PORTRETI I NJË OFICERI MADHOR SHQIPTAR

Ngjarrjet e mëdha kombëtare të 1968-ës na njohën në rrugët e Prishtinës, atë Natë të Madhe, për të marrë pjesë në një ngjarje të rëndësishme kombëtare, kur Grupi i të Rinjve ia kishin vënë për detyrë vetes t’i prijë rinisë shkollore dhe studentore, për kërkesa kombëtare. Këto demonstrata treguan se Lëvizja jonë kombëate po i forcon rradhët dhe se ajo tani është në një nivel më të lartë organizimi dhe gatishmërie për realizimin e aspiratave të populli tonë. Shovinizmi serb sulmohej në të gjitha anët e Jugosllavisë pas Plenumit të Brioneve, kur fitoi klani i Titos mbi atë të Rankoviqit. Kosova e largoi frikën. Ishe krijuar klimë e përshtatshme që forcat atdhetare të punojnë në drejtime të ndryshme të përparimit dhe emancipimit. Dhe Ti, shoku im ushtarak. Ti bir i babajt të mbytur nga dora e shkaut në Aksionin e Mbledhjes së Armëve, Ti që aq shumë e urreje robërinë, hyre në këtë shkrim timin. Ty që me gjithë vëllain dhe tre djemtë e xhaxhait ju leçitën për shumë kohë bashkëfshatarët tuaj me urdhërin e këlyshëve të Beogradit, për shkak se Xhaxhai yt Aziz Zhilivoda me “mashinkë” në dorë, për shumë vite bëri rezistencë maleve të Qyqavicës, kundër tradhtisë komuniste dhe robërisë serbo-jugosllave. Ti që u edukove në baza të shëndosha kombëtare nga familja jote e njohur për atdhedashurinë dhe trimërinë e burrave të saj, mos të lëndojnë shpifjet e njerëzve të papërgjegjësi, qëllimkëqinj dhe xhelozë, që nuk po zgjedhin mjete për të penguar në kryerjen e detyrave me përgjegjësi të madhe që t’u kanë besuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ti i fillove studimet e artit ushtarak me vetëdije të plotë se do të kesh shumë vështirësi dhe pengesa, por përkrahja pa rezervë nga familja dhe nga atdhetari nacionalist dhe mësuesi i atdhedashurisë Metush Krasniqi të dhanë krahë e të dhanë forcë për t’i vazhduar mësimet dhe për ta mësuar artin usharak. Rrugë me plot rreziqe dhe të panjohura por ti ia dole në fund faqebardhë. E di se nuk e ke pasur lehtë Ahmet Krasniqi t’i fshefësh ndjenjat, qëllimet, dëshirat në mendje dhe në zemër. Nuk e ke pasur lehtë të ruhesh nga sigurimi ushtarak që të përcillte dhe të vështronte çdo ditë.

Por ti ishe i vetëdijshëm se për ta ishe i dyshimtë, pasi që u rrite dhe u edukove në një familje nacionaliste. Xhaxhai yt u bë legjendë e gjallë me qëndresën e tij nëpër malet e Qyqavicës. Ti ishe i vetëdijshëm se duhet të luash rolin e ushtarakut me orientim “projugosllav”, se përndryshe detyrat që ia pate shtruar vetes për t’i mësuar fshehtësitë e arti usharak, i shtyrë nga idealet e larta kombëtare, do të binin në ujë. Pengesat e mëdha objektive dhe subjektive i shpartallove me vullnetin tënd të fortë, me karakterin e pathyeshëm, me qëllimet e larta kombëtare. Dëshira e madhe për të mësuar artin ushtarak, nuk ishte dëshirë thjeshtë e një të riu, për një profesin që të kishte lindur rastësisht, por ajo dëshirë e flaktë ishte krijuar nga një qëllim i lartë, për ta luftuar robërinë me dije dhe zotësi ushtarake, për ta nxjerrë hakun në momentin e duhur, për të gjitha të ligat, mjerimet dhe padrejtësitë, që ia sollën popullit tonë çetnikët e Beogradit dhe okupatorët serbo-sllavë. Ajo kohë erdhi shoku im ushtarak. Na erdhi momenti i duhur, për të cilin aq shumë kanë punuar dhe kanë sakrifikuar shumë gjenerata të popullit tonë trim. Amanetin e dëshmorëve tanë duhet ta kryejmë githsesi. Ti ishe nxënësi i Metush Krasniqit, i atij atdhetari të paepur për çështjen tonë kombëtare, i cili të përkrahu, të udhëzoi e të dha zemër për t’i kaluar pengesat dhe vështërësitë e shumta objektive dhe subjektive, që të dolën përpara, gjatë studimeve dhe pas studimeve. Ai shumë shpresonte se një ditë do t’i tregosh aftësitë dhe përvojën e madhe ushtarake të fituara në akademitë dhe garnizonet e armikut tonë shekullor, për t’i përzënë me turp nga trojet tona hordhitë sllave, duke u dhënë dajakun e merituar për të gjitha ato krime, vuajtje dhe padrejtësi që na i sollën. E di se ti me tërë qenien tënde, me tërë aftësitë tuaja iu ke përkushtuar çështjes sonë kombëtare. Ti po i kryen detyrat që t’i ka besuar Qeveria e Kosovës dhe ushtarakët e Republikës së Kosovës. E di se nuk e ke lehtë të veprosh sa ke dëshirë dhe sa ke aftësi. Pengesa të shumta të natyrës objektive duhet sa më parë të largohen me përkushtimin tënd dhe përkushtimin e njerëzve kompetentë. Shpresoj se ditë të mira po afrohen për ty, kuadrin ushtarak të Kosovës, për ata atdhetarë trima të UÇK-së, dhe për popullin tonë. Liria po troket në dyert e çdo shqipari, por Ajo na shtron deyra secilit prej nesh për t’i kryer me përkushtim dhe me përgjegjësi.

Shkruar më 25.06.1998

Botuar në “Java Shqiptare” më 19 korrik 1998 pasi që Pararoja staliniste e LPK-së dhe karrieristët e LBDK-së nëpërmjet shtypit të tyre bënë përpjekje për ta njollosur Ahmet Krasniqin, i cili kryente detyrën e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Loading