DREJTËSIA E KOSOVËS GJINDET PARA NJË SPROVE TEJET SERIOZE

Shkruan: Shefqet JASHARI-STROFCI

Para sa kohe pushtetarët e Shqipërisë e detyruan prokurorinë e vendit të ngrejnë padi kundër analistit të shquar Mere Baze, i cili po bën një punë të vlefshme duke i ndriquar shumë afera të pista të pushtetarëve të sotëm të Shqipërisë. E njëjta gjë po përsëritet edhe në Kosovë. Kryepehlivani i Nanosit, Xhavit Haliti, që ka zënë pozitë udhëheqëse në Parlamentin e Kosovës, e ka bindur Prokurorinë Komunale të Prishtinës për të ngre padi për ‘’shpifje’’ kundër redaktorit të kombëtares ’’Bota sot’’, Bajrush Morinës, gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të gazetës zotërinjve Myftar Halili, Nefail Maliqit dhe Shefqet Jashari-Strofcit. Pra sipas padisë së prokurorit komunal del se Bajrush Morina, Shefqet Jashari-Strofci, Myftar Halili dhe Nefail Maliqi, e paskan ‘’shpifur’’ Xh. Halitin dhe e paskan ’’dëmtuar’’ atoritetin e tij para opinionit të gjërë.
Shtrohet pyetja :1. Ka pasur apo nuk ka pasur arsye të ngre padi në Prokurorinë e Prishtinës Xhavit Haliti ? 2. Ka pasur apo nuk ka pasur fakte Prokuroria e Prishtinës të ngre padi kundër gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të’’Botës sot’’ ? 3. Pse në seancën gjyqësore të 24 majit avokati T. Gashi dhe klienti i tij Xh. Haliti e tërhoqën padinë kundër Myftar Halilit, Nefail Maliqit dhe Shefqet Jashari-Strofcit ? 4. Dhe së fundi, a thua drejtësia e Kosovës do ta ruaj pavarësinë e saj, duke mos rënë nën ndikimin e pushtetarëve, apo do të bjerë në provimin e pjekurisë, duke rënë nën ndikimin e tyre ?
Sa i përket pyetjes së parë, Xh.Haliti ka ‘’arsyeje’’ për t’i vënë në veprim të gjitha mekanizmet mbrojtës, ka ‘’arsye’’të forta për t’u ‘’mbrojtur’’ me të gjitha mënyrat dhe mjetet për t’ua ndërprerë hovin kritikave dhe akuzave që po adresohen në emërin e tij, jo vetëm nga opinioni ynë, por edhe nga ai ndërkombëtar, për rolin përçarës dhe antishqiptar që luajti sa ishte anëtarë i udhëheqjes së ngushtë të LPK-së, dhe në veçanti pasi i përvetësoi njësitë guerile të Republikës së Kosovës, në saje të ndihmës së pa kursyer të Nanosit dhe Klosit § Compani. Opinioni ynë nepërmjet intervistave të XH.Halitit dhe’’dëshmive’’ të bashkëpunëtorëve të tij, ka mësuar se ai ishte ’’krijuesi’’i UÇK-së, ishte krijuesi i Drejtorisë Politike dhe i SHP të UÇK-së. Xh. Haliti ishte po ashtu udhëheqësi (personi numër një) i logjistikës së UÇK-së. Këto konstatime Xh.Halitin pas çlirimit të Kosovës e quan në ’’pyka’’, por tash kur po dalin në shesh shumë keqpërdorime dhe vepra kriminele të komandantëve të vetshpallur të UÇK-së, që ishin nën komanden e shtabit të tij që quhej SHP i UÇK-së , dhe të Drejtorisë Politike që e udhëhiqte argati i tij H. Thaçi, Xh. Haliti po mundohet dalëngadal të zbres nga ’’pykat’’, dhe si duket, do të shtrihet për tokë, duke shpresuar se në këtë mënyrë do të lirohet nga përgjegjësia që ka, për veprimtarinë e tij antikombëtare dhe të komandanëtëve që ishin bërë argatë dhe rrogëtarë të klanit të tij. Plotësishtë ia kuptoj hallet Xh. Halitit, por nuk ia pëlqej mënyren se si do t’i tejkalojë ato halle dhe gajle të mëdha që po ia rëndojnë kokën çdo ditë e më tepër. Por, po shihet se ai nuk është edhe aq i padijshëm sa paraqitet. Di Xhaviti, se mbrojtja më e mirë është sulmi. Por taktika dhe strategjia e sulmit të tij janë të pasuksesshme. Janë të pa suksesshme, sepse i mungojnë faktet dhe argumentet, për t’i hudhur poshtë kritikat dhe akuzat që po ia ngarkojnë në shpinë shokët e tij, opinioni ynë dhe ai ndërkombëtar.

XHAVIT HALITI KUNDËRSHTON SHKUARJEN NË KOSOVË TË FEHMI LLADROFCIT ME ARSYETIM SE ”KY NJERI DHE SHOKËT E TIJ JANË KARRIERISTË”
Me siguri Xh. Haliti po të kishte fakte për t’i hudhur poshtë kritikat që po bëhen në emrin e tij, ai nuk do të parashtronte padi në Prokurorinë e Prishtinës kundër gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të ‘’Botës sot’’, por do ta mbronte vetvehten e tij me shkrime si i ka hije personit publik, ashtu siç veprohet në shtetet e Bashkësisë Evropiane dhe në SHBA-të. Duhet ta ketë ditur Xh. Haliti, por edhe institicionet e drejtësisë në Kosovë, se personaliteti publik në Evropen Perendimore, po qe se akuzohet nga mjetet e opinionit publik për ndonjë gjë, ai e ka për detyrë në afatin sa më shkurtër të pranojë apo të mohojë kritikën në formën në të cilën është akuzuar. (me mjete të shkruara apo mjete elektronike). Po qe se personi i akuzuar me fakte i mohon kritikat, autoriteti i tij nuk bie në opinionin publik por rritet. Dhe e kundërta, po qe se nuk ka fakte për t’i hudhur poshtë akuzat e opinionit publik(të gazetarit apo institucionit) jap përgjegjësi morale dhe ligjore dhe shkarkohet nga posti që e mban. Siç dihet Xh.H. nuk është kritikuar dhe akuzuar vetëm nga gazetarët dhe bashkëpunëtorët e’’Botës sot’’ por ai është kritikuar dhe akuzuar shumë ashpër prej anëtarëve të kryesisë LPK-së, ku edhe ai bënte pjesë në atë kryesi. Po ashtu Xh.Haliti, H.Thaçi dhe partia e tyre është kritikuar dhe akuzuar shumë rënd edhe nga mjetet publike të opinionit ndërkombëtar. Ndërsa Zvicëra ia ka ndaluar Xh.Halitit t’ia shkelë territorin e shtetit të saj.
Duhet theksuar se kritikat dhe akuzat e para kundër Xh. Halitit kanë rrjedhë prej bashkëpunëtorëve të tij që e përbënin udhëheqjen e ngushtë të LPK-së. Muhamet Kelmendi në librin e tij ‘’Pse nuk u ndërtua Fronti për Çlirimin e Kosovës’’e akuzon Xh.Halitin për veprimtari destruktive, përçarëse dhe antikombëtare. Po citojmë: ,, Në vitin 1996 shqyrtuam kërkesën e Fehmi Lladrofcit të cilën e paraqiti Ali Ahmeti( Ditari i MK). Ai kishte kërkuar lejen nga Kryesia për të shkuar brenda vendit për vete, për bashkëshorten e vet dhe më se 10 shokë. Ne si Kyesi e kishim shqyrtuar këtë kërkesë disa herë, por kundër shkuarjes së grupit të Fehmi Lladrofcit brenda vendit ishte kryesisht Xhavit Haliti dhe Azem Syla, me arsyetimin se , ky njeri dhe shokët e tij janë karrieristë, njerëz që shkojnë atje për të udhëhequr luftën e jo për të luftuar( Deklarata në Kryesi e anëtarëve të sektorit të veçantë). Ky bllokim kuptohet se bëhej në emër të Shtabit Qëndror të UÇK-së, duke kërcënuar e lëshuar mbledhjen. Deri në maj të vitit 1997 e bllokuan vendimin e dërgimit të Fehmi Lladrofcit me shokë’’. Zotëri Kelmendi vazhdon : ’’ Por, e përbashkët është se , përkundër dobësimit të radhëve të ushtrisë, me bllokimin e vullnetarëve e kuadrove, u veprua edhe kundër kërkesave të shokëve të tjerë të Kryesisë a të KP të Degës j.v. të cilët e shprehën gadishmërinë për të shkuar brenda vendit. Çdo kërkesë që bëhej në Kryesi, nga dy anëtarë të sektorit ( Xhavit Haliti dhe Azem Sylës) u refuzua kategorisht, në emër të UÇK-së, e, gjoja se nuk kishin nevojë, ndërsa dërgonin persona të tjerë, anëtarë që i kishin nën kontrollin e tyre. Këtë e refuzonte Ali Ahmeti, duke treguar se ato nuk ishin vendime të UÇK-së ( Ditari i MK)’’. Muhamet Kelmendi shpjegon se gjatë periudhës prill-qershor të 1998 ’’…u bllokua edhe dërgimi i kuadrit politik e ushtarak, përveç atyre që vinin në shërbim të tyre, apo që kishin lidhje të ndryshme, krahas atyre familjare dhe shoqërore me këta anëtarë. Askush nuk mund të dëpërtonte në radhët e UÇK-së pa u vënë në shërbim të klikës, ose pa patur lidhje individuale me zonat në vend.’’
AVOKATI TOMË GASHI ME KËTË PROCES GJYQËSOR, NUK KA MUNDËSI TË PASTROJË NGA MËKATET E SHUMTA KLIENTIN E TIJ
Të shiqojmë tani se çka na thotë për punën dhe veprimtarinë e Xh.Halitit, Ramush Hajradinaj në librin e Bardh Hamzajt : ’’ Rëfim për luftën dhe lirinë( Dialog me komandant Ramush Hajradinaj) :’’ Në logjistikë, rol dominues kanë pasur Xhavit Haliti e Azem Syla, ndërsa në teren Xheladin Gashi –Plaku, që ishte përgjegjës i bazës në Cahan’’. Ramush Hajradinaj vazhdon : ’’Xhavit Haliti dhe Azem Syla të cilët kanë menduar se në Kosovë gjithçka duhet të shkojë sipas mendimit të tyre, shumëherë, veprimet e veta për të ndihmuar furnizimin, i kanë kushtëzuar me dëgjushmërinë tonë ndaj tyre. ’’. Në pyetjen që Bardh Hamzaj ia shtron Ramush Hajradinajt se në çka ka konsistuar kjo kërkesë për dëgjueshmëri, R.Hajradinaj përgjigjet :’’Ka konsistuar në faktin që veprimet dhe deklarimet të bëhen vetëm në formën që ata e konsiderojnë të arsyeshme, të mos u nxirrnim telashe në organizimin e Shtabit të Përgjithshëm, por t’i lëmë aty satelitët e tyre. Domethënë, është kërkuar të ishim të dëgjueshëm ndaj argatëve që i kishin Azemi dhe Xhaviti në terren dhe të pranonim se ekziston një Shtab i Përgjithshëm, e faktikisht nuk ekzistonte, nuk ishte i kompletuar. Kërkohet të vepronim në bazë të urdhërave të ‘’shokëve’’ që nuk dihej se kush janë. Na thoshin :’’Kanë thënë shokët, kanë thënë shokët !’’ aludohej në Shtab të Përgjithshëm. Në fakt, kjo ishte një mënyrë për mbajtjen e mekanizmit ushtarak nën kontroll me diçka të ‘’hijes’’, të ‘’nëntokës’’, me diçka misterioze.’’ Në pyetjen tjetër të Bardh Hamzajt se ‘’a kanë shkuar këto kërkesa deri në masën që ka mundur të nënkuptojë ndërrimin e karakterit të luftës ?’’, Hajradinaj përgjigjet :’’Kërkesat e tyre kanë qenë mirë të definuara dhe kanë pasur prapavijë të fuqishme. Them mirë të definuara, sepse e kanë ditur mirë se çka po kërkojnë për vete. Mendoj se dëshira e tyre ka qenë që lufta të identifikohet me këta. Pra, lufta të vazhdojë, por të identifikohet me këta persona-kjo ka qenë ajo më konkretja. Kjo logjikë, pastaj, në terren është manifestuar në atë mënyrë që më të rëndësishme të konsiderohen lidhjet me ndonjë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm sesa me komandantët e zonave.’’ Mendoj se është e tepërt çfardo komenti përkitazi me pohimet e Ramush Hajradinajt dhe të Muhamet Kelmendit, kur dihet se deklaratat e tyre janë të mbështetura në bazë të fakteve të shumta, që ata i kanë përkitazi me veprimtarinë e Xh.Halitit dhe të Azem Sylës, të cilët në bazë të përkrahjes së madhe që e kishin nga Nanosi dhe Sigurimi i Shqipërisë, por edhe me ndihmën e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit që u bënë argatë të tyre, arritën t’i përvehtësojnë njësitë guerile të Republikës së Kosovës që udhëheiqeshin nga Adem e Hamzë Jashari dhe Zahir Pajaziti, me mjetet e marrjes së kalasë nga brenda.
Opinioni ynë është i njohur edhe me kritikat që ia kam bërë unë Xh.Halitit në librin tim’’ Pse jemi kështu siç jemi’’, por deri më tash Xh.Haliti nuk i ka kundërshtuar së paku me një shkrim gazete as një akuzë që ka rrjedhur nga unë, shokët e bashkëpunëtorët e tij, dhe as të opinionit vendas dhe atij ndërkombëtar. Kjo don të thotë se Xhavitit i mungojnë faktet për t’u mbrojtur , prandaj e ka zgjedhur mënyrën dhe mjetet që nuk i takojnë një personi publik siç është ai. Kjo mënyrë për t’u mbrojtur i takon qytetarit të zakonshëm, kur një qytetarë tjetër ia thyen derën e shtëpisë apo ia uzurpon pasurinë. Avokati Tomë Gashi është i vetëdijshëm se me këtë proces gjyqsorë që e ka kurdisur kundër redaktorit të’’Botës sot’’ Bajrush Morinës, nuk ka mundësi ta pastrojë nga mëkatet e shumëta klientin e tij, por ai shpreson se me këtë proces gjyqsorë do të arrijë së paku të zvogëlohen kritikat dhe akuzat kundër klientit të tij Xh. Haliti, sepse edhe ai është i vetëdijshëm se një ditë kur drejtësia e Kosovës do të arrijë të jetë plotësisht e pavarur prej faktorëve politik dhe kur Kosovës t’i njihet pavarësia e shpallur, klienti i tij do të japë llogari që u vu në shërbim të politikës antikombvëtare të Nanosit dhe Klosit, dhe kështu veprimtaria e tij dhe e shokëve të tij i solli shumë të liga dhe vështirësi Luftës Çlirimtare të popullit tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Sa i përket pyetjes së dytë mund të thuhet me plot të drejtë se Prokuroria Komunale e Prishtinës ka rënë nën ndikimin e faktorit politik që e kontrollon Xh.Haliti&Compani. Organet e drejtësisë së Kosovës duhet ta kenë të qartë se personi dhe personaliteti publik në sistemet demokratike, për kritikat që i vijnë nga opinioni nuk e ka mbështetjen nga organet e drejtësisë, për deri sa ai nuk i hedh poshtë kritikat dhe akuzat në bazë të fakteve dhe argumenteve të pamohueshme, me anë të mjeteve publike me të cilat është kritikuar apo akuzuar. Siç dihet Xh. Haliti deri tash me as një shkrim nuk i ka hedhur poshtë kritikat dhe akuzat që janë drejtuar në emrin e tij nga opinioni i gjërë i vendit dhe ai ndërkombëtar. Shtrohet pyetja, pse atëherë Prokuroria Komunale e Prishtinës nuk e hodhi poshtë kërkesen e Xh.Halitit dhe të T. Gashit për të ngrehur padi kundër gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të ’’Botës sot’’, të cilët, siç dihet, kanë bërë një punë shumë të vlefshme për të dalur shumë të vërteta në dritë.
Sa i përket pyetjes së tretë përgjigjja është e qartë dhe e thjeshtë. Tomë Gashi dhe klienti i tij Xh. Haliti, edhe pse kanë pasur sukses për ta bindur Prokurorinë Komunale të Prishtinës për të ngrehur padi kundër gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të ‘’Botes sot’’, me kalimin e kohës, janë vetëdijësuar se nuk do ta kenë lehtë për ta bindur trupin gjykues, siç e bindën Prorukorinë Komunale, sepse duhen shumë fakte dhe prova gjyqsore për një gjë të tillë, e që ato iu mungojnë. Prandaj T. Gashi dhe XH.Haliti që në fillim të seancës gjyqsore të 24 majit luajtën një lojë jo serioze dhe qesharake, duke u mbështetur në tregimin popullor : ‘’Tre qetë dhe ujku’’, por nuk ju piu ujë. Avokati i Xh. Halitit, Tomë Gashi, e ’’ tërhoqi padinë ndaj Myftar Halilit, Shefqet Jasharit-Strofcit dhe Nefail Maliqit dhe kërkoi që për të gjitha këto lëndë të ngarkohet me përgjegjësi Bajrush Morina. Në arsyetimin e tij, avokati Gashi tha se Bajrush Morina është redaktor përgjegjës i gazetes ‘’Bota sot’’ dhe ai mbanë përgjegjësi edhe për shkrimet e autorëve tjerë.’’ Siç njoftojnë mjetet e opionit publik kryetari i i trupit gjykues gjyqtari Hamdi Ibrahimi me plotë arsye dhe kompetencë e hodhi poshtë arsyetimin e Tomë Gashit duke sqaruar se ’’në bazë të Kodit të ri penal të Kosovës, botuesi, kryeredaktori, ose redaktori përgjegjës i gazetës mbanë përgjegjësi vetëm për artikuj që botohën pa emër në gazetë( janë artikuj anonim), por jo edhe për artikujt që nëshkruhen.’’ Shtrohet pyetja pse Tomë Gashi e mbështeti arsyetimin në Kodin penal të ish Jugosllavisë( Serbisë), e jo të Kodit të ri penal të Kosovës ?!!! Është fjala për mosdijen profesionale të tijën , apo është fjala për manipulim dhe demogagjia, për ta fituar besimin e klientit të tij, apo për ta provokuar kryetarin e trupit gjyqësor. Unë nuk mund të jap përgjigje të sigurt, por kjo tregon se kemi të bëjmë me një avokat joserioz dhe manipulues të shkathët.
Shtrohet pyetja a nuk është qesharake padija e Xh.Halitit dhe avokatit të tij T.Gashit, kundër Bajrush Morinës, padi kjo që mbështetet në një shkrim të tij, i cili shtron një pyetje, që është e zakonshme për analistët, kur dihet se veprimtaria politike, për dallim prej veprimtarive tjera, nuk fillon nga besimi, por nga dyshimi. Politika nuk është matematikë – shkencë, ajo është art i të së mundshmes. Prandaj edhe çdo analistë për të ardhur deri tek e vërteta duhet të shtrojë pyetje të llojllojshme, që pastaj në bazë të informatave të japë vlerësimet për një ngjarje që është në proces të zhvillimit apo që ka përfunduar. Prandaj profesioni i gazetarit dhe analistit nuk mund të ushtrohet pa shtrimin e pyetjeve të ndryshme për të ardhur deri tek informatat e nevojshme, që do të hyjnë në punë për konstruktimin e mozaikut të ngjarjeve që është i interesuar të dij opinioni.
Duhet ta ketë të qartë Xh.Haliti dhe mbrojtësi i tij T.Gashi se po të vepronin sikur ata të gjthë personat dhe personalitetet publike në Kosovë, duke i paditur gazetarët dhe analistët për pyetjet që i shtrojnë në shkrimet e tyre, apo për kritikat që ua bëjnë personave publik, organet e drejtësisë së Kosovës nuk do të mund të kryenin as një lëndë tjetër gjyqsore, përpos lëndëve që do të vijnë nga paditë e pesonave publik. Xh.Haliti është dashur të dijë një gjë të thjeshtë , se prej asaj dite kur ai ka filluar të mirret me veprimtari publike, nuk mund t’u shpëtojë kritikave publike. Po qe se ai nuk është në gjendje t’u përballojë kritikave që i vijnë nga opinioni publik, le të japë dorëheqje nga postet që e ka zën dhe le të kryejë punën e bujkut në tokat që i bleu pas çlirimit të Kosovës, apo le të kryejë punën e nëpunësit në pishinën shumë moderrne që e ndërtoi në vendlindjen e tij. Por Xh.Haliti dhe avokati i tij duhet të jenë të vetëdijshëm se një ditë kur të piqen kushtet, një komision parlamentar do t’i shtrojë Xh.Halitit pyetje për të treguar se ku i mori gjithë ato të holla që u bë pasanik i fuqishëm i Kosovës ? Ai me siguri do të detyrohet të tregojë saktë dhe drejt pa i dhënë lak të vërtetës, ndërsa avokati T.G. nuk do të ketë mundësi aspak t’i ndihmojë.
Sa i përket pyetjes së fundit, jam plotësisht i bindur se trupi gjyqësor i Gjyqit Komunal të Prishtinës që po e shqyrtonë padinë e T. Gashit dhe klientit të tij Xh.Halitit kundër zotëri Bajrush Morinës nuk do të bie nën ndikimin e faktorëve politik, por do ta hudhin si një leckë të pa vlerë atë padi, duke u treguar qendrave të vendosjes ndërkombëtare, opinionit tonë dhe atij ndërkombëtar se gjyqësia e Kosovës është e zonja të qëndrojë në këmbët e veta, drejt dhe fort, pa pasur nevojë që dikush nga jashtë ‘’ta mbaj dubë’’ apo ta kontrollojë.

Botuar: ”Bota sot”, më 26 dhe 28 qershor 2004

Loading