MARRËVESHJA E PRIZRENIT NË MES RAMËS DHE THAÇIT E DAMSHME PËR KOMBIN SHQIPTAR

Shefqet Jashari-Strofci

Është e njohur se stalinistët e Shqipërisë dhe enveristët e diasporës shqiptare më 1993 në Zurich e patën nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim dhe ndihmë reciproke në mes PSSH-së dhe LPK-s, për realizimin e synimeve të tyre politike. Fatos Nano kishte për qëllim rrëzimin e Sali Berishës nga pushteti për ta marr vet atë pushtet mbi shqiptarët e Shqipërisë. Edhe LPK-ja kishte të njëjtat synime: Largimin e Dr. Ibrahim Rugovës nga skena politike dhe shkatërrimin e LDK-së që ata të bëhen pari e Kosovës. Marrëveshja parashihte që LPK-ja, ta ndihmonte me mjete financiare Fatos Nanon dhe PSSH-së. Në anën tjetër Fatos Nano me kompani, u zotuan se pasi të vijnë në pushtet do ta ndihmojnë LPK-në dhe forcat e majta të Kosovës për t’i realizuar synimet e tyre në Kosovë.

Siç dihet, komunistët e Shqipërisë më 1997 i realizuan synimet që i parashihte marrëveshja e Zurich-ut. E rimurën pushtetin duke e kallur Shqiprinë dhe i shkatërruan institucionet shtetërore të saj. Dhe pastaj Shqipërinë e shëndërruan në koloni greke.

Edhe dy bishtat e Partisë Socialiste të Shqipërisë, PDK-ja dhe AAK-ja, që i polli LPK-ja pas luftës, i realizuan shumicën e synimeve të tyre. Ndaj Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugovës i banë dy atentate të pa suksesshme. LDK-në, edhe pse nuk e shkatërruan e dëmtuan shumë, duke ia vra veprimtarët e dalluar që ishin burra të fortë të shqiptarisë. Nuk i njohën institucionet( sistemin paralel të Kosovës) shtetërore të republikës së Kosoves, pasi që Beogradi nuk i njihte, dhe pastaj i shkatërruan ato institucione të krijuara me mund e gjak. E rjepën Kosovën, atë që mbeti pa u rjepur nga paramilitarët e Arkanit dhe arkanëve tjerë serb. E vodhën dhe e përvetësuan pasurinë shoqërore të Kosovës, që u krijua me djersë e mund për një gjysmë shekulli nga qytetarët e saj. E shkatërruan shëndetësinë, arsimin, trashëgiminë kulturore. I bënë edhe shumë të zeza tjera gjatë luftës dhe pas luftës që dihen.

Edhe pse NATO na i largoi forcat serbe nga Kosova, patriotët e Serbisë në kry me Xhavit Halitin dhe pionët e tij: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Qosjen, Adem Demaçin, Jakup Krasniqin, Fatmir Limajn, Rexhep Selimi e shumë të tjerë, Kosovën pothuajse e shëndrruan në koloni serbe, siç ishte edhe më parë, duke e bërë Kosovën treg të sajin për t’i shitur mallrat e dyshimta me Euro, të prodhuara posaçërisht për shqiptarë. Ua lanë kriminelëve serb ta qeverisin Kosovën Veriore, në bazë të një marrëveshjeje që u lidhe në mes popave serb dhe UNMIK-ut në njërën anë, dhe Thaçit dhe Qosjes në anën tjetër, me qëllim që t’ua mundësoi kriminelëve serb dhe parisë së dy bishtave të Partisë Socialiste të Shqipërisë, PDK-së dhe AAK-së të bëhen pasanikë ’’sa qel e mëshel sytë’’. Dhe së fundi Thaçi pasi u shantazhua nga Sigurimi serb, me marrëveshje dhe pa marrëveshje i bëri ortak kriminelët serb të Kosovës veriore në qeverisjen e Kosovës.

Dhe tani pasi që argatët dhe vasalët serbo-sllavo-grekë u bënë pushtetarë në Shqipëri dhe Kosovë, për ta festuar fitoren e marrëveshjes-aleancës së Zurihut,( 20 vjetorin nënshkrimit) vendosën ta festojnë jo në Zurih, ku ishte miratuar marrëveshja e arritur në mes Xhavit Halitit dhe Fatos Nanos, dhe as në Tiranë që ishte motori i asaj aleance të shëmtuar, por në Kosovë, në qytetin historik të shqiptarëve në Prizrenin legjendar, për ta keqpërdor dhe për të manipuluar me përpjekjet e popullit tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar, për aritjen e synime të tyre të liga kundër shqiptarëve.

Se komunistët shqiptarë janë mjeshtër të manipulimeve, ustallarë për përvetësimin e synimeve, ideve-idealeve dhe veprimtarisë së veprimtarëve të dalluar të kombit, kanë treguar më shumë se një herë. Por mbajtja e një mbledhjeje të përbashkët të dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës në kryeqendrën e ardhshme të Shqipërisë etnike, duke e lavdëruar Rama Thaçin, e Thaçi Ramën, si pulat që kokorizën kur bëjnë vezë, për të bëmat e tyre të deritashme apo për ’’synimet’’ e tyre ’’për përmirësimin e jetës’’ së qytetarëve të tyre, tregon më së miri se janë në hall për ta ngritur autoritetin e tyre të rrëzuar për toke, si pasojë e veprimtarisë së tyre antikombëtare. A nuk tregoi Edi Rama me rrugaçët e mbledhur rreth tij, gjatë mandatit të fundit të qeverisë së Sali Berishës, duke e nxirë Shqipërinë dhe qytetarët e saj me veprimtarinë e tij destabilizuese dhe kriminele, me çka i bindi qendrat e vendosjes ndërkombëtare se shqiptarët ‘’nuk janë popull shtet-formues’’, përralla këto të serbo-sllavo-grekve, që i kanë shpërnda nëpërmjet shumë kanaleve dhe në shumë mënyre në katër anët e botës, duke u mbështetur në veprimtarin antishqiptare të pionëve dhe vazalëve të tyre që me ndihmën e tyre janë ngjitur në krye të organeve shtetërore dhe në në krye të subjekteve politike të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë.

Po pionët dhe argatët e Xhavit Halitit: Rexhep Qosja, Fatmir Limaj e të tjerë së bashku me kompaninë tjetër, vëllezërit Haradinaj, vëllazrit Bujaj, Bujar Bukoshi etj, me kompani?! A nuk bënë edhe ata të njëjtën gjë me Kosovën gjatë luftës dhe pas përfundimit të luftës siç banë stalinistët e Shqipërisë me Shqipërinë?!Po të njëjtën gjë e bënë. Bile u treguan edhe më të shtirë e më xhahila se ata shumëfish.

Se takimi i tyre nuk do t’i sjell Shqipërisë, Kosovës dhe viseve tjera shqiptare as një të mirë, por vetëm të zeza, gazep, vuajtje, varfëri për shumicën e qytetarëve shqiptarë, nuk ka dyshim, po qe se forcat demokratike dhe qytetarët që dinë të mendojnë nuk ua japin dajakun e merituar me votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Dihet se’’ ujku qimen e ndërron por adetin nuk e harron’’. Kush do t’ju besonte fjalëve të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, se ’’do të punojnë në fushën e drejtësisë, proceset e reformimit të shtetit të së drejtës, shkëmbimin e informacioneve në luftën kundër krimit, trafiqeve dhe korrupsionit’’, kur dihet se ata janë në kupolën e krimit të organizuar. A thua cila forcë i paska detyruar Edi Ramën dhe Hashim Thaçin që brenda një dite, apo brenda disa orëve sa ishin në mbledhje të ’’vendosin’’ ta’’ndërrojnë lëkuren’’. Dihet se gjarpri lëkuren e ndërron, por zakon se harron’’. Është tinëzar, kafshimi i tij është vdekjeprus. Sa habi e madhe kur kupton se mafiozët bëjnë përpjekje të bëhen’’atdhetarë’’të kulluar, që zemra shpirti po ua’’donë bashkimin kombëtar’’, por ’’besën’’ që ua paskan dhënë SHBA-ve dhe Bashkësisë Evropiane, nuk bënë ta shkelin. Po qe se ndodhë me ua mbush djalli mendjen për ta shkelur atë’’betim’’dhe atë ’’ besë’’ Edi Ramës, do të bëhet Shqipria etnike?! Sa punë e thjesht qenka kjo puna e krijimit të Shqipërisë Etnike! A nuk tregon kjo se këta dy bajraktarë të ’’farës ruse’’janë në hall për autoritetin e tyre të rrëzuar për toke. A thua do të gjejnë ende mendjeshkurtër, që do t’u besojnë kopallave të tyre se gjëja tash e tutje nuk do të jenë më patriot të Serbisë e të Greqisë, por do të jenë ’’patriotë’’ të shqiptarisë.

Edhe vendimi i dy qeverive për t’i ’’ ndihmuar’’ tri komunat shqiptare të Kosovën Lindore me 100.000Euro,(shifër kjo që ua tregon fytyrën e vërtet të argatëve serb para qytetarëve shqiptar dhe para botes) pa folur as një fjalë për të drejtat e njeriut dhe të drejtat kombëtare të shkelura nga shteti dhe pushtetarët serb, dhe as kërkesa për respektimin e marrëveshjes së Ohrit, nga pushtetarët sllav të Maqedonisë, por duke u dhënë garanci çakajve të Ballkanit dhe miqve të tyre evropian, se kufiri në mes Shqipërisë dhe Kosovës është i pa’’cenueshëm’’ dhe i ‘’patjetërsueshëm’’, tregon se Edi Rama dhe Hashim Thaçi dhe argatët e tyre që po e luajnë rolin e ‘’ministrave’’në kabinetin e tyre qeveritar, janë pion të tyre, janë gazi i botës, janë vegla të armiqve tanë shekullor, janë e zeza e kombit shqiptar!

Dy bajraktarët e ’’farës ruse’’ Edi Rama dhe Hashim Thaçi, pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive të tyre, e lajmëruan opinion e gjerë se ata e kanë nënshkruar’’deklaratën e përbashkët për bashkëpunim e partneritet strategjik në mes Kosovës dhe Shqipërisë’’. Po ashtu ata pranuan se ‘’dy qeveritë do të angazhohen me fuqizimin e dialogut ndërqeveritar për çështjet me interes të ndërsjellët’’. Dëshmuan po ashtu se ’’do të bashkëpunojnë në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurise¨. Po qe se e lexojmë deklaratën e tyre në mes rreshtave do të kuptojmë se dy kryeministrat janë marr vesh për ta ndihmuar njëri tjetrin për ta vazhduar qeverisjen e tyre në një kohë të pacaktuar. Deklarata e Thaçit se’’qëllimi i këtij takimi ka qenë zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme dhe forcimi i marrëdhënieve tona’’dëshmon se marrëveshja e Ramës dhe Thaçit në Prizren është bërë që t’i zgjatet jeta së paku edhe për 20 vjet marrëveshjes së Zurihut. Siç dihet marrëveshja e Zurihut është nënshkruar herën e parë nga Xhavit Haliti dhe kryesia e Degës së LPK-së në Zurih, në njëren anë, dhe Fatos Nanos me lidershipin e PSSH-së në anën tjetër. Në atë kohë Edi Rama dhe Hashim Thaçi nuk kanë qenë faktorë të vendosjes në ato subjekte të komunistëve shqiptarë. Por pasi që këta pion të Nano-Milo-Majkos dhe të Xhavit Halitit janë vu në krye të bajraktarëve të’’farës ruse’’, të nanoistëve të çartur për pushtet dhe ’’pionerve’’ të Enverit, e kanë parapa ta përtërijnë vet atë marrëveshje-aleancën e Zurihut, që edhe më tutje të jetë e plotfuqishme për ta ndihmuar njeri tjetrin në mënyra dhe forma të ndryshme që të mbesin në pushtet, në Shqipëri dhe në Kosovë edhe për disa mandate, po qe se arrijnë t’u qesin ‘’pluhur në sy’’shqiptarëve.

Botuar:’’ Bota sot’’ 15. 01. 2014

Loading