheh në Voksh te Sali Panxha. Pastaj armatimin e muar për ta fshehur Demë Tolaj me njerëzit e tij në Pobergj. Pas një kohe armatimi kalon në Broliq te Salih Çeku, ku një pjesë i tij (43 copë kallashnikovë me municion të nevojshëm) e muarën Saim Tahiraj me Xhemajl Berishën dhe e dërguan në shtëpin e Saimit në Beleg të Deçanit. Për shkaqe sigurie pas një kohe vëllezërit Tahiraj armatimin e kanë strehuar në plemen e Avdyl Mulliqit, prej nga- brenda muajit tetor- shpërndahet në pika të ndryshme të Kosovës, ku tashmë ishin formuar njësitet e para guerile të Republikës së Kosovës. Ndër të parët kanë arritur për të marrë armatimin Adem Jashari nga Prekazi së bashku me Xhafer Zenën nga Prishtina, të cilët i kanë marë 16 copë kallashnikovë, bomba dore dhe municion. Për Njësitin gueril të Podujevës armatimin e ka marrë Salih Zeqiri, për Mitrovicë Nazmi Bajrami, ndërsa për Shkup “Hoxha”. Pas shpërndarjes së armatimit në muajët nëntor- dhjetor të 1991 kanë filluar aksionet e para të armatosura kundër pushtuesve serb. Adem Jashari me njësitin e tij sulmoi kamponjollin e policisë serbe afër Gllogofcit. Ekrem Sheholli me njësitin e tij e sulmoi punktin e policisë në Podjevë. Ndërsa Salih Çeku me njësitin e tij bëri një sulm mbi patrullën e policisë në rrugën Deçan-Lumbardh. Këto aksione dhe aksionet tjera të njësiteve guerile që u kryen me sukses në Llap, Drenicë dhe Dukagjin mbollën frikë tek okupatorët serbo-sllavë dhe bënë jehonë e ngjallën komente të ndryshme në opionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Në këto rrethana UDB-ja jugosllave u detyrua të ndërmarrë aksionin për bastisjen e familjeve të cilat – sipas informatave që kishin-, ishin baza të guerilës së Republikës së Kosovës. Kështu, më 29 dhjetor të 1991, në të njëjtën kohë, u bastisën shumë familje në Kosovë. U bastis familja e Shehollve në Podujevë, familja e Ramadan Berishës në Prishtinë, Familja e Saim Tahirajt në Beleg, familja e Osman Ferizit në Kodrali, familja e Demë Tolajt dhe Salih Panxhës në Voksh, familja e Salih Çekut në Broliq. Po familja e Shaban Jasharit në Prekaz nuk lejoi të bastisej nga policia serbe dhe kështu filloi lufta e armatosur në mes njësitit të parë gueril të Drenicës që e kishin formuar vëllezërit Adem, Hamzë dhe Rifat Jashari dhe policisë Jugosllave. Kjo ishte betejë e parë frontale që u zhvillua në mes njësitit gueril të Republikës së Kosovës dhe forcave policole të Jugosllavisë, që pati jehonë të madhe në vend dhe në botë, dhe i dha mësim okupatorit serb se Kosova në tërësi dhe Drenica në veçanti do të jetë “dardhë e egër” për ta. Sukseset e para të Lëvizjes sonë Kombëtare në Kosovë, bëri që makineria shtypëse e Beogradit lypte shkakun për ta përgjakur Kosovën si shumë herë më parë. Subjektet politike dhe shtetërore të Kosovës ishin të vetëdijshëm se vëneri i urrejtjes patologjike serbe do të derdhet dikund në Jugosllavi. Udhëheqjet sllovene dhe kroate kishin synime që shovinizmi serb të shfryhet në Kosovë për t’ua mundësuar atyre pastaj për të dalë “pa një therrë në këmbë” nga Federata Jugosllave. Në këto rrethana të komplikuara kishte dy rrugë: Të bëhet konfrontimi i drejtpërdrejtë me përmasa të mëdha me makinerinë e Armatës Jugosllave, apo të bëhet zhagitja e konfrontimit për një kohë më të përshtatshme. U zgjodh me plot arsye varianti i dytë. Serbia e vetëdijshme për gjendjen në të cilën gjendet kombi ynë, me një Shqipëri të katandisur siç është zi e më zi, e sakatosur shpirtërisht dhe e varfëruar ekonomikisht përtej mase, pa një ushtri të fortë, pa një autoritet e ndikim ndërkombëtar dhe pa një aleat të fuqishëm, kishte synime ta zgjedhte çështjen e Kosovës ashtu siç kishte lakmuar gjithmonë, ta bënte Kosovën tokë serbe nëpërmjet shpërnguljeve dhe gjenocidit, siç e patën bërë tokë serbe krahinën shqiptare të Toplicës dhe sanxhakun e Nishit. Në këto rrethana Presidenti i Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova luajti potezin më të mirë. Nga popullsia kërkoi urtësi dhe durim, ndërsa nga Prijësit e njësiteve guerile të Republikës së Kosovës nëpërmjet Fehmi Aganit kërkoi ndërprerjen e veprimtarisë ushtarake për një kohë. Një pjesë e ushtarëve të njësiteve guerile u detyruan të largohen në Evropën Perendimore, një pjesë e tyre ngelën nëpër burgjet e Jugosllavisë, ndërsa një pjesë mbeti në Kosovë dhe kështu njësitet guerile mbetën në formacion të plotë. Ato në Drenicë komandoheshin nga Adem dhe Hamzë Jashari, në Llap nga Zahir Pajaziti dhe në Dukagjin nga Salih Çeku. Këto masa u muarën pasi që udhëheqjet shtetërore dhe partiake të Republikës së Kosovës miratuan kërkesen e diplomatëve të SHBA për të mos e hapur frontin e luftës në Kosovë. Udhëheqja serbe e vetëdijshme se shqiptarët nuk i kanë rendet për të hyrë në luftë me serbët, nuk e patën vështirë për t’ua marrë shqiptarve të gjitha të drejtat që i kishin fituar me sakrifica të mëdha. Serbia pasi e zhvlerësoi Kushtetuten e 1974-ës, shqiptarëve ua helmoi fëmijët dhe nxënësit nëpër shkolla, ua muar objektet shkollore dhe universitare, Radion dhe TVP-ën, i larguan nga puna dhe kështu krijuan apartheidin në zemër të Evropës. Në këto kushte shqiptarët u detyruan të krijonin sistemin e tyre paralel në arsim, shëndetësi, kulturë dhe pritnin ditë më të mira për t’u konfrotuar me serbët kur do t’u vinte “shteku”. Kur serbët u siguruan se shqiptarët u “dorëzuan” e sulmuan Slloveninë dhe Kroacinë dhe të dy luftërat i humbën. Në Bosnje bënë krime të mëdha, por e muarën atë çka e kishin planifikuar në saje të ndihmës së pakursyer të aleatëve të saj të vjetër, Francës, Anglisë dhe “majka”Rusisë. Anëtarët e njësiteve guerile që ishin larguar nga Kosova në Evropën Perëndimore u vetorganizuan duke krijuar grupe shokësh që njiheshin mirë në mes veti per t`i ndihmuar njësitet Guerile të Republikës së Kosovës me armatime dhe pajisje të ndryshme. Me të hollat që i tubonin nga radhët e tyre, në baza vullnetare, me një konspiracion të plotë, blenin armatime dhe mjete të ndryshme në Zvicër, Gjermani dhe Shqipëri e i futnin brenda në Kosovë deri te njësitet e tyre në Llap, Drenicë dhe Dukagjin. Këto grupe atdhetarësh të vetëdijshëm se për betejat e ardhshme që do të bëhen me Jugosllavinë duhet përgatitur mirë, bënë presion të pandërprerë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, veçmas në Kryeministrin Bukoshi, që të lejojë mjete financiare për blerjen e armatimeve dhe municioneve për t`i dërguar në Kosovë. Më në fund- pas shumë presioneve- në gjysmën e dytë të vitit 1993 Bukoshi pranon një takim me Salih Çekun, Zenun Idrizin, Saim Tahirajn dhe Ismet Avdullahun. Ky Këshill koordinues, para se të takohej me Bukoshin, u takua në Aeroportin e Shtutgardit me Fehmi Aganin. Këshilli kërkoi nga Agani që të përkrahë vazhdimin e aksioneve guerile në Kosovë, të cilat qenë ndërprerë përkohësisht me kërkesën e tij më 1992. Po ashtu nga Agani kërkoi që të ndikojë në Qeverinë e Kosovës për të lejuar mjete financiare për blerjen e armatimeve etj. DHE, SI MUND T’U NDALET TURRI VJEDHËSVE TË HISTORISË? Sipas dëshmisë së Saim Tahirit dhe Ismet Avdullahut, Agani i paska përkrahur në tërësi propozimet dhe kërkesat e këtij Grupi koordinues duke shtuar se “Është e domosdoshme ta kemi edhe një krah radikal për ta provokuar situatën kohë pas kohe, por duhet të jetë nën kontroll dhe mbikqyrje. Ne edhe për atë qëllim e kemi qitur jashtë për të vepruar Bukoshin”, kishte pas thënë Fehmi Agani. Të kënaqur me përkrahjen e Aganit ky Këshill koordinues po atë ditë është pritur nga Bukoshi, ku edhe ai i paska përkrahur propozimet dhe kërkesat e tyre, me një kusht- që ta zgjedhin një përgjegjës grupi. Siç thonë dëshmitarët e përmendur më lart, përgjegjës i Grupit koordinues është caktuar Salih Çeku. Pas një kohe Grupi i paska marrë 10.000 DM nga Bukoshi. Me këto të holla dhe të hollat që i kanë tubuar vet Grupi ka blerë armatime në Zvicër dhe Gjermani me një vlerë prej 30.000 DM. Këto armatime pastaj i kanë dërguar në Kosovë në fund të korrikut të 1993 Salih Çeku, Zenun Idrizi, Zymer Luli, Saim Tahiraj, Osman Ferizi, Ismet Avdullahu dhe Nazmi Ajeti. Studimi dhe ndriçimi i rrethanave të lindjes, rritjes dhe zhvillimit të UÇK-së është detyrë parësore e studjuesve, historianëve dhe analistëve shqiptarë. Një ndihmesë të rëndësishme në këtë drejtim duhet të japin individët që kanë marrë pjesë drejtëpërdrejt apo tërthorazi në krijimin e bërthamave të para të UÇK-së, individë që kanë mbajtur ditarë apo shënime për takimet që i kanë pasur me atdhetarë dhe veprimtarë të dalluar të Lëvizjes sonë kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar, siç ishin Adem Jashari, Salih Çeku dhe Zahir Pajaziti. Në bazë të kriteriumeve shkencore këta ishin krijuesit e drjtëpërdrejtë të UÇK-së, që fatkeqësisht sot nuk i kemi të gjallë fizikisht në mesin tonë, pasi që ranë dëshmorë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. Vetëm atëherë kur ndriçohen rrethanat që sollën formimin e njësive të para guerile në Drenicë, Llap dhe Dukagjin në mënyrë objektive, mund të jipet vlerësim i drejtë, i paanshëm dhe shkencor për të gjitha periudhat e zhvillimit të UÇK-së, që njohu rënie dhe ngritje sasiore e cilësore. Me çlirimin e Kosovës nga NATO-ja dhe luftëtarët trima të UÇK-së në opinionin tonë kanë filluar të bëhen manipulime të llojllojshme në lidhje me UÇK-në. Manipulues të ndryshëm, partiakë të shtirë, karrieristë të sëmurë për pushtet, vjedhës të historisë, falsifikues të vërtetës, po bashkëveprojnë në mes tyre për të përfituar me çdo kusht dhe në çdo mënyrë nga gjaku i derdhur i bijve më të mirë të kombit, për interesa të tyre personale dhe klanore. Janë të njëjtat forca destruktive, të njëjtët individë dhe grupe individësh që penguan bashkimin e forcave politike shqiptare, që penguan institucionalizimin e jetës politike në Kosovës, që penguan formimin e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe nuk i njohën institucionet e formuara të saj. Janë të njëjtët karrieristë që e penguan UÇK-në me të gjitha mënyrat për të mos u bërë ushtri e fortë e Republikës së Kosovës, por për të mbetur ushtri klanesh të ndryshme partiake dhe individuale. Një ndër mjetet më efektive për t’ua ndalur turrin këtyre forcave të djallit të mallkuar, për të mos arritur qëllimet e tyre djallëzore, për të mos i degjeneruar qëllimet e shenjta të luftëtarve të lirisë, është lufta e pakompromis kundër tyre me anë të vërtetës. Duhet t’u thuhet shkurt e trup xhambazëve politikë të mos na i fyejnë dëshmorët tanë duke i ndarë ata në të “tanët”dhe të “tyre”, se ata i përkasin kombit shqiptar, se gjaku i tyre rrëkè i bëri të fortë themelet e Republikës së Kosovës, se Ata e dëgjuan zërin e Atdheut, zërin e Kosovës martire, se ata ju përgjigjën kushtrimit të Shaban, Adem e Hamëz Jasharitit, se ata i dëgjuan thirrjet dhe porositë e Salih Çekut, Zahir Pajazitit, Ilir Konoshefcit, Fehmi e Xheva Lladrocit, Ahmet Krasniqit, Ismet Jasharit, Agim Ramadanit, Adem Ukëhaxhës e qindra dëshmorëve tjerë, për t`i dalë zot Kosovës e jo zërit të tyre përçarës, punës së tyre të prapshtë, veprës së tyre të shëmtuar, që punuan dhe po punojnë me vetëdije apo pa vetëdije për interesa të huaja, për interesat e armiqve tanë shekullorë. Historianët, analistët dhe studjuesit e lamive të ndryshme, për të dhënë vlerësim të drejtë dhe objektiv për UÇK-në, duhet t’iu përgjigjen këtyre pyetjeve:1.Cilët faktorë dhe rrethana ndihmuan në themelimin e UÇK-së.2. Kur u formua UÇK-ja dhe kush e formoi atë? dhe 3. Kush e pengoi zhvillimin dhe forcimin e natyrshëm të UÇK-së për tu bërë një ushtri e fortë e Republikës së Kosovës, e cila nuk do të lejonte të masakrohej e të përzihej me dhunë nga vatrat e saj popullsia e paarmatosur, dhe as nuk do tu lejonte partiakëve të shtirë, karrieristëve të sëmurë për pushtet dhe pararojes staliniste të LPK-së të luante me fatet e kombit dhe të atdheut, për tekat, xhelozitë dhe interesat personale e klanore të tyre. Në këtë shkrim i është dhënë përgjigje pyetjes së parë, ndërsa pyetjes së dytë ka mbetur pa iu thënë se UÇK-ja është formuar në tre muajt e fundit të vitit 1991, atëherë kur u formua njësia e parë ushtarake e Republikës së Kosovës në Shqipëri dhe pastaj u formuan njësitet guerile të Republikës së Kosovës në Drenicë, Llap dhe Dukagjin, të cilat kryen aksione të armatosura dhe, më në fund, njësiti gueril i krijuar nga vëllezërit Adem, Hamzë dhe Rifat Jashari u konfrontua drejtëpërdrejt e bëri luftë frontale me policinë e okupatorit më 30 dhjetor të vitit 1991. Dhe kështu, kjo betejë luftarake e drejtëpërdrejtë dhe frontale, luftën guerile e ngriti në një shkallë më të lartë organizimi dhe të gatishmërisë, në atë të Ushtrisë Çlirimtare të Republikës së Kosovës. Ndërsa krijuesit ideorë të njësiteve guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Republikës së Kosovës duhet gjetur në subjektet partiake dhe shtetërore të Republikës së Kosovës, por idenë e bënë vepër atdhetarët trima, veptimtarët e dalluar të Lëvizjes sonë kombëtare vëllazërit Adem, Hamzë dhe Rifat Jashari, Salih Çeku, Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët e tyre trima, që punuan me mish dhe me shpirt për idealet e larta njerëzore dhe kombëtare, për qëllimet që i kishte shtruar Lëvizja jonë kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar. Sa i përket pyetjes së tretë opinioni ynë dhe ai ndërkombëtar ëshë i njohur pjesërisht për pengesat dhe dëmet e mëdha që ia bënë UÇK-së partiakët e shtirë, karrieristët e sëmurë për pushtet të subjekteve politike dhe shtetërore të Republikës së Kosovës dhe pararoja staliniste e LPK-së nën drejtimin e Xhavit Halitit, Ibrahim Kelmendit, Azem Sylës, Hashim Thaqit, Bardhyl Mahmutit dhe Ali Ahmetit- “Abazit”, me të cilin lexuesit e nderuar të “Bota sot” dhe të “Rimëkëmbja” do të njihen me anë të një shkrimi tjetër.

Botuar:”Bota sot” më 2-3 dhjetor 1999

Loading