Ademi, Hamza, Zahiri dhe Salihu nuk ishin njerëz të besueshëm të Xhavitit dhe Azemit, prandaj nuk u bënë antarë të “shtabit të tyre”

Botuar në Librin “Pse jemi kështu siç jemi?” – botimi i parë – 2002
Në rrugë e sipër afër Vushtrrisë, policia serbe kishte organizuar pritën, pasi, siç merret me mend, kishte njoftime të plota dhe të sigurta, se kush gjendej në atë veturë. Siç dihet pas qëndreses heroike, të tre bien në fushën e nderit, duke përgjakur edhe policinë e shkaut. Ismet Avdullahu çeli të pame për vrasjen e Zahit Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës. Vijnë në të pame Ali Ahmeti dhe Bajram Ajeti për të shprehur ngushëllime. Kur Ismeti i përcjell, ata e lusin Ismetin të mos kundërshtojë, pasi ata kishin vendosur të lëshonin një Komunikatë, ku për Zahir Pajazitin do të thuhej se kishte qenë anëtar i LPK-së. Ismeti i kërcënoi edhe fizikisht, po qe se e bënin një falsifikim të tillë. Përfaqësuesit e pararojës staliniste të LPK-së pas kërcënimit që ua bëri Ismet Avdullahu, nuk guxuan të bëjnë një falsifikim kaq të shëmtuar, dhe kështu të inatosur nga përgjigjja e Ismetit, ata në Komunikatën nr.30 e njoftuan opinionin se “më 31 janar të vitit 1997 dhanë jetën për çlirimin e Kosovës tre pjesëtarë të njësive tona ushtarake për çlirimin e vendit”. Por gënjeshtra dhe falsifikimi i tyre nuk pati vlerë, pasi mjetet e informimit të opinionit ndërkombëtar e kishin bërë të ditur të vërtetën se “afër Vushtrrisë u vranë në një pritë, tre udhëheqës të UÇK-së në mesin e të cilëve edhe komandanti i saj Zahir Pajaziti”. Vrasja e Zahir Pajazitit dhe dy bashkëveprimtarëve të tij Hakifit dhe Edmondit ishte një humbje e madhe për njësitë guerile të Republikës së Kosovës, por me caktimin e Ilir Konushefcit në vend të Zahir Pajazitit, nga udhëheqja e njësive guerile të Llapit, u shty edhe për një vit përvetësimi i njësive guerile të Llapit nga LPK-ja. Me vrasjen e Ilir Konushefcit në Shqipëri nga udbashët e Tiranës, u realizua qëllimi i pararojës staliniste të LPK-së, njësitë guerile të Llapit u përvetësuan nga Xh. Haliti dhe A. Syla. Muhamet Kelmendi në librin e tij “Pse nuk u ndërtua Fronti për Çlirimin e Kosovës” i shpjegon rrjedhat e ngjarjeve pas vrasjes së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës më 31 janar të vitit 1997 kështu “Uniteti në kuadër të kryesisë së degës për ndërtimin e UÇK-së ishte, nga emërtimi e deri në janar të vitit 1977, i mbështetur në vullnetin për të ndërtuar këtë subjekt ushtarak… Kjo vazhdoi deri në janar të vitit 1997, kur UÇK-ja nga burgosjet dhe vrasjet pësoi dëme të mëdha, kur praktikisht ky subjekt mbeti pa udhëheqje ushtarake të veten. Tash nuk kishte më Shtab Qendror. Ai nuk funksiononte, sepse anëtarët e tij ishin shpërndarë, ca u vranë madje edhe u burgosën, ca ikën jashtë vendit. Tërë udhëheqja kaloi në kuadër të Kryesisë së KP të Degës j. v. Me këtë filluan të duken edhe fërkimet e para, sepse dy anëtarët e Sektorit (Xhavit Haliti dhe Azem Syla) kishin krijuar lidhje me disa forca brenda vendit, të cilët pretendonin të dilnin në udhëheqje, edhe pse në asnjë sferë nuk kishin aftësi profesionale, njohuri e nuk zotëronin as artin e luftës dhe të ushtrisë. Këta të dy së bashku me disa brenda vendit, krijuan klanin që bëri grusht politik”.

Siç po shihet me vrasjen e Zahit Pajazitit dhe burgosjen e N.N-së nuk kishte më Grup Kordinues (‘’Shtab Qendror të UÇK-së’’), pasi “përfaqësuesi” i Drenicës Rexhep Selimi, “përfaqësuesi” i Dukagjinit që nuk ishte nga radhët e njësive guerile të Sali Çekut, dhe “Mustafa” që përfaqësonte LPK-në, nuk kishin kujt t’i jepnin urdhëra për të kryer aksione të armatosura, se nuk kishin “njësi çlirimtare”. Ndërsa vetë nuk kishin kaçik për të kryer kurrëfarë aksionesh. Kisha për t’i pyetur ish antarët e Kryesisë së LPK-së, që na e “krijuan’’ ‘’UÇK-në’’ dhe ’’Shtabin Qendror”, dhe siç thotë M.Kelmendi në librin e tij të lartëpërmendur me ’’me vendim’’ e shëndrruan atë në ’’ushtri të rregulltë’’ më 1993, si ta emërojmë manipulimin e Xhavit Halitit dhe të Azem Sylës, të cilët ’’Grupin Koordinues’’ ua prezentuan juve si “Shtab Qendror”, ndërsa vetë i merrnin vendimet në emër të atij ’’Grupi Kordinues’’(’’Shtabi të Përgjithshëm’’) pa dijen dhe pëlqimin e anëtarëve të tij?! Kjo nuk mund të quhet ndryshe zotërinj, përpos falsifikim i ngjarjeve historike, keqpërdorim i çështjeve madhore kombëtare, komplot kundër komandantëve të njësive të para guerile të Republikës së Kosovës, Adem Jasharit, Hamzë Jasharit, Zahir Pajazitit dhe Salih Çekut dhe njësive guerile që ata i krijuan gjatë viteve të para të ’90-ës. A thua vallë, si do të përgjigjen Xhavit Haliti dhe ish Kryesia e LPK-së Dega j.v, që na e “krijuan” UÇK-në dhe ’’Shtabin Qendror’’ të saj, po qe se ju shtrojmë këtë pyetje: Na thuani zotërinj çfarë kredibiliteti kishte “Shtabi Qendror i UÇK-së’’ që e ’’krijuat’’ ju, kur Adem Jashari, Hamzë Jashari, Zahir Pajaziti dhe as Salih Çeku nuk i paskan pasë plotësuar kushtet të ishin anëtarë të tij, ndërsa Azem Syla, i cili një plumb s’ka shkrepur kundër forcave okupuese serbe i plotësoi kushtet të bëhet jo vetëm anëtar i ’’Shtabit Qendror’’, por dhe “Komandant i pa shpallur i UÇK-së”?! Një shpjegim na e ka dhënë Xh.Haliti, por nuk e di se a pajtohen me të ish anëtarët e Kryesisë së LPK-së dega j.v., të cilët veten e shpallën ’’udhëheqje politike të UÇK-së’’. Në intervistën e tij Xh. Haliti thotë : “Në këtë kohë (viti 1996, vërejtja ime) ka funksionuar Shtabi, por ishte një Shtab i ngushtë me njerëz të caktuar, të besueshëm, të cilët kanë caktuar dhe kanë urdhëruar aksionet në Kosovë”. Pra, Ademi, Hamza, Zahiri dhe Salihu nuk ishin njerëz të “besueshëm” të Xhavitit dhe të Azemit, prandaj edhe nuk u bënë antarë të Shtabit të tyre. Po Xhaviti “ka pasur të drejtë” të mos i konsiderojë njerëz të besueshëm, pasi ata i njihnin institucionet shtetërore dhe subjektet politike të Kosovës, nuk e mohonin punën e tyre për ndërkombtarizimin e çështjes së Kosovës. Për këtë shpjegim kaq të sinqertë të Xh. Halitit nuk më mbetet asgjë tjerë vetëm ta uroj atë dhe kryesinë e LPK-së dega j.v. që na e “krijuan UÇK-në dhe Shtabin Qendror” të saj, dhe me vendim na e shndërruan atë në “ushtri të rregullt” qysh më 1993. “Hallall” ju qoftë tamli i ‘’nënës Parti’’, të formuar para një gjysmë shekulli nga Milladini, Dushani dhe Enveri!. Muhamet Kelmendi e fajëson Xh. Halitin dhe A. Sylën të cilët “kishin krijuar lidhje me disa forca brenda vendit”, por nuk jep shpjegime më të hollësishme për të kuptuar se për cilat forca e ka fjalën. Siç dihet Xh. Haliti dhe A. Syla gjatë vitit 1996 arritën t’i fusin në njësitë guerile të Adem Jasharit, Rexhep Selimin dhe Sabit Gecin, ndërsa Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin i prezentuan për udhëheqës të organit më të lartë të UÇK-së në fund të vitit 1997.

Xh. Haliti dhe A. Syla me kërkesën e Nanosit i filluan bisedimet me Hydajet Hysenin në fillim të vitit 1997, atëherë kur ai kishte ardhur në Zvicër për të marrë pjesë në manifestimin ‘’Flaka e Janarit’’. Ngjarjet që pasuan pas takimeve që u bënë në mes përfaqësuesëve të LPK-së dhe Hydajet Hysenit dëshmojnë se Hydajet Hyseni me njerëzit e tij, hynë në aleancë me LPK-në dhe me PSSH për realizimin e Marrëveshjes së Zyrihit të vitit 1993. Pasojat e kyçjes së grupit të Hydajet Hysenit në këtë aleancë të fshehtë, dihen. Përpjekja e H. Hysenit për shkatërrimin e LDK-së nuk pati sukses, por pati pasoja të rënda, pasi në Kosovë u krijuan dy forca kundërshtare. Në njërën anë ishte LDK-ja me PNDSH-në, PDSHK-në dhe PLK-në, që e kishin bërë ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe i kishin vënë themelet e shtetësisë së Kosovës dhe në anën tjetër ishte LBDK-ja dhe LPK-ja, të cilat nuk i njihnin institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, dhe pengonin me të gjitha forcat bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Republikës së Kosovës, penguan UÇK-në të bëhej ushtri e institucionalizuar e Republikës së Kosovës, bënë komplote të shumta kundër çdo organizimi, që do të çonte në forcimin e faktorit politik dhe ushtarak shqiptar. Pra, veprimtaria e tyre ishte e kanalizuar në drejtim të realizimit të Marrëveshjes së Zyrihut.

Ndërrimi i status-quos në Kosovë nga lëvizja studentore për rimarrjen e objekteve universitare dhe shkollore, zgjerimi e rritja e aksioneve të armatosura nga njësitë guerile të Llapit, Drenicës dhe të Dukagjinit, krijuan kushtet dhe rrethanat që faktori ndërkombëtar, të merret më tepër me çështjen e Kosovës. Veçmas diplomacia e SHBA-ve, e cila ishte e detyruar t’i kryente zotimet që kishte marrë Xhorxh Bushi, sa ishte Kryetar i SHBA-ve, në lidhje me Kosovën, kur serbëve ua vuri “vijën e kuqe” në kufijtë e Kosovës.

Muhamet Kelmendi në librin e tij të cekur më lart na shpjegon se pas vrasjes së Zahir Pajazitit në janar të 1997, dhe burgosjeve që u bënë gjatë asaj kohe, Kryesia e LPK-së, dega j. vendit, bëri hapa konkret për përvetësimin e njësive guerile të Republikës së Kosovës. Ai thotë: “… gjatë viteve 1993-1997, çështja e ndërtimit të UÇK-së u bë temë kryesore e radhëve tona të organizuara. Shumë punë u kryen, ndërsa në fillim të vitit 1997, menjëherë pas vrasjes së disa shokëve dhe burgosjeve të disa të tjerëve, kryesia e degës mori vendim për ta ndihmuar UÇK-në në të gjitha fushat e jetës së saj, jo vetëm në anën politike e juridike, por edhe me kuadro të ndryshëm. Në vitin 1997, u ndërmor një fushatë e gjerë e dërgimit të shokëve në Kosovë. Përveç kalimit më të madh të radhëve të LPK-së në njësi ushtarake, dërguam edhe shokë brenda vendit’’ Ja pra ishin këta hapa konkret të LPK-së për ta marrë udhëheqjen e njësive guerile që i kishin krijuar Adem Jashari, Hamzë Jashari, Zahir Pajaziti dhe Salih Çeku.

Loading