Pse komunikata e parë për opinion e UÇK-së mbante numrin 7 e jo 1?

Botuar në Librin “Pse jemi kështu siç jemi?” – botimi i parë – 2002

Pas arritjes së Marrëveshjes për bashkëpunim dhe ndihmë reciproke në mes LPK-së dhe PSSH në mars të vitit 1993, Kryesia e LPK-së me “krijimin e subjektit ushtarak” në proces-verbalet e saj, dhe me emërimin e atij “subjekti” në UÇK, kreu hapin e parë drejt përvetësimit të njësive guerile të Republikës së Kosovës. Përgatitjet për hapin e dytë zgjatën një kohë bukur të gjatë, përafërsisht një vit e gjysmë. Në tetor 1994 arritën të gjejnë një njeri për ta kryer një atentat kundër policit Lutfi Ajvazi në Drenas (Gllogofc). Dalja e LPK-së në opinion me Komunikatën e parë, që ia vunë numrin 7, me anën e së cilës njoftohej opinioni se “UÇK-ja e ka kryer atë atentat”, bënë hapin e dytë drejt përvetësimit të njësive guerile që vepronin në Kosovë. Shtrohet pyetja: Pse Komunikata nuk e kishte numrin 1, por 7, pasi siç dëshmon XH. Haliti, ishte komunikata e tyre e parë e lëshuar në opinion? Kjo është shumë e qartë: LPK-ja me publikimin e Komunikatës me numrin 7, i bën gjoja me dije opinionit se edhe më parë “ka kryer aksione të ngjashme”, por kinse komunikatat nuk kishin dalë në opinion. Pra, kjo do të thoshte sipas tyre, se edhe aksionet e kryera nga njësitë e Drenicës, Llapit dhe të Dukagjinit nën komandën e Adem Jasharit, Zahir Pajazitit dhe të Sali Çekut qenë kryer nga njerëzit e tyre. Ja pra falsifikimi i parë publik në vazhdën e shumë falsifikimeve që kanë bërë më parë, duke lëshuar “vendime’’, miratuar ’’rregullore’’, dhe duke zgjedhur ’’organe udhëheqëse të subjektit ushtarak” në mbledhjet e Kryesisë së LPK-së, dega jashtë vendit, në Zvicër. Xh.Haliti jep këtë shpjegim në lidhje me Komunikatën e parë: “Komunikata e parë e lëshuar për opinion ka pasur numrin 7. Është lëshuar nga një postë e Shkupit me pliko dhe i është distribuar disa mediave në Kosovë, në Maqedoni dhe në diasporë. Ka qenë e përpiluar dhe e shkruar nga Sektori i Veçantë që ka vepruar jashtë, në Zvicër… është përgatitur nga Azem Syla, Xhavit Haliti, Emrush Xhemajli e Ali Ahmeti”. Siç po shihet, Xhavit Haliti ka harruar se çka ka thënë më parë: “se nuk është krijuar Shtabi Qendror”, kur është “emërtuar UÇK-ja”, dhe në të njëjtën intervistë, kur ka folur për lëshimin e komunikatës së parë nga LPK-ja, e pranon pohimin e Muhamet Kelmendit se ishte “krijuar edhe Shtabi Qendror”, kur është bërë “emërtimi” i saj. Pohimi i Xh. Halitit se anëtarët e Sektorit me rëndësi të veçant e kanë shkruar komunikatën dhe kanë vendosur se në çfarë mënyre ta publikojnë, tërthorazi dëshmon se anëtarët e atij Sektori ishin edhe anëtarë të ’’Shtabit Qendror të UÇK-së’’, që e kanë “krijuar” në procesverbalin e Kryesisë së LPK-së, dega j.v! Por, Xhavit Haliti, kur thotë se edhe Azem Syla ishte njëri ndër përpiluesit e komunikatës numër 7, bën edhe një falsifikim, pasi që Azem Syla nuk ka mundur të jetë bashkautor i asaj komunikate me Xhavit Halitin, Ali Ahmetin dhe Emrush Xhemajlin, sepse ai është zgjedhur anëtar i Sektorit me rëndësi të veçantë në Mbledhjen e Përgjithshme të Pestë të LPK-së, që është mbajtur në fund të vitit 1995, ndërsa komunikata është lëshuar në tetor të vitit 1994. Këtë na e dëshmon Muhamet Kelmendi në librin e tij: “Pse nuk u ndërtua Fronti për çlirimin e Kosovës”, kur thotë: “…në vitin 1995, nga Mbledhja e Përgjithshme e Pestë e LPK-së jashtë vendit, iu bashkangjitën me zgjedhje me votë në Kryesinë e Degës edhe disa anëtarë të tjerë….tash anëtarë të Kryesisë ishin edhe Azem Syla, Bashkim Mazreku dhe Rexhë Ibërdemaj….Ndërsa në Sektorin e veçantë futëm edhe Azem Sylën dhe Jashar Salihun…’’.

Me anën e kësaj komunikate pararoja staliniste e LPK-së arriti ta zyrtarizonte falsifikimin, dhe bëri një hap konkret për përvetësimin e njësive guerile, pasi disa gazeta e publikuan komunikatën dhe i dhanë rëndësi të veçantë. Veçmas i dha publicitet agjencia e lajmeve jugosllave TANJUG, e cila edhe aksionet tjera që ishin bërë më parë nga njësitë guerile që i udhëheqte Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çeku, ia veshi kësaj “organizate terroriste” siç e quante ajo. Hapi tjetër me rëndësi i LPK-së ishte gjurmimi për t’i gjetur komandantët e njësive guerile që vepronin në Drenicë, Llap, dhe Dukagjin. LPK-ja në tubimet e veta informative të mbajtura gjatë vitit 1995, 1996, 1997 dhe 1998 për të gjitha aksionet guerile që kryheshin në Kosovë, bashkëkombasve u thoshte se njerëzit e tyre po i bëjnë këto aksione. Ka ndodhur shpesh që njerëzit që kishin lidhje të drejtëpërdrejtë apo tërthorzi me komandantët apo ushtarët e njësive guerile, që i kryenin aksionet në Kosovë, i demaskonin publikisht argatët e pararojës staliniste të LPK-së si gënjeshtarë. Vlen të përmendet vetëm një rast, pa i përmendur edhe shumë të tjerë, kur edhe vet Xhavit Haliti një herë është zënë ngusht në një takim që ai e pati me Bujar Bukoshin për t’i kërkuar mjete nga Fondi i Republikës së Kosovës për ta “ndihmuar” UÇK-në. Kjo ka ndodhur në pranverë të vitit 1995 në Bled të Sllovenisë, kur bëheshin bisedime në mes Bujar Bukoshit që përfaqësonte Qeverinë e Kosovës dhe Xhavit Halitit, Xhavit Hazirit, Ramadan Avdiut dhe Halil Selimit, përfaqësues të LPK-së. Xh. Haliti në intervistën e tij shpjegon se si u zhvilluan bisedimet, dhe pse ato nuk patën sukses. Ai thotë: “Koinçidoi që pas takimit, të nesërmen, u bënë ato sulmet mbi kampet e refugjatëve serb në Kosovë. Kur shkuam në takim, Bukoshi tha: “Është bërë njëfarë veprimi, por janë lajmëruar shumë veta, dhe s’po di kush se çka po bëhet”! “Të themë të drejtën, nuk më erdhi mirë që u deklarua ashtu-vazhdon Haliti. Unë jam i bindur se atij i kanë shkuar edhe njerëz të tjerë dhe i kanë thënë: “Ne jemi shefat që i goditëm këto dhe ato e të tjera”. Siç po shihet, rrenave të Xhavitit dhe Kryesisë së LPK-së u doli duqi, dhe Xhavit Haliti u zu me pelë për dore në momentin, kur ai përgatitej t’i sillte krypë rreth kokës Bukoshit, për t’ia marrë disa miliona DM. Por ndodhi ajo që s’e kishte menduar Xhaviti. Me urdhërin e Sali Çekut dy pjestarë të njësisë së tij guerile Zenun Idrizi dhe Ismet Çeku e sulmuan kampin e refugjatëve në ndërtim në Junik me eksploziv. Tri shtëpi u shkatërruan plotësisht dhe një shtëpi pati dëme të konsiderueshme. Aksioni arriti sukses të plotë pasi kolonët serb ikën nga Juniku për Serbi, por aksioni i kryer nga dy pjesëtarët e njësisë guerile të Sali Çekut patën edhe një sukses tjetër, pasi që Xh. Halitit dhe argatëve të tij ua qitën marren për fushe, për falsifikimet që i bënin dhe rrenat që i lëshonin kudo që shkonin, se gjoja ata po i kryenin aksionet luftarake në Kosovë. Bledi i bukur i Sllovenisë do të mbetej një kujtim i hidhur për Xhavitin dhe argatët e tij sa të jenë gjallë, pasi që luftëtarët e vërtetë të luftës çlirimtare të Kosovës i lanë me gishtë në gojë. Pararoja staliniste kishte dy qëllime, kur i përvetësonte aksionet e armatosura që bëheshin në Kosovë. Njëri ishte për të mbledhur sa më shumë të holla në emër të luftës çlirimtare për ta forcuar fondin e tyre “Vendlindja thërret” për t’i kryer detyrimet që i kishin ndaj PSSH dhe Fatos Nanosit sipas Marrëveshjes së Zyrihut. Dhe qëllimi i dytë i tyre ishte t’i gjenin fijet e njësive guerile që vepronin në Kosovë, me qëllim që njerëzit e tyre të futeshin në to, dhe pastaj me mjetet e njohura komplotiste të marrjes së “kalasë nga mbrenda” të bënin përvetësimin e tyre.

Loading