Kush e vrau kolonelin Ahmet Krasniqi?

Kosova e pasluftës me halle të mëdha për njerëzit e zakonshëm, me politikanë të komprometuar dhe me gazeta që nuk ia hapin plagët vetes. Kosova me shumë “policë” dhe pa drejtësi; me shumë ministra e gjykata, por pa asnjë vendim për kriminelët që vranë bijtë e saj. Kosova me heronj të rënë, por me kriminelë që shëtisin të lirë. Sa çudi! Sa e rëndë është të jetosh në një vend ku sakrifica harrohet e krimineli mbrohet!

Kolonel Ahmet Krasniqi lindi më 15 janar 1948 në Zhilivodë, komunë e Vushtrrisë, dhe ishte një oficer karriere i Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë. Në vitet ’90 ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u bë komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK). Me gradën kolonel, ai bashkoi oficerë, furnizoi me armë dhe organizoi rezistencën për lirinë e vendit. Më 21 shtator 1998, pak para mesnatës, në zemër të Tiranës, koloneli u vra nga doras të panjohur teksa hynte në banesën e tij. Policia gjeti vetëm tri gëzhoja 9 mm dhe heshti. Ishte një atentat i pashembullt për Shqipërinë e asaj kohe, ndërsa në Kosovë lufta vazhdonte e njollosur nga tradhtia.

U deshën pak ditë që lajmi t’i trondiste shqiptarët: koloneli nuk ishte më, por veprat e tij nuk u shuan. Ai njihet si “Ministri i Luftës” dhe pas vdekjes u shpall Hero i Kosovës. Megjithatë, më shumë se një çerek shekulli më vonë, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 26 vjetorin e vrasjes kujtoi se koloneli u vra pabesisht dhe se “zgjidhja e këtij krimi është detyrim i yni”. A thua pse heshtin institucionet? A thua kush e urdhëroi dhe kush shtypi këmbëzën? Pse ende mbrohen kriminelët nga hijet e politikës? Sa turp për një shoqëri që lejon të zvarritet një e vërtetë kaq e dhimbshme!
E vërteta është se gjaku i Ahmet Krasniqit kërkon drejtësi. Ne nuk mund të kërkojmë ndërtimin e shtetit pa zbardhur vrasjet e komandantëve tanë. Dorasit dhe urdhërdhënësit mbeten të panjohur jo pse nuk dihen, por pse mungon vullneti për t’i sjellë para gjykatës. Nëse nuk i kërkojmë llogari sot, do të na mallkojnë brezat që vijnë. All-llahu është dëshmitar, populli nuk harron dhe historia nuk fal.

Drejtësia për kolonel Krasniqin është provë e ndërgjegjes sonë. Është koha të mos mburremi vetëm me monumente dhe tituj, por të kërkojmë emrat e atyre që vranë birin e Kosovës në mes të Tiranës. Përndryshe, hijet e së kaluarës do të vazhdojnë të na ndjekin dhe Kosova e lirë do të mbetet vetëm ëndërr në letër.
Shefqet Jashari Strofci. 25 korrik 2025

 

Loading

Leave a Reply